Ballina Bota Trump miraton marrëveshjen që mund t’i lejojë Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit

Trump miraton marrëveshjen që mund t’i lejojë Arabisë Saudite pasurimin e uraniumit

Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje me Arabinë Saudite, e cila do t’i mundësojë këtij vendi të zhvillojë një program civil bërthamor në territorin e vet. Sipas burimeve të qeverisë amerikane, të cituara ndër të tjera nga CNN dhe “The Wall Street Journal”, marrëveshja lë të hapur edhe mundësinë që uraniumi të pasurohet brenda Arabisë Saudite.

Aktualisht, Arabia Saudite nuk ka centrale bërthamore. Pritet që të dyja vendet ta nënshkruajnë marrëveshjen gjatë ditës së sotme. Megjithatë, ajo duhet të shqyrtohet zyrtarisht edhe në Kongresin amerikan.

Marrëveshja pritet të jetë e vlefshme për 30 vjet. Sipas saj, kompanitë amerikane do t’i ofrojnë Arabisë Saudite teknologji dhe ekspertizë për zhvillimin e një programi civil bërthamor, të destinuar për furnizimin me energji.

Fillimisht, projekti do të përqendrohet në fazën kërkimore, por më vonë mund të lejohet edhe pasurimi i uraniumit brenda vendit.

Impiant pasurimi

Sipas raportimeve, pasurimi i uraniumit do të kryhej në një impiant të ndërtuar nga amerikanët në Arabinë Saudite.

Kjo do të përbënte një dallim të madh krahasuar me marrëveshjen që Shtetet e Bashkuara arritën në vitin 2009 me Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas asaj marrëveshjeje, uraniumi nuk lejohet të pasurohet brenda Emirateve, duke e përjashtuar mundësinë që vendi të zhvillojë armë bërthamore.

Që gjatë presidencës së Joe Bidenit, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite zhvilluan negociata për një program bërthamor me mbështetje amerikane. Një nga kushtet e vendosura ishte që Arabia Saudite t’i normalizonte marrëdhëniet me Izraelin.

Aktualisht, Arabia Saudite nuk e njeh Izraelin si shtet sovran. Pjesë e marrëveshjes së mëparshme ishte gjithashtu kërkesa që Izraeli t’u ofronte palestinezëve më shumë të drejta për vetëvendosje.

Megjithatë, sipas burimeve të informuara, çështja e marrëdhënieve me Izraelin dhe e të drejtave të palestinezëve nuk luan rol në marrëveshjen aktuale./TN