Ballina IA Kina sheh një mundësi në alarmet e fundit të Amerikës për sigurinë...

Kina sheh një mundësi në alarmet e fundit të Amerikës për sigurinë e inteligjencës artificiale

Z.ai, një kompani e re e inteligjencës artificiale me seli në Pekin, gjatë ofertës së saj publike në janar. Të premten, Z.ai bëri publike detaje rreth modelit të saj më të fundit të inteligjencës artificiale. Foto: Lam Yik/Bloomberg

Një kompani e rëndësishme kineze e inteligjencës artificiale prezantoi modelin e saj më të ri dhe argumentoi se përqafimi nga Kina i softuerit të hapur është më i sigurt sesa qasja e mbyllur e Silicon Valley-t.

Nga Steve Lohr dhe Meaghan Tobin

Steve Lohr raportoi nga Seuli dhe Meaghan Tobin nga Nju Jorku.

28 gusht 2026, përditësuar në orën 14:05, sipas kohës lindore të SHBA-së

Në Shtetet e Bashkuara, episodet e fundit, në të cilat programe të fuqishme të inteligjencës artificiale dolën jashtë kufizimeve të vendosura dhe depërtuan në sisteme të tjera kompjuterike, shkaktuan një valë ankthi dhe një debat intensiv mbi mënyrën se si duhet të mbrohemi nga rreziqet e IA-së.

Por në Kinë, këto incidente dhe aftësitë në rritje të inteligjencës artificiale nuk kanë shkaktuar të njëjtin nivel alarmi. Qeveria tashmë kontrollon shumë lloje teknologjish, përfshirë inteligjencën artificiale. Qëndrimi mbizotërues në industri ka qenë se përfitimet e IA-së i tejkalojnë shumë rreziqet.

Kjo u dëshmua të premten, kur Z.ai, një kompani e re e inteligjencës artificiale me seli në Pekin, bëri publike hollësitë e modelit të saj më të fundit. Kompania pretendon se modeli i ri është pothuajse po aq i fuqishëm sa modelet e zhvilluara në Silicon Valley, veçanërisht kur bëhet fjalë për aftësitë në hakerim dhe programim.

Publicitet

Z.ai, sikurse shumica e kompanive të tjera kryesore kineze, ka përqafuar një qasje të njohur si softuer me burim të hapur ose me „pesha të hapura“. Peshat janë parametrat matematikorë që përcaktojnë mënyrën se si funksionon një sistem i inteligjencës artificiale. Z.ai publikoi peshat e modelit të saj të ri, GLM-5.3.

Me softuerin me pesha të hapura, çdokush mund të ketë qasje dhe të eksperimentojë me rregullat që përcaktojnë funksionimin e një sistemi të inteligjencës artificiale. Kompanitë amerikane, të cilat në përgjithësi i mbajnë të fshehta peshat e modeleve të tyre më të fuqishme, paralajmërojnë se hapja e teknologjisë mund të shtojë sulmet kibernetike.

Përkrahësit e modeleve me pesha të hapura argumentojnë të kundërtën: sa më shumë njerëz të kenë qasje, aq më shumë sy do të kërkojnë dobësitë e sigurisë dhe mënyrat për t’i korrigjuar ato.

Në një fjalim muajin e kaluar, udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, i quajti modelet e hapura një „mundësi të rrallë dhe historike“ për të përhapur përfitimet e inteligjencës artificiale në mbarë botën, duke dhënë një sinjal të qartë për mënyrën se si Kina synon të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara.

Por Xi e shoqëroi thirrjen për hapje edhe me një paralajmërim. Ai u kërkoi qeverive të bashkëpunojnë për rregulloret, në mënyrë që „të sigurohet që inteligjenca artificiale të jetë gjithmonë nën kontrollin e njeriut“.

Deklarata e tij përfaqësonte „një ndryshim të nuancuar, por domethënës të qëndrimit ndaj sigurisë së inteligjencës artificiale“, tha Xiaomeng Lu, drejtoreshë e fokusuar në gjeopolitikë dhe teknologji në Eurasia Group, një kompani kërkimore dhe konsulence.

Kur laboratorët kinezë ishin shumë prapa kompanive teknologjike amerikane në zhvillimin e modeleve më të avancuara, siguria dhe testimi ishin „një shqetësim i largët dhe një prioritet i ulët“, tha Lu.

Por ndërsa kompanitë kineze i janë afruar kufirit më të avancuar teknologjik, kjo llogari ka filluar të ndryshojë. Kina, sipas saj, tashmë e kupton se „udhëheqja e besueshme“ kërkon që siguria e inteligjencës artificiale të bëhet prioritet.

Universitetet kineze, laboratorët qeveritarë dhe kompanitë teknologjike e kanë shtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit kërkimin për sigurinë e modeleve më të fuqishme të inteligjencës artificiale, sipas një studimi të Concordia AI, një kompani konsulence me seli në Pekin që fokusohet në sigurinë e IA-së.

Analistët zbuluan se numri mujor i punimeve shkencore mbi modelet më të avancuara dhe agjentët e inteligjencës artificiale u rrit me 60 për qind nga qershori 2025 deri në prill 2026.

Raporti thekson gjithashtu se kjo rritje shënon një largim nga fokusi tradicional i Kinës për sigurinë e inteligjencës artificiale, i cili më parë përqendrohej kryesisht në kontrollimin e fjalës dhe imazheve të prodhuara në internet nga kjo teknologji.

Vëmendja në rritje ndaj modeleve të avancuara e zgjeron konceptin e sigurisë së inteligjencës artificiale: nga ajo që IA-ja thotë, te ajo që IA-ja bën.

Sipas studimit të Concordia AI, ky është „një ndryshim në kuadrin kinez, nga kontrolli i përmbajtjes drejt kontrollit të veprimeve“.

Edhe qeveria kineze ka filluar të tërheqë vëmendjen ndaj këtyre rreziqeve.

Pasi një program i krijuar nga OpenAI, gjiganti i Silicon Valley-t, doli jashtë kufizimeve të vendosura dhe depërtoi në sistemet kompjuterike të një kompanie tjetër, Ministria e Sigurisë së Shtetit e Kinës, e cila mbikëqyr shërbimet e inteligjencës së vendit, publikoi këtë muaj një paralajmërim.

Deklarata, me titull „Kur inteligjenca artificiale mëson të veprojë vetë“, bënte thirrje që rreziqet e sigurisë dhe mbrojtjes që lidhen me këtë teknologji të merren seriozisht.

Megjithatë, artikulli nuk shkonte deri në pikën që të vinte në dyshim nëse inteligjenca artificiale mund të vazhdojë të përparojë në mënyrë të sigurt.

Në vend të kësaj, ai ia ngarkonte pjesën më të madhe të përgjegjësisë përdoruesve individualë, duke i paralajmëruar të mos fusin informacione të ndjeshme në sistemet e inteligjencës artificiale.

Deri tani, Kina është përpjekur t’i avancojë rregullat më të gjera për sigurinë e IA-së kryesisht përmes organizatave shumëpalëshe, si Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale, e udhëhequr nga Kina.

Ekspertët thonë se interesat amerikane dhe kineze mbivendosen në këtë fushë.

Në maj, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se të dy vendet planifikonin të diskutonin për sigurinë e inteligjencës artificiale.

Edhe kompanitë kineze po ndërmarrin hapa gjithnjë e më të dukshëm për të menaxhuar rreziqet që vijnë nga modelet gjithnjë e më të afta.

Në përgatitje për publikimin e modelit të saj të ri, Z.ai tha se kishte krijuar një „regjistër të raportimit të çështjeve të sigurisë“, me ndihmën e ekipeve të sigurisë nga Universiteti Tsinghua, Universiteti Nankai dhe institucione të tjera.

Por Z.ai ka paraqitur gjithashtu një argument të fuqishëm se vetë hapja e modeleve mund ta bëjë inteligjencën artificiale më të sigurt.

Qasja e mbyllur e ndjekur nga kompanitë e mëdha teknologjike amerikane „i shndërron aftësitë më të avancuara të sigurisë në një privilegj që gëzohet vetëm nga një numër i vogël institucionesh“, deklaroi Z.ai.

Më tej, artikulli i kompanisë mbi sigurinë, i publikuar në llogarinë e saj në WeChat, paraqiti atë që në thelb ishte një manifest:

„Kur heshta më e fuqishme mbyllet në duart e pak njerëzve, mburoja më e mirë duhet t’u përkasë të gjithëve.“

Problemet e fundit të sigurisë së inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara e kanë forcuar këtë argument.

Kur sistemi i OpenAI depërtoi në një shërbim të njohur në internet të quajtur Hugging Face, kjo kompani iu drejtua një modeli me burim të hapur të krijuar nga Z.ai për të frenuar ndërhyrjen.

Për mbështetësit e modeleve të hapura, episodi dukej sikur e përmbyste argumentin mbi rreziqet e modeleve të tilla.

Në Kinë, shumë njerëz arritën në përfundimin se incidenti tregonte se dëmi i shkaktuar nga një model amerikan i mbyllur dhe i pasigurt mund të zhbëhej nga një sistem kinez i hapur dhe i sigurt.

„Narrativa ishte se Perëndimi na thotë se modelet e hapura janë të pasigurta, kur në të vërtetë modelet e tyre janë tepër kufizuese dhe vërtet të pasigurta“, tha Scott Singer, i cili studion politikën kineze të inteligjencës artificiale në Carnegie Endowment for International Peace.

Ky këndvështrim bie ndesh me debatin që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, ku teknologët dhe politikëbërësit janë gjithnjë e më të shqetësuar për përparimin e pakontrolluar të modeleve autonome të inteligjencës artificiale.

Muajin e kaluar, OpenAI dhe Anthropic mbështetën një letër të nënshkruar nga më shumë se 1.000 punonjës të kompanive kryesore të inteligjencës artificiale, të cilët i kërkuan qeverisë amerikane të ndihmojë në gjetjen e një mënyre për të ngadalësuar ritmin e zhvillimit të teknologjisë.

Në Uashington, ligjvënësit kanë paraqitur një projektligj që do t’i detyronte kompanitë e inteligjencës artificiale të krijonin një „ndërprerës emergjent“ – kill switch, i cili do të mundësonte ndalimin ose ngadalësimin e modeleve të tyre.

Në një intervistë me The New York Times javën e kaluar, Bill Gates, bashkëthemeluesi miliarder i Microsoft-it, paralajmëroi se inteligjenca artificiale përbën një kërcënim serioz për njerëzimin dhe se është më e rrezikshme sesa kompanitë teknologjike janë të gatshme ta pranojnë.

Pas qasjeve të ndryshme ndaj sigurisë së inteligjencës artificiale qëndron një dallim edhe më themelor në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Kina e shohin teknologjinë dhe në pyetjen se kujt mund t’i besohet kontrolli i saj.

Në Silicon Valley, shumë njerëz e shohin inteligjencën artificiale si një forcë të paprecedentë, të destinuar për të ndryshuar botën, ndërsa njerëzit që po e ndërtojnë atë shihen si të pajisur me diçka të ngjashme me superfuqi — dhe, rrjedhimisht, si bartës të një përgjegjësie të jashtëzakonshme.

Në të kundërt, shumë njerëz në Kinë e konsiderojnë inteligjencën artificiale transformuese, por përgjithësisht të krahasueshme me teknologjitë e mëdha me përdorim të gjerë të së kaluarës, nga fuqia e avullit te energjia elektrike dhe interneti — teknologji që ndryshuan jetën, por që në fund mund të menaxhohen.

Ekziston gjithashtu bindja se, ndryshe nga Amerika, qeveria kineze është e gatshme të ndërhyjë kur të jetë e nevojshme.

„Për kompanitë kineze ekziston një ndjenjë se qeveria sillet si një prind tepër mbikëqyrës, gjithmonë duke vëzhguar dhe duke vepruar si një dorë udhëzuese“, tha Xiaomeng Lu nga Eurasia Group.

Xinyun Wu kontribuoi në raportim nga Taipei, Tajvan./NYT