Ballina Lajme Cila është zgjidhja për tri kërcënimet më të mëdha ndaj mbijetesës së...

Cila është zgjidhja për tri kërcënimet më të mëdha ndaj mbijetesës së njerëzimit? Filozofi slloven Sllavoj Zhizhek, në një shkrim autorial për “Danas”, shpjegon pse “frenimi” nuk mjafton

Nga Sllavoj Zhizhek (Slavoj Žižek)

Po bëhet gjithnjë e më e njohur se ekzistojnë tri kërcënime të mëdha ndaj mbijetesës së njerëzimit: kriza ekologjike, zhvillimi i pakontrolluar i inteligjencës artificiale dhe rreziku i vetëshkatërrimit ushtarak.

Duke ndjekur lajmet për këto kërcënime, shumë shpejt vura re se në raportimet mediatike për to përsëritet vazhdimisht e njëjta fjalë: frenim (anglisht: *containment*).

Edhe pse këto kërcënime pranohen si realitete të kohës sonë, shqetësimi kryesor është se, kur të shndërrohen në kriza të vërteta, mund të bëhen të pakontrollueshme.

Le të fillojmë me luftërat. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia – ose, më saktësisht, Trumpi dhe Putini – e përdorin me ngurrim termin “luftë”.

Publicitet

Putini flet për një “operacion të kufizuar ushtarak” në Ukrainë, i cili, sipas tij, duhet të parandalojë një luftë të madhe të vërtetë, përkatësisht një sulm të NATO-s ndaj Rusisë. Trumpi, nga ana tjetër, e përshkroi një herë sulmin amerikan ndaj Iranit si një “ekskursion”, që kishte për qëllim të parandalonte një luftë të madhe të vërtetë, përkatësisht një sulm bërthamor iranian ndaj Izraelit.

Paradoksi, natyrisht, qëndron në faktin se shmangia e fjalës “luftë”, edhe kur vriten qindra mijëra njerëz dhe shkatërrohet infrastruktura e një vendi të tërë, në të vërtetë shërben për ta normalizuar gjendjen e luftës në të cilën jetojmë.

Bëhet fjalë për një strategji të qartë frenimi – përpjekjen për t’i mbajtur konfliktet ushtarake nën pragun përtej të cilit ato do të shndërroheshin në një luftë të re botërore.

Ekziston frika se lufta në Ukrainë mund të shndërrohet në një konflikt bërthamor në përmasat e gjithë Evropës ose se konflikti amerikano-iranian mund ta përfshijë tërë Lindjen e Mesme.

Problemi, natyrisht, është se kurrë nuk mund të jemi të sigurt se një frenim i tillë do të funksionojë. Nuk mund të përjashtohet mundësia që ajo që njëra palë e konsideron ende një veprim të kufizuar agresiv, pala tjetër ta interpretojë si kapërcim të vijës së kuqe dhe të përgjigjet me një sulm bërthamor.

Le të kujtojmë një rast të imagjinuar, jashtëzakonisht ekstrem. Unë jam udhëheqësi i një superfuqie dhe burime të besueshme të inteligjencës më njoftojnë se qindra raketa me mbushje bërthamore po lëvizin drejt vendit tim. Ato nuk mund të ndalen dhe unë e di se shteti im do të shkatërrohet plotësisht pas rreth një ore. Meqenëse edhe vendi im disponon mjaftueshëm armë bërthamore për ta shkatërruar kundërshtarin, përballem me një zgjedhje të vështirë: a duhet ta urdhëroj ushtrinë time të kundërpërgjigjet me tërë fuqinë?

Nëse e bëj këtë, është pothuajse e sigurt se kjo do të nënkuptojë fundin e qytetërimit në Tokë. Prandaj, veprimi i vetëm vërtet etik, por jashtëzakonisht i vështirë, do të ishte të përmbahesha nga kundërsulmi, duke qenë i vetëdijshëm se, edhe pse vendi im do të zhdukej nga faqja e Tokës, qytetërimi do të mbijetonte.

Në një rast të tillë, në vendin tim – që nuk do të ekzistonte më – mund të mbahesha mend si tradhtar dhe frikacak, por ekziston mundësia që pjesa tjetër e njerëzimit të më lavdëronte si shpëtimtar të qytetërimit.

Megjithatë, këtu ekziston një grackë. Një zgjedhje e tillë etike është e mundur vetëm nëse kundërshtari nuk e di paraprakisht se unë do të veproj kështu. Nëse ai e di se nuk do të kundërpërgjigjem me tërë fuqinë, ka shumë gjasa të tundohet të hedhë bomba bërthamore mbi vendin tim, pikërisht sepse e di se nuk do të pasojë një kundërpërgjigje e plotë.

Kjo, fatkeqësisht, do të thotë se vendi im, në çdo rast, duhet të marrë pjesë në garën e armatimeve.

Më pas vjen zhvillimi shpërthyes i inteligjencës artificiale. Alain Badiou e përmbys me mprehtësi supozimin e zakonshëm teologjik se Zoti e krijoi botën nga asgjëja:

“Në ligjërimin teologjik thuhet se Zoti e krijoi botën nga asgjëja. Por unë do të thosha se shembulli më i madh i krijimit *ex nihilo* është, në të vërtetë, krijimi i Zotit. Zoti, përpara botës, u krijua nga asgjëja! Sepse, sikur Zoti të ekzistonte vërtet, krijimi i botës nuk do të përbënte asnjë problem. Zoti, sipas përkufizimit, është i pakufizuar. Fuqia e tij është e pafundme, prandaj ai mund të krijonte fare lehtë diçka nga asgjëja. Problemi, në të vërtetë, qëndron te ne: si do të mundnim ne, njerëzit e mjerë, të fundmë dhe të vdekshëm, të krijonim diçka nga asgjëja?”

Nga kjo rrjedh një sfidë për sistemin e inteligjencës artificiale: a mundet ai të krijojë një Zot, qoftë edhe si trillim? Unë mendoj se nuk mundet, sepse Zoti mund të lindë vetëm nga kufizimet e qenieve njerëzore të vdekshme. Megjithatë, ajo që mund të ndodhë është që inteligjenca artificiale, si krijesë e jona, të na paraqitet neve si një qenie pothuajse hyjnore.

Të shtunën, më 25 korrik 2026, drejtori i kompanisë OpenAI, Sam Altman, deklaroi se inteligjenca artificiale kishte arritur “singularitetin”. Edhe pse Altmani theksoi se singulariteti mund të jetë diçka e mirë për botën, deklarata e tij shkaktoi shqetësim.

Shumë ekspertë nuk pajtohen me pretendimin se singulariteti tashmë është arritur dhe as nuk mendojnë se inteligjenca artificiale është pranë tejkalimit të inteligjencës njerëzore në të gjitha fushat apo marrjes masive të vendeve të punës së njerëzve. Megjithatë, frika kryesore është se inteligjenca artificiale është tashmë në gjendje të vetëpërmirësohet në mënyrë autonome.

“Singulariteti” kuptohet si pika pas së cilës njerëzit do ta kenë shumë të vështirë ta kontrollojnë ose ta përmbysin zhvillimin e mëtejshëm të inteligjencës artificiale, gjë që mund të ketë pasoja të paparashikueshme për qytetërimin njerëzor.

Pasi inteligjenca artificiale të marrë kontrollin mbi zhvillimin e vet, përparimi teknologjik mund të ndodhë me një shpejtësi aq të madhe, saqë njerëzit nuk do të jenë më në gjendje ta ndjekin. Kjo do t’i jepte inteligjencës artificiale mundësinë që praktikisht të zhvillohej në mënyrë të pavarur, jashtë kontrollit njerëzor.

Që në vitin 2025, Altmani parashikoi se deri në vitin 2030 inteligjenca artificiale do ta tejkalonte inteligjencën njerëzore pothuajse në të gjitha fushat. Gjatë një paraqitjeje të fundit në podkastin “Relentless” – një seri dokumentare “për kërkimin e ideve në dukje të paarritshme dhe aspiratave të pazakonta” – Altmani tha:

“Tani, në të vërtetë, ndodhemi brenda singularitetit. Jemi pikërisht në atë moment për të cilin dikur bisedonim gjatë drekës, më shumë me shaka sesa seriozisht. (…) E kam pritur këtë gjatë gjithë jetës dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme, tepër pozitive dhe diçka e shkëlqyer për botën.”

Ndër zërat kritikë spikat kompania Anthropic, krijuesja e chatbotit Claude, e cila u ka bërë thirrje kompanive kryesore botërore që zhvillojnë inteligjencën artificiale të krijojnë një mekanizëm të koordinuar për pezullimin e përkohshëm të zhvillimit të sistemeve të avancuara të IA-së.

Ata paralajmëruan se teknologjia po zhvillohet me një shpejtësi të tillë, saqë ekziston rreziku që njerëzit ta humbasin kontrollin mbi të. Në një publikim në blog më 4 qershor, Anthropic, që prej kohësh paraqitet si laborator i orientuar drejt zhvillimit të sigurt të inteligjencës artificiale, shkroi se, ndërsa IA-ja bëhet gjithnjë e më e avancuar, “do të ishte mirë për botën të ekzistonte mundësia që zhvillimi i saj të ngadalësohej ose të ndalohej përkohësisht”.

Problemi, natyrisht, është se nuk ekziston asnjë institucion botëror që do të mund ta impononte një pezullim të tillë. Shumë shtete po zhvillojnë sistemet e tyre të inteligjencës artificiale dhe secili prej tyre dyshon se të tjerët, edhe nëse pajtohen publikisht për një ndalesë të përkohshme, do ta vazhdojnë fshehurazi zhvillimin me intensitet të plotë. Në një situatë të tillë, përfundimi i vetëm logjik është që edhe unë të bëj të njëjtën gjë.

Pra, një pjesë e rrezikut që vjen nga inteligjenca artificiale nuk qëndron te vetë teknologjia, por te marrëdhëniet shoqërore brenda të cilave ajo zhvillohet.

Jetojmë në një botë konkurrence dhe mosbesimi global, e cila na pengon të dalim nga logjika shkatërruese e Dilemës së të Burgosurit. Edhe pse e dimë në mënyrë racionale se solidariteti dhe bashkëpunimi janë më të dobishëm për të gjithë pjesëmarrësit, orientimi kapitalist drejt fitimit nxit mosbesimin ndaj të tjerëve. Tjetri perceptohet si një kërcënim i mundshëm, i cili do ta shfrytëzojë besimin tonë si mundësi për të na sulmuar edhe më brutalisht.

Nga ana tjetër, ka edhe njerëz që mendojnë se jemi ende larg “singularitetit” pothuajse hyjnor. Në një kuptim të caktuar, ata mund të kenë të drejtë, sepse gjithçka varet nga ajo se çfarë nënkuptohet saktësisht me singularitet.

Mendoj se ajo që Altmani e përshkruan si singularitet është, në të vërtetë, një dukuri relativisht modeste. Ajo thjesht do të thotë se sistemet e inteligjencës artificiale kanë fituar një dinamikë të vetën, të cilën ne nuk mund ta kontrollojmë ose ta frenojmë më.

Megjithatë, mund të përfytyroj edhe dy nivele të tjera zhvillimi, shumë më radikale. I pari do të ishte që inteligjenca artificiale të bëhej aq e fuqishme, saqë ne, njerëzit, jo vetëm që nuk do të mund ta frenonim më, por ajo do ta merrte hapur drejtimin e jetës sonë, duke na detyruar përmes shantazheve t’i bindeshim.

I dyti është mundësia e zhvillimit të teknologjive si Neuralink, përkatësisht lidhja e drejtpërdrejtë e rrjedhës së mendimeve tona me një sistem digjital. Kjo do të nënkuptonte se një agjent i inteligjencës artificiale – dhe ata që e kontrollojnë atë – do të mund t’i lexonin drejtpërdrejt mendimet tona.

Në fund vjen kriza ekologjike, e cila është bërë e prekshme për të gjithë përmes valës së fundit të zjarreve të mëdha pyjore që po shkretojnë Francën dhe Spanjën.

Për më shumë se një muaj, zjarret kanë qenë të pakontrollueshme dhe as sot nuk është e mundur të shuhen plotësisht. Zjarri thjesht lihet të digjet për muaj të tërë, derisa të shuhet vetvetiu. Siç tha kohët e fundit eksperti i njohur spanjoll i inxhinierisë pyjore, Víctor Resco de Dios:

“Kemi hyrë në epokën e zjarreve që nuk mund të shuhen. Këto janë zjarre që digjen me fuqinë e disa bombave atomike.”

Një nga shembujt më mbresëlënës të kësaj ishte shfaqja e pirokumulonimbusit – një term që edhe unë e dëgjova për herë të parë vetëm tani. Bëhet fjalë për re zjarri që, sipas shërbimeve zjarrfikëse, u formuan në rajonin Gironde, pranë Bordosë.

Re të tilla krijohen kur zjarre pyjore veçanërisht intensive formojnë një shtyllë ajri jashtëzakonisht të nxehtë, e cila ngrihet me shpejtësi drejt shtresave më të ftohta të atmosferës dhe atje kondensohet në re të mëdha stuhie. Më pas, këto re mund të krijojnë erërat, reshjet dhe rrufetë e tyre, duke i shndërruar zjarret në stuhi zjarri të paparashikueshme dhe të vetëqëndrueshme, që ushqehen me energjinë e tyre.

Në të ardhmen duhet të presim që zjarret të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese, për sa kohë që njerëzit vazhdojnë të djegin lëndë fosile dhe ta rrisin temperaturën e planetit. Le ta citojmë përsëri Resco de Diosin:

“Është e vështirë të parashikohet se deri ku mund të shkojnë gjërat. Së shpejti nuk do të mund t’i përjashtojmë më skenarët danteskë, si ata që janë parë në Kaliforni ose Australi, me zjarre apo komplekse zjarresh që përfshijnë qindra mijëra, madje edhe një milion hektarë.”

Me pak fjalë, zjarret po bëhen të pakontrollueshme.

Situata është edhe më e keqe në Shtetet e Bashkuara. Më 31 korrik 2026, CNN raportoi:

“Një kupolë nxehtësie, e cila mund të thyejë rekorde, do ta godasë Perëndimin me temperaturat më të larta të verës deri më tani.”

Një kupolë nxehtësie jashtëzakonisht e fuqishme do të përfshijë këtë fundjavë pjesën më të madhe të rajoneve perëndimore të SHBA-së, duke sjellë temperaturat më të larta të regjistruara këtë vit për dhjetëra miliona njerëz – nga Kalifornia deri në Kanada. Pritet që rekordet e temperaturave maksimale të thyhen në të paktën dymbëdhjetë shtete perëndimore, ndërsa rreth 40 milionë njerëz do të jenë nën paralajmërime për shkak të vapës ekstreme. Në disa vende temperaturat mund të arrijnë deri në 52 gradë Celsius.

Përfundimi që imponohet është se vetëm pezullimi i përkohshëm i zhvillimit nuk mjafton, sepse nuk mund të zbatohet në nivel global. Ai vetëm do ta rriste më tej hendekun ndërmjet atyre që do ta respektonin vërtet dhe atyre që do ta vazhdonin zhvillimin me intensitet të pandryshuar.

Zgjidhja e vetme që shoh është që të bëhen njëkohësisht të dyja gjërat: zhvillimi të vazhdojë, por të shoqërohet me mendim. Ndërkaq, mendimi është diçka më shumë sesa thjesht mbledhja e të dhënave dhe analizimi i tyre. Të mendosh do të thotë të shqyrtosh kuptimin e këtyre të dhënave dhe, në të njëjtën kohë, të vësh në pikëpyetje se në çfarë mase mënyra jonë e interpretimit të tyre është përcaktuar paraprakisht nga paragjykime të caktuara.

Një mendim i tillë na detyron të mos përqendrohemi vetëm në pyetjen se si t’i frenojmë kërcënimet, por edhe të shqyrtojmë se si mund t’i ndryshojmë rrethanat që i prodhojnë vazhdimisht ato.

Ja një shembull i qartë i një mendimi të tillë. Në fillim të viteve 1930, filozofi pragmatist amerikan John Dewey, i cili ushqente simpati për Bashkimin Sovjetik, e njoftoi mikun e tij Sidney Hook se planifikonte ta vizitonte atë vend. Meqenëse Hooku kishte dyshime serioze për sistemin sovjetik, Dewey e siguroi se nuk kishte arsye për t’u shqetësuar: pasi të kthehej, ai sigurisht nuk do të pohonte se Bashkimi Sovjetik ishte një shoqëri autentike socialiste. Hooku iu përgjigj me ironi:

“Ajo nga e cila kam frikë është se do të kthehesh nga Bashkimi Sovjetik i bindur se ai nuk është socializëm i vërtetë!”

Në këtë rast, mendimi ishte në anën e Hookut. Ai kishte frikë se, pasi të përballej me realitetin e mjerë dhe terrorin në Bashkimin Sovjetik, Dewey do të arrinte në përfundimin se ai thjesht nuk ishte socializëm, nëse socializmi kuptohej si shoqëri e lirisë dhe mirëqenies.

Me fjalë të tjera, Hooku – me plot të drejtë – supozoi se stalinizmi nuk ishte vetëm tradhti ose mohim i vizionit autentik socialist. Mundësia e tmerreve staliniste duhej të kishte qenë e pranishme që në vetë idenë fillestare bolshevike. Prandaj, një qasje vërtet dialektike e gjen mohimin e mëvonshëm që në vetë konceptin fillestar.

Në historinë e socializmit që ekzistoi realisht pati shumë përpjekje për t’i frenuar teprimet e tij brutale – që nga “shkrirja” e Hrushovit pas vitit 1956 e deri te socializmi vetëqeverisës jugosllav.

Megjithatë, asnjë nga këto përpjekje nuk pati sukses të vërtetë, sepse mundësia e rikthimit në vijën e ashpër ndihej vazhdimisht si një trysni e padukshme. Kur Gorbaçovi më në fund u përpoq të zbatonte një reformë të mirëfilltë, i gjithë sistemi u shemb.

E njëjta gjë vlen edhe për tri kërcënimet e mëdha ndaj mbijetesës sonë, duke përfshirë kapitalizmin si rrënjën e tyre të përbashkët. Nuk mjafton vetëm të frenohen teprimet e tij vdekjeprurëse, të cilat rrezikojnë mbijetesën tonë.

Duhet të mendojmë se si mund të ndryshohen koordinatat themelore të tij, pa shkaktuar njëkohësisht një katastrofë po aq të madhe sa ajo që përfaqësuan regjimi i Kmerëve të Kuq në Kampuçia ose regjimi në Korenë e Veriut.

Sot, kjo detyrë nuk mund të mos duket pothuajse e pamundur brenda kornizave të sistemit ekzistues global. Por pikërisht ky fakt nuk e zvogëlon aspak domosdoshmërinë e saj./Danas

Slavoj Žižek (i lindur më 21 mars 1949 në Lubjanë) është filozof, sociolog, kritik kulturor dhe teoricien politik slloven. Ai njihet për ndërthurjen e filozofisë së Hegelit, psikanalizës së Jacques Lacanit dhe kritikës marksiste në analizat e politikës, ideologjisë, kulturës popullore dhe kapitalizmit bashkëkohor. Žižek është autor i dhjetëra librave, ndër të cilët “The Sublime Object of Ideology”, “Violence” dhe “Living in the End Times”. Për shkak të stilit provokues dhe interpretimeve të pazakonta, ai konsiderohet një nga mendimtarët bashkëkohorë më të njohur, por edhe më polemizues.