Ballina Bota “Maroku nuk është aspak një ferr, e megjithatë…”: Mësimet e krizës së...

“Maroku nuk është aspak një ferr, e megjithatë…”: Mësimet e krizës së Ceutës sipas Stephen Smith

Që prej valës së rreth 70.000 migrantëve që u dyndën drejt Ceutës në fund të korrikut, enklava spanjolle nuk është larguar më nga vëmendja e mediave. Atje, banorët po protestojnë — herë pas here edhe në mënyrë të dhunshme — kundër pranisë së mijëra migrantëve të paligjshëm që kanë mbetur në këta 18,5 kilometra katrorë territor evropian në tokën marokene, mes tyre edhe 1.200 të mitur të pashoqëruar.

Në Madrid, menaxhimi i krizës së migracionit ka shkaktuar një krizë politike. Këtyre pasojave u shtohen edhe teori shpërqendruese: Hipoteza për një “Marshim të Gjelbër” të dytë, të organizuar nga Mohammed VI për të rimarrë territorin spanjoll, apo hamendësimet për një manovër të fshehtë të Donald Trumpit dhe Benjamin Netanyahut, që synon t’i lajë hesapet me Spanjën e Pedro Sánchezit duke përdorur Marokun si ndërmjetës.

Si pasojë, tronditja e vërtetë — zbulimi se një numër i madh të rinjsh marokenë janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u larguar nga mbretëria dhe për të ardhur në Evropë — po kalon në plan të dytë. Por pikërisht kjo duhet të na zgjojë.

Sigurisht, është e ligjshme të ngrihen pyetje. Për shembull: A mos vallë Gjykata e Lartë në Madrid, duke vendosur se një i huaj që ka hyrë në Spanjë pa kapërcyer apo dëmtuar një pengesë fizike nuk mund të dëbohet menjëherë, u ka dërguar në mënyrë të tërthortë një sinjal atyre që përpiqen të kalojnë kufirin me not?

Ose: A ka funksionuar apo ka dështuar, varësisht nga këndvështrimi, shteti policor që është Maroku — një përkufizim që askush nuk e përdor kur ai ruan kufijtë në emër të Evropës — me qëllim që ta dekurajojë Spanjën nga afrimi me Algjerinë, armikun e betuar të mbretërisë, apo për t’i bërë presion Evropës, e cila është kaq e varur nga ky limes, ky brez kufitar i ngritur përreth saj për të frenuar migrantët, “barbarët” e rinj?

Por të pretendosh se këta të fundit ndodhen tashmë brenda “kështjellës Evropë” — një shprehje e trashëguar nga propaganda naziste — vetëm sepse kanë mbërritur në një enklavë të vendosur në kontinentin afrikan, është absurde.

Po aq e gabuar është të paraqitet kjo enklavë si një version real i Le Camp des Saints (“Kampi i Shenjtorëve”), romanit të Jean Raspail-it që e djathta ekstreme e valëvit si një kryq për të larguar fantazmën e “pushtimit”.

Publicitet

Kulmi i absurditetit është t’ua atribuosh përgjegjësinë për këtë dyndje “rrjeteve të trafikantëve”, kriminelë që supozohet se janë aq të organizuar sa arrijnë të marrin pjesën e tyre madje edhe nga shitja e kamerdareve dhe rrobave të banjës…

Fuqia blerëse pesë herë më e lartë

Atëherë, pse dhjetëra mijëra marokenë, sapo morën vesh se ekzistonte një mundësi për të kaluar kufirin, lanë gjithçka pas, disa prej tyre duke u larguar me nxitim edhe nga vendi i punës apo nga pushimet me familjen?

Edhe pse ish-sulltanati u riformësua gjatë periudhës së Protektoratit francez, veçanërisht nga marshalli Lyautey, një kolonizator i bindur, Maroku nuk është një krijim artificial i historisë. Ai mbështetet mbi një vazhdimësi shumëshekullore dhe ka një identitet të fuqishëm.

Nuk është as një vend në luftë dhe as një “ferr”.

Pavarësisht përvetësimit të pasurive nga oborri mbretëror dhe njerëzit e lidhur me të, përparimi afatgjatë është real. Ndërkohë që popullsia e Marokut është katërfishuar që prej pavarësisë në vitin 1956, shkalla e varfërisë, sipas matjeve të Bankës Botërore, ka rënë nga mbi 60 për qind në më pak se 7 për qind — rreth 3 për qind në qytete dhe 13 për qind në zonat rurale.

Pikërisht për këtë arsye, dy vjet më parë Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD, e kaloi Marokun nga kategoria e vendeve me “zhvillim njerëzor mesatar” në atë të vendeve me “zhvillim njerëzor të lartë”.

Që nga viti 2000, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është më shumë se dyfishuar dhe tashmë, i matur sipas barazisë së fuqisë blerëse, tejkalon 12.000 dollarë.

Por problemi është ky: Fuqia blerëse në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë pesë herë më e lartë se në Marok, ku gjysma e të rinjve nën moshën 25-vjeçare janë të papunë.

Kësaj i shtohet edhe një faktor vendimtar në një botë ku aspiratat dhe ëndrrat përhapen në mënyrë virale: Askush nuk dëshiron të mbetet figurant në një film të dorës së dytë, kur e imagjinon veten si yll të një superprodhimi përtej kufijve.

Nisur nga kjo, do të mund të pritej që Evropa më në fund të pyeste veten se si duhet të bashkëjetojë me fqinjët e saj që ndodhen në një fazë të ndërmjetme të zhvillimit ekonomik: Ende tepër të varfër për t’i rezistuar tërheqjes së Evropës, por tashmë mjaftueshëm të pasur për të pasur mundësitë që të arrijnë deri tek ajo.

Sidomos sepse numri i këtyre fqinjëve do të rritet gjithnjë e më shumë.

Pas “paradhomës” së Magrebit, me rreth 100 milionë banorë, shtrihet një “sallë pritjeje” trembëdhjetë herë më e populluar: Afrika Sub-Sahariane, e cila pas 25 vjetësh do të ketë rreth 2,2 miliardë banorë.

Nëse nuk bëjmë bastin absurd se kjo pjesë e kontinentit nuk do të arrijë kurrë nivelin e sotëm të Afrikës së Veriut, atëherë Ceuta na jep një pamje paraprake të presionit migrator që do të vijë — ose, parë nga ana tjetër e Mesdheut, të aspiratës për një jetë më të mirë dhe për lumturi.

Stephen Smith është profesor emeritus i studimeve afrikane në Universitetin Duke, në Shtetet e Bashkuara, eseist dhe ish-gazetar./L’Express.fr