Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë më e re në historinë e Shteteve të Bashkuara, sapo është larguar nga posti. Rasti i saj hap debatin se si, për disa njerëz, prestigji, paga dhe pushteti po vendosen në të njëjtën peshore me kohën, autonominë dhe mirëqenien.
Nga Gema Lendoiro
Karoline Leavitt është 29 vjeçe, ka dy fëmijë të vegjël dhe një CV që, për moshën e saj, është vështirë të krahasohet. Në janar të vitit 2025 ajo u bë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë më e re në historinë e Shteteve të Bashkuara dhe, që atëherë, ka mbajtur një nga postet me ekspozimin më të madh publik, me shumë pushtet dhe afërsi me presidentin e vendit.
Megjithatë, ajo u largua nga ky post të enjten, më 27 gusht. Donald Trump e kishte njoftuar largimin e saj më 12 gusht dhe kishte shpjeguar se Leavitt dëshironte të kalonte më shumë kohë me fëmijët dhe familjen e saj. Edhe vetë ajo pranoi se, pasi ishte kthyer në punë pas lindjes së vajzës së dytë, kishte arritur në përfundimin se nuk mund të ishte nëna që dëshironte të ishte dhe, njëkohësisht, t’i kushtonte “kohën, energjinë dhe vëmendjen e vazhdueshme” që kërkon posti i zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.
Por Leavitt nuk po tërhiqet. Ajo do të vazhdojë të jetë e lidhur me Trumpin si një nga këshilltaret e tij kryesore të jashtme dhe do të ruajë ndikimin brenda Partisë Republikane. Pra, nuk po braktis karrierën; po ndryshon kushtet në të cilat dëshiron ta vazhdojë atë.
Vendimi i saj na lejon të shtrojmë një pyetje që shkon përtej amësisë apo pajtimit mes punës dhe jetës familjare. Për dekada, suksesin profesional e kemi kuptuar si një shkallë: duhej të ngjiteshe, të arrije sa më lart dhe, pasi të ishe atje, të bëje çmos për të mos zbritur. A funksionon ende ky përkufizim?
“Brezat e rinj nuk po heqin dorë nga suksesi; po rinegociojnë se çfarë do të thotë të kesh një jetë të suksesshme”, thotë Loreto González Fernández, partnere dhe drejtuese e Shërbimeve Financiare dhe Bordeve Drejtuese në Korn Ferry.
Në punën e saj si headhunter, ajo vëren se qëllimi personal, mirëqenia, fleksibiliteti dhe cilësia e jetës kanë hyrë në një ekuacion ku më parë peshonin kryesisht ngritja në detyrë, përgjegjësia dhe paga.
Kjo nuk do të thotë, paralajmëron ajo, se ka më pak ambicie.
“Suksesi nuk matet më vetëm me postin apo pagën, por edhe me aftësinë për të ndërtuar një jetë në përputhje me vlerat personale dhe me projektin jetësor të secilit”, thotë ajo.
Ndryshimi prek edhe mënyrën se si e identifikojmë veten me punën tonë. Për një kohë të gjatë, profesioni ishte një nga elementet kryesore që përdornim për të shpjeguar se kush ishim. Tani ai e ndan këtë hapësirë me shëndetin, marrëdhëniet personale, hobet, të mësuarit apo qëllimin në jetë.
César T. Gil, ekonomist i specializuar në neuroekonomi dhe drejtor ekzekutiv i Nexuria Lab, është dakord se po ndodh një ndarje e rëndësishme mes dy koncepteve që për një kohë shumë të gjatë kanë ecur pothuajse dorë për dore: suksesit dhe statusit.
“Për shumë vite kemi përdorur tregues të jashtëm për të matur suksesin: postin, pagën, zyrën, njohjen, madhësinë e kompanisë apo numrin e njerëzve që kemi nën përgjegjësi.”
Problemi, shpjegon ai, lind kur zbulojmë se këta tregues dhe mirëqenia jonë “nuk ecin domosdoshmërisht paralelisht”.
Nga këndvështrimi i neuroekonomisë, kjo mund të shpjegohet si një ndryshim në mënyrën se si u caktojmë vlerë gjërave. Paraja apo vlerësimi shoqëror nuk pushojnë së qeni të rëndësishme, por fillojnë të konkurrojnë me autonominë, kohën, marrëdhëniet, shëndetin apo mundësinë për të vendosur se si duam të jetojmë.
“Për shumë njerëz, suksesi po fillon të nënkuptojë diçka shumë më të sofistikuar: të kesh mundësinë të zgjedhësh për jetën tënde”, shpjegon Gil.
Ekziston gjithashtu një kurth psikologjik në atë që imagjinojmë se do të ndodhë kur më në fund ta arrijmë objektivin.
“Truri ynë zakonisht është më i mirë në imagjinimin se sa shumë do ta dëshirojmë diçka, sesa në parashikimin se sa shumë do të na kënaqë në të vërtetë pasi ta kemi arritur”, thekson ai.
Gjatë rrugës ekzistojnë pritshmëria, motivimi dhe anticipimi i shpërblimit. Më pas vjen përshtatja hedonike: ajo që dukej e jashtëzakonshme fillon të shndërrohet në diçka normale.
Zyra spektakolare bëhet thjesht zyra; paga e jashtëzakonshme bëhet thjesht paga; dhe ai post që dukej si kurorëzimi i një jete përfundon duke u shkruar në mënyrë rutinore poshtë emrit.
Atëherë mund të shfaqet një pyetje sa e thjeshtë, aq edhe e pakëndshme: “Dhe tani çfarë?”
Kjo nuk është domosdoshmërisht zhgënjim apo dështim. Gil flet për një gabim të parashikimit emocional: kishim llogaritur se arritja e një objektivi të caktuar do të prodhonte më shumë kënaqësi ose se ajo do të zgjaste më gjatë.
“Ndonjëherë e ngatërrojmë intensitetin me të cilin dëshirojmë diçka me lumturinë që do të na japë kur ta kemi”, përmbledh ai.
Po ndryshon edhe vetë arkitektura e karrierave profesionale. Loreto González shpjegon se është gjithnjë e më pak e dobishme t’i imagjinosh 40 vite pune si një ngjitje të pandërprerë.
Jetëgjatësia më e madhe na lejon të mendojmë për etapa të dyta dhe të treta profesionale si anëtar bordi, këshilltar, sipërmarrës, profesor apo mentor.
“Po kalojmë nga një vizion i karrierës profesionale si një shkallë që duhet ngjitur pa u ndalur, drejt një vizioni shumë më fleksibël, ku mund të ketë periudha përshpejtimi, momente pauze, lëvizje anësore dhe madje edhe rishpikje profesionale”, thotë headhunter-ja.
Prandaj, të zbresësh nuk do të thotë më domosdoshmërisht të rrëzohesh.
Edhe pse González sqaron se nuk bëhet fjalë për një fenomen masiv, ajo vëren gjithnjë e më shpesh, prej disa vitesh, se drejtues që mund të vazhdonin të ngjiteshin në hierarki bëjnë pauza ose zgjedhin poste me më pak ekspozim, presion apo kërkesa për gatishmëri të vazhdueshme.
Edhe kompanitë kanë filluar t’i interpretojnë ndryshe vendime që më parë mund të konsideroheshin si mungesë ambicieje apo qëndrueshmërie.
Amësia dhe atësia mund të veprojnë si përshpejtues të këtij reflektimi, por ta reduktosh gjithë fenomenin në një problem të pajtimit mes punës dhe familjes do të ishte një thjeshtim.
“Të kesh fëmijë mund të ndryshojë diçka thelbësore nga këndvështrimi psikologjik dhe ekonomik: vlerën që i japim kohës”, thotë Gil.
Në këtë pikë hyn në lojë kostoja oportune: çdo orë që ia kushtojmë diçkaje është një orë që nuk ia kushtojmë diçkaje tjetër.
“Ambicia mund të vazhdojë të jetë saktësisht e njëjtë; ajo që ka ndryshuar është ekuacioni”, përfundon ai.
González vëren diçka të ngjashme mes drejtuesve të lartë. Fëmijët vazhdojnë të jenë një nga pikat e mëdha të kthesës në një karrierë, por gjithnjë e më shumë po bëhet e tillë edhe kujdesi për prindërit e moshuar.
E ashtuquajtura “gjeneratë sanduiç” i detyron shumë profesionistë të pyesin veten jo vetëm se si do ta organizojnë agjendën, por edhe “sa pjesë të identitetit të tyre personal duan ta lidhin ekskluzivisht me punën”.
Dhe fenomeni nuk prek vetëm gratë.
Edhe pse ato vazhdojnë të mbajnë një pjesë joproporcionale të barrës së kujdesit, González i vëren këto vendime te të dyja gjinitë dhe evidenton një ndryshim domethënës: edhe burrat në poste shumë të larta kanë filluar të flasin natyrshëm për pauza apo heqje dorë nga pozicione të caktuara për arsye që lidhen me jetën personale.
Ndoshta ajo që po gërryhet është edhe prestigji i një modeli të caktuar profesional.
Për vite me radhë, të punoje 12 orë në ditë, të flije pak dhe të ishe vazhdimisht i disponueshëm funksiononte madje si një shfaqje e rëndësisë personale.
“Ekzistonte një lloj teatralizimi i sakrificës”, kujton Gil.
“Fle katër orë”, “kam tri javë pa asnjë ditë pushim” ose “dje dola nga zyra në orën 11 të mbrëmjes” ishin fjali që mund të thuheshin pothuajse me krenari.
Sot, ky imazh ngre më shumë pikëpyetje.
González thotë se drejtuesi gjithmonë i disponueshëm, i gatshëm të sakrifikojë sistematikisht jetën personale, “ngjall më shumë dyshime sesa admirim”.
Kjo nuk e zhduk një realitet: postet me përgjegjësinë më të lartë vazhdojnë të kërkojnë përkushtim të jashtëzakonshëm dhe, kur talenti është i krahasueshëm, gatishmëria dhe angazhimi vazhdojnë të ndikojnë në përparimin profesional.
Dallimi është se tani më shumë njerëz pyesin veten nëse ky shkëmbim ia vlen.
Teknologjia ka ndryshuar gjithashtu çmimin që paguajmë.
“Më parë dilje fizikisht nga zyra dhe, në njëfarë mënyre, kishe dalë edhe nga puna. Sot e mbajmë zyrën vazhdimisht në xhep”, thotë Gil.
Shkëputja digjitale është shndërruar kështu në një të mirë të rrallë dhe, siç ndodh me çdo burim të rrallë, vlera e saj është rritur.
“Ndoshta pikërisht për këtë arsye, të kesh kohë për veten po shndërrohet gjithashtu në një formë të re statusi.”
Prandaj, largimi vullnetar nga një post i rëndësishëm mund të interpretohet në mënyra krejtësisht të ndryshme.
Nga jashtë mund të duket si humbje. Për personin që e merr vendimin, mund të nënkuptojë pikërisht të kundërtën.
“Një person mund të largohet nga një pozitë profesionale e privilegjuar pikërisht sepse nuk ka më nevojë t’u provojë të tjerëve disa gjëra”, shpjegon Gil.
Ngritja e radhës në detyrë mund të sjellë më pak kënaqësi se ajo e mëparshmja dhe, megjithatë, të kërkojë një kosto personale shumë më të madhe.
Pyetja, atëherë, ndoshta nuk është më se deri ku duam të arrijmë.
Gil propozon ta zëvendësojmë me një tjetër:
“Çfarë je i gatshëm të paguash për të arritur deri atje?”
Sepse të dëshirosh njohje, pushtet, përgjegjësi apo para dhe, njëkohësisht, të vendosësh se çmimi i tyre është tepër i lartë, nuk janë domosdoshmërisht ide kontradiktore.
Leavitt nuk po lë punën, nuk po largohet nga politika dhe as nuk duket se po u thotë lamtumirë qarqeve të pushtetit.
Ajo thjesht ka vendosur ta ushtrojë ndikimin nga një pozicion tjetër.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi mes heqjes dorë nga suksesi dhe ripërkufizimit të tij.
“Nga jashtë dikush mund të mendojë: ‘Ajo hoqi dorë nga një post i jashtëzakonshëm’”, shpjegon Gil.
Ndërkohë, vetë ai person mund të jetë duke bërë një llogari krejtësisht tjetër:
“Kam blerë lirinë.”/EL PAÍS















