Ballina Aktualitet Shqipëri Kullat pa vrojtues:13 të mbytur në plazhe në 2 muaj, mes tyre...

Kullat pa vrojtues:13 të mbytur në plazhe në 2 muaj, mes tyre edhe 4 fëmijë (VIDEO)

Të paktën 13 persona janë mbytur në plazhe gjatë qershorit dhe korrikut. Mes tyre 4 fëmijë, 3 prej të cilëve janë mbytur në lumenjtë e vendit, ku nuk ka asnjë siguri. Ndërsa pjesa më e madhe e viktimave janë të moshuar që kanë pësuar atak kardiak dhe më pas janë mbytur.

Disa nga viktimat janë nga Kosova mbi 60 vjeç. Më shumë humbje jetësh ka pasur në bregdetin e Qarkut të Lezhës, në Durrës, Kavajë, Velipojë, e më pak në Vlorë apo në plazhin e Darzezës në Fier. Nëse këto plazhe do ishin të sigurta me roje bregdetare pushuesit ndoshta do të ishin gjallë.

Përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit takon shumë pak vrojtues deti. Pavarësisht se janë me dhjetëra vrojtuesit që kanë një kontratë shërbimi me stacionet e plazhit, ata nuk paraqiten në pikën e tyre të vrojtimit.

Edhe vetë pushuesit thonë se nuk kanë parë asnjë roje bregdetare.

“Kemi fëmijë të vegjël, duhet gjithëherë kujdes. Rrimë këtu, afër plazhit vetë. Mirë do kishte qenë së paku dy ose tre.”

Viktimat janë shënuar dhe në plazhin e Durrësit.

Mungesa e rojeve bregdetare ka bere që në vijën bregdetare të Durrësit dhe Kavajës të humbin jetën shtatë pushues vetëm në dy muaj. Përgjatë vijës bregdetare janë ngritur kulla vrojtimi, por një pjesë e tyre janë pa staf.

Një tjetër specifikë ka në plazhet publike. Nuk ka vrojtues, vetëm patrullime policore. Në Vlorë vetëm një shtetas austriak në plazhin pranë ujit të ftohtë pësoi atak kardiak sapo hyri në ujë dhe ndërroi jetë.

Një tabelë që sinjalizon, kujdes këtu nuk ka vrojtues plazhi. Jemi tek plazhi publik pranë Akademisë së Marinës aty ku pavarësisht kullave të vrojtimit, vrojtuesit mungojnë. Edhe pushuesit janë të shqetësuar që në këtë plazh ka kulla por jo vrojtues.

“Vrojtuesi duhet, duhet të jetë operativ aty në këmbë. Ne i paguajmë vetë këto gjëra, s’ka problem. Ata e dinë vetë të bashkisë, po s’duan ta bëjnë.”

Edhe në Darzëzë të Fierit një pushuesi ndërroi jetë pak ditë më parë. Edhe ky është një plazh publik. Kjo është e vetmja kullë e vrojtimit në plazhin e Darzezës po që nuk ka roje. Të vetmit që sigurojnë rendin janë efektivët e policisë që nuk janë të trajnuar të shpëtojnë pushuesit nga mbytja.

Pushuesit thonë se në këto kushte duhet të jenë vetë të kujdesshëm.

“S’ka roje këtu, fare nuk kemi parë,” thotë një pushues. /abcnews.al/

@tn.lajmelokale
@tetovanews