Autoritetet vendore ende nuk kanë arritur të zbulojnë se kush i fshehu në themelet e një rezidence flamande shufrat dhe monedhat e arit me vlerë nëntë milionë euro.
Kush nuk ka ëndërruar ndonjëherë të gjejë një thesar të fshehur? Fantazia u bë realitet një javë më parë në qytetin belg Dendermonde, në veriperëndim të Brukselit, ku një student adoleshent, që gjatë verës punon në ndërtim, gjeti të varrosur në themelet e një ndërtese që po rikonstruktohej një sasi të madhe shufrash dhe monedhash ari, me vlerë nëntë milionë euro.
Megjithatë, pjesa e dytë e kësaj ëndrre — të mund të jetosh nga pasuria e gjetur — nuk do të realizohet: ari është fshehur sërish dhe ruhet “në një vend të sigurt”, në një lokacion sekret, siguron policia lokale.
Dhe aty do të mbetet derisa të përcaktohet origjina e thesarit, një tjetër mister i madh që vazhdon t’i mundojë banorët, historianët lokalë dhe madje edhe autoritetet e këtij qyteti të qetë flamand, i cili sapo ka filluar ta marrë veten nga jehona ndërkombëtare që shkaktoi zbulimi i pazakontë.
Sado që e mendon, dhe e ka menduar gjatë që prej së enjtes së kaluar kur lajmi për zbulimin u bë publik, Luc Michiels nuk arrin të gjejë një shpjegim bindës për thesarin e zbuluar në ish-rezidencën e familjes Van Assche, një familje e pasur vendase pronarësh birrarie.
“Është e pabesueshme. Si është e mundur që askush të mos dinte për arin e fshehur?”, pyet ky inxhinier në pension, i cili kryeson shoqatën historike lokale, teksa vështron atë që ka mbetur nga shtëpia e madhe.
Ai zotëron arkivat e birrarisë së dikurshme që ndodhej pas shtëpisë familjare, sot në rrënoja, ku një grup i vogël punëtorësh, që ishin dëshmitarë të zbulimit, janë kthyer tashmë në punë pasi kureshtarët dhe gazetarët e ditëve të para janë larguar. Por as në këto dokumente nuk duket se gjendet përgjigjja.

Pjesë e thesarit të gjetur në Dendermonde. Foto: Policia lokale e Dendermonde-s.
Fillimisht, ashtu si edhe policia që u thirr menjëherë pas zbulimit të thesarit, Michiels mendoi se ari mund të ishte fshehur nga familja gjatë Luftës së Parë ose Luftës së Dytë Botërore, nga frika se mund të vidhej nga ushtarët pushtues gjermanë.
Por kjo teori u rrëzua shpejt: disa prej shufrave janë shumë më të reja. Fotografitë e shpërndara nga Prokuroria e Flandrës Lindore, e cila po merret me çështjen, tregojnë se disa prej tyre datojnë nga vitet 1957 dhe 1960.
Birraria u mbyll në vitet 1970. Michiels i kishte njohur Van Assche-t e fundit, tre vëllezër e motra — dy burra dhe një grua — të cilët vdiqën pa lënë pasardhës, ndërmjet vitit 1960 dhe fillimit të viteve 1980.
Familja, tregon ai, ishte shumë “e rezervuar”, “mbante veten me të madh”, ishte disi “koprrace” dhe nuk përzihej shumë me komunitetin. Këtë e konfirmon edhe miku dhe kolegu i tij në shoqatë, Johan Van Damme, nëna e të cilit jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Van Assche.
Ata ishin gjithashtu “shumë fetarë” — financuan kambanën e kishës së lagjes, e cila duhej të zëvendësohej pasi nazistët kishin marrë kambanën origjinale — dhe angazhoheshin shumë në vepra bamirësie.
Këtë e dëshmon edhe testamenti që u bë i njohur pas vdekjes së Maria Van Assche, e fundit në vijën e drejtpërdrejtë të dinastisë së birrarisë: e gjithë pasuria iu la trashëgim abacisë së Dendermonde-s, me udhëzime të rrepta që ajo të përdorej për qëllime bamirësie.
Po thesari gjithashtu?
“Nuk kuptohet pse ai nuk u përmend në testament. Kam përshtypjen se [vëllezërit dhe motra] nuk dinin asgjë”, hamendëson Michiels, i cili shpreh keqardhje që “nuk ka mbetur askush gjallë që të mund ta sqarojë këtë mister”.
Kjo është diçka që do të dëshironte ta dinte edhe shefi i komisariatit të Dendermonde-s, Patrick Feys, i cili pranon se “i dridheshin duart” kur iu desh të bënte inventarin e parë të thesarit: disa dhjetëra shufra dhe mijëra monedha ari të njohura si paund ari ose sovereign, që përdoren si investim dhe sot kushtojnë pothuajse 1.000 euro copa.
Në total bëhet fjalë për rreth nëntë milionë euro me kursin aktual.
Në orët e para pas zbulimit, Feys e mbajti thesarin në komisariatin e tij nën masa të jashtëzakonshme sigurie — tre policë e ruanin njëkohësisht, ndërsa ishin vendosur edhe tri kamera shtesë vëzhgimi, tregon ai — por u ndie i lehtësuar kur thesari u transferua në një “vend të sigurt”, vendndodhjen e të cilit refuzon ta zbulojë.

Pjesë e monedhave pas zbulimit. Foto: Policia lokale e Dendermonde-s.
Për momentin, Prokuroria vazhdon të përpiqet të “përcaktojë nëse rasti ka ndonjë aspekt penal” apo jo. Nëse nuk ka, çështja do të shndërrohej në një “çështje civile” dhe do të dilte jashtë kompetencave të saj, sqaron një zëdhënëse me email.
Askush ende nuk guxon ta përjashtojë plotësisht mundësinë e një lidhjeje me ndonjë krim. Një nga arsyet është se një nga përdorimet e para të rezidencës, pasi ajo kaloi në pronësi të një institucioni fetar, ishte si strehimore për ish-të dënuar.
Megjithatë, as historianët lokalë dhe as policia nuk janë shumë të bindur nga kjo mundësi.
“Ne besojmë se familja e ka fshehur. Ky është shpjegimi më logjik, por nuk e dimë pse”, pranon Feys.
Ende nuk dihet as se kush do të përfundojë duke e marrë thesarin.
Tashmë disa persona nga vende të ndryshme të botës kanë pretenduar se janë pronarët e tij, duke paraqitur argumentet më të çuditshme që mund të imagjinohen, tregon komisari duke qeshur.
Në një nga mesazhet elektronike që i kanë mbërritur ditët e fundit, nga një vend aziatik, një burrë “që thotë se është rimishëruar, kujton se ka jetuar në Belgjikë në vitet 1960 dhe se kishte fshehur një thesar, por nuk e dinte më se ku. Mendonte se e gjithë kjo kishte qenë vetëm një ëndërr, derisa pa lajmin dhe kuptoi se ishte e vërtetë”, tregon Feys.
Por nga llogaria në Facebook e komisariatit iu përgjigjën me ironi:
“Rimishërimi ende nuk konsiderohet provë e vlefshme.”
Një tjetër pretendues, këtë herë nga Lituania, thotë se gjyshi i tij tregonte — edhe pse askush nuk e besonte — se kishte punuar me familjen Van Assche dhe i kishte ndihmuar ata ta fshihnin thesarin. Sipas tij, një pjesë e thesarit i përkiste gjyshit dhe tani nipi e kërkon atë.
Ka pasur gjithashtu edhe disa banorë vendas që pretendojnë një lloj lidhjeje të ndërlikuar familjare me familjen e pronarëve të birrarisë.
Me përjashtim të rasteve më të çuditshme, të cilat policia i injoron drejtpërdrejt, personat që paraqesin pretendime këshillohen të kontaktojnë avokatë të specializuar.
E vërteta, nëse do të zbulohet ndonjëherë, mund të marrë kohë, paralajmëron Feys. Ligji parashikon deri në pesë vjet për të përcaktuar origjinën e një pasurie të këtij lloji.
Nëse origjina nuk përcaktohet, kandidati më i mundshëm për të përfituar nga paratë është organizata lokale bamirëse CAW, e cila aktualisht është pronare e truallit ku u gjet thesari.
Për Feys-in, ky do të ishte një “fund i bukur”: në fund të fundit, familja Van Assche e kishte destinuar pasurinë e saj për vepra sociale dhe pikërisht këtë bën edhe kjo organizatë jofitimprurëse.
Philip Kobe, studenti që gjeti thesarin dhe njoftoi autoritetet, shpreson nga ana e tij të marrë një lloj shpërblimi.
Policia e cilëson edhe këtë si një tjetër “histori të bukur” dhe si një shembull “moral” për kohët e sotme. Autoritetet shprehin keqardhje për kritikat dhe talljet që kanë marrë i riu dhe kolegët e tij vetëm pse nuk e mbajtën arin për vete.
Por edhe për një shpërblim të mundshëm duhet ende kohë, paralajmëron Feys.
Para, sidoqoftë, nuk do të mungojnë./El País















