Ballina IA Pas Mistral-it, fuqizimi i EQT-së, financuesit të ri të preferuar të teknologjisë...

Pas Mistral-it, fuqizimi i EQT-së, financuesit të ri të preferuar të teknologjisë evropiane

Natyrisht, Samsung mori gjithë vëmendjen. Edhe pse shuma e pjesëmarrjes së tij mbetet konfidenciale, gjiganti koreano-jugor është investitori kryesor në raundin e fundit rekord të financimit të kampionit francez Mistral AI, prej tre miliardë eurosh, i bërë publik të martën, më 8 shtator.

Përtej interesave financiare, ky afrim përfaqëson edhe afrimin e dy shteteve, Francës dhe Koresë së Jugut, të cilat janë në kërkim të një rruge të tretë në fushën e inteligjencës artificiale, sektor i dominuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Një simbolikë e madhe, e cila la disi në hije një tjetër aktor kyç të operacionit: EQT-në.

Shoqëria suedeze e kapitalit privat (private equity) administron fondin e ri “Scaleup Europe Fund”. Kjo nismë e Bashkimit Evropian synon kompanitë teknologjike të kontinentit – inteligjencën artificiale, teknologjitë kuantike, robotikën, mbrojtjen e të tjera – që kanë arritur në një fazë zhvillimi në të cilën duhet të kalojnë në një shkallë shumë më të madhe.

Shpesh, kjo kërkon një investim prej më shumë se 100 milionë eurosh, një prag që prej kohësh përbën një lloj “tavani prej xhami” për sipërmarrësit evropianë.

Për shkak të mungesës së këtij financimi, “Evropa prodhon po aq start-up-e sa Shtetet e Bashkuara, por 80 për qind më pak kompani scale-up dhe 85 për qind më pak kompani ‘unicorn’”, thekson një analizë e Institutit Jacques Delors, e publikuar këtë vit.

Për kompanitë më të mira, alternativa deri tani ishte t’u drejtoheshin fondeve amerikane. Por Donald Trump e ka trazuar disi këtë situatë. Për arsye të sovranitetit ekonomik dhe teknologjik, shumë kompani të reja evropiane tani preferojnë kapitalin evropian.

Pikërisht këtu hyn në lojë kapitali i EQT-së. Në marrëveshjen me Mistral-in, grupi suedez, përmes Scaleup Fund, renditet menjëherë pas Samsung-ut, me një pjesëmarrje që me shumë gjasë arrin në qindra milionë euro.

Publicitet

Dhe ky është vetëm një tjetër investim i madh i realizuar brenda pak javësh.

Pas kompanisë finlandezo-polake Iceye, një prej liderëve në satelitët e inteligjencës dhe zbulimit, ku investoi në qershor, EQT vuri bast gjatë verës edhe mbi kompaninë suedeze të “vibe coding” Lovable, ndërsa në fillim të shtatorit investoi në The Exploration Company, kompaninë franko-gjermane të specializuar në teknologjinë hapësinore.

Brukseli e mbikëqyr skemën, por EQT i zgjedh përfituesit “në mënyrë plotësisht të pavarur”.

Fondi tashmë ka një vlerë prej pesë miliardë eurosh, të përbërë nga fonde publike dhe kapital privat. Komisioni Evropian synon që në të ardhmen kjo shumë të arrijë në 25 miliardë euro.

300 miliardë euro aktive nën administrim

Një shumë e tillë kolosale nuk e tremb aspak grupin suedez.

E themeluar në vitin 1994, EQT lindi nga Investor AB, kompania holding e familjes jashtëzakonisht të pasur Wallenberg, e cila është edhe krijuese e bankës SEB.

“Filozofia e saj është të blejë kompani të palistuara në bursë, me synimin për t’i transformuar”, shpjegon Catherine Karyotis, profesoreshë e financave në Neoma Business School.

“EQT njihet për aftësinë e saj për t’i ndihmuar kompanitë në politikat e tyre industriale.”

Një nga blerjet e fundit të grupit ishte kompania e inspektimit dhe certifikimit Intertek, për jo më pak se 12 miliardë euro.

Por historikisht EQT është dalluar edhe në sektorë të tjerë, si shëndetësia, telekomunikacioni dhe transporti.

E listuar në Nasdaq të Stokholmit, kompania administron rreth 300 miliardë euro aktive alternative. Në Evropë vështirë se gjendet një tjetër kompani që mund ta tejkalojë në këtë fushë.

Për të gjetur konkurrentë të krahasueshëm në sektorin e saj, duhet parë më shumë drejt gjigantëve amerikanë Blackstone dhe KKR.

Kjo fuqi financiare shpjegon, me shumë gjasë, edhe përse EQT u preferua ndaj fondit britanik të kapitalit sipërmarrës Atomico dhe kompanisë franceze të administrimit të aseteve Eurazeo, të cilat në letër mund të duken edhe më të orientuara drejt teknologjisë, për administrimin e fondit të ri evropian.

Megjithatë, EQT ka argumentet e veta të forta.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, grupi është hapur gjithnjë e më shumë edhe ndaj botës së kapitalit sipërmarrës – venture capital.

Për të, kjo është një veprimtari krejtësisht tjetër.

Në vend që të blejë të gjithë një kompani, shpesh duke përdorur borxh, këtu bëhet fjalë për marrjen e një pjesëmarrjeje minoritare në një kompani që ende humbet para, duke vënë bast mbi rritjen e saj të ardhshme. Pra, mbi një start-up.

Investimi rikthehet vetëm kur aksionet shiten ose kur kompania hyn në bursë – rrugë që, për shembull, po ndjek edhe Mistral.

“Pra, kjo përbën një formë vazhdimësie për EQT-në”, konfirmon Antoine Moyroud, investitor në Lightspeed, i cili më parë ka punuar te gjiganti suedez. Ai përmend raundet e mëdha të financimit që EQT ka udhëhequr gjatë viteve të fundit në kompani si Verkor apo Vinted.

Ky transformim është përshpejtuar edhe më shumë me zhvillimin e infrastrukturës për inteligjencën artificiale, ku grupi po angazhon shuma të konsiderueshme, duke ndjekur shembullin e Blackstone-it, i cili është bërë një nga zhvilluesit më të mëdhenj të qendrave të të dhënave në botë.

Të gjitha këto elemente duhet ta kenë bindur edhe më shumë Bashkimin Evropian se EQT ishte zgjedhja e duhur.

Modeli suedez

Për EQT-në, ky diversifikim drejt teknologjive të reja dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale tashmë po jep rezultate.

Në një analizë të datës 13 gusht, kompania financiare Oddo BHF e cilëson këtë si “një avantazh thelbësor konkurrues”, që i mundëson EQT-së të mbledhë gjithnjë e më shumë kapital nga investitorët institucionalë dhe, rrjedhimisht, të financojë blerje të reja ose investime të mëdha në start-up-e.

Drejtori i përgjithshëm i saj, Per Franzén, thotë se kompania mund të angazhojë deri në 250 miliardë euro në Evropë, me kusht që kontinenti të heqë pengesat rregullatore të evidentuara në raportin Draghi.

“EQT është bërë kompani globale sepse jemi evropianë, jo pavarësisht se jemi evropianë”, shkruan Franzén në një ese të shkurtër të publikuar në faqen e kompanisë.

Sipas Antoine Moyroud, ky evropianizëm është i sinqertë:

“Është një grup me vlera. Dhe ka këtë ADN suedeze, ku në biznes ekziston dëshira për të bërë mirë dhe jo vetëm për të kërkuar rritje të efikasitetit. Madje, një prej sloganeve të brendshme ishte doing good is good business – ‘të bësh mirë është biznes i mirë’.”

Në fund të fundit, nuk është për t’u habitur që financuesi i ri i fuqishëm i teknologjisë evropiane vjen pikërisht nga Suedia.

Ky vend prej kohësh konsiderohet një nga shembujt më të suksesshëm të Kontinentit të Vjetër në fushën e teknologjisë, me kompani të lindura atje si gjiganti i transmetimit muzikor Spotify, kompania e pagesave Klarna dhe pionieri i videothirrjeve Skype.

Suedia gjithashtu ka një nga raportet më të larta të kompanive “unicorn” për frymë.

“Pas reformave të viteve 1990, Suedia u bë një nga liderët evropianë në patentat, kërkimin dhe zhvillimin dhe në thellësinë e tregjeve të kapitalit”, thekson Per Franzén.

Ai vë në dukje gjithashtu se kursimet për pension në Suedi investohen në aksione “shumë më tepër sesa në shumicën e vendeve anëtare” të Bashkimit Evropian.

Sipas tij:

“Evropa nuk ka nevojë të kopjojë Shtetet e Bashkuara për të pasur sukses.”

Ndoshta mjafton të kopjojë Suedinë?/L’Express