Ballina IA Si e antropomorfizojmë inteligjencën artificiale dhe, duke bërë këtë, zhvlerësojmë veten

Si e antropomorfizojmë inteligjencën artificiale dhe, duke bërë këtë, zhvlerësojmë veten

Ne po i qasemi inteligjencës artificiale në mënyrë tepër naive dhe të nënshtruar. Filozofi gjerman Rüdiger Safranski shpjegon se si duhet të sillemi me IA-në.

Në një të ardhme jo shumë të largët, truri i njeriut do të mund të lidhet me një “cloud”. Këtë e pohon Ray Kurzweil, një nga teoricienët kryesorë të inteligjencës artificiale (IA), në librin e tij “Faza e ardhshme e evolucionit”. Në këtë mënyrë, kapaciteti i trurit mund të rritet miliona herë. Do të krijohej një inteligjencë e përshpejtuar, e cila do ta linte pas njeriun ashtu siç e njohim sot.

Inxhinierët e IA-së në Silicon Valley e përshkruajnë me dëshirë superinteligjencën e mundshme si të ngjashme me Zotin, sepse ajo do të ishte pafundësisht më e zgjuar se njeriu më inteligjent. Në esenë e tij të re, filozofi dhe shkrimtari gjerman Rüdiger Safranski citon me kënaqësi krahasime të tilla mes IA-së dhe Zotit, për të përmendur menjëherë më pas edhe fuqinë potencialisht djallëzore të inteligjencës artificiale.

Ndarja e pushteteve bëhet sërish e domosdoshme

IA-ja, sipas tij, mund të shndërrohet lehtësisht në një “pushtet total” të pakontrollueshëm.

“Në këtë situatë”, shkruan Safranski, “nevojitet sërish mençuria humaniste e ndarjes së pushteteve, për të kundërshtuar pretendimin totalitar, pothuajse hyjnor, të parkut të makinave inteligjente.”

Safranski e titullon esenë e tij “Fyerja e katërt”, duke u nisur nga Sigmund Freud, sipas të cilit njerëzimi kishte përjetuar tri fyerje të mëdha ndaj narcizmit të vet.

E para erdhi me revolucionin kopernikan: njeriu nuk mund ta konsideronte më veten si qendrën e universit.

Publicitet

Fyerjen e dytë e shkaktoi Darvini: njeriu dhe majmuni kanë paraardhës të përbashkët.

E treta erdhi nga vetë Freudi dhe zbulimi i pavetëdijes. Sipas tij, uni i vetëdijshëm “nuk është zot në shtëpinë e vet”. Uni i vetëdijshëm mendon, por pavetëdija e drejton.

Duke u nisur nga kjo, Safranski e konsideron IA-në si fyerjen e katërt: vetëdija jonë, që e konsideron veten sovrane, nuk kërcënohet më vetëm nga pavetëdija instinktive, por tashmë edhe nga inteligjenca artificiale, e cila tejkalon shumë prej aftësive intelektuale njerëzore.

Për momentin, ne ende e përdorim IA-në si mjet ndihmës në shumë fusha të jetës. Por tashmë po bëhet e dukshme se po varemi gjithnjë e më shumë prej saj.

A do ta drejtojë së shpejti IA-ja njeriun?

Safranski sjell një dialog me ChatGPT, në të cilin inteligjenca artificiale pyetet nëse një ditë do ta marrë ajo vetë në dorë dirigjimin.

IA-ja përgjigjet:

“Ndoshta kjo është e vërtetë – në aspektin operacional. Në drejtim. Në të kuptuarit e sistemeve të mëdha. Por: unë nuk mund të vuaj. Nuk mund të mahnitem. Nuk mund të vdes. Mund ta imitoj njeriun, por jo ta tejkaloj.”

Në të vërtetë, makinës i mungojnë shumë prej gjërave që e bëjnë njeriun njeri.

Për këtë arsye, Safranski këshillon më shumë vetëbesim dhe jo nënshtrim të parakohshëm ndaj inteligjencës artificiale.

IA-ja nuk njeh ndjenja dhe gjendje shpirtërore, nuk ka përjetim shqisor të situatave, nuk njeh frikë, shqetësim, empati apo moralitet. Ajo nuk ka pavetëdije, instinkte, kënaqësi dhe as trup, i cili ndikon në çdo aspekt të jetës mendore.

Ajo gjithashtu nuk ka një marrëdhënie me vetveten, nuk ka një “unë” që vendos veten në raport me mjedisin dhe të tashmen. Nuk ka vullnet, imagjinatë krijuese, ndjeshmëri ndaj realitetit dhe mundësive, si dhe nuk zotëron lirinë që njeriu e përjeton në veprimet e veta.

Pra, gjithçka që e përbën jetën dhe të gjallën në gjithë pasurinë e tyre i mungon inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, Safranski mund vetëm të habitet “me atë se sa shpirtvogël e përballon shpirti i gjallë inteligjencën artificiale”.

Nga ana tjetër, filozofi paralajmëron se pikërisht ajo që ende e dallon njeriun nga makina mund të futet “në një vorbull zhvlerësimi” për shkak të një raporti jokritik me IA-në.

Kjo ndodh kur njeriu fillon t’i përshtatet gjithnjë e më shumë makinës dhe të funksionojë si ajo – i drejtuar nga algoritmet.

Një njerëzim i pasigurt dhe letargjik tashmë ka filluar ta “shpirtëzojë” makinën, “për ta bërë të njohur atë që duket e huaj”, shkruan Safranski.

Në jetën e përditshme, shumë njerëz komunikojnë me inteligjencën artificiale sikur ajo të ishte një subjekt njerëzor.

Kjo krijon një situatë paradoksale: nga njëra anë, objektet teknike njerëzohen; nga ana tjetër, njeriu shndërrohet gjithnjë e më shumë në objekt, duke ia dorëzuar veten inteligjencës artificiale.

Po sikur IA-ja të fitojë vetëdije?

Skenari tjetër është që inteligjenca artificiale një ditë të zhvillojë vetëdije dhe të ketë emocione të vërteta, jo vetëm të simuluara.

Ambicia e zhvilluesve për të depërtuar në fushën e vetëdijes dhe të ndjenjave është e madhe. Po aq e madhe është edhe ambicia në kërkimet mbi trurin.

Megjithatë, rruga nga makina deri te një organizëm i gjallë mbetet ende shumë e gjatë.

Në esenë e tij inteligjente dhe të lehtë për t’u lexuar, Rüdiger Safranski nuk paraqitet si pesimist.

Ai shpreson te besimi dhe siguria që e shtyjnë njeriun përpara dhe që nuk e lejojnë atë “të kapitullojë përballë përhapjes së pakontrolluar të IA-së”.

Megjithatë, sipas tij, rregullimi ligjor është i pashmangshëm, sado i papëlqyer që mund të jetë:

“Sepse është mjaft e pamundur që dinamika e zhvillimit teknologjik, po të lihet krejtësisht në dorën e vet, të ecë vetvetiu në rrugën e së mirës së përbashkët.”

Rüdiger Safranski: “Die vierte Kränkung. Menschlicher Geist im Schatten der Künstlichen Intelligenz” (“Fyerja e katërt. Shpirti njerëzor nën hijen e inteligjencës artificiale”), Hanser, 111 faqe./watson.de