Gjithnjë e më shumë studime po përpiqen të zbulojnë efektet e inteligjencës artificiale në trurin tonë
Njerëzimi ka krijuar mjete për zgjidhjen e problemeve që nga kohët më të lashta. Por ritmi i përparimeve po bëhet gjithnjë e më marramendës. Në më pak se 100 vjet kemi kaluar nga kalkulatori elektronik i dorës te inteligjenca artificiale gjenerative. I përdorim aq shumë këto mjete, saqë pothuajse janë shndërruar në një zgjatim të vetë qenies njerëzore.
Le ta mendojmë pak: a do të dinim të llogarisnim rrënjën katrore të 2209 ose të improvizonim një tregim për fëmijë? Nëse impulsi ynë i parë është t’ia kërkojmë këtë inteligjencës artificiale, kjo ndodh sepse mendja jonë përpiqet të lehtësojë ngarkesën e saj duke i transferuar disa burime jashtë vetes.
Në fakt, ky fenomen është përshkruar prej rreth 30 vjetësh në literaturën shkencore me terma si delegim kognitiv, memorie e jashtme ose mendje e zgjeruar. Megjithatë, shumë shkencëtarë, ekspertë të fushës klinike dhe edukatorë janë gjithnjë e më të shqetësuar për mënyrën se si IA-ja mund të ndikojë tek ne në planin afatgjatë.
Studimi i MIT-it
Për të zbuluar se në ç’mënyrë përdorimi i mjeteve si inteligjenca artificiale ndikon në aftësitë tona njohëse, studiues nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) analizuan se çfarë ndodh në tru kur IA-ja përdoret për të shkruar.
Gjatë tri seancave, ata matën aktivitetin cerebral të 54 të rinjve dhe vlerësuan cilësinë e teksteve që ata shkruan. Një e treta e pjesëmarrësve përdorën ChatGPT-në si ndihmë, një e treta përdorën Google-in, ndërsa pjesa tjetër u mbështet vetëm në aftësitë e veta mendore.
Ata që përdorën ChatGPT-në patën rezultate më të dobëta se grupet e tjera në nivel neuronal dhe gjuhësor, si edhe në cilësinë e teksteve të tyre. Përveç kësaj, ata i mbanin mend më pak mirë ato që kishin shkruar dhe ndiheshin më pak të lidhur me idetë e paraqitura në tekst.
Në bazë të këtyre rezultateve, studiuesit ngritën hipotezën se mbështetja e përsëritur te ChatGPT-ja mund ta zëvendësojë përpjekjen kognitive që nevojitet për të menduar në mënyrë të pavarur. Kjo mund të çojë në grumbullimin e asaj që ata e quajtën “borxh kognitiv”, me pasoja të mundshme afatgjata për funksionimin e trurit.
Kufizimet dhe përhapja virale e rezultateve
Megjithëse disa ekspertë vunë në dukje kufizimet e studimit, shumë media, duke u nisur nga këto rezultate, sugjeruan se përdorimi i IA-së krijon në mënyrë të pashmangshme një borxh kognitiv. Pra, një humbje progresive të aftësive mendore, e cila nuk është domosdoshmërisht e dukshme në periudhën afatshkurtër.
Por një interpretim i tillë nuk është konfirmuar nga studimet empirike: provat janë ende shumë të pakta. Shumica e punimeve shkencore të publikuara vazhdojnë të jenë teorike, ose madje preskriptive, duke ofruar këshilla se si mund të parandalohen efektet cerebrale të përdorimit të vazhdueshëm të IA-së.
Rezultatet në këtë fushë mbeten ende të kufizuara dhe paraprake.
Pse i drejtohemi IA-së?
Megjithatë, ndikimin e inteligjencës artificiale në shëndetin e trurit mund ta analizojmë edhe nga një këndvështrim tjetër.
Një dekadë më parë, studiuesit Evan Risko dhe Sam Gilbert zhvilluan një model kognitiv për të shpjeguar pse zgjedhim të përdorim sisteme të jashtme në vend që të mbështetemi te truri ynë.
Me fjalë të tjera, ata ndihmuan në shpjegimin e proceseve mendore që ndjekim kur, për shembull, vendosim të kërkojmë diçka në Google ose t’ia bëjmë pyetjen inteligjencës artificiale.
Këta ekspertë propozuan se ndikimi kognitiv varet nga qëllimet që kemi kur përdorim këto sisteme.
Pra, mund t’u drejtohemi atyre sepse duam të shmangim përpjekjen mendore, ose sepse besojmë se do të përmirësojnë performancën tonë.
Për shembull, mund t’i kërkojmë ChatGPT-së të shkruajë një ese sepse mendojmë se nuk jemi të aftë ta shkruajmë vetë. Por mund ta përdorim edhe sepse duam të krahasojmë ide dhe të gjejmë këndvështrime të reja që mund ta përmirësojnë tekstin tonë.
Prandaj, për të kuptuar pasojat që delegimi kognitiv mund të ketë në tru, është thelbësore që fillimisht të pyesim: pse po e delegojmë këtë detyrë?
Ky është një aspekt që studimi i MIT-it nuk e analizoi fare.
Burimet kognitive që kursejmë
Përtej arsyes pse përdorim ChatGPT-në, është e rëndësishme të dimë se çfarë bëjmë me burimet mendore që kemi “kursyer”.
Me fjalë të tjera, nëse na është dashur më pak kohë ose përpjekje për të përfunduar një detyrë kognitive – një përmbledhje, një ese, një skemë ose zhvillimin e një ideje – çfarë bëjmë me kohën dhe energjinë e kursyer?
A i lëmë thjesht mendimet të enden pa qëllim?
Apo i përdorim ato burime për të mësuar gjëra të reja?
Studimet mbi përdorimin e Google-it tregojnë se, kur e përdorim atë për të mbështetur procese të tjera të të mësuarit – për shembull, për të mësuar se ku mund ta gjejmë informacionin e dobishëm – aftësia jonë në një detyrë të caktuar mund të përmirësohet.
E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me inteligjencën artificiale: përdorimi i saj në mënyrë të qëllimshme për të përmirësuar stërvitjen kognitive, ose përdorimi i IA-së për të diskutuar koncepte, në vend që thjesht t’i kërkojmë përgjigjen e gatshme për një detyrë, mund të përmirësojë të mësuarit tonë strategjik.
Vetë studimi i MIT-it i përmendur në fillim të këtij artikulli ofron disa prova në këtë drejtim.
Autorët i ftuan pjesëmarrësit e tyre në një seancë të katërt, gjatë së cilës ata që më parë kishin përdorur ChatGPT-në nuk lejoheshin më ta përdornin atë. Ndërkohë, pjesëmarrësit që më parë kishin përdorur Google-in ose ishin mbështetur vetëm te truri i tyre, tani kishin mundësi të përdornin IA-në.
Grupi që më parë kishte përdorur ChatGPT-në vazhdoi të shfaqte aktivitet më të ulët cerebral dhe rezultate më të dobëta, ndërsa grupet e tjera shënuan rritje në të dyja aspektet.
Kjo tregon se përdorimi i IA-së mund të sjellë përfitime në rrethana të caktuara – për shembull, kur idetë tona i integrojmë me sugjerimet e ChatGPT-së – duke fuqizuar procese mendore si vëmendja dhe kujtesa.
Për këtë arsye është kaq e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin arsimor, të përcaktohet me kujdes se cilat detyra mund të automatizohen me ndihmën e IA-së dhe cilat detyra të tjera, më domethënëse, mund të përforcohen duke përdorur kohën dhe përpjekjen që kemi kursyer.
Jo çdo gjë është “borxh kognitiv”
Në përfundim, borxhi kognitiv që mund të krijojë përdorimi i vazhdueshëm i IA-së është një mundësi reale, por ende e pasigurt.
Studimi i MIT-it është premtues dhe hap derën drejt një fushe që ende mbetet kryesisht e panjohur. Megjithatë, jemi ende larg të kuptuarit se si inteligjenca artificiale ndikon në aftësitë tona mendore në planin afatgjatë.
Studimi në fjalë shkaktoi një valë përfundimesh katastrofike rreth të ashtuquajturit borxh kognitiv, por nuk përcaktoi se cilat forma të përdorimit të IA-së mund të jenë të dëmshme dhe cilat, përkundrazi, mund të jenë edhe të dobishme.
Të vëzhgojmë si dhe për çfarë i përdorim këto mjete – siç mund të shihet edhe në pemën e vetëreflektimit që shoqëron artikullin origjinal – ndihmon për t’i analizuar këta faktorë përpara se të biem në interpretime apokaliptike.
Ky artikull është publikuar fillimisht në The Conversation.















