Inteligjenca artificiale po e përshpejton ndjeshëm zhvillimin e barnave, ndërsa një studim i posaçëm tregon se kjo teknologji po përgatit një valë edhe më të madhe automatizimi, e cila po ndryshon drejtimin e kërkimeve farmaceutike në fazat e hershme.
Pse ka rëndësi: Një anketë e TD Cowen me 80 drejtues dhe ekspertë të industrisë biofarmaceutike tregon se IA-ja po i ul kostot dhe po i shkurton afatet e zhvillimit paraklinik të barnave deri në 70%.
Kjo po shton kërkesën për programe të avancuara kompjuterike, mjete për sekuencimin gjenetik dhe modele llogaritëse, të cilat pritet të ndihmojnë në krijimin e një numri më të madh trajtimesh eksperimentale gjatë pesë viteve të ardhshme.
Pamja e përgjithshme: IA-ja nuk mund ta zëvendësojë intuitën shkencore. Megjithatë, mënyra se si ajo mund ta përmirësojë procesin e gjatë dhe të mundimshëm të kërkimit dhe zhvillimit, përpara se të fillojnë provat te njerëzit, po bën që ekranet e kompjuterëve të bëhen po aq të rëndësishme për projektimin e barnave sa edhe laboratorët tradicionalë.
Shpresa është që të “krijohen më shumë mundësi për të shënuar”, tha Brendan Smith, drejtor i analizave të tregut të kapitalit për shkencat e jetës në TD Cowen, si dhe të prodhohen sasi të mëdha të dhënash që mund të përdoren për trajnimin e modeleve të IA-së dhe për rritjen e gjasave të suksesit klinik.
Kjo pritet të ketë një ndikim të konsiderueshëm edhe në fazat e mëvonshme të procesit, në të ashtuquajturit “laboratorë të lagësht”, ku shkencëtarët do të vazhdojnë ta vlerësojnë sigurinë dhe efektivitetin e përbërjeve kimike.
Mes rreshtave: Ideja e një cikli të pandërprerë kërkimor bie ndesh me shqetësimet për tronditjet dhe humbjet e vendeve të punës të shkaktuara nga IA-ja në pjesë të tjera të ekonomisë amerikane, megjithëse edhe disa segmente të industrisë farmaceutike mund të preken.
Përpjekjet e administratës Trump për ta zvogëluar përdorimin e kafshëve në kërkimet biomjekësore ka të ngjarë ta zhvendosin një pjesë më të madhe të punës drejt mjeteve llogaritëse, modeleve tridimensionale të indeve njerëzore dhe alternativave të tjera që mund ta parashikojnë toksicitetin e një përbërjeje.
Sipas anketës, deri në vitin 2028 rritjen më të madhe pritet ta shënojë kërkesa për programe të avancuara që mund të simulojnë proceset biologjike, të parashikojnë ndërveprimet ndërmjet dy barnave ose t’i përshtatin dozat për të porsalindurit dhe gratë shtatzëna.
Kompanitë tashmë po investojnë në mjete për parashikim dhe modelim, si platformat in silico, të cilat u mundësojnë shkencëtarëve të kryejnë mijëra eksperimente virtuale brenda pak sekondash dhe të simulojnë toksicitetin ose qëndrueshmërinë e një bari.
Shifrat: Të dhënat e anketës së TD Cowen tregojnë se numri i programeve të reja për zhvillimin e barnave mund të rritet me më shumë se 10% gjatë tre deri në pesë viteve të ardhshme.
Blerja e shpejtë e këtyre teknologjive, së bashku me rritjen e shpenzimeve për laboratorët, mund të sjellë rreth 1 miliard dollarë shpenzime shtesë.
Kontrolli i realitetit: IA-ja ende nuk ka zbuluar një bar që të ketë marrë miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, FDA. Disa investitorë gjithashtu vënë në dyshim aftësinë e saj për të sjellë një ndikim të rëndësishëm te pacientët.
Një nga shqetësimet kryesore është se gjithë procesi i inxhinierimit dhe optimizimit mund të mos i marrë mjaftueshëm në konsideratë reagimet e organizmit njerëzor dhe dallimet e mëdha ndërmjet njerëzve, përpara se përbërjet të kalojnë në provat klinike.
Pa një përmirësim në këtë drejtim, skeptikët thonë se shkalla e dështimit të barnave të reja mund të mbetet rreth 90%.
Çfarë po vëzhgojmë: Zgjerimi i industrisë së bioteknologjisë në Kinë vazhdon t’i sfidojë përpjekjet kërkimore të Shteteve të Bashkuara, duke ofruar fuqi punëtore më të lirë dhe rezultate më të shpejta. Këto përparësi tashmë po tërheqin miliarda dollarë investime të reja.
Sipas TD Cowen, administrata amerikane “vazhdon ta lëvizë objektivin” në politikën për inteligjencën artificiale, ndërsa përpiqet të ndërthurë një qasje rregullatore me ndërhyrje të kufizuar me një mbikëqyrje më të madhe të shqetësimeve që lidhen me sigurinë dhe privatësinë./Axios















