Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se nuk është realiste të pritet që Serbia të bëhet qendër e zhvillimit të inteligjencës artificiale për të gjithë Evropën. Megjithatë, sipas tij, vendi do të përpiqet të mos mbetet prapa shteteve më të zhvilluara të botës dhe t’i ndjekë ato në përputhje me mundësitë që ka.
Ai tha se Serbia, ndonëse është një vend i vogël dhe me burime të kufizuara njerëzore, vazhdon të jetë më e mira në rajon në këtë fushë.
Vuçiqi iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve. I pyetur se çfarë mendonte për deklaratën e drejtorit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, i cili pas vizitës në Shtetet e Bashkuara tha se Serbia mund të bëhej qendër e zhvillimit të inteligjencës artificiale për të gjithë Evropën, falë marrëdhënieve të mira gjeopolitike që po ndërton me palë të ndryshme, presidenti serb u shpreh:
“Nuk e di se çfarë mund të arrijmë. Kjo do të sillte një shtysë të madhe, por nuk është realiste që ne të jemi qendër e çfarëdo fushe. Do të luftojmë që të mos mbetemi shumë prapa vendeve më të zhvilluara të botës dhe t’i ndjekim aq sa kemi mundësi. Megjithatë, jemi tepër të vegjël dhe nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore që të mund të krahasohemi me vendet më të fuqishme të Evropës. Por, nëse jemi më të mirët në rajon, për këtë nuk ka asnjë dyshim”, deklaroi Vuçiqi.















