Stuhi të fuqishme, reshje të dendura dhe erëra të forta goditën disa pjesë të Gjermanisë pak para fillimit meteorologjik të verës, duke shkaktuar dy viktima, dëme materiale, probleme në trafik dhe ndërhyrje të shumta të shërbimeve emergjente.
Ngjarja më tragjike ndodhi në Bruchsal, në veri të Karlsruhes, ku dy persona humbën jetën në një aksident të rëndë rrugor në Bundesstraße 35. Sipas policisë, automjeti i një 65-vjeçari humbi kontrollin për shkak të aquaplaningut gjatë motit të keq dhe kaloi në korsinë e kundërt.
Atje u përplas me një automjet tjetër, ku ndodheshin një burrë 55-vjeçar dhe një grua 54-vjeçare. Të dy humbën jetën si pasojë e përplasjes. Shoferi 65-vjeçar u plagos rëndë dhe u transportua me helikopter në spital. Rruga federale u mbyll për disa orë.
Aquaplaningu ndodh kur në asfaltin e lagur krijohet një shtresë uji mes gomave dhe rrugës. Në këtë rast, gomat nuk arrijnë ta largojnë ujin me shpejtësi të mjaftueshme, automjeti humb kontaktin me rrugën dhe nuk mund të drejtohet apo frenohet normalisht.
Në pjesë të tjera të Baden-Württembergut, stuhitë e paralajmëruara kaluan pa dëme të mëdha. Policia në Freiburg njoftoi se nuk pati raste serioze, ndërsa edhe në rajonet Tübingen dhe Stuttgart, pavarësisht paralajmërimeve për mot të keq, nuk u regjistruan ndërhyrje të mëdha policore.
Një moment frike u përjetua në Osnabrück, ku një rrufe goditi kishën Pauluskirche gjatë një ceremonie pagëzimi. Sipas policisë, gjatë ceremonisë u dëgjua një shpërthim i fortë, por fatmirësisht askush nuk u lëndua.
Disa të pranishëm ndien për pak kohë erë djegieje, por zjarrfikësit nuk konstatuan dëme në kishë. Për pjesëmarrësit e pagëzimit, ngjarja mbeti një përjetim i pazakontë, ndërsa disa prej tyre e përshkruan me humor si një “përshëndetje qiellore”.
Në të njëjtën kohë, një tjetër rrufe goditi çatinë e një shtëpie banimi në Melle, në qarkun Osnabrück. Edhe në këtë rast nuk pati të lënduar, por u shkaktua zjarr.
Moti i keq shkaktoi probleme të shumta edhe në Bavari. Pas ditëve me temperatura të larta, ndryshimi i motit solli stuhi të fuqishme, reshje të dendura dhe erëra të forta, të cilat shkulën pemë, dëmtuan automjete dhe penguan qarkullimin rrugor.
Në Niederbayern, një tra i rënë nga skela e një kishe goditi një çift bashkëshortor, duke i shkaktuar lëndime të lehta. Ndërsa në autostradën A3, pranë Velburgut në Oberpfalz, stuhia rrëzoi tri shtylla të tensionit elektrik.
Edhe në Nordrhein-Westfalen pati ndërhyrje për shkak të motit të keq. Në qarkun Soest, rreth 200 pjesëtarë të shërbimeve emergjente punuan nga e diela pasdite deri në mbrëmje për të larguar pasojat e reshjeve të dendura dhe pemët e rrëzuara.
Si pasojë e stuhive, u ndërpre edhe qarkullimi hekurudhor në linjën Unna–Soest. Deutsche Bahn njoftoi se nuk ishte ende e qartë se kur do të hiqej bllokada e linjës.
Sipas Shërbimit Gjerman të Motit, gjatë natës drejt së hënës reshje dhe stuhi mund të vazhdonin nga Alpet deri në pjesën lindore të qendrës së vendit, ndërsa në disa zona ishte i mundur edhe shi i rrëmbyeshëm për disa orë.
Megjithatë, për të hënën, ditën e fillimit meteorologjik të verës, DWD parashikoi se me shumë gjasë nuk do të kishte më stuhi.















