Ballina Aktualitet Gostivari nesër pritet të ketë ujë teknikisht të rregullt për përdorim

Gostivari nesër pritet të ketë ujë teknikisht të rregullt për përdorim

Banorët e Gostivarit pritet të kenë ujë teknikisht të rregullt për përdorim që gjatë ditës së nesërme, konfirmoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se kriza po tejkalohet në një afat rekord prej një jave.

Sipas deklaratave të tij, megjithëse administrimi i rrjetit të ujësjellësit është kompetencë e drejtpërdrejtë e pushtetit lokal, Qeveria është përfshirë menjëherë në terren, duke siguruar donacione humanitare me ujë të ambalazhuar dhe duke angazhuar ekipe profesionale nga Ujësjellësi i Shkupit për hiperklorimin e tubacionit.

Nga Qeveria shtojnë se përgjegjësia e plotë juridike për incidentin që rrezikoi shëndetin e qytetarëve aktualisht po hetohet nga Prokuroria Publike.

Siç theksoi Mickoski, në vend të një qasjeje konstruktive, opozita ka zgjedhur të përdorë akuza të pabazuara dhe të përhapë panik të panevojshëm mes qytetarëve.

Kryeministri bëri të ditur afatet e përcaktuara saktësisht për rikthimin në funksion të ujësjellësit:

Publicitet

“Ekipet e Ujësjellësit të Shkupit po punojnë në Gostivar për hiperklorimin e instalimit. Pres që që nesër të publikohet njoftimi se uji është teknikisht i rregullt për përdorim. Problemi u zgjidh në një afat rekord prej një jave. Më habit fakti që opozita po e kritikon komunën dhe udhëheqjen të cilën vetë e kishte mbështetur gjatë zgjedhjeve lokale. Qeveria po sjell rezultate dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.”

Hetim nga Prokuroria Publike dhe përgjigje ndaj kritikave

Lidhur me përcaktimin e përgjegjësisë dhe reagimet e LSDM-së opozitare, Mickoski deklaroi:

“Po e ndjek procesin dhe politikat e opozitës, por politika e tyre është vetëm të sajojnë gënjeshtra dhe të përhapin histeri. Përcaktimi i përgjegjësisë së plotë për atë që ndodhi në Gostivar aktualisht është në duart e Prokurorisë Publike, e cila do të konstatojë se ku qëndron përgjegjësia. Megjithëse ujësjellësi nuk është në kompetencën tonë, ne siguruam menjëherë ujë të pijshëm përmes donacioneve.”