Ballina Kultura QËNDRIMI KRITIK I INTELEKTUALIT NDAJ DUKURIVE TË SHËMTUARA NË SHOQËRI  

QËNDRIMI KRITIK I INTELEKTUALIT NDAJ DUKURIVE TË SHËMTUARA NË SHOQËRI  

Xhelal Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Libri më i ri i Daim Iliazit titullohet “Në vorbullën e kohës”. Është një titull simbolik dhe shumë domethënës. Autori është profesor, poet, diplomat, publicist. Libri me titullin e sipërthënë është vepra e dymbëdhjetë e autorit. Ai ka të botuara edhe shtatë vëllime poetike. Autori qysh në bankat e gjimnazit të qytetit rrëzë Sharrit, njihej si nxënës i dalluar, ekselent. Qysh si nxënës ishte shpirt rebel dhe antikonformist. Për të vërtetën dhe etiken nuk bënte kompromis. Dituritë i zgjeron dhe i thellon gjatë studimeve në Universitetin e Zagrebit, më prestigjiozi i rajonit. Studenti i ri, i sapo diplomuar kthehet që andej me si një erudit i vërtetë. 

“Në vorbullën e kohës” autori ka përfshirë një duzinë artikujsh, duke përfshirë edhe postimet e shkurtra në facebook. Daim Iliazi është një intelektual shumëdimensional,  poliedrik dhe i gjithanshëm. Atë e preokupojnë çështjet e përtashme, problemet aktuale të shoqërisë, përkatësisht të popullit tonë. Ai është ndër intelektualët e rrallë të hapësirave tona i cili nuk rri indiferent ndaj dukurive negative që e tmerrojnë këtë popull, ndaj padrejtësive që i shkaktohen atij, nga të huajt por edhe nga të vetët. Daimi është marrë me të gjitha periudhat kohore, si me të kaluarën, ashtu edhe me të ardhmen e botës shqiptare. Por, ai shquhet për trajtimin e problemeve të përtashme. Krijuesit artistikë të mëdhenj janë vlerësuar si të mëdhenj ngase në veprat e veta i kanë paraqitur problemet e kohës. Pasqyrues të kohëve të veta kanë qenë Dante Aligieri (Dante Alighieri), babai i tragjedisë moderne Shekspiri, autori i Don Kishotit Miguel de Servantes, komediografi Molieri. Balzaku dhe Dostojevski s’do ishin këta që janë, pa qenë pasqyrues të kohëve të tyre. Aktualitetin e shtjelluan artistikisht edhe Xhojsi, Kafka, Migjeni, Beketi, Markezi. Në një pjesë të shkrimeve të veta Kadareja trajton çështjet e kohës së vet. 

Po kështu edhe autori i librit “Në vorbullën e kohës” – Daim Iliazi. Ai trajton me kompetencë dhe në mënyrë profesionale, probleme politike, ekonomike, sociale, kulturore, etike. Prek sidomos problemet në lëmin e arsimit, në fushën e shëndetësisë, në sferën e infrastrukturës. Temat i analizon në mënyrë kritike. Ndaj fenomeneve të liga të shoqërisë, ai nuk është indiferent, nuk mbyllet në kullën e fildishtë. Ai e denigron oportunizmin dhe i stigmatizon mbartësit e të keqes në shoqërinë tonë. Autori është sypetrit, i vëren shtrembësirat, i heton dhe i pikas. I kërkon dhe i konstaton abuzuesit e detyrimeve. Daimi është kundër konformizmit dhe poltronëve, është kundërshtar i rreptë i mendësisë provinciale. Në shkrimet e veta ai kërkon ndryshime. Ka besim te të rinjtë. Të rinjtë janë shpresa e tij dhe e mbarë shoqërisë shqiptare. Në opinionet e veta, ky intelektual i pavarur dhe i paanshëm të përkujton Faik Konicën të cilin poeti francez Gijom Apolineri e quajti “enciklopedia që ecën”. Autori i revistës “Albania” ngecjen e bashkëkombësve të vet e kishte brengë të rëndë. Edhe autori i librit “Në vorbullën e kohës” devijimin e bashkëqytetarëve apo të bashkëkombësve të vet e përjeton rëndë. Ai kërkon t’i jepet fund korrupsionit në shoqëri, t’u jepet fund shpërdorimeve financiare. Kërkon përgjegjësi nga mbartësit e funksioneve politike, përgjegjësi nga njerëzit në pozita, nga ata që e përfaqësojnë këtë popull. Daimi kërkon zgjimin e inteligjencies shqiptare nga gjumi në të cilin është katandisur. Kërkon përgjegjësi prej atyre që janë përgjegjës për rënien e cilësisë në arsim. Në vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve të moshës pesëmbëdhjetëvjeçare, Maqedonia e Veriut renditet ndër të fundit në botë. Ai është brengosur se për këtë dështim, vite me radhë askush nuk mban përgjegjësi. 

Qëndrimet dhe idetë e Daim Iliazit janë humane. Me idetë e veta, ai mbron njeriun, të drejtën e tij për të jetuar, për të punuar, për të krijuar, për t’u përsosur. Autori i këtij libri është kundër dyndjes së popullsisë, kundër zbrazjes së trojeve tona, kundër ikjes së trurit drejt vendeve perëndimore. Shkrimet e tij karakterizohen nga qëndrime racionale apo të arsyeshme. Ai është për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar, kudo në rajon. Ai është për paqe, për drejtësi dhe për barazi midis popujve. Sipas tij, konfliktet midis njerëzve apo etniteteve nuk shpijnë para. Në librin “Në vorbullën e kohës” Daimi na shfaqet si zëri i kohës në të cilën jetojmë, mu si Gjergj Fishta dikur. 

Sipas këtij ndërtuesi të opinioneve, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë kujdes që kauza e tyre të mos përplaset midis scilës dhe haribdës. Të drejtat e tyre të mos maten në shtratin e Prokrustit.        

Në artikujt e përfshirë në këtë libër, Profesor Daim Iliazi kërkon prej shqiptarëve në gadishull, të veprojnë për ndërtimin e shteteve ligjore, shteteve të së drejtës. Autori i këtij libri kërkon prej politikanëve dhe prej intelektualëve që të punojnë pa reshtur për zhvillimin e proceseve demokratike. Daimi është për një Kosovë të lirë, demokratike, të pavarur, të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në familjen evropiane. Problemet i analizon edhe në pikëpamje sociologjike, filozofike dhe morale. atyre u qaset sipas parimeve kantiane. Ai kërkon prej bashkëkombësve të vet që t’i thonë Mefistofelit, sikundër i tha Fausti: “Mefisto, për ty mbase do të kisha bërë diçka, por shpirtin kurrë s’ta fali, për asnjë çmim”. 

Video bonus

Fan Nolin poliglot e çmonte lartë ngase shumë vepra të autorëve të huaj i solli në gjuhën shqipe. Daimi kërkon prej institucioneve arsimore dhe shkencore më të larta të kombit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, që në këto kryqëzime gjeopolitike të jenë në krye të detares. Mesazhet e Daimit poet, kanë vlera universale. Duket sikur ndodhemi në një kohë pa kohë. Kjo na përkujton “Përplasjen e qytetërimeve” (Clash of Civilizations, 1996) të politologut amerikan Semjuel P. Hantington (Samuel Huntington) si dhe veprën “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” (The End of History and the Last Man, 1992) të politologut amerikan Francis Fukujama (Francis Fukuyama).

Në shkrimet e tij, Daim Iliazi u sugjeron bashkëkombësve të vet që ta forcojnë ndërgjegjen kombëtar, ta luftojnë të keqen brenda vetes dhe ta njohin vetveten – Gnothi seauton!