Klodiana Spahiu dhe Taulant Balla janë dy politikanët e parë me të cilët u përballëm, duke denoncuar plagjiaturën e punimeve të tyre, artikullin shkencor të njërit dhe doktoraturën e tjetrit. Mirëpo sicc e kemi cekur edhe më herët, lista e politikanëve të Paarlamentit të cilët kanë bërë punime plagjiaturë, është shumë e gjatë. Një prej tyre është edhe nën/kryetarja e Kuvendit, Evis Kushi. Dikur ministre Arsimi, Kushi rezulton bashkëautore e një artikulli shkencor me titull “Tranzicioni politik, korrupsioni dhe pabarazia e të ardhurave në demokracitë e reja, rasti konkret Shqipëria”. Ky artikull është marrë fjalë për fjalë nga një tjetër artikull shkencor që daton në vitin 2007, me autor Eric Chang dhe që titullohet “Tranzicioni politik, korrupsioni dhe pabarazia e të ardhurave në demokracitë e valës së tretë”.
Artikulli shkencor i kopjuar me bashkëautore Evis Kushin, zbuluar më herët nga studiuesi Vladimir Kola, është paraqitur në Konferencën e gjashtë ndërkombëtare të “Associated School Employees Credit Union”, me titull “Zhvillimi ekonomik, sistemi tatimor dhe shpërndarja e të ardhurave në vendet e Evropës Jugore dhe Lindore”, mbajtur në Fakultetin e Ekonomisë, në Podgoricë, më 20-22 maj 2010. Në këtë punim, janë kopjuar nga artikulli origjinal teksti dhe referencat. Pjesa e abstraktit të Evis Kushit është identike me abstraktin e autorit të huaj. Edhe te pjesa e hyrjes së Chang, Kushi ka marrë një paragraf të tërë për të ndërtuar hyrjen e artikullit të saj. Më pas ka marrë copy-paste pjesën “Pse besohet se demokracia zvogëlon pabarazinë” dhe e ka futur në artikull.
Në kapitullin “Përgjegjësia Politike”, sërish çdo fjalë e autorit Chang gjendet edhe në artikullin e nën/kryetares së Parlamentit. Por më e habitshmja është se disa vlera numerike në përqindje, që gjenden në artikullin origjinal për shtete të ndryshme të Azisë, si Korea e Jugut, Mongolia, Filipinet, Taivani apo Tailanda, në lidhje me perceptimin e pabarazisë, janë paraqitur të njëjta si vlera në artikullin e kopjuar për disa qytete të Shqipërisë, si Fieri, Elbasani, Durrësi, Vlora dhe Tirana.
E habitshme dhe e papranueshme nga një ish-pedagoge, shefe departamenti, dekane, deputete, ministre arsimi, është fakti se edhe konkluzionet në artikullin e vitit 2010 ku ajo është bashkëautore janë të njëjta me konkluzionet e artikullit të vitit 2007, publikuar nga autori kinez Eric Chang. Te bibliografia e artikullit të kopjuar është vendosur autori aziatik dhe punimi i tij, por me titull të tjetërsuar, “Korrupsioni politik dhe pabarazia e të ardhurave në demokracitë e valës së tretë”. Tjetërsimi duket se është bërë i qëllimshëm, për të mos zbuluar burimin origjinal për lexuesin, duke pasur parasysh faktin se titulli i saktë i artikullit origjinal dhe titulli i artikullit të kopjuar, janë pothuajse të njëjtë.
Në një përballje me gazetarin Freard Rista, deputetja Kushi ia ngarkoi të gjithë përgjegjësinë bashkëautores së saj Marsida Ashiku, duke lënë të kuptohet se kjo e fundit është përgjegjëse për punimin plagjiaturë.
“Sistemi është i ndërtuar i tillë, që në krye të arsimit ne nuk kemi njerëz të dijes, por njerëz që nuk dinë as shkrim dhe as këndim, në kontekstin e shkencës. E kupton kë kemi bërë ministre Arsimi? Arsimi është shtylla e një kombi. Pa arsim rrënon ekonominë, rrënon shëndetësinë, rrënon zhvillim teknologjik dhe industrial, në ato kushte jemi”, u shpreh studiuesi Taulant Muka. /Piranjat















