Ballina Aktualitet Stuhia paralizoi Shkupin dhe disa rajone: përmbytje, automjete të bllokuara, zjarre dhe...

Stuhia paralizoi Shkupin dhe disa rajone: përmbytje, automjete të bllokuara, zjarre dhe qindra thirrje në 112

Një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, erë të fortë, shkarkime elektrike dhe në disa zona edhe breshër, përfshiu pasditen e së mërkurës, më 1 korrik 2026, Shkupin dhe disa rajone të vendit, duke shkaktuar përmbytje, kaos në komunikacion, automjete të bllokuara, pemë të rrëzuara, dëme në infrastrukturë, zjarre nga defektet elektrike dhe ndërhyrje të shumta të shërbimeve emergjente.

Goditja më e rëndë u regjistrua në rajonin e Shkupit, ku për një kohë të shkurtër sasia e madhe e reshjeve i shndërroi disa rrugë në rrjedha uji. Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se përmes Numrit Unik të Thirrjeve Emergjente 112 janë pranuar shumë denoncime nga qytetarët për bodrume, oborre, garazhe, depo, nënkalime, rrethrrotullime dhe rrugë të përmbytura, si dhe për automjete të bllokuara në disa pika kritike të qytetit.

Sipas raportimeve të institucioneve dhe mediave, stuhia në Shkup nisi rreth orës 14:30, ndërsa vetëm pak minuta më vonë u regjistruan problemet e para serioze në komunikacion. Paraprakisht, Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike kishte paralajmëruar mot të paqëndrueshëm me reshje lokale të rrëmbyeshme, bubullima, erë të përforcuar dhe kushte për paraqitje të stuhive në disa pjesë të vendit. Pasditen e së njëjtës ditë, mot i ngjashëm u raportua edhe në rajonin e Sveti Nikollës, Kërçovës, Velesit, Shtipit, Pollogut, Demir Hisarit dhe në vende të tjera.

Në kryeqytet, reshjet intensive e vështirësuan lëvizjen si për këmbësorët, ashtu edhe për automjetet. Qytetarët raportuan se në disa zona rrugët ishin pothuajse të pakalueshme, ndërsa në pjesë të qytetit “u errësua në mes të ditës” për shkak të reve të dendura dhe intensitetit të stuhisë. Në disa akse, komunikacioni u zhvillua me shumë vështirësi, ndërsa në pika të caktuara u ndërpre plotësisht.

Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, komunat më të goditura në Shkup janë Kisella Voda, Çairi, Buteli dhe Gazi Baba. Në këto zona u regjistruan përmbytje të shumta në rrugë, nënkalime, rrethrrotullime, oborre, bodrume, garazhe dhe hapësira magazinimi. Për të gjitha rastet e paraqitura, QMK njoftoi se menjëherë janë informuar Brigada për Mbrojtje nga Zjarri e Qytetit të Shkupit dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë vepruar në përputhje me kompetencat e tyre.

Një nga pikat më kritike ishte nënkalimi para rrethrrotullimit në Butel, ku automjete mbetën të bllokuara nga sasia e madhe e ujit. Automjete të bllokuara u raportuan edhe në nënkalimin në bulevardin “Srbija” në Komunën e Kisella Vodës. Për shkak të nivelit të lartë të ujit, lëvizja në këto pjesë u bë e rrezikshme dhe autoritetet apeluan që qytetarët të shmangin nënkalimet dhe zonat e përmbytura derisa të përfundojnë ndërhyrjet.

Nën ujë mbetën edhe disa rrethrrotullime të rëndësishme të qytetit: te qendra tregtare “East Gate” në Gazi Babë, te “Moto Centar” dhe “Cementara” në Kisella Vodë, si dhe rrethrrotullimi në lagjen Zhelezarë. Këto pika, për shkak të grumbullimit të shpejtë të ujit, u kthyen në pengesa serioze për qarkullimin dhe shkaktuan kolona të gjata automjetesh.

E përmbytur plotësisht u raportua edhe rruga “Jordan Mijallkov”, pas “Diamond Mall”, një nga rrugët më të frekuentuara në atë pjesë të qytetit. Probleme me vërshimin e ujit u regjistruan edhe në parkingjet dhe rrugët hyrëse në lagjen Rasadnik në Kisella Vodë, si dhe në pjesë të komunës Aerodrom. Përmbytje u raportuan edhe në rrugën prapa stadiumit, në zonën pranë Usjes dhe në bulevardin “Boris Trajkovski”, pranë Stakllarës.

Qytetarët informuan edhe për semaforë jashtë funksionit te bulevardi “Boris Trajkovski” dhe në kryqëzimin pranë “Rade Konçar”, gjë që e rëndoi edhe më shumë gjendjen në komunikacion. Gjendje e vështirë u raportua edhe në aksin nga “Kontinental” drejt Bit Pazarit, ku në rrugë kishte sasi të mëdha uji. Sipas denoncimeve, pranë urës për këmbësorë në afërsi të Bit Pazarit, uji dilte mbi rrugë dhe spërkaste automjetet që lëviznin në drejtim të Qendrës.

Në Çair u raportua një automobil i bllokuar në ujë, ndërsa në Kisella Vodë qytetarët publikuan pamje nga rrugët “Dimo Haxhi Dimov” dhe “Narodni Heroi”, ku uji kishte mbuluar pothuajse tërësisht sipërfaqen e rrugës. Në rrjetet sociale, disa qytetarë reaguan me ironi, duke e krahasuar një nga rrugët e përmbytura me “pishinë” të re të lagjes.

Përveç përmbytjeve, stuhia shkaktoi edhe rrëzim pemësh në disa zona të Shkupit. Një trung i madh ra në bulevardin “Shën Klimenti i Ohrit”, duke penguar qarkullimin. Sipas informacioneve fillestare, nga ky incident nuk pati persona të lënduar dhe nuk u shkaktua dëm më i madh material. Shërbimet kompetente dolën në terren për largimin e pemës dhe normalizimin e komunikacionit. Qytetarët u paralajmëruan të jenë të kujdesshëm, pasi për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike ekzistonte rrezik për rrëzimin e degëve dhe pemëve të tjera.

Qytetarët raportuan edhe pemë të rrëzuara, degë të thyera dhe pjesë fasadash të shkëputura në Qendër, Debar Maallo, Çento, Kapishtec, Leptokari dhe Karposh 4. Në disa raste u dëmtuan edhe automjete të parkuara. Në pjesë të qytetit u raportuan edhe semaforë të dëmtuar, ndërsa policia në disa lokacione e ridrejtoi komunikacionin.

Përveç infrastrukturës rrugore, stuhia preku edhe objekte private, afariste dhe institucionale. U raportuan shtëpi, bodrume dhe garazhe të përmbytura në Kisella Vodë, Autokomandë dhe Çair. Uji depërtoi edhe në depo në Çair dhe Kisella Vodë, përfshirë një depo të “Vero”-s në Çair dhe një hapësirë magazinimi të një kompanie private në Kisella Vodë.

Një nga rastet më të rëndësishme ishte depërtimi i ujit në hapësirat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Sipas raportimeve, uji hyri në bodrumet dhe garazhet e institucionit, si dhe në hollin kryesor dhe në amfiteatër. Kjo dëshmoi se stuhia nuk goditi vetëm rrugët dhe objektet private, por edhe objekte të rëndësishme publike.

QMK njoftoi gjithashtu se në Gorno Lisiçe, në rrugën “Bozhin Nikollov Sillni”, përkatësisht te Kanali i Usjes, është raportuar kanal i mbushur me ujë, me rrezik për dalje nga shtrati dhe për përmbytje të oborreve e shtëpive. Në Komunën e Butelit u raportua rritje e nivelit të lumit Serava, veçanërisht në zonën e rrugës “Prizrenska”.

Për shkak të përmasave të situatës, Qyteti i Shkupit aktivizoi Shtabin e Krizës, i cili mori përsipër koordinimin e aktiviteteve të shërbimeve kompetente. Në koordinim u përfshinë Qendra për Menaxhim me Kriza, Ministria e Punëve të Brendshme, EVN, Brigada e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit, ndërmarrjet publike dhe komunat e prekura.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se me një reagim të shpejtë, në kohë dhe të koordinuar janë parandaluar pasoja më të mëdha nga stuhia. Ai informoi se mbi 1.000 punëtorë nga shërbimet e qytetit dhe ndërmarrjet publike janë angazhuar në pastrimin e pikave kritike dhe në sanimin e gjendjes.

“Ekipet e Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjet publike janë të mobilizuara dhe në terren. Kështu do të mbeten gjatë gjithë natës, përderisa ka nevojë për ndërhyrje dhe mbështetje për qytetarët. Jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me kolegët kryetarë komunash, si dhe me të gjitha institucionet kompetente. Nuk ka vend për panik, por ka detyrim për reagim të shpejtë dhe përkushtim të plotë”, deklaroi Gjorgjievski.

Nga rrethrrotullimi pranë “East Gate”, një nga pikat më kritike të përmbytjeve, Gjorgjievski tha se gjendja ishte stabilizuar, bulevardet ishin të kalueshme dhe nuk kishte viktima. Ai theksoi se ekipet do të qëndrojnë në terren gjatë gjithë natës dhe do të ndërhyjnë kudo që do të paraqitet nevoja. “Shkupi dhe shkupjanët nuk janë lënë vetëm. Shkupi ka njerëz që janë në terren kur është më e nevojshme”, porositi ai.

Në nivel komunal, shtabet e krizës në Kisella Vodë, Butel, Gazi Babë dhe Çair u mobilizuan plotësisht. Komuna e Kisella Vodës thirri mbledhje urgjente të Shtabit të Krizës, ndërsa ekipet komunale dolën në terren për ndërhyrje pas denoncimeve për sipërfaqe dhe objekte të përmbytura. Komuna njoftoi se është në komunikim të vazhdueshëm me QMK-në, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup, si dhe me shërbimet e Qytetit të Shkupit. Për banorët e Kisella Vodës u hapën numrat kujdestarë 072 250 719 dhe 072 443 500.

Në Butel, kryetari Darko Kostovski njoftoi se Shtabi Komunal i Krizës është në koordinim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërmarrjet publike, EVN-në dhe QMK-në. Ai tha se ekipet komunale janë në gatishmëri të plotë dhe në dispozicion të qytetarëve. Për paraqitjen e dëmeve dhe nevojës për ndërhyrje në Butel u publikua numri 076 202 893.

Në Gazi Babë, kryetari Boban Stefkovski njoftoi se Shtabi i Krizës u aktivizua menjëherë pas stuhisë dhe se të gjitha shërbimet kompetente janë mobilizuar për përballimin e pasojave. Për qytetarët e kësaj komune u vu në dispozicion numri 075 239 918.

Në Çair, komuna njoftoi se ekipet komunale, NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Shtabi i Krizës dhe shërbimet e tjera kompetente janë në terren dhe në koordinim të vazhdueshëm me institucionet. Shërbimet komunale do të qëndrojnë të angazhuara gjatë gjithë natës për sanimin e pasojave nga reshjet dhe era e fortë. Qytetarët e Çairit u udhëzuan që rastet e drunjve të rrëzuar, degëve të thyera apo pengesave në rrugë t’i paraqesin në numrin 112. “Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë”, thuhej në njoftimin e Komunës së Çairit.

Stuhia shkaktoi probleme edhe jashtë Shkupit. Në rajonin e Kumanovës u raportuan bodrume të përmbytura në rrugët “Mosha Pijade”, “Oktomvriska Revolucija”, “Bajram Shabani”, “Treta MUB” dhe “11 Oktomvri”. Uji depërtoi edhe në rrugën “Veselin Maslesha” dhe në objektin e “Komodita”-s në rrugën “Goce Dellçev”, ndërsa përmbytje u raportuan edhe në rrugën JNA, te “LP Plaza”. Ekipet e Komunës së Kumanovës, Njësia Territoriale e Zjarrfikësve dhe ndërmarrjet publike komunale u angazhuan për pastrimin dhe sanimin e pasojave.

Në rajonin e Strumicës, stuhia e shkurtër, por intensive, e shoqëruar me bubullima të fuqishme dhe shkarkime elektrike, shkaktoi një seri zjarresh dhe defektesh teknike. Ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Strumicës ndërhynë në Monospitovë, Kuklish dhe Gradsko Balldovci/Gorni Balldovci, ku ishin përfshirë nga zjarri shtylla elektrike dhe kabllo. Në qytetin e Strumicës, në rrugën “Kliment Ohridski”, u intervenua për një njehsor elektrik të përfshirë nga zjarri.

Kërcënimi më serioz në këtë rajon u shfaq pranë fshatit Dorlombos, ku rrufetë shkaktuan zjarr pyjor në terren të vështirë për qasje. Në Bansko, një ekip ndërhyri për largimin e një peme të rrëzuar që kishte bllokuar rrugën. Zjarrfikësit e Strumicës njoftuan se zjarret u lokalizuan dhe u shuan në kohë, duke parandaluar përhapjen dhe dëme më të mëdha materiale. Nga fshatrat nën malin Bellasicë u raportuan edhe dëme nga breshri në të mbjella në ambient të hapur, sidomos në Koleshinë dhe Borisovë, ku kishte kultura të mbjella me shalqi. Era shkaktoi dëme edhe në sera në fshatra të tjera.

Në Radovish u raportua një pemë e rrëzuar mbi automobil dhe përmbytje në tri rrugë. Në Veles, NPK “Derven” ndërhyri për largimin e një peme të rrëzuar pranë Sallonit të Arteve, ndërsa NP “Makedonija Pat” pati disa ndërhyrje në autostradën Shkup – Gradsko dhe në rrugën lokale Veles – Gradsko për shkak të pemëve të rrëzuara dhe rrëshqitjes së dheut. Në aksin Kavadar – Vitaçevë, zjarrfikësit e Kavadarit larguan një pemë të rrëzuar nga rruga, ndërsa në Sveti Nikollë u realizua pompim i ujit atmosferik nga hapësira në fshatin Erxhelija.

Në rajonin e Pollogut, problemi kryesor u regjistrua në fshatin Nerasht të Komunës së Tearcës. Për shkak të reshjeve të dendura dhe kapacitetit të pamjaftueshëm të sistemit të kanaleve, u përmbyt një pjesë e fshatit pranë xhamisë së re. Janë përmbytur disa shtëpi dhe bodrume, duke shkaktuar dëme materiale. Shërbimet komunale dhe ndërmarrja publike dolën në terren për pastrimin dhe normalizimin e gjendjes, ndërsa u formua edhe komision për vlerësimin e dëmeve.

Ndërkohë, pati edhe reagime politike. E Majta kritikoi pushtetin e qytetit, duke vlerësuar se përmbytjet janë pasojë e neglizhimit shumëvjeçar të infrastrukturës bazë urbane. Sipas reagimit të saj, kanalizimi atmosferik është i pamjaftueshëm dhe i pamirëmbajtur, sistemet e kullimit nuk pastrohen në kohë, ndërsa Shkupi nuk duhet të kthehet në qytet jofunksional pas çdo shiu më të fuqishëm. Nga kjo parti theksuan se kryeqyteti nuk ndërtohet me konferenca për shtyp pas stuhisë, por me investime serioze në kanalizimin atmosferik, rikonstruksion të rrjetit të kanaleve, pastrim të rregullt të sistemeve të kullimit dhe mirëmbajtje të argjinaturave mbrojtëse.

Stuhia e 1 korrikut nxori sërish në pah dobësitë e infrastrukturës urbane dhe të sistemeve për pranimin e ujërave atmosferike, sidomos në Shkup. Pavarësisht mobilizimit të shërbimeve dhe stabilizimit gradual të gjendjes në disa pika, përmbytjet e shpejta treguan se nënkalimet, rrethrrotullimet, rrugët me qarkullim të dendur dhe lagjet me kapacitet të kufizuar kanalizues mbeten shumë të cenueshme gjatë reshjeve intensive.

Autoritetet u bënë apel qytetarëve të jenë të kujdesshëm, të shmangin lëvizjen në zonat e përmbytura, të mos kalojnë nëpër nënkalime të mbushura me ujë dhe të paraqesin çdo rast të rrezikshëm në numrin 112 ose në numrat kujdestarë të komunave. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, denoncimet për pasojat nga stuhia vazhduan të arrijnë edhe gjatë mbrëmjes, ndërsa shërbimet kompetente mbetën në terren deri në normalizimin e plotë të gjendjes.

Screenshot