OpenAI njoftoi të enjten se ka përditësuar aplikacionin ChatGPT për kompjuter, duke shtuar mbështetjen për ChatGPT Voice. Funksioni i ri u mundëson përdoruesve të komunikojnë me aplikacionin përmes zërit, për të kontrolluar agjentët e inteligjencës artificiale dhe për të kryer detyra të ndryshme në kompjuter.
Ky funksion mbështetet në familjen e re të modeleve zanore të OpenAI-t, të quajtur ChatGPT-Live, e cila u prezantua në fillim të këtij muaji.
Sipas OpenAI-t, ChatGPT Voice funksionon si me ChatGPT Work, ashtu edhe me Codex. Ai mund të përdorë gjithashtu aftësitë e kontrollit të kompjuterit për të kërkuar informacione në faqe interneti dhe për të ndërvepruar me aplikacione të ndryshme.
Në pajisjet macOS, përmes funksionit Appshots, përdoruesit mund t’i lejojnë aplikacionit qasje në përmbajtjen që shfaqet në ekranin e tyre, përfshirë edhe tekstet alternative, të njohura si “alt-text”.
Kur u prezantua fillimisht versioni i ChatGPT Voice për telefona inteligjentë, ai ofronte biseda më të rrjedhshme dhe menaxhim më të mirë të ndërprerjeve gjatë komunikimit. Megjithatë, versioni për telefona nuk ishte krijuar për të ndërmarrë veprime konkrete në pajisje.
Përditësimi i publikuar të enjten për aplikacionin desktop është dukshëm më i avancuar. Ai u lejon përdoruesve të diktojnë komanda komplekse, të përbëra nga shumë hapa, ndërsa ChatGPT mund të kërkojë informacione ose sqarime shtesë gjatë realizimit të detyrës.
Në një video demonstruese, OpenAI tregoi një programues që i kërkonte ChatGPT-së, përmes një komande të vetme zanore, të hapte një diskutim të ri, të krijonte një kërkesë për integrimin e ndryshimeve në kod — të njohur si “pull request” — dhe të zbulonte shkakun themelor të një problemi teknik në program.















