Mbresë nga leximi i librit “Unë, Mario” të Muhamed Ajetit, fjalë e mbajtur në përurimin e librit në Tetovë, më 5.9.2026
Nga Dr. Vjollcë Berisha
Kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu midis miqsh artistë, e letërsidashës, për të folur për një libër të mikut tim Muhamed Ajeti, të cilin ndonëse e njoh prej vitesh, mendoj se pas leximit të këtij libri e njoh më mirë, jo në sensin se e kam kërkuar naivisht drejtpërdrejt përsonalitetin e tij prapa personazhit, por në kuptimin se kam arritur të hy më thellë në çështjet që mbase e kanë preokupuar në vazhdimësi si një njeri që mendon, si një njeri që nuk i ka parë si i jashtëm problemet sociale, që nuk ka qenë thjesht një fotografues pasiv i situatave, por ka përsiatur mbi to, ka gjykuar dhe ka sjellë përfundime.
“Unë, Mario”është një titull intrigues jo për poetikën, por për thjeshtësinë, për dyzimin e unit rrëfyes. Është e çuditshme që ndonëse titulli këmbëngulshëm thotë unë, i tërë rrëfimi brenda (përveç prologut dhe epilogut) zhvillohet nga një narrator i gjithdijshëm, në vetën e tretë, si të donte ta theksonte konfuzitetin që i krijohet lexuesit se deri në ç’shkallë ruhet toni biografik në vepër, apo, thënë më mirë, si të donte ta krijonte një distancë midis unit krijues dhe personazhit për ta parë së jashtmi atë dhe situatat qëkanë të bëjnë me jetën e tij e që jodomosdoshmërisht lidhen me autorin. Tipare këto që e vështirësojnë përcaktimin e llojit letrar ku përket ky libër që nuk është autobiografi e pastër, por që niset krykëput nga vija jetësore e autorit. Vepra të këtilla, ku autori qëllimisht e bën të paqartë kufirin midis faktit autobiografik dhe trillimit, teoria letrare i njeh si autofiksione, term i formuluar nga shkrimtari dhe kritiku Serzh Dubrovski (Serge Doubrovsky) në vitin 1977. Pikërisht ky tëhuajësim nga vija besnike e biografisë e nxjerr veprën nga rrëfimi naiv i kujtimeve të një njeriu duke e bërëatë një dëshmitare të kohës, një radiografi të shoqërisë, mendësisë kolektive që shtrihet në disa dekada, si dhe e bën të krijojë pyetje ekzistencialiste,të cilat i tejkalojnë kufijtë e përkatësive nacionale, fetare, klasore e të tjera përkatësish me radhë.
Në krye të herës autori, tek flet me zërin e vet, e thotë qartë që kjo vepër “ndonëse duket si rrëfim personal, në thelb është analiza e tij mbi përplasjen midis integritetit profesional dhe sistemeve të kalbura në tranzicion… është dëshmia e tij për qëndrueshmërinë morale dhe për betejën e brendshme për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin në rrethana që i sfidojnë të dyja”.
Pasi e lexon librin, është e pamundur të mos e dallosh tisin e ironisë që e mbështjell tërë rrëfimin, madje edhe titullin, sado i padjallëzuar dhe i thjeshtë të të duket në fillim. Ti e ndien se si theksi vihet te tëhuajsimi i vlerave fundamentale identitare të njeriut që ka ndërruar jo vetëm vendin e jetësës, profesionin, shoqërinë, por edhe atë që ai është.
Një sërë situatash ironike shfaqen në vepër, sidomos që nga kapitulli Mario, ku protagonistit i kërkohet të pranojë emrin që ia caktojnë aty për aty për efekte epetentike, apo edhe për ndonjë efekt tjetër kulturor që autori nuk dëshiron ta shtrojë tërësisht.
Nuk i shtron këto gjëra tërësisht, sepse kjo vepër nuk është vepra qaramane që flet për mugujt e individit përballë botës së madhe, që flet për vështirësitë e gurbetqarit shqiptar, siç mbase mund të pritej nga shumë lexues tek kuptojnë se libri që kanë në dorë trajton jetën e një mërgimtari, të njërit nga ata që janë të shumtë në numër e jetët e të cilëve mbase ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën.

Muhamed Ajeti nuk e ka marrë përsipër ta bëjë këtë lloj rrëfimi. As që ndalon gjerësisht në sfidat e fillimeve në një rreth të huaj, i cili s’ka as dëshirën më të vogël për ta kuptuar. Atë e intereson diçka tjetër, lehtësia me të cilën humbet tiparin kryesor të asaj që je dhe raporti me Tjetrin, me atë që nuk ndalon të të shohë e të të identifikojë si individ, si personalitet, por tëafron me një vegël, me një mjet. Në të shumtën e rretheve ku gjendet, ku fiton punë në fusha të ndryshme ose askush s’interesohet për emrin e tij, pa ndaluar ta perceptojë si individ, ose me lehtësinë më të madhe ia ndërrojnë atë, duke i dhënë një të ri sipas kritereve të tyre. Këtë“devalvim” të personit e ilustron gati me përmasa tragjike një fjali e thjeshtë në vepër. “Ai nuk ishte ardhja e dikujt, ishte thjesht shtimi i një tjetri” thotë teksa flet për mënyrën se si perceptohet momenti kur bashkangjitet në një ekip të ri pune, “në këtë botë ku askush nuk kishte kohë të të njihte” siç e pohon me tone dhembshurie e ironie autori. Pikërisht ky pohim është premisa nga mund të fillojë çdo interpretim mbi këtë vepër, mbase është edhe përmbledhja e preokupimit mbi të cilin është shkruar i tërë libri.
Identiteti i njeriut ndërtohet në një hapësirë të ndërlikuar ndërmjet asaj që trashëgon dhe asaj që përvetëson gjatë jetës. Në kuptimin racor apo etnik, ai lidhet me prejardhjen, me tiparet që shoqëria ia atribuon individit dhe, shpesh, me mënyrën se si të tjerët e kategorizojnë atë përpara se ai të ketë mundësi të flasë për veten. Identiteti kulturor, ndërkaq, është më dinamik: ai ngrihet mbi gjuhën, kujtesën, emrin, zakonet, historinë e përbashkët dhe përkatësinë ndaj një bashkësie. Pikërisht për këtë arsye, mërgimi mund të shndërrohet në një përvojë të thellë të krizës identitare, pasi individi nuk ndryshon vetëm vendin ku jeton, por hyn në një hapësirëku identiteti i tij i mëparshëm duhet vazhdimisht të dëshmohet, të përkthehet ose të negociohet.
Në këtë kontekst, emri merr një rëndësi të veçantë. Ai nuk është thjesht një shenjë gjuhësore që dallon një individ nga një tjetër, por një nga format më të hershme të njohjes së tij si person. Emri bart prejardhje, gjuhë, kujtesë familjare dhe kulturore; ai është një mënyrë për të thënë se dikush ka një histori përpara se të mbërrijë në një vend të ri. Prandaj, ndryshimi i emrit të personazhit në mërgim nuk mund të lexohet si një veprim i parëndësishëm administrativ. Në planin simbolik, ai bëhet akt i çpersonalizimit, ngaqë tjetri fiton pushtetin jo vetëm ta emërtojë të huajin, por edhe ta përkufizojë atë.

Personazhi trajtohet kështu sikur identiteti që ka sjellë me vete të mos kishte peshë. Emri i vjetër, bashkë me historinë që përmban, bëhet i tepërt për botën e re. Në vend të tij vendoset një emër tjetër, më i lehtë për t’u shqiptuar, më i pranueshëm apo më i përshtatshëm për kulturën pritëse. Pikërisht këtu ndryshimi i emrit fiton edhe dimensionin e dhunës simbolike: individit nuk i merret vetëm një fjalë, por e drejta për të qenë i njohur në vazhdimësi me vetveten.
Kështu krijohet edhe përplasja ndërmjet identitetit të jetuar dhe identitetit të atribuar. Personazhi e di kush është, por shoqëria përreth e sheh përmes kategorive të veta: si të huaj, emigrant, pjesëtar të një race, feje, apo etnie tjetër, si dikë që duhet përshtatur me rendin e ri. Identiteti i tij nuk është më vetëm çështje e pyetjes “Kush jam?”, por edhe e një pyetjeje më të dhimbshme: “Kush më lejohet të jem në sytë e të tjerëve?”. Mërgimi shndërrohet kështu në një hapësirë ku njeriu lufton jo vetëm për të gjetur një vend, por edhe për të ruajtur të drejtën mbi emrin, kujtesën dhe historinë e vet.
Në këtë perspektivë, identiteti kulturor dëshmon një qëndrueshmëri që nuk mund të zhduket vetëm me ndryshimin e emrit. Gjuha, kujtesa, përvojat dhe përkatësia vazhdojnë të jetojnë brenda individit, edhe kur shoqëria përpiqet t’i mbulojë ato me një emërtim të ri. Personazhi mbetet kështu midis dy akteve: aktit të emërtimit nga tjetri dhe përpjekjes për ta ruajtur emrin e vet të brendshëm. Pikërisht në këtë tension ndërmjet asaj që është dhe asaj që të tjerët kërkojnë të bëjnë prej tij, mërgimi zbulohet si një nga sprovat më të fuqishme të identitetit.
“Unë, Mario”është një sagë fragmentare e individit në dy mjedise të ndryshme, krejtësisht të dallueshme, ku i njëjtë mbetet vetëm tentimi i autoritetit për të të kontrolluar. Në fillim autoriteti i heshtur i babait të plotfuqishëm dhe më pas i shoqërisë që kërkon të të gllabërojë në barkun e vet.
Atmosfera shtypëse që krijohet në fillim të librit teksa përshkruhet shtëpia në vendlindje, mendësia e fshatit, raporti i familjes me lirinë, me shkollën, janë një horizont i ri interpretimi, pa të cilin nuk do të plotësohej tabloja e ironisë që autori e hedh tepër të dozuar gjatë tërë rrëfimit.
Pa bërë asnjë analizë frojdiane mbi fëmijërinë dhe rininë e hershme, vetëm përmes kapitullit të parë me titull paradoksal “Heshtja që vendos”, ku një autoritet burri ka në dorëzim fatet e të gjithë anëtarëve të shtëpisë, përligjet heshtja që e ndjek personazhin në situata të ndryshme nga pika në pikë, nga ngjarja në ngjarje, që e ndërtojnë jetën e Muhamedit të kthyer në Mario, e më pas prapë në Muhamed, fillimisht në gjurmën e një jete tjetër, e më pas në gjurmën e ëndrrave të mbetura përgjysmë. Në të vërtetë Muhamedi nuk është protagonisti që ndryshon vendbanim në kërkim për një jetë më të mirë, më luksoze. Shpërngulja e tij, si e para në studime, ashtu edhe e dyta në mërgim, më tepër ngjan si një akt mbijetese, si një akt rezistence e kryengritjeje. Herën e parë për të shpëtuar nga rrezja e ndikimit të babait dhe në rastin e dytë shenjë revolte ndaj sistemit shoqëror shartuar keq, që kërkon të prodhojë njerëz të dëgjueshëm, shërbetorë, e që kërkon t’i japë krahë të fortit në dëm të dinjitetit të kujtdo, siç ndodh me Muhamedin gazetar mu në hovin e madh të karrierës së tij. Humbja e luftës me strukturat e një regjimi të korruptuar postkomunist krijon kushte për shpërnguljen e dytë drejt një jete të panjohur, e cila jetë u vë fre ëndrrave profesionale, madje edhe atyre intime të sapobulëzuara për një kohë të pacaktuar, për ta zënë fillin shumë vite më vonë me radion në vendlindje, e cila radio nuk është një rikthim në trajektoren e vjetër, por një dëshirë triumfi ndaj botës shtypëse, që kërkonte pa mëshirë tjetërsimin e tij.
Tjetri nuk pranohet plotësisht siç është; ai duhet të bëhet i lexueshëm sipas kodeve të kulturës dominuese.
Këtu shfaqet dallimi ndërmjet identitetit që individi ia njeh vetes dhe identitetit që i atribuohet nga jashtë. Trupi, ngjyra e lëkurës, prejardhja etnike apo racore mund ta bëjnë personazhin menjëherë të dukshëm si “tjetër”, ndërsa kultura e tij (gjuha, kujtesa, emri, zakonet) përbën botën e padukshme që ai bart me vete.
Pikërisht këtu drama individuale e personazhit tejkalon historinë personale dhe shndërrohet në një reflektim më të gjerë mbi fatin e njeriut në mërgim: njeriu që largohet nga atdheu nuk rrezikon vetëm humbjen e vendit, por edhe humbjen e së drejtës për ta përcaktuar vetë se kush është.

Heshtja dhe zëri
Vatrat kuptimore heshtje dhe zë rimerren disa herë në vepër, si të ishin shenjues të presionit dhe rebelimit. Nga “Heshtja që vendos” te “Prania e heshtur” sikur mbyllet një cikël jetësor, që në bark ka dhjetëra raste të vetmisë, rebelimit ndaj botës, iniciativës dhe qetimit.
Është interesante edhe shfaqja e gruas në vepër, në fillim në trajtën e motrave të protagonistit, bindja e të cilave ndaj autoritetit është mënyra më e mirë për ta ndjerë tërë atmosferën dhe rrethanën. Është një fjali që flet për vajtjen e tyre në shkollë në emër të traditës, por jo në emër të dijes. “Shkolla ishte një kalim i përkohshëm, jo një rrugë” thotë autori, duke na bërë të mendojmë për këtë dyzim, për këtë rol të arsimit, për këtë pikëpamje të një brezi të tërë për raportin grua-arsimim, ku kaherë kishte filluar shkollimi i gruas, por karriera e saj nuk ishte një pritje, një qëllim më vete. Hallkë kjo pak e trajtuar apo ndoshta aspak në studimet tona sociologjike, ku raporti i gruas me shkollën nga mosshkollimi, pengesat për arsimim kalon drejtpërdrejt në ditët tona dhe në mënyrën si e shohim këtë çështje sot. Pa e trajtur këtë fazën e ndërjetme të cilën Muhamed Ajeti e hap me finesë në librin e tij dhe na bën të mendojmë mbi të.
Gruaja tjetër është syshkruara që duket sikur është e vetmja që e kupton tërësisht protagonistin, që rri në anën e tij kur të gjithë kolegët kërkojnë lëshime ngaai, kur kërkojnë t’i nënshtrohet të fortit të politikës apo udhëheqësvë të televizionit, që gjithashtu janë të nënshtruarit e më të fortit. Gruaja me sy të kaltër mbetet përsonazh pezull në vepër. Nuk kuptohet ç’ndodh me të më vonë. Ndoshta mbetet në grumbullin e pengjeve të vjetra, ndoshta hyn te realizimet e mëvonshme si ajo ëndrra për radion, apo ndoshta thjesht është një element që autori nuk e zhvillon qëllimshëm për të mos e zgjeruar gamën e ngjarjeve. Por, megjithatë, kjo prani gruaje le një shije të mirë te lexuesi dhe e shton dramën jetësore të personazhit,i cili në kërkim të lirisë provon të gjitha llojet e vetmisë, dëshpërimit dhe mundit, pasi, sikurse thotë vetë në një fjali, ku flet për ditët e para në mërgim: “Për herë të parë liria dhe vetmia u dukën si e njëjta gjë”.
Gratë e tjera janë krejtësisht episodike, pothuajse figurante, nëse do të shpreheshim me fjalorin e kinemasë. Ndonjë kolege pune aty-këtu, ndonjë vështruese pasive e punës së tij, gruaja jotolerante e shefit të restoranit që kërkon përkushtim total dhe përkatësi totale të Marios në punë (që mbase është edhe një vijë e hollë aludimi te kufizimi i gjithçkaje që mund të bëje me zgjedhjen tënde) dhe një spikere që rri para mikrofonit në radion e hapur rishtazi në vendlindje,zëri i së cilës nuk është vetëm një zë i rëndomtë gazetari, por edhe zëri i ngadhënjimit mbi të gjitha presionet për t’ia deformuar ëndrrat gjatë një jete të tërë, si Muhamed, e si Mario, pasi është pjesë e një projekti që ai i rikthehet pas shumë vitesh, kur tekefundit ka përshkruar trajektoren e gjatë që nga rioshi i cili kishte interesim për mekanikën dhe e shtrënguan të ndiqte shkollën për hoxhë, te kryengritësi që e braktisi këtë shkollë për të studiuar sipas dëshirës së vet, e deri te gazetari i televizionit që dinjitetin e vuri mbi ëndrrën për karrierë dhe mërgoi në vend të huaj, duke e thelluar në vete ndjenjën e mospërkatësisë askund plotësisht.
Vepra është shkruar kryesisht me një ton dinamik, ku dominojnë fjalitë e shkurtra, pa përshkrime të gjata hapësirash dhe pa analiza të thella personazhesh, duke e vënë në plan të parë dukurinë, duke e risjellë disa here, me pak ndryshim, idenë mbi identitetin e lirinë individuale.
Ky tipar e bën veprën të papërshkrueshme brenda një zhanri të vetëm. E shpie atë sa nga tregimi i gjatë te novela, e sa nga novela te romani i shkurtër. Dialogjet janë gjithnjë në shërbim të boshtit tematik dhe jo në shërbim të ndërtimit të personazheve. Gjuha është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë me pasazhe poetike, metaforike që ndikojnë në kënaqësinë e leximit. Kjo arrihet sidomos me krahasimet e shumta pothuajse poetike në të.
Një lexues i vëmendshëm s’ka si të mos e dallojë pakujdesinë që autori shpreh në raport me kohën. Sadoqë në kuptimin e mendësisë, atmosferës, madje rrethanave shoqërore politike, të krijohet përshtypja se vepra është vendosur në fund të viteve ’80 apo fillimit të viteve ’90, duke rrokur edhe vitet e para të shekullit të ri, ndërkaq zhvillimi i mediave, prezenca e teknologjisë në jetën e protagonistit dhe personazheve të tjera është shumë bashkëkohore, e ditëvë tona, të rrjeteve sociale, të gazetave online etj.
Me të gjitha këto nuanca “Unë, Mario” është një libër që vjen me lehtësi te lexuesi dhe krijon pyetje të rënda në kokën e tij mu kur e ka kthyer fletën e fundit. E tërë kjo krijon ndjenjën që sapo ke lexuar jo një histori jete, por një dëshmi epoke, larg ornamenteve dhe sentimentit që zakonisht dinë të dominiojnë në vepra të këtilla autofiksionale.
















