Kina ka zëvendësuar Bashkimin Sovjetik në garën për udhëheqjen botërore. Dhe emblema e bipolaritetit nuk është më arma atomike, por inteligjenca artificiale, e cila, sipas krijuesve të saj, ka potencial vdekjeprurës të njëjtë, në mos më të madh, për mbarë njerëzimin.
Nga Lluís Bassets
Një ceremonial i harruar i Luftës së Ftohtë u rikthye këtë javë në bazën Andrews, ku Donald Trump dhe bashkëshortja e tij pritën udhëheqësin kinez Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij në këmbët e shkallëve të avionit. Ishte një gjest me domethënie të jashtëzakonshme diplomatike, që nuk ishte përsëritur që kur një tjetër president amerikan priti për herë të parë homologun dhe kundërshtarin e tij nga superfuqia e dytë botërore, shtatë dekada më parë. Në vitin 1959, Dwight Eisenhower shkoi në të njëjtën bazë të forcave ajrore, duke treguar një respekt të ngjashëm ndaj Nikita Hrushovit, gjatë vizitës së parë zyrtare të një udhëheqësi sovjetik në Shtetet e Bashkuara që prej Revolucionit Rus.
Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara ndodheshin atëherë në fillimet e një gare bërthamore që e çoi botën në buzë të greminës. Mbeteshin dy vjet përpara se ajo zbutje e dukshme e tensioneve të shndërrohej në krizën e raketave ruse të vendosura në Kubë më 1962 dhe në ndërtimin e murit që e ndau Berlinin deri në vitin 1989. Nga ai episod në kufijtë e luftës bërthamore lindi doktrina e efektshme dhe e tmerrshme e shkatërrimit të ndërsjellë të garantuar (MAD), e cila e ka mbajtur të papërdorur të gjithë arsenalin deri më sot. Lindi gjithashtu telefoni i kuq, që lidhte drejtpërdrejt Shtëpinë e Bardhë me Kremlinin, me qëllim shmangien e një katastrofe planetare të shkaktuar nga një vendim i gabuar ose nga një aksident.
Kina e ka zëvendësuar tashmë Bashkimin Sovjetik në garën për udhëheqjen botërore. Dhe emblema e bipolaritetit nuk është arma atomike, por inteligjenca artificiale, e cila, sipas krijuesve të saj, ka potencial vdekjeprurës të njëjtë, në mos më të madh, për mbarë njerëzimin. Nëse Hrushovi mburrej në Uashington me fuqinë e tij raketore, pas lëshimit një vit më parë të Sputnikut, mjetit të parë hapësinor që hyri në orbitën e Tokës, Xi Jinping shpalos zinxhirin e prodhimit të automjeteve elektrike, industrinë e tij hapësinore dhe raketore, hekurudhat e shpejtësisë së lartë dhe përparimet në IA, duke mbetur pak prapa Shteteve të Bashkuara në garën për t’i arritur ato.
Kërcënimet e reja, ashtu si teknologjitë e reja, i tejkalojnë të mëparshmet, por nuk i zëvendësojnë. Këtë e dëshmojnë luftërat e sotme, ku betejave me tanke dhe llogore u shtohen tufat e dronëve, përcaktimi i vendndodhjes përmes satelitëve dhe përdorimi i IA-së për çdo qëllim ushtarak, sidomos për detyrën e urryer të përzgjedhjes së objektivave dhe përcaktimit të numrit të pranueshëm të viktimave të pafajshme. Ndërthurja e teknologjisë së vjetër me të renë zakonisht ua shumëfishon efektet. Pikërisht këtë mundëson IA-ja në përforcimin e sistemeve të frenimit bërthamor: një vend i shkatërruar nga një sulm atomik, me të gjithë udhëheqjen e tij politike dhe ushtarake të asgjësuar, mund të programojë një kundërpërgjigje bërthamore pa ndërhyrje njerëzore, falë një vendimi apokaliptik të besuar IA-së, që do t’i jepte fund jetës në një pjesë të madhe të planetit.
Konteksti në të cilin grumbullohen kërcënimi i vjetër dhe ai i ri është shqetësues. Arkitektura e traktateve për kontrollin e armatimeve dhe çarmatimin, e ndërtuar që prej Luftës së Ftohtë, pothuajse nuk ekziston më. Trump i ka hapur tej e tej dyert për përhapjen e armëve bërthamore. Prej më shumë se një dekade, Kombet e Bashkuara përballen me një dështim sistemik në përmbushjen e qëllimit për të cilin u themeluan: parandalimin e luftës. Dhe Pekini së shpejti do të arrijë barazinë me Uashingtonin dhe Moskën për nga përmasat e arsenalit të tij bërthamor, një çështje që u anashkalua në samitin mes Xi-së dhe Trumpit. Bipolaritetit të Luftës së Ftohtë i zë vendin bipolariteti i IA-së, por bipolaritetit bërthamor mes Uashingtonit dhe Moskës së shpejti do t’i zërë vendin tripolariteti, shumë më i rrezikshëm dhe shumë më i vështirë për t’u trajtuar përmes negociatave.
Në epokën tonë digjitale nuk ka telefona fiksë apo të kuq për komunikimin e drejtpërdrejtë mes dy udhëheqësve botërorë përballë rrezikut të afërt të një kataklizme luftarake. As armët e sotme nuk janë më vetëm në duart e pushtetit politik, por edhe të manjatëve të teknologjisë, që zotërojnë kapacitete satelitore, madje edhe raketore. Dhe nuk mund të përjashtohet mundësia që ato të bien në duart e grupeve terroriste apo të krimit të organizuar.
Këto rreziqe janë njëkohësisht të reja dhe të vjetra, siç e dëshmoi imagjinata kinematografike e Stanley Kubrickut, i cili i dalloi ato gjysmë shekulli më parë në një satirë me humor të zi, të titulluar në versionin spanjoll Telefon i kuq? Po fluturojmë drejt Moskës. Filmi shpjegon pamundësinë për ta ndalur një luftë bërthamore të nisur nga një gjeneral amerikan i çmendur dhe ekstremist, pikërisht për shkak të një sistemi kundërpërgjigjeje automatike të konceptuar nga sovjetikët, që ka ngjashmëri shqetësuese me IA-në e sotme. Më urgjent sesa diskutimi për pezullimin apo shpejtësinë e zhvillimit të saj është ndalimi i lidhjes djallëzore mes armës atomike dhe një makinerie që mund të marrë një vendim pa lënë kohë për të hapur një mesazh apo për të ngritur receptorin e telefonit. Por kjo rrethanë e zymtë mungoi në samitin pompoz të Uashingtonit./El País.















