Ballina Aktualitet Trupi gjykues: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së |LIVE

Trupi gjykues: Nuk kishte krime kundër njerëzimit nga udhëheqësit e UÇK-së |LIVE

(Plotësuar) Kryetari i trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në hagë, Charles Smith ka thënë se trupi gjykues ka konstatuar se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër udhëheqësit e UÇK-së.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë Smith.

Ai ka thënë po ashtu se trupi gjykues tha se nuk është bindur se personat e shënjestruar mund të cilësohen si “popullatë civile” – një element që lidhet me akuzat për krime kundër njerëzimit.

Smith: Çështja nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për Kosovën e pavarur

Kryetari i Trupit Gjykues në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Charles Smith, ka thënë se procesi gjyqësor në Hagë lidhet vetëm me faktet dhe rrethanat që kanë të bëjnë me akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në fjalën hapëse, Smith ka theksuar se çështja nuk ka të bëjë me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me veprimet dhe sjelljen e të akuzuarve, zotit Thaçi, zotit Veseli, zotit Selimi dhe zotit Krasniqi, sikurse e paraqitën në aktakuzë. Çështja ka të bëjë vetëm me faktet dhe rrethanat që lidhen me akuzat kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore. Kjo çështje gjyqësore nuk ka të bëjë me legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur”, ka theksuar Smith.

Publicitet

Ai ka thënë se procesi nuk ka të bëjë as me vlerësimin e përgjegjësive të njërës palë ndaj tjetrës, apo me krimet e kryera nga forcat dhe paraushtarakët serbë kundër shqiptarëve të Kosovës.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me pyetjet se a janë kryer krimet e pretenduara në aktakuzë dhe a mund të mbahen penalisht përgjegjës të akuzuarit për ato. Më konkretisht, për krimet që pretendohet se janë kryer kundër serbëve, romëve dhe në veçanti kundër shqiptarëve të Kosovës nga disa anëtarë të UÇK-së dhe nga vetë të akuzuarit”, ka theksuar Smith.

Sipas tij, lidhur me këtë aspekt, përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm personale.

“Ky parim mishërohet në kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara. Ai i jep juridiksion kësaj gjykate vetëm mbi persona fizikë. Rrjedhimisht, Dhomat e Specializuara përballen me përgjegjësi penale persona vetëm për krimet që ata i kanë kryer individualisht. Në këtë çështje gjyqësore akuzat e paraqitura nga Prokurori i Specializuar kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve. Gjatë marrjes së vendimit në lidhje me këtë aspekt, trupi gjykues u udhëhoq nga parimi se roli i tij është të vërtetojë provat për të përcaktuar të vërtetën dhe për të siguruar që drejtësia të vihet në vend. Siç ka thënë burri i shtetit dhe kryeministri britanik Benjamin Disraeli: ‘Drejtësia është e vërteta në veprim’”, ka theksuar tutje Smith.

Ai ka thënë se ishte përgjegjësi e trupit gjykues ta kryejë këtë gjykim duke respektuar dhe duke u përputhur parimeve të procesit ligjor të rregullt, zbatimit të standardit të vërtetimit jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe të mos-shpalljes fajtor të kërkujt pa qenë i bindur jashtë dyshimit të arsyeshëm për fajësinë e personit.

“Ky trup gjykues gjatë këtyre tre viteve e gjysmë ka qenë i përkushtuar për respektimin e këtyre parimeve”, ka nënvizuar Smith në fjalën e tij hapëse.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, me seli në Hagë, sot do ta shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Seanca në Hagë do të nisë në orën 10:00, ndërsa në Kosovë transmetimi i deklarimit në sallën e gjyqit do të bëhet me 10 minuta vonesë. Sipas njoftimit të Speciales, seanca pritet të zgjasë rreth dy orë.

Nga Qeveria e Kosovës, në Hagë për ta përcjellë seancën pritet të jenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Aktgjykimi do të shpallet pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth gjashtë vjet. Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria pretendon se ata kishin autoritet të mjaftueshëm për të marrë pjesë në një plan të përbashkët kriminal. Në anën tjetër, mbrojtja argumenton se UÇK-ja ishte një forcë guerile e decentralizuar dhe se pushteti real shpesh ishte në nivel lokal.

Pritja për aktgjykimin ka nisur që dje edhe në Prishtinë. Qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë kaluar natën për ta pritur vendimin e sotëm, i cili pritet të jetë një vendim tejet i rëndësishme për vendin.

Edhe qytetarët që kanë ardhur në Hagë kanë nisur të mblidhen për të ndjekur në ambient të hapur shpalljen e aktgjykimit të Gjykatës Speciale.