Duke folur me rastin e Ditës së Pavarësisë së Indisë, kryeministri Narendra Modi njoftoi ofrimin e kurseve falas online për përgatitjen e provimeve konkurruese, si dhe trajnimin në inteligjencë artificiale për 10 milionë të rinj, vetëm disa javë pas protestave për rrjedhjen e pretenduar të testeve të provimeve dhe parregullsitë në rekrutime.
Kryeministri indian Narendra Modi, gjatë fjalimit të tij për Ditën e Pavarësisë, njoftoi se të rinjve do t’u ofrohet trajnim për aftësitë në inteligjencë artificiale (IA), si dhe kurse falas online për përgatitjen e provimeve konkurruese. Njoftimi vjen vetëm disa javë pas protestave të udhëhequra nga të rinjtë për shkak të rrjedhjes së pretenduar të testeve dhe parregullsive në proceset e rekrutimit.
Duke folur të shtunën në Fortesën e Kuqe në Nju Delhi, Modi tha se iniciativa për përgatitjen e provimeve do të ndihmojë në lehtësimin e barrës financiare për familjet e varfra dhe ato të shtresës së mesme.
“Gara rreth kurseve të përgatitjes është shndërruar në një barrë të madhe për familjet e shtresës së mesme”, tha Modi, duke shtuar se studentët do të mund të qëndrojnë pranë familjeve të tyre ndërsa përgatiten për provimet.
Premtimi i Modit vjen pasi muajin e kaluar vendi u përfshi nga protesta të udhëhequra nga Cockroach Janta Party (CJP), lidhur me parregullsitë e pretenduara në provimet konkurruese.
Protestat përfunduan me dorëheqjen e ministrit të Arsimit, Dharmendra Pradhan, duke nxjerrë në pah shqetësimet e përhapura lidhur me qasjen në arsim dhe në vende pune.
10 milionë të rinj do të trajnohen në inteligjencë artificiale
Kryeministri indian tha gjithashtu se 10 milionë të rinj do të trajnohen në aftësitë e inteligjencës artificiale gjatë vitit të ardhshëm, në një përpjekje për t’iu përgjigjur pakënaqësisë së të rinjve të vendit, të cilët e detyruan qeverinë e Modit të përballet me sfidën më të madhe që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2014.
Modi tha gjithashtu se India do të ketë edhe tetë fabrika të tjera për prodhimin e çipave gjysmëpërçues gjatë viteve të ardhshme, si dhe pesë reaktorë bërthamorë që do të prodhojnë 100 gigavat energji deri në vitin 2047.
Në një fjalim që zgjati më shumë se një orë, Modi paraqiti një kornizë prej shtatë pikash për rritje ekonomike dhe reforma, me synimin që India të shndërrohet në një vend të zhvilluar brenda 20 viteve.
Plani përqendrohet në industrinë prodhuese, bujqësinë, teknologjinë, mbrojtjen, si dhe në sektorë të tillë si turizmi dhe artizanati.
Modi paralajmëron kundër “naksalitëve intelektualë”
Në të njëjtën kohë, Modi kritikoi edhe atë që e përshkroi si armikun më të fundit të shtetit — “naksalitët intelektualë”.
Termi ishte një referencë ndaj lëvizjes naksalite të Indisë, e cila zhvilloi një kryengritje të stilit gueril kundër qeverisë, veçanërisht në pjesët qendrore dhe lindore të vendit, duke shkaktuar mijëra të vrarë dhe të plagosur gjatë afro 60 viteve.
Modi tha se qeveria e tij e kishte mposhtur lëvizjen e armatosur, por paralajmëroi se lufta kundër “mentalitetit naksalit” vazhdonte, pasi mbështetësit e tij kërkonin “mundësi për të krijuar dhunë dhe trazira”.
Sipas Modit, këta “naksalitë intelektualë” duhet të identifikohen dhe të izolohen, në mënyrë që të rinjtë të lidhen me rrymën kryesore të shoqërisë.
Megjithatë, Modi nuk specifikoi në fjalimin e tij se cilët persona apo grupe i konsideronte “naksalitë intelektualë”.
Në të kaluarën, Partia nacionaliste Bharatiya Janata Party (BJP) e Modit ka përdorur termin “naksalitë urbanë” për aktivistë të të drejtave të njeriut, akademikë dhe intelektualë, gazetarë, kundërshtarë politikë, kritikë të qeverisë dhe persona të tjerë me pikëpamje të majta./dw















