Ballina IA IA po dëmton aftësinë e studentëve për të menduar, thonë pedagogët: «Është...

IA po dëmton aftësinë e studentëve për të menduar, thonë pedagogët: «Është iluzioni i të mësuarit»

Ndërsa gjithnjë e më shumë studentë universitarë mbështeten te modelet e mëdha gjuhësore, të cilat po përmirësohen me shpejtësi, pedagogët shqetësohen se ata po shmangin pikërisht përpjekjen dhe vështirësitë që janë të domosdoshme për një të nxënë të vërtetë.

Nga Susan Svrluga

Kur ChatGPT u shfaq fuqishëm katër vjet më parë, disa profesorë paralajmëruan se studentët mund ta përdornin inteligjencën artificiale për të kopjuar. Sot, shqetësimi i shumë pedagogëve është shumë më i thellë: IA-ja, siç duket, po dëmton aftësinë e studentëve për të mësuar dhe për të menduar në mënyrë të pavarur.

Teknologjia është ende tepër e re dhe po ndryshon tepër shpejt që të ketë të dhëna përfundimtare afatgjata mbi ndikimin e saj. Megjithatë, të dhënat e para nga disa studime sugjerojnë se, kur përdoren pa kufizime dhe masa mbrojtëse, modelet e mëdha gjuhësore mund të dëmtojnë përvetësimin e aftësive nga studentët. Ndërkohë, disa pedagogë thonë se në auditorë po shohin shenja shqetësuese: studentë që dorëzojnë ese të lëmuara, por nuk mund t’u përgjigjen pyetjeve për idetë e tyre; studentë që ngecin kur u kërkohet të shpjegojnë kodin që kanë dorëzuar; studentë që hasin vështirësi edhe në aftësitë bazë matematikore.

Gjithnjë e më shumë, pedagogët që po përballen me përdorimin e IA-së nga studentët po shtrojnë pyetje themelore për vetë natyrën e arsimit universitar, për aftësitë që do t’i nevojiten fuqisë punëtore të së ardhmes dhe për dijen kolektive të shoqërisë.

Eric Klopfer, profesor në MIT dhe bashkëkryesues i një komiteti që studioi përdorimin e IA-së në mësimdhënie, të nxënë dhe formimin kërkimor, tha se në shumë raste studentët po dorëzojnë detyra shtëpie më të mira. Por rezultatet e tyre në provime janë më të dobëta.

«Është iluzioni i të mësuarit», tha ai. «Të duket sikur po mëson, të duket sikur po i kupton gjërat.» Por kur studentëve u duhet ta zbatojnë atë njohuri pa ndihmën e një modeli të madh gjuhësor, ata zakonisht hasin vështirësi.

Video bonus

Frika që lidhet me inteligjencën artificiale është shtuar ndjeshëm javët e fundit, përfshirë paralajmërimet se teknologjia mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për njerëzimin. Disa drejtues të industrisë së teknologjisë kanë bërë thirrje për një marrëveshje që do ta ngadalësonte zhvillimin e saj, ndërsa presidenti Donald Trump ka kërkuar përshpejtimin e këtij zhvillimi.

Sipas presidentit të MIT-it, arsimi i lartë ndodhet në një moment vendimtar. Komiteti i universitetit ka bërë thirrje si për ndryshime të menjëhershme, ashtu edhe për masa afatgjata. Në përfundimet e tij, komiteti vlerësoi se ka sinjale të hershme që tregojnë se mbështetja e tepruar te chatbot-et mund të ketë pasoja të rëndësishme negative — «duke pakësuar të menduarit kritik, dobësuar kujtesën, gërryer vetëbesimin dhe cenuar zotërimin e njohurive».

Një sondazh i zhvilluar në dhjetor nga qendra kërkimore Rand konstatoi se gjithnjë e më shumë studentë po përdorin IA-në për detyrat e shkollës, ndërsa paralelisht po rriten edhe shqetësimet për ndikimin e saj. Dy të tretat e studentëve të anketuar ranë dakord me pohimin se «sa më shumë që studentët përdorin IA-në për detyrat e tyre shkollore, aq më shumë ajo do t’i dëmtojë aftësitë e tyre të të menduarit kritik».

Në Brown University, një komitet që studioi IA-në gjeneruese konstatoi se shumica e studentëve kanë përdorur modele të mëdha gjuhësore gjatë studimeve — dhe se njëkohësisht shqetësohen për ndikimin afatgjatë që kjo mund të ketë në mënyrën si mendojnë dhe mësojnë.

Studiuesit po përpiqen të kuptojnë një sjellje që tashmë po bëhet normë, tha Luca Cian, profesor në shkollën e biznesit të University of Virginia.

«Të gjithë studentët përdorin IA», tha Cian.

Studime më të hershme kanë treguar se njerëzit e mbajnë mend më dobët informacionin kur kanë qasje të gatshme tek ai përmes motorëve të kërkimit ose hartave GPS, tha ai. Sipas tij, modelet e mëdha gjuhësore janë ndoshta mekanizmat më të fuqishëm të shkarkimit kognitiv të krijuar ndonjëherë.

Një studim i këtij viti, i udhëhequr nga Grace Liu e Carnegie Mellon University, zbuloi se, vetëm pas disa minutash zgjidhjeje problemesh me ndihmën e IA-së, personat të cilëve më pas iu hoq qasja në IA performuan më dobët dhe u dorëzuan më shpejt sesa ata që nuk e kishin përdorur atë.

Një studim tjetër, i publikuar në vitin 2025, mati aktivitetin e trurit ndërsa studentët shkruanin ese në tri mënyra: krejtësisht vetë, me ndihmën e një motori kërkimi ose duke përdorur një model të madh gjuhësor. Studiuesit konstatuan lidhshmërinë më të fortë të trurit te studentët që e bënin punën vetë dhe më të dobëtën te ata që mbështeteshin te IA-ja. Pjesëmarrësit që përdorën një model të madh gjuhësor patën gjithashtu vështirësi të citonin pjesë nga eseja e tyre pasi e kishin përfunduar. Gjatë katër muajve, raportuan studiuesit, përdoruesit e IA-së vazhdimisht performuan më dobët në disa tregues.

Nataliya Kosmyna, shkencëtare kërkimore në MIT dhe autorja kryesore e studimit, tha se megjithëse nevojiten kërkime më afatgjata, është shumë shqetësuese që ndryshime të tilla janë bërë të dukshme në një periudhë kaq të shkurtër. Sipas saj, rezultatet po përputhen në matje të ndryshme, qoftë përmes skanimeve të trurit, pyetësorëve apo metodave të tjera të vlerësimit të të nxënit.

«Ekziston nevoja dhe urgjenca për të bërë më shumë studime të tilla.»

Sot ka shumë debate për IA-në dhe sigurinë, tha ajo.

«Po truri i fëmijëve tuaj?»

Në auditorë, ndryshimi shpesh është i prekshëm.

Shawna Dolansky, profesoreshë në Kolegjin e Shkencave Humane të Carleton University, u shqetësua kur studentët e saj të vitit të parë filluan të sillnin skica esesh që ngjanin me propozime disertacionesh. Ato ishin jashtëzakonisht të përpunuara, shpesh trajtonin tema që nuk ishin diskutuar në klasë dhe, në disa raste, përmbanin citime që nuk gjendeshin në librat e përmendur si burime.

Por kur ajo i pyeti studentët për idetë e paraqitura, ata nuk mund të përgjigjeshin. Dhe nuk bëhej fjalë për studentë të inxhinierisë që po përpiqeshin thjesht të kalonin një lëndë të detyrueshme të anglishtes. Ishin studentë të regjistruar në një program katërvjeçar të shkencave humane, të përqendruar te veprat klasike të programit «Great Books».

«Ky është një sistem që nuk funksionon», tha Dolansky.

Në University of California, Berkeley, Gireeja Ranade, profesoreshë në departamentin e inxhinierisë elektrike dhe shkencave kompjuterike, tha se u trishtua kur pa studentë që nuk arritën ta kalonin provimin përfundimtar në një lëndë të optimizimit dhe algjebrës lineare. Disa nga problemet në provim ishin thuajse të njëjta me ato që ata kishin zgjidhur gjatë gjithë semestrit si detyra shtëpie.

Në vitet e mëparshme, modelet e mëdha gjuhësore nuk ishin aq të avancuara sa t’i zgjidhnin problemet e kësaj lënde. Tani janë.

Disa studentë, tha Ranade, kërkonin sinqerisht vetëm një sugjerim të vogël për t’i ndihmuar me detyrat, por në praktikë përfundonin duke marrë shumë më tepër ndihmë sesa e kuptonin.

«Ndonjëherë ata ngatërrojnë leximin dhe kuptimin e një prove matematikore me aftësinë për ta bërë vetë atë provë», tha ajo.

Një nga pjesët thelbësore të të qenit student, shtoi ajo, është aftësia për t’u përballur me një problem, për të provuar zgjidhje të ndryshme dhe për të marrë përsipër rrezikun që mund të gabosh. Kur studentëve iu desh ta bënin këtë në provim, shumë prej tyre nuk mundën.

Dan Garcia, një tjetër profesor në këtë departament, tha se edhe ai u befasua nga numri rekord i studentëve që dështuan në provime pranverën e kaluar — aq i lartë sa gazeta e kampusit, Daily Californian, raportoi për këtë.

Në një lëndë hyrëse të shkencave kompjuterike për studentë që nuk e kishin këtë fushë si drejtim kryesor, Garcia tha se u trondit kur pa se më shumë se gjysma e studentëve, me sa dukej, kishin shkelur kodin e nderit të universitetit dhe kishin përdorur IA-në gjatë një provimi që zhvillohej në shtëpi.

Në një tjetër lëndë hyrëse për studentë që synonin të studionin shkenca kompjuterike si drejtim kryesor, ai u habit nga numri i studentëve që përdorën IA-në për projektet e shtëpisë dhe më pas morën rezultate të dobëta në provimin me prani fizike, me sa duket sepse nuk e kishin mësuar programimin e nevojshëm.

«Po shohim shumë studentë që marrin 100 për qind sepse kalojnë të gjitha rastet e testimit, por kur i pyet për kodin e tyre, nuk kanë asnjë ide dhe marrin zero ose një pikë nga katër» në provimin me gojë që iu shtua lëndës për të luftuar mbështetjen e tepruar te IA-ja, tha ai.

«Ata thjesht nuk e njohin kodin e tyre, sepse nuk e kanë shkruar vetë.»

Garcia, një pedagog i vlerësuar me çmime, tha se u befasua gjithashtu nga numri shumë i ulët i studentëve që ndiqnin ligjëratat ose shkonin në oraret e konsultimeve pranverën e kaluar.

Ai thotë se ka dëgjuar shqetësime të ngjashme nga pedagogë në vende të ndryshme të botës.

«Mendoj se kjo është një epidemi e konsiderueshme», tha ai, «dhe mendoj se pedagogë si unë duhet të reagojnë me shpejtësi».

Në shumë universitete, ky reagim tashmë ka nisur. Komitete, drejtues institucionesh dhe pedagogë po rivlerësojnë mënyrën si japin mësim, si i testojnë studentët dhe çfarë duhet të jetë në qendër të procesit të të nxënit.

Disa profesorë po reduktojnë ose heqin dorë nga përdorimi i teknologjisë dhe po rikthejnë provimet me gojë ose provimet e shkruara me dorë. Të tjerë po ndryshojnë raportin mes asaj që zhvillohet në klasë dhe asaj që u kërkohet studentëve të bëjnë jashtë saj. Disa po krijojnë mjete të IA-së që nuk u japin studentëve drejtpërdrejt përgjigjet, por i sfidojnë ata të arsyetojnë dhe të ushtrohen në zgjidhjen e problemeve. Të tjerë po rishikojnë programet mësimore.

«Ne si mësimdhënës duhet të mendojmë se si t’i strukturojmë orët në mënyrë që të ketë më shumë angazhim në klasë dhe duhet të mendojmë për motivimin, për atë që është e rëndësishme, me vlerë dhe interesante për studentët», tha Erik Voss, profesor asistent në Teachers College të Columbia University.

Dolansky ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si kishte dhënë mësim për 30 vjet dhe ndaloi së dhëni ese për t’u shkruar në shtëpi. Është e lehtë të kuptohet, tha ajo, pse një student mund të tundohet të mos harxhojë gjashtë orë për një detyrë që shoku i dhomës e përfundon brenda pak sekondash me IA.

Tani ajo u kërkon studentëve të shkruajnë në klasë dhe, në disa raste, të rishikojnë një detyrë të mëparshme.

Ajo i ka kthyer gjithashtu auditorët në mjedise pa teknologji: studentët duhet të sjellin kopje fizike të librave, të mbajnë shënime me dorë në fletore dhe t’i diskutojnë idetë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Ajo cakton më pak material për lexim, por kërkon që studentët të bëjnë shënime në margjinat e librave, në mënyrë që të angazhohen realisht me tekstin.

Sipas saj, ajo që po u mëson studentëve sot është edhe më e vlefshme në epokën e IA-së:

«Ja se si mendojnë njerëzit, ja se si ndiejnë njerëzit dhe kështu shprehen njerëzit.»/The Washington Post