Inxhinierja e kimisë, Emilija Anevska, e punësuar në Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi” – Shkup, e cila së bashku me inxhinierin elektrik Dejan Dimovski dhe inxhinierin e makinerisë Aleksandar Smilkov mori pjesë në ekipin për sanimin e rrjetit të ujësjellësit të Gostivarit, deklaroi sot se gjashtë mostrat e marra gjatë ditëve të fundit nga konsumatorët fundorë në Gostivar kanë treguar se uji nuk është më i ndotur me materie fekale.
“Në të gjitha mostrat, gjatë tri ditëve radhazi, është konstatuar mungesë e baktereve koliforme, pasi është kryer klorim me përqendrim më të lartë. Në mostra nuk është regjistruar prani e trihalometaneve mbi kufijtë e lejuar. Rezultatet i janë dorëzuar Shtabit të Krizës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si institucion kompetent”, theksoi ajo.
Gjatë ditëve të ardhshme do të shtohet edhe më shumë numri i pikave matëse, në mënyrë që cilësia e ujit të ndiqet vazhdimisht, derisa të konfirmohet se ai është i sigurt për t’u pirë.
Sipas Anevskës, nuk mund të parashikohet se kur uji do të jetë i sigurt për konsum.
“Ndërmarrja publike në Gostivar, në përgjithësi, përballet me problem në procesin e dezinfektimit. Gjatë ditëve të ardhshme do të përpiqemi ta zgjidhim edhe këtë problem shtesë. Kur dezinfektimi të jetë i vazhdueshëm dhe të mos ketë shmangie nga vlerat normale, në mënyrë që të sigurohet ujë i padëmshëm, fillimisht do ta njoftojmë Shtabin e Krizës dhe më pas qytetarët”, informoi Anevska.
Se uji në Gostivar është pastruar nga ndotja fekale e konfirmoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai drejton Komitetin Drejtues për Koordinimin dhe Menaxhimin e Sistemit të Menaxhimit me Kriza.
“Pas analizave të përsëritura, kemi marrë konfirmim nga ekspertët se uji mund të përdoret si ujë teknik, për dush dhe për të gjitha nevojat e amvisërisë, por jo për t’u pirë dhe as për përgatitjen e ushqimit”, tha Toshkovski.
Në qytet do të vazhdojë shpërndarja e ujit të ambalazhuar.
Toshkovski u dërgoi një mesazh të gjithë personave përgjegjës në komunat në territorin e Maqedonisë së Veriut, duke thënë se shpreson që “kjo të jetë një mësim dhe që, njëherë e përgjithmonë, në të ardhmen të veprojnë me profesionalizëm maksimal dhe brenda kompetencave të tyre ligjore për kontrollin e cilësisë së ujit”.
“I falënderoj banorët e Gostivarit për mirëkuptimin, si dhe ekspertët që i ndërmorën të gjitha aktivitetet për hiperklorimin dhe instalimin e aparaturave, në mënyrë që të arrijmë në fazën kur kemi ujë për përdorim teknik. Shpresoj se së shpejti do të njoftojmë saktësisht se kur do të kemi edhe ujë të pijshëm. Shpresoj se kjo do të jetë një mësim për të gjithë personat përgjegjës dhe se, njëherë e përgjithmonë, në të ardhmen do të veprojnë me profesionalizëm maksimal dhe brenda kompetencave të përcaktuara me ligj për kontrollin e cilësisë së ujit, sepse nuk mund të luhet me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, tha Toshkovski.
Sipas tij, as Ushtria dhe as Policia nuk duhet t’i ruajnë sistemet e ujësjellësit, pasi në kushte paqeje kjo është detyrë e ndërmarrjes publike që e furnizon qytetin me ujë.
“Çdo institucion që është përgjegjës për mirëmbajtjen e sistemeve të ujësjellësit në kuadër të komunave është i detyruar t’i ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore të përcaktuara me rregullore. Mendoj se, nëse secili do ta kryente punën që i është përcaktuar me ligje dhe akte nënligjore, nuk do të duhej të kishim probleme të këtilla”, theksoi Toshkovski.
Pas shpalljes së epidemisë në Gostivar dhe pasi rezultatet e Institutit të Shëndetit Publik, të përgatitura me urdhër të Prokurorisë, treguan se uji në Gostivar ishte i pasigurt për pije për shkak të ndotjes me baktere fekale në nivel 48 herë mbi normën, në Gostivar u shpall gjendje krize.
Në temperatura përvëluese, qytetarët furnizoheshin me ujë përmes donacioneve dhe pikave të shpërndarjes, ndërsa ujin nga ujësjellësi i qytetit nuk mund ta përdornin as për t’u larë./Tetova News















