Ballina Lajme ENVER HOXHA: TE TITOJA (nga libri “Titistët”)

ENVER HOXHA: TE TITOJA (nga libri “Titistët”)

Teksti i mëposhtëm është kapitulli IV, “Te Titoja”, nga libri “Titistët” i Enver Hoxhës. Teksti është transkriptuar nga botimi origjinal; janë hequr vetëm ndarjet tipografike të fjalëve në fund të rreshtave. Vlerësimet historike, politike dhe karakterizimet e personave e ngjarjeve janë të autorit.

TE TITOJA

Ftesë e papritur e Titos për të shkuar në Beograd ■ Bisedimet zyrtare midis delegacionit shqiptar dhe atij jugosllav. Shqyrtimi i çështjes së Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi ■ Titoja synon të gllabërojë krejt Ballkanin ■ Politikë shfarosëse në Kosovë ■ Fodullëk dhe luks skandaloz i Titos ■ Rreth vizitave në Kroaci e në Slloveni ■ Ceremoni në Presidiumin e Skupshtinës Jugosllave ■ Një takim me Titon në Bled. «Nash Tito» apo «Duçe a noi»? ■ Mbi Traktatin e miqësisë e të bashkëpunimit reciprok ■ «Ndihmë» me pikatore.

Kërkesën për të dërguar në Jugosllavi një delegacion qeveritar të nivelit më të lartë, të kryesuar nga unë, ne ua kishim drejtuar shokëve jugosllavë shumë kohë më parë. Me vajtjen e këtij delegacioni zyrtar atje, ne synonim të hidhej një hap tjetër i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore reciproke midis vendeve, popujve dhe partive tona, për rritjen e prestigjit të vendeve tona në arenën ndërkombëtare, për shfrytëzimin e mundësive që do të na krijoheshin për të diskutuar në nivelin më të lartë probleme të ndryshme të karakterit politik, ekonomik etj., e që paraqitnin interes të përbashkët.

Udhëheqja jugosllave na u përgjigj se në parim ishte dakord që në një moment të përshtatshëm ta priste delegacionin e nivelit më të lartë, por shkuan muaj të tërë dhe përgjigjja vazhdonte të mbetej pozitive, vetëm se «në parim». E justifikonin këtë zgjatje me hallet dhe problemet e shumta që kishin dhe, patjetër, kjo ishte një arsye që qëndronte. Por, në të njëjtën kohë, shihnim edhe diçka tjetër: nga njëra anë shokët jugosllavë ishin «shumë të zënë» me punë e me halle e «s’mund të pritnin dot shpejt» delegacionin e kryesuar nga unë, nga ana tjetër Gjilasi, Kardeli dhe vetë Titoja gjenin kohë të pritnin e të bënin biseda të gjata edhe me delegacione rinie apo grupe pune tonat që shkonin atje, gjenin kohë bile të pritnin edhe Liri Gegën! S’po flas këtu për Koçi Xoxen, Nako Spirun e Sejfulla Malëshovën (ky para se të dënohej), që, kur shkonin në Beograd, priteshin sa Koçi «nuk ma llafoste dot!».

Megjithatë vazhdonim t’i justifikonim se ndoshta mua s’po më pritnin dot ngaqë, siç thoshte Nako Spiru, «rangu i lartë» i delegacionit kërkonte shumë përgatitje paraprake (!); ndoshta ngaqë duhej bërë vizita në një moment të rëndësishëm kombëtar ose ndërkombëtar, ndoshta…

Mund të rreshtohen këtu plot «ndoshta» të tjera për arsye si këto që përmenda më sipër (secila e ka një bazë), por mendoj se arsyeja kryesore e zvarritjes së vajtjes së delegacionit tonë në Beograd, qëndronte te një tjetër «ndoshta»: udhëheqësit jugosllavë ndoshta nuk donin që delegacionin e parë zyrtar të nivelit më të lartë ta kryesoja unë! Pas minave që na vunë në Berat pritnin të eliminohesha shpejt nga udhëheqja (ata e dinin se në Byronë e dalë nga Berati isha një kundër katërve, për të mos thënë një kundër të gjashtë shokëve), dhe, për rrjedhim, ata pritnin zëvendësimin tim e delegacionin ta kryesonte ai që do të më zinte vendin, miku i tyre më i mirë, Koçi Xoxe.

Këtë hipotezë nuk e mbështes vetëm te faktet e panumërta që vërtetuan se udhëheqja jugosllave donte të më eliminonte që në Berat e, në pamundësi atje, edhe më pas. E mbështes hipotezën te një mori e tërë faktesh të tjera, midis të cilave, edhe te përpjekjet e ethshme të Titos me shokë për të penguar e, mundësisht, për të sabotuar vajtjen e një delegacioni tonë të të njëjtit nivel në Moskë te Stalini, në Bullgari te Dimitrovi etj.

Publicitet

Siç thashë, atëherë ne shumë gjëra s’i dinim prandaj na mbetej vetëm të pritnim. E pikërisht kur kishim nisur të diskutonim në Byronë «Tezat për rishikimin e Plenumit të 2-të të KQ të PKSH» na erdhi lajmi se rruga për në Beograd ishte hapur.

I lamë të gjitha punët në mes dhe, meqë koha e nisjes qe tepër e afërt, sistemuam edhe një herë çështjet që do të diskutonim me udhëheqjen jugosllave dhe me Titon.

Para nesh, në ato momente, ashtu si edhe për të gjitha vendet e tjera të demokracisë popullore, shtrohej çështja që ekonomia jonë të mos ishte spontane, por e organizuar, pra, një ekonomi e planifikuar socialiste. Ne, me gjithë varfërinë tonë të madhe të trashëguar nga e kaluara dhe nga lufta, e kishim filluar një gjë të tillë duke kryer një sërë reformash të mëdha transformuese shoqërore dhe ekonomike, në rrugën e drejtë marksiste-leniniste. E dinim se për ndërtimin e socializmit duhej të bazoheshim në radhë të parë në forcat tona të brendshme, por, sidomos në atë fazë të parë, bashkëpunimi dhe ndihma e miqve të jashtëm për ne ishin të nevojshëm e të domosdoshëm.

Veç të tjerash në këtë fushë kardinale që po përfshinte e do të përfshinte forca dhe energji të pashtershme, neve nuk na mungonin vetëm mjete e fonde, por na mungonte edhe përvoja. Studionim literaturën marksiste-leniniste, veprat e klasikëve, përvojën e shkruar të ndërtimit të socializmit në Bashkimin Sovjetik, por, kuptohet, vetëm nga librat kjo gjë nuk mësohej. Kishim hedhur hapat e parë edhe në praktikë, por kjo ishte akoma fillimi i fillimeve. Veçanërisht në Plenumin e 5-të të KQ të Partisë u shtrua me të madhe domosdoshmëria e përcaktimit dhe e ndjekjes me konsekuencë të një politike të drejtë për transformimin socialist të vendit. U vendos që ekonomia të zhvillohej me plan, i cili duhej përgatitur me kujdes me forcat tona, por për hartimin e tij ndienim të nevojshëm konsultimin me miqtë. Këto do të përbënin, pra, një ndër çështjet kryesore që delegacioni ynë do të diskutonte me udhëheqjen jugosllave dhe me Titon.

Siç thashë, në prill atje ishte thirrur Nakoja dhe ky kishte zhvilluar disa bisedime me shokë jugosllavë të ekonomisë, kështu që njëfarë pune paraprake për këtë problem ishte bërë. Qëllimi i delegacionit tonë për këtë problem ishte që të kërkonim ndihmën e shokëve jugosllavë për ndërtimin e një plani ekonomik me një perspektivë të paktën hëpërhë dyvjeçare, për të ecur drejt një plani pesëvjeçar.

Me jugosllavët kishim rënë dakord për të biseduar e për të vendosur, në radhë të parë, për nënshkrimin e një traktati miqësie dhe ndihme reciproke në mes dy vendeve, gjë që ne e konsideronim një sukses të madh politik, ekonomik dhe për mbrojtjen. Për këtë çështje përgatitjet tona ishin kryer me shumë seriozitet, për vetë interesin e madh që paraqitnin marrëdhëniet miqësore të të dy vendeve tona socialiste aleate, për arsye të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik, të mbrojtjes së përbashkët të të dy vendeve tona socialiste të rrethuara nga perëndimi dhe nga jugu me shtete armike e njëkohësisht si dy shtete të demokracisë popullore, pjesëtarë të kampit socialist me Bashkimin Sovjetik në krye.

Si përfaqësues të një qeverie popullore ne dilnim për herë të parë jashtë shtetit tonë, sigurisht në një vend mik dhe e kishim konsideruar si detyrën tonë të parë t’u paraqitnim miqve, si popullit jugosllav, ashtu edhe udhëheqjes së tij, ndjenjat e pastra të popullit tonë, miqësinë e sinqertë dhe realitetin tonë objektiv. Në bazë të këtij realiteti, si dhe të gjendjes së tyre reale, që edhe ata, sikurse ne, duhej të na e paraqitnin, do të avanconim kërkesat dhe mundësitë, do të diskutonim hapur e sinqerisht për to dhe do të vendosnim në interesin e përbashkët.

Një arsye tjetër që na gëzonte për takimin që do të kishim me Titon e shihnim te marrëdhëniet shumë të ngushta dhe shumë të sinqerta (siç i mendonim ne në atë kohë), që ekzistonin në mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, në mes Stalinit dhe Titos. Ne kishim përshtypjen dhe besimin, dhe këtë na e forconin edhe njerëzit sovjetikë që ishin në Tiranë, pa lëre pastaj vetë jugosllavët se «Titoja për çdo gjë merret vesh me Stalinin, konsultohet me të» etj. Prandaj ne mendonim në atë kohë se çdo gjë që do të bisedonim me Titon dhe do të vendosnim, do ta dinte Stalini dhe do të ishte dakord me ne. Në pamundësi për të pasur ndonjë lidhje në atë kohë me Stalinin (nëpërmjet legatës sovjetike që, me sa mbaj mend, sapo ishte çelur në Tiranë, marrëdhëniet direkte sovjeto-shqiptare ishin shumë të zbehta e jo për fajin tonë), mendonim se takimi me Titon do të ishte, si me thënë, një transmetim dhe një zhvillim edhe i pikëpamjeve të Stalinit.

Ajo që na shkruante Hysniu në radiogram, se «Titoja ishte marrë vesh me Stalinin dhe ky e kishte mirëpritur vajtjen e një delegacioni tonë në Beograd», akoma më tepër na ushqeu shpresën se nëpërmjet gojës së Titos do të dëgjonim edhe mendimet e këshillat e Stalinit.

Natyrisht, për të gjitha problemet që do të diskutonim e do të vendosnim, ne kishim vijën tonë, pikëpamjet tona, mendimet tona dhe ishim të bindur për drejtësinë e tyre. Edhe Traktatin e miqësisë e të ndihmës reciproke ekonomike që kërkonim nuk po e lypnim dhe nuk do të lejonim të cenoheshin asnjë grimë interesat jetikë të atdheut tonë socialist. Ne derdhëm gjak pikërisht që të mos përsëritej më e kaluara. Këtë besim kishim edhe për jugosllavët në atë kohë.

Ishim përgatitur të bënim me shokët jugosllavë edhe një pasqyrë të gjendjes ndërkombëtare të parë nga ana jonë në koniunkturat e atëhershme, veçanërisht të situatës dhe të veprimeve armiqësore e diversive që zhvillonin monarko-fashistët grekë në kufijtë tanë të Jugut dhe neofashistët italianë, të ndihmuar nga anglo-amerikanët, në kufirin tonë detar si dhe në kufijtë ajrorë. Ne dëshironim t’u jepnim miqve jugosllavë një pasqyrë të qartë të gjendjes shumë të shëndoshë politike të brendshme, të lidhjeve të çelikta të Partisë me popullin dhe të sukseseve e të metave që kishim në punën tonë. Shokëve jugosllavë duhej t’u spastrohej nga mendja edhe ndonjë mjegull dhe paqartësi e shkaktuar nga raportet tendencioze dhe me frymë joobjektive që, me siguri, u kishin bërë ata që nuk donin zhvillimin e miqësisë të dy vendeve tona në rrugë të drejtë. Natyrisht, ne u përgatitëm që të merrnim, sa të ishte e mundur më shumë, nga eksperienca organizative e këshillave, e partisë, e ekonomisë, e ushtrisë në Jugosllavi, eksperiencë që ne e konsideronim në atë kohë të nevojshme.

U caktuan dhe shokët, që do të përgatiteshin në mënyrë të veçantë për këto çështje dhe që do të bënin pjesë në delegacionin, ku, përveç meje, do të ishin, me sa mbaj mend, edhe Nako Spiru, Myslim Peza, Hysni Kapo (ambasadori ynë në Beograd në atë kohë) e të tjerë.

Menduam më në fund t’i çonim edhe një peshqesh Titos. Vritnim mendjen çfarë t’i çonim, pse nuk donim të turpëroheshim, por asgjë të përshtatshme s’po gjenim. Më ra ndër mend dhe u thashë shokëve t’i çonim një pisqollë sermi shqiptare, nga të vjetrat. Kjo shkonte për bukuri. Shokët e miratuan. Thirrëm Sterjo Gjokorecin dhe e ngarkuam të na gjente një të tillë. Ai na tha se, gjatë konfiskimit të pasurisë së një krimineli kuisling, kishin gjetur tri pisqolla të bukura, nga të cilat mund të zgjidhnim. I thamë të na i sillte dhe kur i solli në zyrë ishte edhe përfaqësuesi i Jugosllavisë, Josip Gjergjia. Ishin me të vërtetë pisqolla të bukura. Zgjodha një dhe i thashë jugosllavit përse e desha. Ai e pa, e pëlqeu shumë dhe pa pikë turpi na tha:

— Titoja do të kënaqet pa masë, dërgojani të tria!

Ç’t’i thoshim këtij plaçkaxhiu?! E pranuam propozimin e tij. (Kështu që Titoja i mori të tria pisqollat prej sermi dhe i futi në arsenalin e tij të peshqesheve.)

Por ja dhe një vogëlsi që na kishte shpëtuar: Më mungonte uniforma e duhur e gjeneralit! Unë thosha të shkoja civil, por shokët ngulnin këmbë se duhej të kisha me vete edhe uniformën ushtarake të gjeneralit, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Uniformë të zakonshme kisha, por «grand uniformë» jo. Prandaj duhej të sajonim një, që nga këpucët lustrina deri te kapelja me lulka. Mirë këpucët i bëmë, i bëmë dhe pantallonat blu me shirit të gjerë të kuq, por duhej gjetur xhaketa, kësaj si i bëhej halli! Thirra Sokolovin në zyrë (ky ishte atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë) dhe i thashë:

— Ke ndonjë xhaketë të tepërt?

— Pse? — më pyeti ai.

— Mos pyet, — i thashë, — por pa zhvishe një herë xhaketën tënde ta provoj!

Kur e vesha pamë se më rrinte e vogël. Atëherë i tregova hallin që më kishte zënë. Sokolovi më thotë:

— Kam një copë të paprerë ushtarake, po jua dërgoj, dhe, po ju pëlqeu, bëni me të një xhaketë e një kapelë.

Kështu u rregullua edhe çështja e «grand uniformës». Pritnim datën që kishim caktuar për t’u nisur dhe nga numri «pa kufi» i avionëve që na viheshin në dispozicion, kërkova vetëm një, bile, i thashë Gjergjias, po ta keni të vështirë, qoftë edhe 5-6 vende në një avion të linjës.

— Ç’është ajo fjalë! — më tha Gjergjia. — Keni visto për sa avionë të doni. Do të vijë avion special.

Avioni erdhi dhe delegacioni i parë i Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë u nis për në Beograd për vizitë miqësore.¹

Duke shikuar nga dritarja e avionit tokat e Malit të Zi e të viseve të tjera të Jugosllavisë, mendoja me dhimbje të thellë e me respekt të madh për shokët e mi partizanë që u vranë në këto anë, me qindra, duke luftuar kundër nazistëve gjermanë. Dy divizione, me djem dhe vajza të Shqipërisë, me urdhrin që u dërgova nga Berati në pragun e çlirimit të plotë të Shqipërisë, kapërcyen kufirin dhe, në përleshje të ashpra me pushtuesit, u shquan në këto anë për heroizmin, vetëmohimin, disiplinën, internacionalizmin dhe zotësinë e tyre në luftime. Nga bordi i avionit mendoja me dashuri për nënat shqiptare, të cilat, pa iu dridhur zemra, i çuan djemtë dhe vajzat e tyre në luftë për çlirimin e atdheut, por që koha u kërkoi këtyre djemve e vajzave, të edukuar nga Partia e komunistëve, të mendonin dhe të shkonin të derdhnin gjakun edhe për lirinë e popujve fqinjë. Me mijëra u kthyen nga këto luftime heroike, me qindra ranë në fushën e nderit në territorin e Jugosllavisë, me qindra nëna shqiptare, mendoja ato çaste, presin nga ne t’u sjellim eshtrat e shenjta të bijve të tyre. Këtë, thashë me vete, do ta bëjmë, është detyra jonë, ata do të prehen në vendet më të bukura të atdheut, ku brezat në histori do të këndojnë pa pushim lavdinë dhe heroizmin e tyre!¹

Avioni mbërriti në Beograd dhe ne po e soditnim kryeqytetin nga lart. Josip Gjergjia me gisht përpiqej të na tregonte diçka, por asgjë nuk mund të fiksoja, sepse nga avioni nuk ishte e lehtë të njihesha me një qytet, që e vizitoja për herë të parë. Ishim, gjithashtu, të emocionuar, sidomos, pse, për herë të parë, do të takoheshim me Titon dhe me shokë të tjerë udhëheqës të Jugosllavisë. Jemi mbi aerodrom, ulemi në pistë, avioni rrëshqet, ndalet dhe hapet porta. Shohim që na presin shumë njerëz, ushtarë, banda ushtarake. S’kishim kaluar kurrë nëpër ceremoni të tilla, këto ishin të panjohura për ne dhe do të na duhej të kishim kujdes të mos gabonim në të ashtuquajturat rregulla protokollare. Ne ecim përpara dhe drejt nesh vjen Titoja. Ai na jep dorën, na e shtrëngon fort. Kujtonim se sipas zakonit tonë do të përqafoheshim. Por jo. Rregulla dhe zakone të tjera. As që vumë re për këto gjëra. I paraqita Titos gjithë shokët me radhë dhe dëgjuam tingujt e himnit tonë të flamurit. U gatitëm në shenjë nderimi dhe pas himnit tonë u ekzekutua himni jugosllav. Pastaj Titoja më mori në të djathtë dhe kaluam në paradë repartin e rojës së nderit. «Ushtarët janë si tanët, — thosha me vete, — ish-partizanë, trima». Vetëm rrobat i kishin më të mira se tonat dhe armët më të reja, sovjetike. Tonat ishin trofe.

Pastaj Titoja na paraqiti personalitetet jugosllave, që kishin dalë në aeroport, dhe, në takimet e tjera më njohu edhe me personalitetet e tjera të partisë e të qeverisë jugosllave. Shumicën e tyre (me përjashtim të Gjilasit që kishte kaluar një herë tranzit për në Shqipëri), i shihnim për herë të parë: Kardel, Vllahov, Rankoviç, Simiç, Pijade, Popoviç, Jovanoviç, Kidriç e të tjerë. Vargu i automobilave tanë, duke kaluar nëpër Beograd, arriti në Dedinjë, ku na ishte caktuar rezidenca.

— Nder i madh, i jashtëzakonshëm! — belbëzonte Gjergjia. — Kjo është Dedinja, këtu ka rezidencën kryesore vetë Titoja!

Siç na thanë, dhe siç e pamë më vonë, ai rronte dhe punonte në pallatin kryesor të ish-kralëve të Serbisë. Ndërsa kortezhi i makinave ecte me ngadalë nëpër rrugët e parkut, Gjergjia më tregoi me gisht një ndërtesë.

— Ja, — tha, — Pallati i Bardhë, pallati i ish-mbretërve. Tani e kemi ne, e ka Titoja!

Makinat tona ecën dhe pak nëpër park dhe ndalën.

— Pallati i ish-princit regjent! — më tha Gjergjia. — Tani aty do të rrini ju.

Nuk u vura ndonjë rëndësi këtyre hollësive si dhe shumë korteve të tjera që iu bënë delegacionit tonë e që Josip Gjergjia i cilësonte «të rëndësishme, të jashtëzakonshme». Me këtë ai donte të na bindte ne dhe të na linte përshtypjen se për Shqipërinë tregohej «një kujdes dhe një dashuri e jashtëzakonshme» e se gjoja ato që bëheshin e masat që merreshin për delegacionin tonë, për delegacione të tjera nuk bëheshin. Natyrisht kjo detyrë i ishte ngarkuar ambasadorit jugosllav në Tiranë, që t’i pomponte dhe t’i lustronte gjërat.

Pasi u çlodhëm (nuk më kujtohet mirë nëse atë ditë apo të nesërmen), na thanë se do të shkonim t’i bënim vizitën e kortezisë Titos në Pallatin e Bardhë. Për jugosllavët që na vinin rrotull çështja ishte tepër e ndërlikuar: Ç’kostume duhej të vishnim për te Titoja? Jo vishni këtë kostum, jo atë kostum. Protokolli që në atë kohë kishte filluar punën në «oborrin e Titos». Kurse për ne çështja ishte fare e thjeshtë. Dy kostume kishim: të famshmin kostum ushtarak, për të cilin fola më parë dhe një kostum civil. Prandaj veshëm kostumet civile. Fundi i fundit te shoku ynë venim, komunist si ne ishte! Dhe u nisëm në këmbë nëpërmjet parkut.

Rreth e rrotull pallatin e ruanin roja të veshura me uniformë «fringo», të armatosura me automatikë. Pse gjithë këto roja? — thosha me vete kur kujtoja se vetëm dy partizanë e ruanin shtëpinë time dhe në rrugën para saj, në atë kohë, kalonte edhe populli lirisht. Por ia gjeja shpejt «arsyen»: «Vend i madh, Titoja personalitet i madh, mirë bëjnë që e ruajnë kështu». Përpara pallatit bënin rojë nderi, në hollet e pallatit çdo gjë ishte parashikuar, që nga furça për të fshirë rrobat dhe deri te një njeri që na fshiu me leckë pluhurin që këpucët tona kishin marrë në park kur erdhëm. — Te Titoja u dashkej shkuar «spic»! — thoshim me vete. Dhe të mendosh se këta trima që fshijnë këpucët e vijnë rrotull me temena gjer një vit e ca më parë bënin luftën dhe jetën partizane!

Hymë në sallonin e madh të pallatit. Luks. Në krye të sallonit rrinte në mes, nën një tablo, vetëm Titoja, në këmbë, i veshur me rrobat e bardha të mareshalit, me jakën dhe me mëngët e qëndisura me ar, me lule, me yje dhe në gjoks me një numër të konsiderueshëm shiritash që përfaqësonin dekoratat. Në krahun e majtë të tij vinin në radhë njëri pas tjetrit një varg shokësh, anëtarë të Byrosë Politike të PKJ dhe ministra; nga të dyja anët ishin vendosur kolltukë të stilit të vjetër francez të shekujve të 17-të e të 18-të, në mes sallonit qilima të bukur persie. Që nga dera e sallonit dhe deri në krye, sa vajtëm e i dhamë dorën Titos, i cili nuk luajti nga vendi, na u duk se ecëm një kilometër.

Mbasi u ulëm na sollën cigare e pije. Titoja ngriti shëndetin për miqësinë në mes dy popujve dhe për ne, bëri disa pyetje të përgjithshme për vendin tonë, për kohën, për kulturat, për ullinjtë dhe për portokallet. Ne e falënderuam, i dhamë përshëndetjet e popullit, të Partisë e të ushtrisë sonë dhe i lamë lamtumirën. Audienca e parë protokollare te Titoja nuk zgjati më tepër se gjysmë ore. Josip Gjergjia s’mungoi të na thoshte se «shkoi shumë mirë» e të na përsëriste fjalët që s’iu shqitën nga goja «mahnitëse», «jashtëzakonisht e përzemërt», «rrallë ngjet kështu në audiencat e Titos» etj.

Protokolli, natyrisht, e donte që Titoja të na kthente vizitën që i bëmë, por, ai nuk na e bëri, erdhën shokë të tjerë në vend të tij, duke na thënë se Titoja na «kërkonte ndjesë se i doli një punë me rëndësi dhe shumë e ngutshme» etj., etj. Por ne as që i vinim re në atë kohë këto ndodhi dhe as që kishim haber nga protokollet. Pastaj kishim me vete Josip Gjergjën që për çdo gjë gjente «arsyet». Për ne kishte rëndësi se kur do të zhvillonim bisedime pune me shokët jugosllavë për të zgjidhur dhe për të vënë në rrugë një varg problemesh.

Kjo ditë për bisedime na u caktua.

Siç e thashë edhe më lart ne ishim përgatitur për këto bisedime. Nga ana jugosllave delegacionin e kryesonte Titoja. Në fjalën time, të cilën e kishim përgatitur që në Tiranë, u përpoqa të isha sa më konciz, sa më objektiv dhe real. Vetë problemet e vendit tonë në ato kohë ishin shumë të vështira dhe të rënda për t’u zgjidhur, por në vetvete si probleme nuk ishin të koklavitura. Ne ishim të ndërgjegjshëm se çdo gjë nuk mund të zgjidhej me një të rënë të shkopit dhe se Jugosllavisë nuk mund t’i bënim kërkesa jashtë mundësive të saj. Ajo që na preokuponte në radhë të parë ishin çështjet ekonomike dhe këtu ne kërkuam të na jepej ndihmë në kredi. Kreditë që kërkuam na duheshin për zhvillimin e bujqësisë dhe të industrisë. Në bujqësi ishim keq edhe për veglat më të thjeshta bujqësore, që nga parmenda e hekurt e deri te lesat e te mjetet e prashitjes. Natyrisht kërkuam të na jepnin edhe disa traktorë e mekanizma të tjerë bujqësorë prej atyre që ata merrnin nga Bashkimi Sovjetik, nga UNRRA e gjetkë, të na akordonin ca farëra drithërash dhe bimë industriale e të tjera të këtij lloji. Siç shihet kërkesat tona ishin kërkesa modeste, kërkesa fukarenjsh, por çfarë mund të bënim tjetër!

Për sa i përket industrisë ne u treguam jugosllavëve gjendjen tonë me të vërtetë të mjerueshme. Vendi ynë s’kishte trashëguar gjë tjetër përveç një artizanati të prapambetur me të cilin vazhdonim të mbaheshim. Ato fabrika të pakta, të vjetra, të vogla, të amortizuara dhe të shkatërruara nga lufta, i riparuam aq sa mundëm, por mund të merrej me mend ç’vuanim ne për vegla ndërrimi për ato makina të vjetra, për ata automobila të vjetër, në ato kushte kur na mungonte edhe një uzinë mekanike që të quhej me tërë kuptimin e fjalës uzinë. Çdo gjë që ekzistonte në vend e kishim vënë në efiçencë me forcat tona, tash kjo duhej mbajtur gjallë, duhej arnuar dhe duhej plotësuar se nevojat shtoheshin.

Me rëndësi për ekonominë tonë ishte problemi i zhvillimit të mëtejshëm të minierave dhe në zhvillimin e në shfrytëzimin e tyre duhej të mbështeteshim shumë. Prandaj edhe u kërkuam ndihmë jugosllavëve për zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së nxjerrjes së naftës, të bitumit, të kromit, të bakrit etj. U kërkuam, natyrisht brenda mundësive, ndihmë për ngritjen e disa fabrikave të vogla të industrisë së lehtë, për të plotësuar nevojat e ngutshme dhe të domosdoshme të vendit tonë.

Duke bërë një pasqyrë të gjendjes ndërkombëtare e duke u treguar edhe se ç’bëhej në kufijtë tanë të Jugut, unë u parashtrova shokëve jugosllavë dhe Titos pikëpamjen tonë mbi nevojën e nënshkrimit të një traktati në mes dy vendeve tona, traktat miqësie dhe ndihme reciproke ashtu siç kishte nënshkruar Jugosllavia edhe me vendet e tjera të demokracisë popullore. E arsyetova këtë traktat si shumë të nevojshëm për mbrojtjen veçanërisht të lirisë, të pavarësisë dhe të sovranitetit të RPSH nga lakmitë e përhershme të imperialistëve, të monarko-fashistëve grekë dhe të neofashistëve italianë. U theksova se ky traktat do të kaliste akoma më shumë miqësinë e sinqertë në mes dy popujve tanë dhe do të shërbente, si edhe traktatet e tjera të vendeve të demokracisë popullore me Bashkimin Sovjetik dhe me njëra-tjetrën, për forcimin e vendeve tona. U fola, gjithashtu, shokëve jugosllavë dhe Titos për dashurinë dhe besnikërinë e madhe që ushqejnë populli, Partia dhe ushtria jonë ndaj BS dhe Stalinit të madh.

Gjatë fjalës sime Titoja mbante disa shënime në një bllok dhe vazhdimisht pinte cigare me një cigarishte të kthyer në formë llulle. Ai mbante syze, kurdoherë rrinte serioz, i vrenjtur, si i kredhur në mendime të thella. Na dukej se dëgjonte me vëmendje. Herë pas here mbushte gotën që kishte përpara dhe pinte ujë mineral. Pasi mbarova unë, bëmë pushim, na çoi në sallën e bufesë, e cila qe shtruar plot e me çdo gjë, që nga pastat e sandviçet dhe deri te shlivovica e te pijet freskuese. Atje Titoja filloi të bisedonte, të bënte shaka, të qeshte me shokët e tij për gjëra pa rëndësi, për të shkuar kohën; përkthyesit na i përkthenin. Më vonë këto shaka e biseda të Titos me Moshe Pijaden i gjeta gati të njëllojta si ato të Hrushovit me Mikojanin, që orë e çast të tilla gjëra flitnin, kur mblidheshin.

Pas pushimit rifilloi mbledhja dhe e mori fjalën Titoja. Ai na bëri një pasqyrë të gjendjes ndërkombëtare të asaj periudhe, duke sulmuar imperialistët dhe qeveritë reaksionare. Nxori mirë në dukje rolin «e madh» që luante Jugosllavia socialiste jo thjesht në Ballkan, por dhe në Evropë e sidomos në vendet e demokracisë popullore, natyrisht, pas Bashkimit Sovjetik, — theksoi. Asgjë e dyshimtë nuk na ra në sy në fjalët e tij, përveç tonit «madhështor» të të folurit, fjalëve «autoritare» dhe rëndësisë së veçantë që i jepte çështjes kur vinte fjala e thoshte «kështu i thashë atij», «kështu i thashë këtij».

Na bëri, gjithashtu, një historik të shkurtër të luftës kundër gjermanëve dhe kundër gjeneralit Drazha Mihajlloviç e qeverisë së Londrës. Këtu nuk mungoi të theksonte «zotësinë dhe dhelpërinë e Çërçillit», me të cilin ishte ndeshur dhe vazhdohej të diskutohej çështja e Venecia-Xhulias.

Kur foli për problemet ekonomike të Jugosllavisë ai nuk u zgjat, tha vetëm «kemi mjaft vështirësi» dhe kaloi në çështjen tonë, për të cilën u shpreh: «Me gjithë këto vështirësi ne duhet t’ju ndihmojmë ju me aq sa kemi mundësinë». Titoja tha se nga ana e tyre ata do të ngarkonin shokun Boris Kidriç.

— Caktoni dhe ju shokun tuaj, — na tha, — dhe t’i shqyrtojnë problemet ekonomike tuaja një nga një e të na i paraqitin për të marrë vendim.

Ne ramë dakord që këtë punë ta vazhdonte Nako Spiru, i cili edhe në prill në Jugosllavi kishte ardhur tamam për të tilla probleme. Nako Spirun në atë kohë e kishim ministër të Ekonomisë dhe kryetar të Komisionit të Planit të Shtetit dhe, duke caktuar atë për t’u marrë direkt në bisedimet me jugosllavët për problemet ekonomike, ne tregonim se sa rëndësi u kushtonim këtyre problemeve.

Pasi biseduam për zhvillimin e arsimit e të kulturës në vendin tonë dhe parashtrova dhe disa kërkesa në këtë drejtim, sidomos për dërgimin e një numri studentësh shqiptarë që të mësonin në Universitetin e Beogradit, Titoja më pyeti ç’mendoja unë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Heshta një moment për t’i përmbledhur në mënyrë sa më koncize e të plotë pikëpamjet tona për këtë problem të rëndësishëm dhe i thashë:

— Ju i njihni padrejtësitë historike që i kanë bërë imperialistët e ndryshëm e reaksioni serbomadh Shqipërisë. Ju i njihni, gjithashtu, qëndrimet parimore të Partisë sonë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe dëshirën e mirë të popullit tonë për miqësi me popujt e Jugosllavisë.

Në vazhdim unë i shpreha Titos mendimin e palës shqiptare se Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen kësaj.

Shqiptarët luftuan, — i thashë, — që të ketë një Shqipëri të lirë dhe sovrane, së cilës tani duhet t’i bashkohen edhe viset shqiptare të Jugosllavisë. Ka ardhur koha që ky problem nacional të zgjidhet drejt nga partitë tona.

Presidenti Tito u përgjigj:

— Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë.

Pas kësaj Titoja u hodh në një problem tjetër, në atë të së ashtuquajturës «Federatë ballkanike» dhe më pyeti se cili ishte mendimi im për këtë çështje.

— Për këtë çështje, — iu përgjigja, — ka pasur një ide prej kohësh. Demokratë e antizogistë shqiptarë, në mes të të cilëve dhe komunistë në emigracion kishin rënë në kontakt me Kominternin dhe kishin krijuar organizatën politike KONARE.¹

Në kontakt me shokun Dimitrov, kjo organizatë kishte adoptuar idenë e Kominternit për «Konfederatën ballkanike» dhe e propagandonte këtë. Kjo ide ishte më tepër në parim lidhur me bashkëpunimin luftarak të klasës punëtore dhe të popujve të Ballkanit kundër regjimeve monarkiste feudale. Perspektiva e kësaj çështjeje ishte e paqartë dhe e mbyllur.

Unë vetë kur isha student në Liceun e Korçës, por sidomos kur shkova për studime në Francë, kisha pasur rastin të lexoja gazetën e KONARE-së «Liria kombëtare» si dhe të shtija në dorë disa numra të shkëputur të revistës «La Fédération Balkanique». Në to, në ndonjë rast flitej edhe për idenë e «Federatës ballkanike», por gjithmonë si për një çështje apo parullë të së ardhmes.

Kur filluam Luftën Nacionalçlirimtare e gjatë zhvillimit të saj, asnjëherë nuk kemi menduar për këtë problem dhe kjo ide u zëvendësua me luftën e përbashkët në mes popujve të Ballkanit kundër pushtuesve nazifashistë. Sejfulla Malëshova, kur u kthye nga mërgimi, na teorizonte për problemin e «Konfederatës» ose të «Federatës ballkanike».

Këtë ide në parim e gjenim të drejtë dhe tani perspektiva nuk ishte kaq e mbyllur, por duhej shumë punë dhe duhej, në radhë të parë, të fitohej lufta kundër pushtuesve nazifashistë.

Ne vazhdojmë të kemi këtë mendim, por duhen pjekur situatat, duhet të punojmë shumë të kapërcehen armiqësitë e vjetra dhe do të dëshironim që ju të na sqaroni më mirë për këtë problem kaq të rëndësishëm, për arsye se nuk dimë as pikëpamjen tuaj, as të bullgarëve e as të grekëve.

Titoja më dëgjoi me shumë vëmendje dhe, kur përfundova, më tha:

— Ju kuptova shumë drejt, shoku Enver, dhe jam dakord me ato që thatë. Edhe ne kemi qenë e jemi dakord për krijimin e kësaj federate, kemi bërë e do të bëjmë edhe përpjekje konkrete, por problemi është, ashtu si thatë ju, i vështirë, që s’mund të zgjidhet menjëherë e nuk varet vetëm nga ne. Ne nga ana jonë do të dalim në kohën e duhur edhe me propozime konkrete e do të shohim të gjitha rrugët e mundshme, por zemra na e do ta ndërtojmë federatën. Shembulli dhe përvoja e Jugosllavisë së re Federative do të shërbejnë shumë në këtë drejtim. Por le ta lëmë për sot këtë problem. Unë e zura në gojë më tepër meqë ra fjala për të ardhmen e Kosovës. Brenda «Federatës ballkanike» çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë do të ishte shumë më e lehtë.

— Pa dyshim! — i thashë. — Por ne gjithmonë qëndrojmë tek ajo që përmendëm në fillim: Krijohen apo jo mundësitë për një «Federatë ballkanike» është tjetër problem dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës është një problem krejt tjetër. Duhet të punosh, siç thatë vetë ju, për ta zgjidhur drejt çështjen e Kosovës.

— Ne do të punojmë në këtë drejtim, — «më dha fjalën» Titoja.

Por të gjitha fjalët e përbetimet e Titos ishin një blof. Ai na mashtronte e na gënjente për të vërtetën mbi idenë e «Federatës ballkanike». Titoja, siç e vërtetuan faktet dhe koha, ishte një antimarksist i egër, një nacionalist, shovinist dhe agjent i borgjezisë dhe i imperializmit, ishte një «kalë Troje» në kampin e socializmit, në lëvizjen komuniste ndërkombëtare e ca më tepër në Ballkan. Duke u kapur pas idesë së «Federatës ballkanike», ai synonte dhe luftonte që t’i aneksonte Jugosllavisë krejt Ballkanin e, në këtë kuadër, edhe Shqipërinë.

Nga viti 1947, kur në mes Shqipërisë e Jugosllavisë u zhvilluan marrëdhëniet dhe u nënshkruan, përveç Traktatit të miqësisë e të ndihmës reciproke, edhe Konventa Ekonomike, e një sërë marrëveshjesh ekonomike të lidhura me të, për të cilat do të flas hollësisht më poshtë, disa shokë të Byrosë sonë Politike, veçanërisht Kristo Themelko si dhe Koçi Xoxe e Pandi Kristo, të nxitur nga jugosllavët që ishin ose vinin në Shqipëri, bënin presion të vazhdueshëm mbi mua, që të kërkonim të futeshim në «Federatën ballkanike» që në kokën e tyre do të thoshte të bashkoheshim me Jugosllavinë. Unë nuk ua ushqeja këtë mendim, por një ditë, aty nga fillimi i vitit 1948, ata erdhën e më thanë se «po formohet «Federata ballkanike» në mes Jugosllavisë e Bullgarisë!». Mendova se ky problem ishte biseduar në mes Stalinit, Dimitrovit e Titos, pavarësisht se nuk ishte marrë asnjë mendim nga ne. Në këtë situatë ne vendosëm dhe u shkruam një letër KQ të PKJ e Titos, ku u thamë, në mes të tjerash, që të na sqaroni për këtë problem, sepse nuk është e kuptueshme që të krijohet «Federata ballkanike» me Bullgarinë dhe të mbetet jashtë Shqipëria.

As përgjigje, as sqarim nuk na erdhi kurrë. Për ne u bë e qartë ku fshihej lepuri. Jugosllavia e Titos me një gur donte të vriste dy zogj: Të aneksonte Shqipërinë nën të ashtuquajturën Federatë të dështuar ballkanike dhe të shtrinte pushtetin e tij edhe mbi këtë pjesë të Ballkanit.

Stalini që i kishte nuhatur planet ekspansioniste të Titos, i tërhoqi vëmendjen Dimitrovit dhe ky (Dimitrovi), në fillim të vitit 1948, deklaroi publikisht se kishte menduar gabim për federatën në mes Jugosllavisë e Bullgarisë.

Por, para se të vazhdoj me përshkrimin e mëtejshëm të vizitës, dua të them se ashtu siç ishin blof fjalët e Titos për «Federatën ballkanike», të tilla ishin edhe fjalët e premtimet që na dha për çështjen e Kosovës.

Këtij Titoje, që u shpreh me kaq «zhdërvjelltësi» dakord me mua për problemin e Kosovës, as nuk i shkoi goja të thoshte: «Shoku Enver, unë propozoj që ju, përveç vendeve të tjera të Jugosllavisë, duhet të shkoni të vizitoni edhe Kosovën. Ne duhet t’i tregojmë popullit shqiptar të Kosovës se erdhi koha e një miqësie të vërtetë me popujt e Jugosllavisë» etj. Titoja dhe shokët e tij patën frikë ta bënin një gjë të tillë. Koha nuk do të vononte të tregonte mashtrimet dhe egërsinë e madhe prej shovinisti serbokroat të Titos, jo vetëm kundër shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, por edhe kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Plani i fshehtë i Titos ishte që jo Kosova të lidhej me Shqipërinë, por Shqipëria të lidhej me Kosovën dhe, tok me të, të gllabërohej në Jugosllavinë titiste. Mirëpo titistët nuk ia arritën dot këtij qëllimi djallëzor. Viti 1948 ishte viti fatal për ta.

Falsiteti i Titos me shokë arrinte gjer atje sa karshi Kosovës dhe gjithë shqiptarëve që banonin në Jugosllavi ata mbanin një qëndrim armiqësor edhe kur në mes dy republikave tona zhvilloheshin këto «veprime miqësore», pale pas vitit 1948, që u mbajt prej tyre një qëndrim i egër antimarksist, policesk, shovinist që s’kishte asnjë ndryshim nga ai i kralëve serbë. Marrëdhëniet e RPSH me Kosovën në periudhën e «miqësisë» de jure ishin gati të paqena, nuk na lejonin të dërgonim njerëz në Kosovë, se gjoja atje kishte ballistë etj., etj. Terrori mbi shqiptarët erdhi duke u rritur. U burgosën, u vranë në masë, u torturuan, u mbushën kampet e tmerrshme të Rankoviçit, gjithnjë nën maskën e luftës kundër mbeturinave të «bandave balliste».

Ky ishte një gjenocid i vërtetë, që zhvillohej me të gjitha mjetet dhe mënyrat. Për ta shpopulluar Kosovën, titistët, ashtu si regjimet e mëparshme reaksionare, i detyruan me qindra mijë shqiptarë të emigronin në Turqi e gjetkë. Në Kosovë, për të mos folur në Maqedoni, varfëria po arrinte kulmin, s’kishte shkolla shqipe, e për këtë Titoja e Rankoviçi gjenin shumë pretekste. Ndonëse toka dhe nëntoka e Kosovës ishin të pasura, si rrallë zonë tjetër në Ballkan, atje asgjë nuk investohej, bujqësia ishte më e prapambetura në Evropë. Të tillë politikë bënte Titoja atje. Tjetër na thoshte, tjetër bënte.

Gjatë ditëve të vizitës as në Beograd, as gjetkë, në asnjë mbledhje ose pritje nuk pashë as takova ndonjë nga udhëheqësit komunistë shqiptarë të Kosovës, megjithëse disa i njihja dhe personalisht si: Fadil Hoxhën, Ymer Pulën, Nimanajt e të tjerë. Të vetmen «përfaqësuese» të Kosovës që takova ishte nëna e Miladin Popoviçit…

Ishim në një miting kur m’u afrua një plakë e thinjur, e cila, duke më puthur e përqafuar, më pëshpëriti: «Jam nëna e Miladinit dhe e Mihajllos, që luftuan tok me ty, djali im Enver Hoxha». Duke e shtrënguar fort në kraharor, më dukej se kisha pranë e përqafoja bashkë me nënën edhe shokun tim të dashur, Miladin Popoviçin. Nuk mund të duroja më dhe, në fjalën time atje, fola për Miladinin fjalët më të mira e më të ngrohta që meritonte.

Por le të vazhdojmë më tej me vizitën e delegacionit tonë në Jugosllavi.

Titoja dha për ne një pritje të madhe në Pallatin e Bardhë të Dedinjës. Ishte «madhështore». Ne veshëm rrobat «zyrtare», por, kur hymë në pallat, ç’të shikonim? Ishte plot me gra, burra, oficerë, diplomatë. Të gjithë ishin të veshur me uniforma të mëdha, me smokinge, gratë me roba të mëndafshta, me stoli, me gjokse të hapura, me roba të gjata, disa me peliçe në supe, oficerët me dekorata. Titoja na priste në krye me «grand uniformë» me dekorata, me gjoks të fryrë, të nxjerrë përpara; në gisht mbante një unazë me gur xhevahiri që vezullonte. E humbëm fare! Kaluam në mes njerëzve, që na shikonin me kureshtje nga këmbët deri te koka e që duartrokitnin aq sa e donte protokolli i salloneve. Vetëm kur u afruam te Titoja e i dhamë dorën, thamë se shpëtuam e me të vërtetë shpëtuam.

Nuk ishim më objekt kurioziteti i «fisnikëve» të Beogradit. Pika qendrore u bë përsëri Titoja, të cilit ne ia hëngrëm hakun jo më shumë se pesë minuta. Publiku i Pallatit të Bardhë s’na e vuri më veshin dhe ne u qetësuam.

Titoja vërtitej andej-këtej, bisedonte herë me një grup e herë me një tjetër, më mori dhe mua disa herë dhe më prezantoi me ta, por emrat e tyre më hynin nga një vesh e më dilnin nga tjetri. Për mua ishte torturë e papërshkruar, derisa u ulëm në tryeza. Titoja u ngrit, nxori një letër dhe me atë qibrën e tij e lexoi, na bëri disa elozhe, u duartrokit dhe u ul. Pas tij u ngrita dhe unë, nxora «spiçin» tim, e lexova, u duartrokita dhe unë nja dy herë dhe u ula. Mbaroi dhe ky provim, por torturat tona në këtë darkë «madhështore» nuk kishin mbaruar. Për të pirë kafenë Titoja u ngrit dhe pas tij u ngritëm të tërë. Mori disa nga ne, ambasadorin sovjetik, Lavrentievin, e disa shokë të tij dhe na nxori në park. Ishte natë, por kishte drita dhe Titoja na udhëhiqte. Ku po shkonim? Mbërritëm në një guvë dhe hymë brenda. Atje dritat ndriçonin gjithçka, qilimat e shtruar, kolltukët, tryezat e ngarkuara me pije, me fruta, me ëmbëlsira e me pije freskuese. U ulëm pa protokoll në një tavolinë me Titon, Lavrentievin, Moshe Pijaden, Kardelin e ndonjë tjetër. Natyrisht Titoja mbante muhabetin, ne më shumë dëgjonim se flitnim; folën disa herë Lavrentievi dhe Pijade.

Më kujtohet se në një moment, kur Titoja po bisedonte për «politikë të lartë» me Lavrentievin, Pijadeja, duke ditur se unë kisha mësuar në Francë, filloi të hapte muhabetin rreth literaturës dhe historisë së Francës. Biseda e solli fjalën te kardinali Rishelië, Pijadeja mbrojti tezën se ishte një burrë shteti i egër dhe dinak. Unë ia aprovova, por i shtova se kardinali ishte një burrë shteti i madh dhe veprën e tij duhet ta gjykojmë dialektikisht me kohën. Vepra e Risheliesë, në krijimin e unitetit të monarkisë dhe në grushtet që ai u dha zotërinjve të mëdhenj feudalë, cilësohet në historinë e Francës si revolucionare. Moshe Pijade mbeti dakord; biseduam po ashtu për korrentet letrare në Francë. Ndërkohë Titos nuk i rrihej në guvë, sido që ai na çoi atje.

— Ngrihemi, — tha, — shkojmë brenda në sallone, se edhe shiu u ndal.

Kur ishim në shpellë kishte rënë një vesë shi, aq sa rruga qe bërë gjithë baltë dhe për fatin tim të keq, duke i pasur këmbët e pantallonave të gjata, rrethi i këmbëve të pantallonave dhe këpucët lustrina nga pas u bënë ibret, tërë llucë. Kur hodha sytë e i pashë në të hyrë të salloneve, ku gumëzhinin njerëzit, se po u vinte mareshali, u skuqa nga turpi. Nuk kisha ç’bëja, vetëm nuk duhej të lëvizja shumë, por kjo varej nga Titoja. Duhej t’i hiqja këmbët zvarrë, që të mos më dukeshin thembrat e këpucëve. Dhe kështu bëra. Por provova një torturë të vërtetë. Mirë që sytë e të gjithëve drejtoheshin nga mareshali.

Nga nxehtësia e sallave po djersinim, njerëzit rrethonin mareshalin dhe ne, por nxehtësia thante dhe më mirë llucën e pantallonave dhe të këpucëve të mia lustrina dhe e vinte më në dukje. Më në fund Titoja tha:

— Hajdeni miq t’ju tregoj pallatin ku banoj dhe punoj unë.

Thamë se shpëtuam! Por ja përpara nesh, kurdoherë të ndjekur nga turma e grave me dekolte e me xhevahire në qafë e në gishtërinj dhe nga burra me smoking, na del një shkallë en colimaçon

Atje duhej të ngjiteshim dhe këtë herë nuk kisha si t’i hiqja këmbët zvarrë. Ç’të bëja? Atëherë, kundër dëshirës sime, gjoja në formë politese, i ngjita nja 7 a 8 shkallë, jo duke u kthyer krahët njerëzve se më shihnin këmbët, por i ngjita së prapthi duke u kthyer fytyrën dhe duke i saltuar. E kalova edhe këtë torturë të fundit.

Pasi ngjitëm shkallët, hipëm në një çardhak të rrethuar me parmakë prej druri; poshtë ishin të ftuarit e salloneve që vërtiteshin, kurse ne i erdhëm rrotull galerisë ku ishin një varg dyersh. Në mure ishin varur piktura të ndryshme. Kush i njihte nga ne? Asnjëri. Titoja, si i zoti i shtëpisë, na i tregonte me mburrje një nga një autorët, vlerat artistike… dhe monetare të tyre. Ne bënim sikur habiteshim, por mendja na punonte në hallet e popullit tonë. Titoja hapi një derë dhe u fut, ne hymë pas tij.

— Kjo është dhoma e punës, — na tha. Ishte një dhomë e bukur me dritare të mëdha, me tablo në mure, një tavolinë pune në një kënd me çfarë duhej për të shkruar, çdo gjë mbi të e çmuar, asnjë libër, asnjë fletore. Në një anë të tavolinës një mbajtëse hekuri e nikeluar bukur, që kishte në krye një model avioni po ashtu i nikeluar; Titoja shkeli një sustë dhe avioni filloi të rrotullohej. Qenkësh një lodër!

— Ma kanë dhuruar punëtorët, — tha Titoja.

Nga dhoma e punës kaluam në një dhomë tjetër me kolltukë të bukur dhe me një radiogramafon të madh e me mobilie shumë moderne.

— Kjo është paradhoma e gjumit, këtu ha mëngjesin, — tha Titoja. — Këtë radiogramafon ma ka falur Gotvaldi.

Prej këtej na ftoi të shikonim dhomën e gjumit me një krevat të madh luksoz, çarçafët me dantella, pizhamat të mëndafshta mbi krevat, na hapi deri edhe dollapet plot me kostume, këmishë etj. Edhe banjon «e ndritur» s’mungoi të na e tregonte.

Pasi mbaruam këto, Titoja na tha se do të na tregonte dhomën e partisë ku, siç u shpreh ai, «nuk hyn kush, çelësin e mbaj në xhep». Ne thamë me veten tonë: «Po na bën nder të madh, të shohim çfarë është kjo «dhomë e shenjtë»». Ishte një dhomë si të gjitha dhomat. Në një mur kishte një skemë.

— Kjo, — tha Titoja, — është sekret, është skema e organizimit të partisë. Kongresi, Komiteti Qendror, komitetet qarkore, aparatet e tyre dhe organizatat-bazë.

Në një mur ishte një dollap i vogël me libra të Marksit, të Engelsit, të Leninit e të Stalinit dhe në një qoshe tjetër një kasafortë. Kjo ishte «dhoma sekrete» dhe me vizitën e kësaj dhome sekrete e mbyllëm edhe suarenë e madhe, duke i lënë natën e mirë mareshalit.

Të nesërmen e kësaj darke ia mbërriti në rezidencën tonë Josip Gjergjia, i veshur si kurdoherë me kostum të zi, duke qeshur e duke folur atë shqipen e tij me aksent. Kishte zakon që pas çdo fraze, si për t’i theksuar fjalët, zinte hundën në mes dy gishtërinjve dhe e tundte. Ai kishte ardhur tok me shefin e protokollit për të na paraqitur programin e vizitave dhe të kurioziteteve në Beograd dhe në republikat e tjera. Ata përveç të tjerave na propozuan neve dhe ne e pranuam me gëzim të vizitonim Kroacinë dhe Slloveninë. Në Beograd asnjë vizitë në këmbë; natyrisht vendosëm kurora në Avala, te varri i ushtarit të panjohur të ushtrisë serbe të kralëve, i adaptuar si altar edhe nga regjimi i Titos. Atje, një gjeneral jugosllav, hero i popujve të Jugosllavisë, na shpjegoi zhvillimin e luftimeve për çlirimin e Beogradit nga Ushtria Sovjetike dhe nga Ushtria Nacionalçlirimtare Jugosllave.

Pastaj ne vizituam disa fabrika dhe një uzinë automobilash ku montoheshin kamionë me pjesë të sjella nga jashtë. Ne, natyrisht, gëzoheshim për çka shikonim, ishin gjëra të mira, jugosllavët ishin shumë më përpara nga ne. Këta diçka kishin trashëguar nga e kaluara, morën reparacione mjaft të mëdha për dëmet që u shkaktoi lufta, kurse ne nuk trashëguam veç varfërisë dhe mjerimit dhe nga reparacionet morëm disa torno shumë të vjetra me të cilat as një uzinë mekanike nuk mund të formohej. Nga reparacionet morëm dhe një vapor të amortizuar që ia vumë emrin «Borova» për nder të fshatit martir të Kolonjës, që gjermanët nazistë, si raprezalje kundër partizanëve, e dogjën krejt dhe vranë të gjithë njerëzit që gjetën, gra, fëmijë e pleq. Vaporin «Borova» nuk munguan jugosllavët të na e merrnin nën pretekstin se s’kishim si e vinim në shfrytëzim dhe, kur u prishëm, na e rrëmbyen dhe s’na e kthyen; e rrëmbyen si «plaçkë lufte», si të gjitha pasuritë e tjera tonat që na morën, sepse ata më shumë na morën se na dhanë.

Në një nga ditët e qëndrimit tonë në Beograd, të cilin e vizitonim duke shkuar kudo me automobil, na shtruan një pritje në shtëpinë e oficerëve ku, në qoftë se nuk gabohem, erdhi dhe Titoja. Ishte edhe atasheu ushtarak sovjetik si dhe oficerë të tjerë sovjetikë. Shtëpia e oficerëve ishte një pallat shumëkatësh, i ngritur posaçërisht për oficerët. Na pritën mirë, me gëzim, me simpati, si luftëtarë antifashistë të luftës së madhe të përbashkët që bëmë. Oficerët jugosllavë ishin të veshur e të mbathur shumë mirë, as mund ta krahasoje veshjen e tyre me të oficerëve tanë, por nga trimëria, guximi dhe vendosmëria nuk na e kalonin.

Josip Gjergjia një mbrëmje, pas këtyre vizitave, erdhi i gëzuar, duke shtypur hundën në mes dy gishtërinjve dhe na tha:

— Nesër do të shkoni në Presidiumin e Skupshtinës, pse Ribari, (plaku, presidenti i Presidiumit, babai i Lola Ribarit, vrarë në kohën e luftës), do t’ju dekorojë. Ju, shoku Enver, — tha Gjergjia, — do të dekoroheni me urdhrin më të lartë që ka Jugosllavia.

Në ceremoninë e nesërme në Presidiumin e Skupshtinës, që i përngjiste një parlamenti borgjez, pse në fakt ishte ndërtuar nga kralët serbokroatë, dr. Ribari na dekoroi të gjithë. Mua më vari në qafë Urdhrin e Heroit të Popujve të Jugosllavisë që konkretizohej në një medalion të florinjtë të varur në një kordele të kuqe me dy vija të zeza në mes. Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm Kardeli, Pijadeja, Gjilasi, Popoviçi e të tjerë. Falënderova në emër të shokëve dhe, ndër të tjera, theksova se kjo dekoratë u përket popullit shqiptar dhe bijve të këtij që dhanë jetën edhe për çlirimin e Jugosllavisë. Disa muaj pas Çlirimit Presidiumi i Jugosllavisë kishte dekoruar një varg nga shokët tanë me Yllin Partizan. Kështu që unë u bëra me dy dekorata jugosllave. Të gjitha këto dekorata, pas prishjes me ta, dhe pas gjithë atyre të këqijave që titistët u bënë Partisë dhe vendit tonë, ua kthyem mbrapsht në shenjë proteste.

U nisëm për në Kroaci dhe në Slloveni. Ishim të gëzuar që do të shikonim vende të reja, popuj miq. Kudo, si Bakariçi e shokët e tij në Kroaci dhe Miha Marinko e shokët e tij në Slloveni na pritën mirë. Vizituam Zagrebin e Ljubljanën dhe qytete të tjera të këtyre dy republikave, vizituam fabrika, kombinate dhe muze. Populli ishte i veshur mirë, vendi ishte më i qytetëruar, shihje pak rrënime. Sllovenia ishte akoma më e përparuar. Ljubljana gati e paprekur nga lufta, stili austriak i perandorisë austro-hungareze dominonte, niveli i jetesës më i lartë se i vendeve të tjera që vizituam ato ditë, borgjezia më e paprekur. Vizituam metalurgjinë e atjeshme dhe kjo na bëri përshtypje. Ajo që binte në sy ishte se kisha në këto vende ushtronte shumë influencë, nëpër rrugë të qyteteve dhe jashtë qyteteve shikoje ikona dhe kryqe.

Na çuan dhe në Bled, në një hotel luksoz buzë liqenit të bukur që mban të njëjtin emër. Na thanë se aty vinin turistë të huaj dhe kjo gjë ishte burim devize.

Më vonë, jo në vizitë zyrtare, buzë këtij liqeni, kam bërë edhe një takim me Titon, më duket, kur u nisa për në Konferencën e Paqes në Paris. Shkova nga Beogradi, por Titoja ishte në Slloveni, pikërisht në një vilë buzë liqenit të Bledit. Me avion më çuan atje, ku u takova me të. Biseduam në verandë për mundësinë e zhvillimit të problemeve që do të diskutoheshin në Paris. Natyrisht ramë dakord. Titoja më mbajti për drekë. Ishte një vilë e bukur verore, luksoze, në mes të luleve e pemëve. Në të dalë të vilës, buzë liqenit, ishin vendosur varka të bardha me motor. Në dhomë, në këmbët e Titos, ishte shtrirë qeni i madh i tij (pasardhësi i «Luksit» fatzi), i cili bënte sikur flinte, herë gërhiste dhe herë lëshonte nga një… krismë. Më në fund Titos nuk iu durua dhe i tha gjeneral Todoroviçit, një ish-partizan që kishte qenë edhe në Shqipëri: «Nxirre jashtë!».

Pasi mbaruam bisedën, para se të hanim drekë, Titoja mua dhe Zhujoviçit, që më vonë e likuidoi tok me Hebrangun si stalinistë, na propozoi të bënim një shëtitje në liqen. Nuk ia refuzova sido që nuk dija të bëja as not, në rast se kthehej varka.

U vu në lëvizje motori dhe varka rrëshqiti. Me not na ndiqte edhe qeni i Titos. «Të paktën, — thosha me vete, — këtij do t’i ftohen p…». Buzë liqenit burra, gra, fëmijë bërtitnin:

— Heroi Tito, druzhe Tito, nash Tito!

Më bëri përshtypje se këto thirrje i kishim dëgjuar nga fashistët italianë, kur bërtitnin si «Duçe a noi». Unë çuditesha si e lejonin. Kur po ktheheshim, Titoja tha:

— U lodh qeni, — dhe i thirri, — hip!

Ai u hodh në varkë dhe meqë ishte sa një viç, varka u lëkund, por s’pësuam gjë, e pësoi vetëm kostumi im i Konferencës së Paqes, pse qeni u shkund dhe unë mora një dush në rroba.

— I thajmë kur të vemi në vilë, — tha Titoja.

— S’ka gjë, — i thashë unë, duke i hedhur sytë qenit.

Por e tëra kjo ishte një ndodhi e mëvonshme, nga e cila, përveç sa përmenda më sipër, nuk më ka mbetur asgjë në mendje, sepse, në fakt, nuk diskutuam për ndonjë problem me peshë. Titoja, siç thashë, ishte me pushime dhe s’mund t’i shkëmbente ksehasjet me asgjë tjetër. Le të kthehemi prapë te vizita e parë, zyrtarja.

Kur u kthyem në Beograd nga vizitat në Kroaci e në Slloveni ishim mjaft të lodhur, megjithatë një ditë pushimi i bëri të kapërceheshin të gjitha lodhjet fizike, pse në atë kohë ishim edhe të rinj nga mosha. Tash duhej të përfundonim bisedimet që kishin filluar. Së pari, u ra dakord me përmbajtjen kryesore të Traktatit të miqësisë e të ndihmës reciproke dhe vendosëm që nënshkrimi i traktatit të bëhej pak më pas, në Tiranë.¹

Pas kësaj kaluam në problemet ekonomike. Nakoja dhe shokët e tregtisë kishin bërë një varg mbledhjesh me Boris Kidriçin e të tjerë dhe kishin arritur disa rezultate që Nakoja i konsideronte «të kënaqshme». Jugosllavët kishin rënë dakord të na jepnin me kredi disa objekte (do të flas më gjerësisht për këtë «ndihmë» më poshtë), por ishte fjala sidomos për një «fabrikë» sheqeri, një «fabrikë» litari, do të na ndihmonin me shina dhe me një lokomotivë për hekurudhën Durrës-Tiranë, do të na jepnin disa tubacione për naftën dhe ca vogëlsira të tjera. Këto çoç na dukeshin neve atëherë, megjithatë, gjeta rastin dhe pyeta Nakon mënjanë:

— E gjithë kredia këto përfshin?

— Në vija të përgjithshme, po, — tha Nakoja. — Konkretisht do të shtrohemi më vonë. Premtojnë të na japin goxha ndihmë.

Me rëndësi ishte dhe çështja e një numri shoqërish të përbashkëta kryesisht për zhvillimin e minierave tona, për të cilat ne ramë dakord që të krijoheshin. Këtyre shoqërive Titoja u bëri reklamë para nesh, kur u mblodhëm në fund për të nënshkruar dokumentet, duke thënë:

— Të tilla ne kemi me Bashkimin Sovjetik, ecin shumë mirë dhe japin rezultate e na ndihmojnë në ndërtimin e socializmit!

Ne ishim dakord për formimin e këtyre shoqërive për të cilat më pas krijuam edhe statutet, caktuam regjimet, pagesat, pjesëmarrjet dhe natyrën e pjesëmarrjes. Se si qe e vërteta, edhe për këto shoqëri s’po ndalem tani, do të mjaftohem të vë në dukje se qëllimi i jugosllavëve për të grabitur synonte që në letër këto shoqëri të ekzistonin si të përbashkëta, por të drejtoheshin nga ata, gjithë materiali të ishte yni, ata as të vinin, as të sillnin gjë, por të sundonin dhe të merrnin prodhimin e tyre. Por, natyrisht, gënjeshtra nuk u eci gjatë, u demaskuan tok me të gjitha të tjerat, edhe gënjeshtra mbi «shoqëritë e përbashkëta», që Titoja po na i reklamonte aq shumë.

Kur u bënë gati të gjitha dokumentet zyrtare, ne i firmosëm në një mbledhje solemne. U pi shampanjë. Në mbrëmje do të jepnim darkën e lamtumirës, natyrisht kishim ftuar edhe Titon. Darka do të jepej në selinë e ambasadës sonë.

Ia mbërriti Josip Gjergjia, këtë herë jo i qeshur. Ai na u lut që ta falnim Titon, se nuk do të vinte dot gjoja për arsye sigurimi, se ambasada ishte në këtë rrugë e në atë rrugë, se është në mes shtëpive të tjera e se ne duhej ta kuptonim çështjen etj., etj.! Neve na erdhi keq, por s’kishim ç’bënim. Të tjerët erdhën.

Erdhi dhe dita e largimit tonë për në atdhe. Në aerodrom na përcollën me atë ceremoni që na kishin pritur, hipëm në avion dhe u kthyem në Tiranë.

Gëzimi im i vajtjes ishte shterur. Kthehesha me një ndjenjë të pashpjegueshme, edhe besim kisha, edhe u deziluzionova nga fodullëku dhe luksi skandaloz i Titos, që dukej sheshit qysh atëherë. Me vete thosha: A do të puqen karakteret dhe punët tona me Titon?

Fusnotat e kapitullit

¹ Vizita e delegacionit qeveritar të RP të Shqipërisë, i kryesuar nga shoku Enver Hoxha, në RF të Jugosllavisë vazhdoi nga 23 qershori gjer më 2 korrik 1946.

¹ Eshtrat e qindra dëshmorëve tanë të rënë në Kosovë, në Mal të Zi etj., u sollën në Shqipëri dhe u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut dhe në varrezat e dëshmorëve në rrethet përkatëse në vitin 1947 e në vitin 1975.

¹ Komiteti Nacional Revolucionar.

¹ Frëngjisht — në formë spiraleje.

¹ Ky traktat u nënshkrua në Tiranë më 9 korrik 1946.

Burimi: Enver Hoxha, Titistët, kapitulli IV, “Te Titoja”, f. 247–272.