Presidenti Xi Jinping mbërrin të mërkurën për një samit të shkurtër, ndërsa Uashingtoni dhe Pekini përpiqen të ruajnë armëpushimin tregtar.
Nga Cate Cadell, John Hudson dhe Michael Birnbaum
Presidenti Donald Trump do të takohet këtë javë me udhëheqësin kinez Xi Jinping në një samit të koreografuar me kujdes, që synon të ruajë armëpushimin e brishtë mes dy superfuqive.
Në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme vazhdon dhe perspektiva për zgjedhjet e mesmandatit mbetet e zymtë, vizita shtetërore treditore i ofron Trumpit, gjithnjë e më të përqendruar te trashëgimia e tij politike, diçka ndryshe: një skenë të pastër ceremoniale dhe spektakli.
Në një veprim të pazakontë, Trump pritet ta presë Xi-në të mërkurën drejtpërdrejt në pistën e Bazës së Përbashkët Andrews në Maryland, në një ceremoni mbërritjeje që do t’i paraprijë një samiti të shkurtër, por të organizuar me pompozitet.
Të dy udhëheqësit duket se synojnë më shumë spektakël dhe stabilitet sesa rezultate të mëdha konkrete, ndërsa çështjet themelore që ushqejnë rivalitetin afatgjatë mes SHBA-së dhe Kinës mbeten larg zgjidhjes.
“Do të flasim për shumë gjëra, do të jetë një takim i shkëlqyer. … Kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, u tha Trump gazetarëve të martën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Ai foli edhe për darkën e ardhshme shtetërore dhe shprehu keqardhje që salla e re e ballove që po ndërton nuk do të jetë gati për vizitën e udhëheqësit kinez.
“Të gjithë duan të jenë atje … Do të doja ta kishim sallën e ballove; po ta kishim, mund të prisnim 2.000 njerëz”, tha Trump.
Pritja e Xi-së në pistën e aeroportit është një gjest veçanërisht i pazakontë. Sipas protokollit të rreptë kinez, Xi, që kur është president, nuk ka shkuar asnjëherë në aeroport për të pritur një homolog të huaj. As Trump nuk ka udhëtuar më parë në Bazën e Përbashkët Andrews për të pritur një udhëheqës të huaj. Megjithatë, vitin e kaluar ai e priti presidentin rus Vladimir Putin në një bazë ushtarake amerikane në Alaskë, përpara se të dy të udhëtonin së bashku me limuzinën presidenciale drejt vendit ku do të zhvilloheshin bisedimet.
“Nëse ky samit ka të bëjë me diçka, atëherë ka të bëjë me imazhin”, tha Evan Medeiros, profesor i studimeve aziatike në Universitetin Georgetown.
“Ata duan të fitojnë kohë për të zvogëluar cenueshmëritë dhe për të forcuar fuqinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Të dy udhëheqësit e duan këtë samit edhe për arsye thellësisht politike: prestigj dhe afirmim”, shtoi ai.
Të enjten, Trump do të kryesojë një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë me pjesëmarrjen e afro 480 pjesëtarëve të forcave të armatosura. Do të interpretohen himnet kombëtare të Kinës dhe të Shteteve të Bashkuara, nën flamujt përkatës, ndërsa ceremonia do të shoqërohet edhe me një fluturim demonstrues të një bombarduesi B-2 Spirit dhe katër avionëve luftarakë F-22 Raptor.
Mbetet e paqartë se sa gjerësisht do të transmetohet ky spektakël në televizionet amerikane, pasi rrjetet kryesore të SHBA-së kanë njoftuar se do ta kufizojnë mbulimin e aktiviteteve presidenciale pas vendimit të Trumpit për t’ua ndaluar gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico hyrjen në Shtëpinë e Bardhë.
Të hënën, gjatë prezantimit të platformës së re për helikopterët në Shtëpinë e Bardhë — një projekt që ishte përshpejtuar përpara vizitës së Xi-së — mungesa e një reporteri të përbashkët të rrjeteve televizive bëri që regjistrimet e deklaratave të Trumpit të dëgjoheshin dobët për shkak të zhurmës së helikopterëve.
Pas takimit dypalësh të së enjtes, Trump do të shtrojë një darkë shtetërore për Xi-në. Në të do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe disa nga figurat më të njohura të biznesit amerikan, përfshirë Jeff Bezos, Elon Musk, Sundar Pichai, Michael Dell, Jensen Huang, Sam Altman, Jane Fraser dhe Tim Cook. Bezos, kryetar ekzekutiv i Amazon, është pronar i The Washington Post.
Ende nuk dihet se kush do ta shoqërojë Xi-në në Uashington. Një zyrtar kinez i tha The Post të premten se përbërja e delegacionit të drejtuesve të biznesit kinez ende nuk ishte përfunduar.
Pritja madhështore që Trump po përgatit ka rëndësi të madhe edhe për imazhin politik të Xi-së. Udhëheqësi kinez po përpiqet të forcojë trashëgiminë e tij si njeriu që i bëri ballë Uashingtonit gjatë përplasjes tarifore të vitit të kaluar.
“Ai dëshiron të tregojë se është i barabartë me Trumpin dhe se Kina është e barabartë me Shtetet e Bashkuara, se ka mbërritur në statusin e superfuqisë së dytë”, tha Jon Czin, studiues në Institutin Brookings dhe ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës Biden.
Pamja e një marrëdhënieje të favorshme me Uashingtonin është veçanërisht e rëndësishme për Xi-në, 73 vjeç, teksa hyn në një periudhë politike shumë të ndjeshme që do të kulmojë me Kongresin e 21-të të Partisë Komuniste në fund të vitit të ardhshëm. Atje pritet të marrë një mandat të katërt, që do t’i siguronte edhe pesë vjet të tjera në pushtet.
Gjatë vitit të fundit, Xi ka spastruar nivelet më të larta të qeverisë dhe ushtrisë, në përpjekje për të forcuar besnikërinë ndaj tij, ndërsa njëkohësisht Pekini ka promovuar gjithnjë e më fort diplomacinë kineze jashtë vendit si kundërpeshë ndaj një administrate Trump të paparashikueshme.
Trump dhe Xi kanë zhvilluar një seri takimesh të profilit të lartë që kur arritën një armëpushim ekonomik vitin e kaluar në Busan të Koresë së Jugut. Marrëveshja i dha fund një përplasjeje të ashpër tregtare, gjatë së cilës tarifat amerikane ndaj mallrave kineze arritën deri në 145 për qind, ndërsa Pekini u përpoq të kufizonte furnizimin e SHBA-së me minerale të rralla.
Me mundësinë që këtë vit të zhvillohen edhe dy takime të tjera, diplomacia intensive në nivel udhëheqësish ka ndihmuar në zbutjen e mbështetjes së hapur amerikane për Tajvanin, në kufizimin e pasojave nga mbështetja kineze për Iranin dhe i ka mundësuar Pekinit të zgjerojë në heshtje praninë e tij ushtarake në Indo-Paqësor, me pak pasoja publike.
Në krye të agjendës së samitit të së enjtes është mundësia e zgjatjes së armëpushimit tregtar njëvjeçar, që skadon në nëntor. Zgjatja do të ruante kufizimet mbi tarifat dhe kontrollet amerikane të eksporteve, si dhe do të formalizonte qasjen e SHBA-së në mineralet kritike kineze.
Trump dhe Xi pritet gjithashtu të diskutojnë licencimin e gjysmëpërçuesve, rregullat për kontrollet e eksporteve dhe inteligjencën artificiale, thanë zyrtarë të lartë amerikanë përpara samitit.
Megjithatë, analistët dhe zyrtarët amerikanë e kinezë paralajmërojnë se pritshmëritë për përparime të mëdha në çështjet që përcaktojnë rivalitetin mes dy vendeve mbeten të ulëta.
Dy zyrtarë amerikanë, një zyrtar kinez dhe një diplomat aziatik të njohur me përgatitjet e samitit përshkruan një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër përgatitore. Sipas tyre, agjenda amerikane është drejtuar kryesisht nga sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe ekipi i tij, e jo nga Departamenti i Shtetit ose Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Ata thanë gjithashtu se ka pak konsensus për çështjet më të rëndësishme, por një dëshirë të fortë nga të dyja palët që takimi të zhvillohet dhe të ketë profil të lartë.
“Pala kineze është bërë pa dyshim më e mësuar [që nga takimi i majit në Pekin] me stilin e administratës Trump … dhe me përgatitjet në çastin e fundit”, tha diplomati aziatik, i cili ishte informuar për diskutimet kineze.
“Ekziston një kuptim më i mirë se ai do ta trajtojë Xi-në me respekt.”
Zyrtarët amerikanë dhe të huaj folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së përgatitjeve të samitit.
Trump ka folur shpesh me tone lavdëruese për Xi-në dhe ka shprehur admirim për ceremonitë madhështore dhe paradat ushtarake të Pekinit.
“Isha në Kinë dy muaj më parë dhe pamë Sallën e Madhe të Kinës. Epo, tani edhe ne do të kemi një sallë të madhe”, tha Trump në gusht, duke iu referuar projektit të tij për sallën e ballove.
Madhështia e arkitekturës së kontrolluar rreptësisht nga Partia Komuniste e Kinës është kthyer në një pikë të veçantë interesi për Trumpin, përpjekjet e të cilit për të ngritur struktura të ngjashme monumentale në Uashington janë penguar vazhdimisht nga vonesat.
“Trump sheh te Xi llojin e pushtetit për t’i realizuar gjërat brenda vendit që ai vetë do të dëshironte ta kishte dhe po bëhet gjithnjë e më i irrituar nga … gjykatat që i pengojnë projektet e tij të ndërtimit dhe pjesë të tjera të agjendës së brendshme”, tha Neil Thomas, studiues i lartë në Asia Society Policy Institute në Uashington.
“Për Xi-në është e rëndësishme që të marrë trajtimin e plotë të një vizite shtetërore, në mënyrë që udhëtimi në SHBA t’ia vlejë dhe, mbi të gjitha, që të mos vihet në një pozitë të sikletshme”, shtoi Thomas./WP















