Nga Alexandra Saviana
Ata u tradhtuan nga gjurmët e ADN-së. Sipas së përditshmes gjermane Süddeutsche Zeitung dhe transmetuesve publikë NDR e WDR, dy burra dyshohen nga policia kriminale gjermane se, në fillim të gushtit, kanë sjellë në aeroportin Leipzig-Halle një dron të ngarkuar me eksploziv.
Autorët e asaj që duket shumë si një tentativë për atentat kanë një pikë të përbashkët: të dy posedojnë pasaporta ruse.
Incidenti shkaktoi një reagim të fortë në Gjermani. Më 1 shtator, autoritetet e shpallën Moskën përgjegjëse për këtë sulm në një nga zonat më të ndjeshme të aeroportit. Menjëherë pas kësaj, Berlini njoftoi gjithashtu mbylljen e ardhshme të një qendre kulturore ruse në kryeqytet, si dhe të konsullatës së fundit ruse në vend, në Bon.
Por reagimi më domethënës erdhi të nesërmen nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian. Në margjinat e një samiti në Irlandë, Kaja Kallas deklaroi se çështja kishte “të gjitha karakteristikat e terrorizmit shtetëror”.
Udhëheqës evropianë, veçanërisht nga vendet baltike – Kaja Kallas është estoneze – tashmë kanë filluar t’i cilësojnë si “terroriste” veprimet e Moskës në Evropë.
Dy ditë më herët, në një intervistë për The Telegraph, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, kishte argumentuar në të njëjtën mënyrë.
“Është një objektiv civil”, theksoi ai, duke iu referuar dronit në Leipzig dhe duke këmbëngulur se bëhej fjalë për një veprim “që mund të cilësohet terrorist”.
Kundërpërgjigje proporcionale
Të tjerë janë treguar më të kujdesshëm.
Alexander Dobrindt, ministri i Brendshëm i Gjermanisë, parapëlqeu të fliste për një “sulm hibrid”. Emmanuel Macron përdori termin “ndërhyrje” dhe denoncoi gjithashtu “luftën hibride që Rusia po zhvillon kundër nesh”.
Koncepti është po aq i paqartë sa edhe praktik: ai përshkruan një kombinim veprimesh ushtarake ose civile që synojnë destabilizimin e një shteti duke mbetur “nën pragun” e një konflikti konvencional.
Me fjalë të tjera, këto veprime i mundësojnë Moskës të godasë Evropën pa marrë publikisht përgjegjësinë për to.
Deri më tani, Bashkimi Evropian ka futur nën këtë ombrellë veprime nga më të ndryshmet – që nga vendosja e kokave të derrave para xhamive në Île-de-France, deri te një tentativë për vrasjen e drejtuesit të kompanisë gjermane të mbrojtjes Rheinmetall.
Për një kohë të gjatë, ky klasifikim ishte i dobishëm. Ai i mundësonte Kontinentit të Vjetër ta drejtonte gishtin ndaj Rusisë në mënyrë proporcionale, pa krijuar përshtypjen se po ushqente një konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.
Por kjo qasje nuk kishte marrë parasysh një element: shenjat gjithnjë e më të dukshme se Kremlini kërkon përshkallëzim.
Përballë shumëfishimit të incidenteve që i atribuohen Rusisë dhe agjentëve të saj të rekrutuar për misione të njëhershme në të gjithë kontinentin, Evropa po detyrohet të rishikojë përkufizimet e saj.
Tashmë nuk bëhet më fjalë vetëm për vizatime arkivolesh mbi muret e ndërtesave publike apo për duar të kuqe të pikturuara mbi Memorialin e Holokaustit – siç ndodhi në Francë gjatë vitit 2024.
Sabotazhe, sulme kibernetike, tentativa të shumta për vrasje… Evropa po sheh jo vetëm shtimin e episodeve të tilla në territorin e saj, por edhe rritjen e intensitetit të tyre.
Objektivat e goditura kanë shpesh lidhje me mbështetjen për Ukrainën – aeroporti Leipzig-Halle është një nyje e rëndësishme për ndihmën ushtarake dhe civile që NATO i ofron Kievit.
Dhe ajo që quhet “luftë hibride” po merr gjithnjë e më shpesh formën e veprimeve që mund të shkaktojnë pasoja të rënda materiale, madje edhe viktima njerëzore.
Zjarr në Poloni
Në intervistën e tij për The Telegraph, Rosin shfaq hapur skepticizmin ndaj këtij termi gjithëpërfshirës.
“Hibrid, thua?”, ironizon ai, duke u tallur me një “fjalë shumë të përshtatshme”, e cila, sipas tij, “e fsheh realitetin”.
“Kur flasim në mënyrë më specifike për fushatën e sabotazheve, mund të përdoret edhe termi terrorizëm shtetëror. Teknikisht, pikërisht për këtë bëhet fjalë”, vëren ai për gazetën britanike.
Do të ishte gabim të mendohej se vetëm vendet baltike, të njohura për mosbesimin e tyre të thellë ndaj fqinjit rus, po përdorin këtë terminologji.
Siç ndodh shpesh, ndryshimi nis te vendet që goditen të parat.
Polonia, e cila është vënë veçanërisht në shënjestër që nga fillimi i luftës në Ukrainë, po adopton një qëndrim të ngjashëm.
Gjatë natës nga e diela në të hënë, një zjarr shpërtheu në një fabrikë polake. Edhe këtë herë, objekti kishte lidhje me Kievin: fabrika furnizon me komponentë për dronë ushtritë polake dhe ukrainase.
“Sabotazh”, deklaroi më 2 shtator kryeministri Donald Tusk, duke e bërë Moskën përgjegjëse.
Prokuroria polake publikoi të hënën një komunikatë për shtyp.
Objekti i hetimit të saj?
Një “krim terrorist”./L’Express.fr















