Katër persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në landin Brandenburg të Gjermanisë, pasi një automobil u përplas ballë për ballë me tre motoçikleta të vogla gjatë një manovre parakalimi.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, 7 tetor, rreth orës 19:40, pranë qytetit Biesenthal, në qarkun Barnim, njoftoi policia gjermane.
Sipas informacioneve të policisë, drejtuesi i automobilit po përpiqej të parakalonte disa automjete kur në drejtim të kundërt po lëviznin katër motoçikleta të vogla. Gjatë manovrës, makina u përplas ballë për ballë me tri prej tyre dhe më pas mori flakë.
Si pasojë e përplasjes së fuqishme, tre drejtuesit e motoçikletave dhe një pasagjere pësuan lëndime fatale. Të katër viktimat ndërruan jetë në vendin e aksidentit.
Drejtuesi i motoçikletës së katërt arriti t’i shmangej përplasjes dhe shpëtoi pa lëndime.
Ndërkohë, drejtuesi i automobilit mbeti i plagosur dhe u transportua në spital për trajtim mjekësor.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit, policia dhe specialistët e mbështetjes psikologjike, të cilët po u ofrojnë ndihmë familjarëve të viktimave, disa prej të cilëve kishin shkuar në vendin e tragjedisë, si dhe pjesëtarëve të ekipeve të emergjencës.
Rruga rajonale L200 u mbyll plotësisht për të mundësuar ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit dhe hetimin e rrethanave të aksidentit.
Një zëdhënës i policisë bëri të ditur se identifikimi i katër viktimave ishte ende në proces./Der Tagesspiegel















