Kryedemorkati Sali Berisha ka qenë këtë të premte në Kukës, ku ka zhvilluar një takim me demokratë në kuadër të “Ripërtëritjes”.
Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi se kundërshtarët politikë tentuan që të kapnin protestën e qytetarëve dhe përmes saj të godisnin PD-në, por demokratët qendruan fort në krah të qytetarëve.
PIKAT KRYESORE
- Sali Berisha zhvilloi një takim me demokratët në Kukës, në kuadër të nismës “Ripërtëritja”.
- Berisha pretendoi se kundërshtarët politikë tentuan të merrnin kontrollin e protestës për të dobësuar PD-në.
- Ai akuzoi Edi Ramën dhe kundërshtarë të tjerë se synonin krijimin e një opozite të kontrolluar.
- Kreu demokrat përmendi thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” si pjesë të sulmeve politike ndaj PD-së.
- Sipas tij, demokratët mbështetën protestën pa tentuar ta kontrollonin dhe pa vendosur kushte.
- Berisha pretendoi se, pas ditëve të para, demokratët përbënin shumicën numerike të protestuesve.
- Ai i cilësoi kundërshtarët që synonin goditjen e PD-së si armiq politikë të partisë.
“Çfarë ndodhi? Edi Rama, armiq të tjerë të opozitës shqiptare dhe të sovranitetit të shqiptarëve, mafia më e rrezikshme e Europës mendoi se do ta përdorë atë lëvizje të madhe për të instaluar në rrugë dhe sheshet e Tiranës skenarin serb dhe besuan verbërisht se do mund të zëvendësonin Partinë Demokratike me opozitë të kontrolluar apo opozitë siç donin ata. Ndaj dhe dolën me moton ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe Partia Demokratike, parti e shitur, opozitë e shitur.
Besuan verbërisht se me këto qëndrime po kryqëzonin, po gozhdonin Partinë Demokratike. Mirëpo, unë u them atyre, hajde shihni Gjallicën! Kur të mposhtni Gjallicën, ju mund të mposhtni Partinë Demokratike.
Ata, një grusht i vogël që mund t’u vësh çdo epitet, nga mëngjesi gjer në darkë me thirrjet e porositura. Cili ishte qëndrimi ynë? Se kjo ishte ana e tyre. Po ana jonë, e demokratëve, cili ishte? Mbështetje e plotë dhe totale për protestën! Përjashto tre katër ditët e para që ata kanë qenë, demokratët kanë qenë më të paktë, po pastaj aty demokratët kanë qenë shumicë numerike çdo ditë në asaj proteste. A mund të ishim ne tjetërkund, përveçse tek qytetari që protestonte? Jo dhe jo. Ne kemi një moto: I pari qytetari. Pra, ne e duam këtë flamur, por ne duam qytetarin të parin. Ne nuk vëmë kurrë qytetarin të parin, para tij.
Ndaj dhe ne u bashkuam me ta dhe u bashkuam me një kod të hekurt: Asnjë përpjekje për të kapur protestën. Asnjë kritikë për protestën, përveç opozitë e opozitës. Asnjë kusht, por prani maksimale. Me qindra mijëra demokratë, shumë prej tyre të zemëruar nga ato që dëgjonin, shkuan aty çdo natë. Patën mjaft njerëz të cilët kritikonin, pse shkohet aty, si ka mundësi t’i thërret, bën thirrje të marrim, të jemi aty ne, të çosh demokratët kur ata thërrasin kundra teje.
Gabuam ne? Cili ishte qëndrimi ynë? I lavdëruam ata? Jo! I vlerësuam dhe i shpallëm armiq të Partisë Demokratike. Se dua ta kemi të qartë, një gjë është e sigurt, Zoti të vret po nuk i the armikut armik”, tha Berisha.






























