Është fare e qartë se njerëzimi nuk do të zhduket nga faqja e dheut për shkak të klimës apo inteligjencës artificiale. Rasti i Jensen Huangut e dëshmon edhe një herë se shkaku do të jetë pika më e madhe e dobët që mund të përfytyrohet: penisi.
Nga Willi Winkler | Süddeutsche Zeitung
Shënim i Tetova News: Ky tekst është përkthim i një fejtoni satirik të Willi Winklerit, botuar në gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, më 11 nëntor 2026. Jensen Huangu e ka pranuar publikisht tradhtinë bashkëshortore, ndërsa pretendimet se Alice Huang, gruaja e përmendur në raportimet për aferën, ka lidhje me inteligjencën kineze nuk janë vërtetuar publikisht dhe janë mohuar nga Pekini. Mediat amerikane kanë raportuar edhe për marrëdhënie të tjera jashtëmartesore të Huangut, por këto raportime nuk janë konfirmuar në tërësi nga personat e përfshirë. Më 11 nëntor, bordi i Nvidias pranoi dorëheqjen e Huangut nga postet e presidentit, drejtorit ekzekutiv dhe anëtarit të bordit. Vendimi u bë publik më 12 nëntor, kur kompania njoftoi edhe emërimin e Colette Kress si drejtoreshë ekzekutive të përkohshme.
Historia shkon pak a shumë kështu: komandanti Holoferni ka për detyrë t’i vërë sërish hebrenjtë e pabindur nën zgjedhën asiriane. Ai rrethon qytetin e Betulisë dhe ia ndërpret furnizimin me ujë. Dëshpërimi është i madh dhe kapitullimi duket i pashmangshëm. Atëherë e veja Judita paraqitet vullnetare për një operacion të guximshëm gueril: ajo dëshiron të hyjë në kampin e armikut. Nuk tregon saktësisht çfarë ka ndër mend, por lahet, zbukurohet, vesh rrobat e saj më të bukura dhe me to magjeps fillimisht rojet e, më në fund, edhe vetë gjeneralin.
Në Librin apokrif të Juditës, në Dhiatën e Vjetër, kjo natyrisht ende nuk quhet honey trap (kurth joshjeje), por kurthi funksionon sepse komandanti i madh shqetësohet për reputacionin e tij si burrë. Ose, siç e përkthen Martin Luteri: «Sepse ndër asirianët është turp që një grua e tillë të largohet prej nesh pa fjetur me të dhe të ketë vënë në lojë një burrë». Judita shfaqet në anën e saj më të gatshme për t’iu bindur dhe e vë në lojë siç duhet: «Gjithçka që atij i pëlqen, do ta bëj me gjithë zemër e me kënaqësi, gjatë gjithë jetës sime».
Rezultati mund të shihet, ndër të tjera, në pikturat e Lucas Cranachut (ju lutemi, shikojini vetë në Muzeun e Historisë së Artit në Vjenë ose në Galerinë Shtetërore të Shtutgartit): aty qëndron Judita, me kapelë e fustan dhe me aq shumë stoli sa pothuajse e tepron, duke ngritur lart shpatën me të cilën ia ka prerë kokën burrit të dehur nga dashuria. Njerëzit e tij zbulojnë të tmerruar se komandanti i tyre ka vdekur dhe tërhiqen me nxitim. Izraeli shpëton, ndërsa gruaja triumfon me atë copë hekuri me formë falike.
Te Artemisia Gentileschi, përkundrazi – kaq histori arti duhet ta përmendim patjetër – koka pritet me aq forcë, sa gjaku spërkat gjithandej. Andrea Mantegna, të paktën, i lë Holofernit të vrarë një këmbë të zbathur në sfond.
Mund ta kishim ditur, fundja gratë kanë qenë fajtore që nga fillimi
Jensen Huangu, drejtuesi i kompanisë së çipave Nvidia, siç na mëson historia nga Dhiata e Vjetër, nuk është aspak i pari dhe, me shumë gjasë, as i fundit budalla i dashurisë që, të paktën në mënyrë simbolike, humbet kokën për shkak të dashurisë së tij. Sipas raportimeve, ai është përfshirë në një marrëdhënie me një spiune, të cilën Pekini ose konkurrenca ia ka dërguar në shtrat. Në vend që të gëzohet për të, bota indinjohet për këtë aventurë fatkeqe dashurie, sikur të bëhej fjalë për fundin e saj. Të paktën partneri i tij i biznesit, Donald Trump, i ka dalë menjëherë në mbrojtje: «Besoj se ai ka një shpjegim për këtë». Dhe një shpjegim ekziston. Që në moshën 22-vjeçare, Gustave Flaubert-i, me mençurinë e tij prej njohësi të botës, besonte se e dinte: «Pra, kjo ishte e gjitha, një grua!»
Pikërisht, një grua. Mund ta kishim ditur, fundja gratë kanë qenë fajtore që nga fillimi: që kur Eva ia dha mollën Adamit, që kur Dalila ia preu flokët Samsonit, përndryshe të paplagosshëm, që kur Helena joshi Parisin budalla dhe Kirka i shndërroi shokët e Odiseut në derra. Ose Salomeja, e cila me vallëzimin e saj e hutoi aq shumë mbretin Herod, saqë mundi të kërkonte si shpërblim kokën e Gjon Pagëzorit.
Kokat rrokullisen njëra pas tjetrës kur bëhet fjalë për këto gra të rrezikshme. Letërsia është e mbushur me rrëfime të tilla viktimizimi. Burrat në to tradhtohen, shiten, shpifen dhe përqeshen. Edhe Gëteja, në skenën e fundit të «Faustit», mezi arrin ta shpëtojë situatën, kur ia lë Korit Mistik të këndojë: «E Përjetshmja Femërore / na tërheq drejt lartësive». Boris Bekeri vështirë se e kishte ndër mend këtë varg kur, në vitin 1999, në një dhomëz rrobash në Londër, u bë viktimë e një praktike të pazakontë, të cilën, me ndihmën e megafonëve të tij në gazetën Bild, e dramatizoi së tepërmi si «vjedhje sperme».
Dhe, meqë ra fjala, Gëteja, ai erotik i madh! Për ta përgatitur dijetarin e mbyllur në dhomën e tij, Faustin, për jetën jashtë, Mefistofeli e këshillon se duhet të mësojë si t’i drejtojë «gratë». Ai i zbulon gjithashtu se ato mund të «shërohen nga një pikë e vetme».
«Pushteti i karave i ka kufijtë e vet», ishte një nga sloganet shpresëdhënëse të lëvizjes feministe
Studimeve krahasuese gjinore, natyrisht, nuk u ka shpëtuar fakti se Gëteja, në këtë mënyrë, anashkalon pikën e dobët: penisin dhe dobësinë e tij të lindur. Ndoshta inteligjenca artificiale do të gjejë një ditë një zgjidhje për këtë, por, për momentin, kjo dobësi është e pashërueshme. «Pushteti i karave i ka kufijtë e vet», ishte një nga sloganet shpresëdhënëse të lëvizjes feministe. Por, për këtë, së pari do të duhej të fitohej kontrolli mbi atë gjënë atje poshtë. Ose, siç e kishte shënuar më shumë se treqind vjet më parë teologu francez Blaise Pascal, në një shënim që, edhe ky, i atribuohet atij në mënyrë apokrife: «Kari ka arsyet e veta, që koka nuk i njeh».
Gratë, qofshin «femra të rëndomta» apo, në gjuhë pak më të kulturuar, femmes fatales, i kanë vënë gjithmonë burrat në lojë, u kanë hedhur në qafë fëmijë dhe, më e keqja nga të gjitha, i kanë bërë të duken qesharakë. Pasi deklaroi se «nuk kishte pasur marrëdhënie seksuale me atë grua, Monica Lewinsky», presidenti amerikan Bill Clinton u detyrua të shkonte në kishë, i tërhequr zvarrë nga bashkëshortja, për t’u penduar publikisht. Afera shkaktoi një krizë shtetërore të përmasave mesatare, por Clintoni shpëtoi me dëme relativisht të vogla. Sado puritanë të jenë amerikanët, ata besojnë pa kushte te dashuria e madhe, edhe kur, në rast nevoje, ajo duhet të ndodhë në dhomën e fotokopjimit.
Në biznesin e AI-së dhe mikroçipave, një femme mund të jetë veçanërisht fatale, sepse aty bëhet fjalë për pushtet, pra për para. Pas fitores së demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, sipërmarrësit e AI-së rrezikojnë një goditje tjetër. Në rrëfimin e brendshëm amerikan, afera e Nvidias lidhet me të ardhmen e AI-së. Investitorët i dhanë gjithë kësaj një ngarkesë të tillë morale, saqë kapitalizimi i tregut i kompanisë ra brenda pak ditësh me plot një trilion dollarë, pra me një të pestën e vlerës së saj.
Nëse tani princave të Silicon Valley-t u shkon pak keq, sepse një grua trime u fut fshehurazi në tendën e tyre, kjo nuk është domosdoshmërisht një lajm i keq. Aksionet mund të jenë të pëlqyera nga investitorët e mëdhenj, por për banorët e Teksasit, të cilëve u shterohen ujërat nëntokësore dhe që shohin me sytë e tyre se si natyra shndërrohet në një shkretëtirë të pafund, ato nuk janë aspak aq të vlerësuara.
Mbreti britanik Eduardi VIII hoqi dorë nga mbretëria në vitin 1936 për një grua, pasi u dashurua me dikë që nuk i përshtatej rangut të tij
Lajmi, natyrisht, mund të ishte edhe më i mirë nëse vërtet do të gjendej dhe do të bëhej publik edhe materiali komprometues, me të cilin Vladimir Putini mund ta shantazhojë aleatin e tij Trump pas një vizite në Moskë.
Sidoqoftë, Jensen Huangun duhet ta përfytyrojmë si një njeri të lumtur. Të paktën, i tillë duhet të ketë qenë kur më në fund mundi ta hiqte atë xhaketën prej lëkure të tipit tough guy («djalë i fortë») dhe, në shtrat me spiunen, ndoshta hoqi edhe çorapet, njësoj si Holoferni.
Ai i ka kërkuar, siç e kërkon detyrimi, falje bashkëshortes së tij, por për dashurinë nuk duhet të kërkojë falje. Përkundrazi, në rast dyshimi, duhet të shkojë atje ku vlerësohet dashuria dhe jo vlera e aksioneve në bursë. Ekziston një shembull i madh historik: mbreti britanik Eduardi VIII hoqi dorë nga mbretëria e tij në vitin 1936 për një grua, pasi u dashurua me Wallis Simpsonin, e cila nuk i përshtatej aspak pozitës së tij mbretërore.
Falë goditjes së guximshme të Juditës, Holofernit iu kursye trishtimi i detyrueshëm postkoital. Nëse nuk na mashtrojnë sytë, në fytyrën e të vrarit madje ka mbetur edhe një buzëqeshje. Ose, siç e përmblodhi filozofi John Lennon, në një kuptim krejt tjetër: Love is all you need («Dashuria është gjithçka që të duhet»).
Shënim i redaksisë së Süddeutsche Zeitung: Në një version të mëparshëm të këtij teksti kishim shkruar se Bill Clinton u rizgjodh pavarësisht skandalit Lewinsky. E sakta është se afera me Monica Lewinskyn u bë publike gjatë mandatit të tij të dytë, pas rizgjedhjes. Përveç kësaj, statujën në fotografinë kryesore e kishim përshkruar si «antike». Në të vërtetë, ajo është e vitit 1932 dhe ndodhet në Foro Italico të Romës, kompleks i ndërtuar gjatë sundimit të udhëheqësit fashist italian, Mussolini.






























