Poezia e tij prej kohësh është bërë muzika që shoqëron jetën e gjermanëve, në Lindje dhe në Perëndim. Dhe kush pyet veten se çfarë ka ende për të thënë Wolf Biermann, mjafton të dëgjojë se si ai vazhdon t’i tërbojë përçmuesit e demokracisë dhe ata që relativizojnë fashizmin.
Nga Holger Gertz
Kush e ka kaluar gjithë jetën duke shkruar poezi e duke kënduar dhe me vargjet e këngët e tij ka shëtitur nëpër të gjitha skenat e vendit, mund të shndërrohet një ditë në dikë që nuk bën gjë tjetër veçse citon vetveten. Kjo do të ishte e pritshme, e mërzitshme. Nga ana tjetër, bota e vjetër, për të cilën ai këndonte dhe shkruante poezi dekada më parë, nuk është më e njëjta – ose, në mënyrë të frikshme, është sërish në rrugën për t’u bërë ajo botë e dikurshme. Panorama në sfondin e së cilës zhvillohen ngjarjet po ndryshon.
Dhe atëherë mund të ndodhë që ajo që është shkruar shumë kohë më parë të shfaqet vazhdimisht me një kuptim të ri në peizazhin e kohës. Atëherë fjalët dhe mendimet e vjetra tingëllojnë çuditërisht të freskëta. Dhe poeti që dikur i ka krijuar mund të pretendojë se vepra e tij është e përjetshme. E përjetshme: një fjalë në modë, e përdorur shumë më tepër seç duhet. Një kostum sportiv Adidas mund të jetë i përjetshëm, ashtu si edhe një tigan prej gize. Prandaj, për t’i bërë drejtësi këtij poeti, duhet ta shprehim ndryshe, më thjesht. Më drejtpërdrejt.
Le ta themi kështu: Wolf Biermann feston të dielën ditëlindjen e tij të nëntëdhjetë. Është plak sa malet. Është i ri si një djalosh.
Panairi i Librit në Frankfurt, fillimi i tetorit, hapja e javëve të përvjetorëve të Wolf Biermannit, në vitin e përvjetorëve të tij. 13 nëntori: 50-vjetori i koncertit të tij në Këln. 15 nëntori: ditëlindja e nëntëdhjetë. 16 nëntori: 50-vjetori i heqjes së shtetësisë nga Republika Demokratike Gjermane (RDGJ). Wolf Biermann ndodhet në një turne përvjetorësh të dyfishtë e të trefishtë.
Në Qendrën e Kongreseve në Frankfurt është paralajmëruar një veprimtari me titullin „Muzikë, lexim, bisedë“. Arsye për të festuar ka mjaft, sepse Biermanni, i cili sapo ka deklaruar për gazetën Die Zeit se „terapia ime është të shkruaj një poezi“, vazhdon të sjellë krijime të reja. Një album të ri, një dokumentar të ri, libra të rinj. Në sallën ku të gjitha vendet janë të zëna, gazetari Sven Gösmann e interviston me durim protagonistin e jubileut. Dhe meqë Biermanni është i ri si një djalosh, plot energji, gjatë bisedës ai ngrihet herë pas here papritur dhe shkon drejt skajit të skenës. Atëherë Gösmann i thotë: „Qëndroni ulur, ju lutem.“ Por, meqë Biermanni është edhe shumë i moshuar, ai rrëfen anekdota që adhuruesit e tij i njohin tashmë nga biografitë dhe intervistat e mëparshme. Megjithatë, të gjitha këto histori vazhdojnë të lidhen drejtpërdrejt me të tashmen. Për shembull, takimi i tij me Jean-Paul Sartre, në Paris, më 1976.
„Ai njihte disa nga krijimet e mia dhe më tha: Eja këtu, Biermann i vogël, më këndo diçka.“ Kështu, Biermanni këndon, ata bisedojnë dhe, në një moment, Sartre i thotë: „E dini, zoti Biermann, ne nuk i gjykojmë njerëzit sipas asaj që të tjerët kanë bërë prej tyre, por sipas asaj që ata vetë kanë bërë me atë që të tjerët kanë bërë prej tyre.“ Paksa e ndërlikuar. Publiku e njeh më shumë versionin disi të përmbledhur: Liria është ajo që ne bëjmë me atë që na është shkaktuar. Kështu shkruhet tashmë edhe në fletët e kalendarëve.
Sidoqoftë, Biermanni nuk mbeti edhe aq i impresionuar nga Sartre: „Unë i thashë zotërisë së moshuar, paksa me guxim të tepruar: E dini, këtë fjali e njoh tashmë. E kam lexuar te ju.“ Po Sartre? „Nuk u kënaq aspak, por m’u hakërrye: Edhe ju këndoni gjithmonë të njëjtat këngë.“
Në gjithçka që rrëfen për të kaluarën, ai flet edhe për të tashmen
Megjithatë, këtu filozofi i madh i shekullit gabon. Sepse, nëse javët përkujtimore të Biermannit, gjatë të cilave këngët e tij dëgjohen pa ndërprerje, shërbejnë si rast për t’iu rikthyer veprës së tij të gjerë, vihet re se në të vërtetë nuk ekzistojnë „gjithmonë të njëjtat këngë“. Nëse kanë vlerë, të njëjtat këngë tingëllojnë ndryshe në sfondin e periudhave të ndryshme historike, pa humbur aspak aktualitetin e tyre.
Ndër titujt e njohur të Biermannit është edhe „Die hab ich satt“ („Më kanë ardhur në majë të hundës“) nga viti 1966. Në atë kohë, në RDGJ, atij i ishte ndaluar tashmë të dilte në skenë dhe të botonte, pasi konsiderohej tradhtar i klasës dhe kundërrevolucionar. Biermanni e kishte regjistruar këngën, e cila e meriton plotësisht titullin e nderit „këngë proteste“, në banesën e tij në Berlinin Lindor, në adresën Chausseestraße 131, dhe kishte bërë që regjistrimi të kalonte fshehurazi në Perëndim. Prej andej, përmes rrugëve të tërthorta e të fshehta, kënga ishte kthyer sërish në Lindje.
Biermanni e këndonte vargun që i jepte titullin këngës me aq shumë energji e zemërim, saqë fjala njërrokëshe „satt“ tingëllonte vërtet si goditje kamxhiku. Ai shpërthente kundër të gjithëve prej të cilëve ndihej i tradhtuar, thellë në Lindje. Grave të ftohta që e përkëdhelnin, miqve të rremë që e lajkatonin. Por edhe kundër njerëzve të zakonshëm, për të cilët thuhet aq shpesh se mjafton t’i dëgjosh dhe gjithçka do të shkojë mirë. Pra:
[Strofë nga kënga „Die hab ich satt“ (1966), që portretizon „njeriun e vogël“ legjendar, i cili pajtohet me çdo poshtërsi për sa kohë i garantohet mirëqenia materiale.]
Njerëzorja do të triumfonte, morali po ashtu.
Ndërkohë, sidomos në Perëndim, është kuptuar se kjo nuk është e vërtetë. Në bastionet e dikurshme të klasës punëtore tani votohet gjerësisht për Alternativën për Gjermaninë (AfD), jo më për Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Këta votues të sotëm, që kanë ndryshuar kahun politik dhe nuk çajnë kokën aspak për humnerat e partisë së tyre të re popullore, kishin marrë qysh atëherë nga Biermanni, vetë bir i një familjeje punëtore, vargjet e duhura në albumin e kujtimeve, ndonëse në rrethana dhe kontekste të tjera.
Në Panairin e Librit, Biermanni rrëfen shumë për të kaluarën. Por pikërisht kjo është karakteristika e turneut të tij me lexime, biseda dhe këngë, që është e kundërta e një udhëtimi sentimental: në gjithçka që rrëfen për të kaluarën, Wolf Biermann flet për të tashmen. Ai nuk flet e nuk këndon për epoka që një ditë marrin fund. Ai këndon dhe flet për njerëzit që vazhdojnë gjithmonë njësoj. Dhe që i përsërisin të gjitha gabimet, apo jo? Biermanni thotë, ose më saktë mërmërit: „Ndoshta duhet të mësojmë se njerëzit nuk mësojnë kurrë asgjë.“
Një ditë më parë, në Saksoni-Anhalt, një burrë me mjekër të shkurtër nga AfD-ja ishte zgjedhur kryetar i parlamentit të landit. Tani Biermanni e përkufizon marrëdhënien mes AfD-së dhe Aleancës Sahra Wagenknecht (BSW), krejtësisht në stilin e tij karakteristik: „Kjo shkon për mrekulli. Një çift ideal të dashuruarish. Secili është ndëshkimi i tjetrit.“
Disa ditë më vonë, si i ftuar në emisionin televiziv të Sandra Maischbergerit, ai e zgjeron pak më tej këtë mendim, në një ligjërim të shkurtër për AfD-në si trashëgimtare të diktaturës naziste dhe BSW-në si trashëgimtare të diktaturës së RDGJ-së: „Kjo është si një mësim historie. Ata i përshtaten njëri-tjetrit. Një çift të dashuruarish. Secili është ndëshkimi i tjetrit. E mrekullueshme.“
Kush i njeh kaq mirë njerëzit, ruhet të bëhet njësh me ta
Që dy vjet më parë, ai kishte thënë këtë për simpatizantët e AfD-së dhe BSW-së në Lindje, për të gjithë ata që donin ta dëgjonin dhe sidomos për ata që bënin sikur nuk dëgjonin: „Ata që ishin tepër frikacakë gjatë diktaturës, tani rebelohen pa asnjë rrezik kundër demokracisë. Ata vajtojnë për rehatitë e diktaturës, ndërsa përpjekjet që kërkon demokracia janë të huaja për ta.“
Si përgjigje ndaj pyetjes se çfarë ka ende për të thënë Biermanni, përjashtimisht ia vlen t’i hedhësh një sy rrjetit social X. Për të parë se si ai vazhdon t’i tërbojë përçmuesit e demokracisë dhe ata që relativizojnë fashizmin.
Tingulli i zërit të Biermannit, herë kërcitës, herë si krrokamë, herë ulëritës, herë i ashpër e herë pëshpëritës, është pjesë e muzikës që shoqëron jetën e shumë gjermanëve, në Lindje dhe në Perëndim. Biermanni ka ditur gjithmonë të jetë vulgar, por edhe madhështor. Fjalori i tij përfshin si fjalën „kokëtrashë“, ashtu edhe shprehjen „bukë për shpirtin“.
Kësaj i shtohet, si një pamje e çastit që përtërihet vazhdimisht, fytyra e tij e paharrueshme. Mustaqet që dikur ia ngjyroste me të zezë e dashura e tij e atëhershme Brigitte Soubeyran, që gradualisht u bënë gri dhe tani janë të bardha, i japin në tërësi një pamje më jugore, si figura ideale e një luftëtari për liri nga Amerika e Jugut.
Kitara, e cila për Biermannin nuk ka qenë kurrë vetëm një instrument me tela, por gjithmonë edhe një trup tingëllues, të cilit mund t’i japësh pak më shumë jetë përmes goditjeve të buta. Mënyra se si ai i drejtohet publikut të përkushtuar, pa shtirur një afërsi të tepruar. Kush i njeh njerëzit aq mirë sa ai, ruhet të bëhet njësh me ta.
Në albumin e ri „Unterm Haar nur Himmel“ („Nën flokë, vetëm qiell“), rrëfen Biermanni, ka „këngë të reja që i kam shkruar. Jo keq. Mjaftueshëm të mira për ju, do të thosha“. Lojërat e tij të fjalëve, ndonjëherë të dhimbshme. Talenti për ta mbështjellë patosin me shtresa ironie dhe autoironie.
Në sallën e Panairit të Librit në Frankfurt mbizotëron një tension që ushqehet, nga njëra anë, prej emocionit të publikut dhe, nga ana tjetër, prej natyrës së pakapshme të artistit. Wolf Biermann thotë: „Unë nuk jam fillestar. Gënjej vetëm me të vërteta. Dhe kurrë me gënjeshtra.“
Në fund, publiku ngrihet në këmbë dhe duartroket. Pastaj të gjithë drejtohen te tavolinat e shitjes përpara sallës, që mban emrin „Raum Illusion“ („Salla Iluzion“). Librat e rinj, disqet, shumë prej tyre me autografin e Biermannit. Ai njihet për zakonin e tij që autografet dhe madje dedikimet e plota t’i shkruajë me shkrim pasqyror, duke besuar se njerëzit do të bëjnë çdo përpjekje për ta deshifruar. Krahasuar me rreziqet që ata merrnin dikur përsipër për ta lexuar, kjo është një gjë fare e vogël.
Ky turne i Biermannit nuk është vetëm një festë për adhuruesit e tij të zjarrtë dhe, jo më pak, për vetë Biermannin. Është gjithashtu një festë për atë pjesë të shoqërisë së sotme të hutuar që dëshiron dhe është ende e gatshme të lexojë.
Mënyra se si publiku i merr me kujdes nga duart e shitësve veprat e reja të Biermannit dhe i bart me delikatesë, sikur këta libra të ishin diçka e gjallë, është tashmë një pamje e rrallë. Sepse, në përgjithësi, në vendin që dikur njihej si vendi i poetëve dhe mendimtarëve, nuk lexohet më shumë.
Në vend të kësaj, popullsia shfleton pa fund ekranet, deri në mpirje mendore, lejon të katandiset në një shoqëri njerëzish që rrëmbejnë copëza informacioni dhe mbush trurin e lodhur me postimet në X të njerëzve që pretendojnë të jenë dikush.
Kështu vepra e tij bëhej gjithnjë e më e njohur në RDGJ, megjithëse ishte e ndaluar
Studimet e dëshmojnë këtë: njerëzit në Gjermani lexojnë media të shtypura ose digjitale vetëm 27 minuta në ditë, ndërsa një e katërta e nxënësve të shkollave fillore nuk e kuptojnë atë që është shkruar. Librarive po u shemben të ardhurat.
Kundërhelmi, siç ka shpjeguar së fundmi drejtori i Panairit të Librit, Juergen Boos, është sërish ndjeshmëria, ngarkesa emocionale. „Po shohim një zhvillim nga lexuesi drejt adhuruesit.“ Pra, bëhet fjalë për krijimin e një lidhjeje emocionale me autorin.
Se si mund të arrihet kjo, mund të shihet, në përmasa të vogla, nga reagimet ndaj Biermannit të sotëm në Panairin e Librit në Frankfurt. Megjithatë, lidhja emocionale me autorin, në përmasa shumë më të mëdha, ishte shumë më e thellë dikur në RDGJ, kur njerëzit e lexonin Biermannin për të mbijetuar, po ta themi pa asnjë patos.
Tekstet e tij futeshin ilegalisht nga Perëndimi në fletore të vogla ose, dhe ky ishte rreziku që merrte përsipër publiku i tij, kopjoheshin fshehurazi me makinë shkrimi, shumëfishoheshin ilegalisht me letër karboni dhe u shpërndaheshin fshehurazi të tjerëve. Dhe më tej. Dhe më tej.
Kështu vepra e poetit Biermann bëhej gjithnjë e më e njohur. Megjithëse vetë poeti ishte i ndaluar.
Nëse atyre që sot nuk u pëlqen leximi nuk u kujtohet më se çfarë fuqie mund të ketë fjala e shtypur: nuk ishte aspak e nevojshme ta kishe parë Biermannin drejtpërdrejt. Mjaftonte ta lexoje për të besuar tek ai.
Hamburg, HafenCity, fillimi i nëntorit.
Një ditë e veçantë e turneut, të cilën Wolf Biermann e kishte paralajmëruar që në Frankfurt me fjalët: „Unë do të këndoj në Elbphilharmonie, e cila, në fund të fundit, është ndërtuar posaçërisht për mua.“ Me pak vullnet të mirë, mund ta pranojmë këtë pohim.
Në Sallën e Madhe zhvillohet një mbrëmje artistike, e moderuar nga bashkëshortja e Biermannit, Pamela, e cila fillimisht plotëson boshllëqet në njohuritë e atyre që e lidhin prejardhjen e tij me Gjermaninë Lindore.
Por Wolf Biermann ka lindur në Hamburg. RDGJ-ja ishte një ndërmjetakt, një përpjekje për të ndihmuar në ndërtimin e një shteti gjerman më të mirë, më solidar dhe më social. Një përpjekje e dështuar.
Megjithatë, Hamburgu është çelësi për të kuptuar gjithçka që ndodhi më pas, deri në ditët tona. Në Hamburg, nëna e tij Emma punonte si punëtore në makinat e thurjes, ndërsa i ati ishte punëtor kantieri detar në kompaninë Blohm & Voss.
Dagobert Biermann, hebre, komunist dhe pjesëtar i rezistencës, u vra në kampin e përqendrimit të Aushvicit, viktimë e çmendurisë raciste, ashtu si më shumë se tridhjetë anëtarë të tjerë të familjes.
Kush nuk e di këtë, thotë Pamela Biermann, nuk mund ta kuptojë plotësisht Biermannin. Nuk mund ta kuptojë prej nga buron ndjenja e tij e drejtësisë, „zemërimi i tij i guximshëm“.
Wolf Biermann u mbijetoi nazistëve, si edhe natës së bombardimeve të Hamburgut më 1943. Ai u shpëtoi flakëve mbi shpinën e nënës së tij. Kështu do ta rrëfejë më vonë edhe vetë në skenën e Elbpharmonies.
„Pak më parë, ndërsa po ju prisnim këtu, isha ulur lart, në dhomën time të zhveshjes. Aty ka një dritare të madhe që sheh nga Hammerbrooku, dhe prej saj pashë pikërisht vendin ku vrapova përmes zjarrit.“
Dhe sërish duartrokitje në këmbë, njerëz që marrin fjalët me vete nëpër natë
Por, derisa t’i vijë radha të ngjitet vetë në skenë, ai qëndron ulur në rreshtin e parë, pranë ish-kancelarit Olaf Scholz, dhe dëgjon të ftuarit e tij. Fillimisht, atmosfera bëhet edhe disi më e lehtë.
Ka ardhur shkrimtari zviceran Franz Hohler, i cili më 1969 ia kishte ngritur nervat Biermannit gjatë realizimit të një portreti radiofonik, duke e pyetur: „A dini të notoni?“
Campino, nga grupi Die Toten Hosen, kujton se si e kishte përjetuar koncertin e Biermannit në Këln, më 13 nëntor 1976.
„Në mënyrë të turbullt, përmes mjegullës së edicionit të lajmeve ‘Tagesschau’, në tryezën e darkës me prindërit: ishte dikush nga Lindja, të cilit, për shkak të një koncerti që kishte dhënë, nuk i lejohej më të kthehej në shtëpi.“
Aktori Burghart Klaußner rrëfen se si atë ditë fatale, më 13 nëntor 1976, kishte edhe vetë një angazhim artistik, një rol të vogël në dramën e Gorkit „Në fund“ („Nachtasyl“), në teatrin Schauspiel Köln. Ai duhej të dilte në skenë vetëm dy herë, në fillim dhe në fund. Por dëshironte me çdo kusht të shkonte te Biermanni.
„I kisha parë drejtpërdrejt Beatles-at, Stones-at, por Wolf Biermannin ende jo.“
Kështu, ai doli në skenë, siç ishte planifikuar, në fillim të shfaqjes „Në fund“. Pastaj u largua nga teatri, i veshur me kostumin e rolit, me mjekër dhe këmishë tradicionale ruse, dhe shkoi për një orë e gjysmë në sallën sportive që ndodhej jo larg, „për të ndjekur koncertin e Biermannit, i veshur si një fshatar i vogël rus“.
Ai u kthye në kohë në Schauspiel Köln për skenën e tij të fundit.
Në fund të mbrëmjes në Elbphilharmonie, sërish duartrokitje në këmbë. Pastaj të gjithë shkojnë te tavolina e shitjes, ku është ngritur „Wolf Biermann Shop“. Banorët e Hamburgut, të gatshëm për të lexuar e për të dëgjuar, i marrin me kujdes disqet, librat, fjalët, dhe i bartin me vete nëpër natë.
Cili poet ka qenë ndonjëherë kaq pranë historisë së vendit të tij? Vetë Biermanni është pjesë e kësaj historie, tekstet e tij janë pjesë e historisë, sallat që ai mbush janë pjesë e historisë.
Është një bekim që ai vazhdon të jetë në formë si një i ri. Kjo rrethanë fatlume e bën historinë vërtet të prekshme.
Berlin, Karl-Marx-Allee: një e premte në nëntor, në kinemanë International, ku gjatë kohës së RDGJ-së ekzistonte një rresht i tetë i posaçëm, me më shumë hapësirë për këmbët e bosëve të partisë.
Aty, më 1966, gjatë premierës së filmit „Spur der Steine“ („Gjurma e gurëve“), njerëz të porositur nga Partia e Unitetit Socialist të Gjermanisë (SED) kishin bërtitur dhe shkaktuar trazira. Edhe Biermanni kishte qenë në atë kinema gjatë premierës dhe e kishte përjetuar nga afër ndërprerjen e shfaqjes. Pak më vonë, filmi „Spur der Steine“ u ndalua për shkak të prirjeve antisocialiste.
Tani, me ftesë të Fondacionit Federal për Përballjen me Diktaturën e SED-së, në ekran shfaqet një tjetër moment i historisë gjermane të lidhur me Biermannin: pjesë nga koncerti i tij në sallën sportive të Këlnit më 1976, ku Burghart Klaußner kishte qenë i pranishëm me këmishën e tij ruse, së bashku me mijëra dëgjues të tjerë.
Koncerti ishte miratuar në RDGJ nga nivelet më të larta të pushtetit. Një regjistrim i tij gjendet në YouTube, dhe pamjet i njohin të gjithë. Këmisha me vija blu e të bardha e Biermannit, kitara, harmoniumi. Në sfond, herë pas here të dukshme, pankarta me emblemën e IG Metall, sindikata që e kishte ftuar në turneun e koncerteve në Republikën Federale të Gjermanisë.
Bosët e RDGJ-së menduan se shpëtuan prej tij. Por nuk shpëtuan dot
Biermanni nuk kishte dalë publikisht në skenë prej një kohe shumë të gjatë. Ndalimin e koncerteve ai e bëri temë të fjalës së tij, por në një mënyrë mjaft të përmbajtur.
„Kur dëgjova se këtu duhet të jenë gjashtë mijë e pesëqind njerëz, ose ndoshta edhe më shumë, besoj se tani janë brenda, më kapi frika. Por, disi, nuk më duket edhe aq e madhe kjo gjë. Ndoshta sepse gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit kam kënduar gjithmonë vetëm në dhomën time.“
Koncerti ishte dukshëm një akt ekuilibrimi. Ai nuk mund t’i zbuste artificialisht qëndrimet e tij, por njëkohësisht duhej të kishte frikë se mund të ndodhte diçka nëse i provokonte tepër drejtuesit e Berlinit Lindor.
Megjithatë, koncerti ishte edhe një sukses i madh. WDR e transmetoi drejtpërdrejt në radio dhe më vonë e shfaqi në programin e tretë televiziv.
Tri ditë më pas, RDGJ-ja ia hoqi shtetësinë për shkak të kritikave ndaj sistemit që kishte shprehur në skenë. „Biermannit i hiqet e drejta për të qëndruar më tej në RDGJ“, raportoi gazeta Neues Deutschland.
Ata nuk e kishin futur në burg, por e kishin mbyllur jashtë kufijve. Kishte ndodhur ajo që duhej të ndodhte. Kishin shpëtuar prej tij.
Por nuk kishin shpëtuar prej tij.
Ajo që ndodhi më pas, lëvizja protestuese brenda vendit dhe pasojat e saj, represioni e kërcënimet, e tronditën regjimin e SED-së. Në njëfarë mënyre, ky ishte tashmë fillimi i fundit të RDGJ-së.
Koncerti bëri gjithashtu që fjalët e Biermannit, të cilat aq shumë njerëz në Lindje i kishin lexuar fshehurazi, të merrnin edhe një fytyrë.
Të gjithë ata që nuk e kishin parë kurrë, mund ta shihnin Biermannin „real-ekzistues“ në televizionin perëndimor, më 19 nëntor 1976, kur ARD transmetoi koncertin e plotë të Këlnit, vonë në mbrëmje, në atë që sot do ta quanim ritransmetim të plotë.
Fillimisht ishte planifikuar një orar më i favorshëm, menjëherë pas edicionit të lajmeve „Tagesschau“, në orën 20:15. Por ky plan ishte anuluar pasi, ndër të tjera, kundër tij kishte protestuar CSU-ja.
Sekretari i përgjithshëm Gerold Tandler deklaroi se publiku televiziv kishte të drejtë të priste diçka tjetër, jo „disa orë ideologji komuniste që të derdhet pa pushim në vesh“.
Tani, në kinemanë International, në foltore ngjitet Angela Merkel.
Edhe për të, transmetimi i atëhershëm kishte qenë „mundësia e parë“ për „ta parë një herë duke kënduar, me figurë dhe me ngjyra“.
Për këtë arsye, ajo kishte udhëtuar posaçërisht „nga Lajpcigu, ku studioja, drejt shtëpisë në Berlin, sepse në konviktin studentor, natyrisht, nuk mund të shikoja programet televizive perëndimore“.
Nuk është ndonjë ekzagjerim i madh të thuhet se ka pasur dhe ka ende njerëz për të cilët transmetimi i koncertit të Biermannit në Këln, me të gjitha pasojat e tij, ka qenë po aq i rëndësishëm sa për të tjerët transmetimi i zbarkimit në Hënë ose i ndeshjes së boksit mes Muhammad Aliut dhe George Foremanit.
Ish-kancelarja, që i di përmendsh tekstet e këngëve të tij, thotë edhe diçka tjetër për Biermannin si këngëtar:
„Ai përgjërohet dhe akuzon, gjithmonë plot pasion. Me këtë ai i mbush hapësirat, i jep krahë imagjinatës. Dhe nëse gjithçka shkon mirë, madje të jep edhe guxim.“
Nëse gjithçka shkon mirë.
Ky është mesazhi përcjellës, pa patos të tepruar dhe krejtësisht në stilin e Merkelit, për këngëtarin Biermann, i cili, krahas këngëve të tij të shumta, ka shkruar edhe një himn që është edhe himni i tij.
„Ermutigung“ („Inkurajim“), botuar më 1968.
Ai e këndoi këtë këngë në Panairin e Librit, si edhe në Elbphilharmonie, së bashku me Campinon. Gjithmonë e njëjta këngë.
Pra, Sartre i vjetër paska pasur të drejtë. Por edhe jo.
Sepse kjo këngë ka fuqi të veçanta: si një lidhëse, ajo i mban bashkë shfaqjet e turneut të tij; si një lidhëse, ajo e vë në kontakt kohën e vështirë të së kaluarës me kohën e vështirë të së tashmes.
Por, nëse gjithçka shkon mirë, kohët mund të bëhen sërish më pak të ashpra. Me kusht që secili të jetë i gatshëm të bëjë diçka për këtë.
Natyrisht, Wolf Biermann e kishte kënduar këtë këngë edhe në koncertin e atëhershëm në Këln.
[Strofë nga kënga „Ermutigung“ (1968), një thirrje për të mos heshtur në kohë heshtjeje dhe për t’u treguar të gjithëve shenjat e shpresës dhe të ripërtëritjes.]
Kush e shikon edhe një herë në YouTube regjistrimin e plotë të koncertit të Këlnit të vitit 1976, mund të dëgjojë se si Biermanni e kishte prezantuar atëherë këngën:
„Edhe njerëzit e mirë, ndonjëherë, kanë nevojë për disa njerëz të mirë. Dhe ata që u japin kurajë të tjerëve, kanë nevojë edhe vetë për kurajë.“
Dy fjali të shkurtra si përgjigje ndaj pyetjes së marrë se çfarë ka ende për t’u thënë njerëzve të sotëm Wolf Biermann, në prag të nëntëdhjetëvjetorit të lindjes.
(Süddeutsche Zeitung, 13 nëntor 2026)






























