Studiuesja, e konsideruar si një nga themelueset e fushës së inxhinierisë së softuerit, drejtoi një ekip prej 100 inxhinierësh.
Fotografia më e njohur e Margaret Hamilton është realizuar në vitin 1969. Në të, ajo shfaqet e buzëqeshur pranë një grumbulli fletësh të shtypura, lartësia e të cilit ishte pothuajse sa shtatlartësia e saj, pak më shumë se 1.60 metra. Ato fletë përmbanin kodin kompjuterik që do të mundësonte udhëtimin e Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin në Hënë.
Margaret Hamilton, e cila zhvilloi softuerin e kompjuterëve të bordit për misionet Apollo, duke drejtuar një ekip prej 100 inxhinierësh, ndërroi jetë më 30 shtator në një spital në Cambridge, Massachusetts, në moshën 90-vjeçare.

Detyra e parë në departamentin e meteorologjisë
E lindur në vitin 1936 në Paoli të Indianës, Margaret Heafield — e cila e mbajti mbiemrin Hamilton të bashkëshortit edhe pas divorcit — ishte vajza e një profesori filozofie, i cili ishte edhe poet, dhe e një mësueseje.
Në vitin 1958 u diplomua për matematikë në Earlham College. Po atë vit u martua me James Hamilton dhe u shpërngul bashkë me të në Cambridge. Për të financuar studimet e bashkëshortit, punonte në një laborator kompjuterik, ndërkohë që priste mundësinë për të vazhduar studimet e doktoraturës, me synimin për t’u bërë profesoreshë matematike.
Por, kur mësoi se Instituti i Teknologjisë i Massachusettsit (MIT) po projektonte kompjuterët e bordit për misionin në Hënë, ndryshoi planet dhe iu bashkua ekipit.
Në vitin 1959, detyra e saj e parë në MIT ishte në departamentin e meteorologjisë, ku zhvillonte softuer për parashikimin e motit për Edward Lorenz, i konsideruar si babai i teorisë së kaosit.
Më pas kaloi në projektin SAGE, një sistem të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara për zbulimin e avionëve armikë.
Atje, programuesve të rinj u jepej një problem i vështirë për t’u zgjidhur: një program kompjuterik që nuk funksiononte dhe që askush nuk kishte arritur ta vinte në punë. Programi ishte shkruar nga një person që ishte larguar, duke lënë pas shënime shpjeguese në latinisht dhe greqisht.
Shumë programues kishin provuar ta zgjidhnin problemin përpara saj, por Hamilton ishte e para që arriti ta vinte programin në funksion.

Gruaja e parë në programin Apollo
Në vitin 1965, Hamilton iu bashkua projektit Apollo, në Laboratorin e Instrumentacionit të MIT-it, i cili kishte siguruar kontratën e NASA-s për zhvillimin e sistemit të drejtimit dhe navigimit të anijeve hapësinore.
Ajo ishte gruaja e parë që u punësua si programuese dhe, për një periudhë, mbeti e vetmja grua në ekip.
Më vonë u emërua drejtoreshë e Divizionit të Inxhinierisë së Softuerit, duke drejtuar rreth 100 specialistë që zhvillonin kodin për dy kompjuterët e bordit: kompjuterin e modulit të komandës dhe atë të modulit hënor.
Secili prej këtyre kompjuterëve peshonte rreth 30 kilogramë dhe kishte një kapacitet memorieje jashtëzakonisht të vogël në krahasim me standardet e sotme.
Në atë kohë, softueri nuk «instalohej» si sot: ai thurej fizikisht, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Programet kompjuterike, të përbëra nga sekuenca njëshash dhe zerosh, ruheshin përmes telave të bakrit që kalonin brenda ose përreth unazave shumë të vogla magnetike.
Një tel që kalonte përmes unazës përfaqësonte vlerën 1, ndërsa një tel që kalonte përreth saj përfaqësonte vlerën 0.
Këto struktura, të njohura si «litarë» (ropes), thureshin nga punëtore me shkathtësi të jashtëzakonshme në punët e imëta me duar. Shumë prej tyre kishin punuar më parë në fabrikat tekstile të rajonit New England.
Hamilton kishte përgjegjësinë të kontrollonte nëse gjithçka ishte realizuar saktë. Për këtë arsye, ajo mori nofkën «rope mother» («nëna e litarëve»).

«Gabimi i Lauren»
Hamilton e merrte shpesh vajzën e saj Lauren në vendin e punës, gjatë mbrëmjeve ose fundjavave.
Vajza katërvjeçare argëtohej duke «luajtur astronauten» me simulatorin e modulit të komandës, duke imituar veprimet që shihte të kryente e ëma.
Një ditë, ndërsa po eksperimentonte me komandat e simulatorit, Lauren shkaktoi ndërprerjen e funksionimit të simulimit.
Hamilton filloi të pyeste veten se si kishte ndodhur kjo dhe kuptoi se edhe një astronaut mund të kryente të njëjtin veprim të gabuar gjatë fluturimit, por me pasoja shumë më të rënda.
Kjo ngjarje çoi në zhvillimin e një sërë mekanizmash mbrojtës në softuer, ndërsa problemi u bë i njohur në historinë e programit Apollo si «gabimi i Lauren».
Hamilton përpiqej të parashikonte gjithçka që mund të shkonte keq, përpara se problemi të shfaqej.

Minutat e ankthshme të uljes në Hënë
Më 20 korrik 1969, ndërsa moduli hënor Eagle i misionit Apollo 11 po përgatitej të ulej në Hënë, Margaret Hamilton, atëherë 32 vjeçe, ndodhej në MIT dhe ishte e lidhur përmes një linje komunikimi me Qendrën e Kontrollit të Misionit në Houston.
«Nuk isha e përqendruar te vetë misioni, por te softueri», kujtoi ajo gjatë një interviste të vitit 2017 për Computer History Museum.
Pak minuta përpara se moduli hënor Eagle të prekte sipërfaqen e Hënës, kompjuteri i bordit filloi të lëshonte sinjale alarmi.
Sipas disa historianëve, një ndërprerës i aktivizuar nga astronautët kishte shkaktuar mbingarkesën e procesorit me kërkesa të panevojshme për përpunim.
Në Qendrën e Kontrollit të Misionit në Houston u diskutua mundësia e anulimit të uljes në Hënë.
Megjithatë, softueri ishte projektuar pikërisht për të përballuar një situatë të tillë.
Në rast mbingarkese, sistemi pezullonte proceset më pak të rëndësishme dhe u jepte përparësi operacioneve të domosdoshme për vazhdimin e misionit.
Sinjalet e alarmit tregonin se ky mekanizëm po funksiononte siç ishte parashikuar.
Qendra e Kontrollit në Houston dha autorizimin për vazhdimin e uljes dhe Eagle arriti të zbriste në sipërfaqen e Hënës.
Sipas NASA-s, funksionimi i këtij mekanizmi bëri të mundur që misioni të vazhdonte në mënyrë të sigurt.
Themelimi i inxhinierisë së softuerit si disiplinë
Hamilton kontribuoi në të gjashtë misionet Apollo që realizuan ulje në Hënë, ndërmjet viteve 1969 dhe 1972.
Më pas punoi edhe në programin Skylab, stacionin e parë hapësinor të Shteteve të Bashkuara, si dhe në projektet e hershme të programit Space Shuttle.
Ishte pikërisht Hamilton ajo që përhapi termin «software engineering» («inxhinieri e softuerit»), për të theksuar se zhvillimi i kodit kompjuterik ishte një veprimtari po aq komplekse dhe rigoroze sa projektimi i harduerit.
Në atë periudhë, kjo ide nuk ishte aspak e vetëkuptueshme.
Në vitin 1976, Hamilton u largua nga MIT për të themeluar kompaninë e saj, Higher Order Software.
Një dekadë më vonë themeloi një kompani të dytë, Hamilton Technologies.
Çmimet dhe vlerësimet
Njohja zyrtare e kontributit të Margaret Hamilton erdhi relativisht vonë.
Në vitin 2003 ajo mori një çmim nga NASA. Inxhinieri që e kishte propozuar për këtë vlerësim deklaroi se ishte habitur kur kishte zbuluar se ajo nuk ishte nderuar zyrtarisht më parë.
Në vitin 2016, presidenti amerikan Barack Obama i akordoi Medaljen Presidenciale të Lirisë, një nga dekoratat më të larta civile të Shteteve të Bashkuara.
Më pas, figura e saj u bë pjesë edhe e kulturës popullore.
Në vitin 2017, Lego i kushtoi një figurë miniaturë, që e paraqiste me syze dhe flokë të gjatë, pranë një grumbulli fletësh me kod kompjuterik, të vendosura njëra mbi tjetrën.
Në vitin 2019, me rastin e 50-vjetorit të uljes së parë të njeriut në Hënë, Google orientoi më shumë se 100 mijë pasqyra të një centrali diellor në shkretëtirën Mojave, për të krijuar portretin e Margaret Hamilton nën dritën e Hënës./Corriere della Sera















