Ballina Aktualitet 10 persona që ishin natën kritike në Spitalin e Tetovës, janë paraqitur...

10 persona që ishin natën kritike në Spitalin e Tetovës, janë paraqitur për dëshmi

Javën e kaluar më shumë se 10 persona janë paraqitur vetë në prokurorinë e Tetovës për të dëshmuar, për atë që kanë parë natën e 8 shtatorit, kur spitali modular u dogj deri në themel.

Këtë e ka konfirmuar në bisedë telefonike për Alsat, kreu i Prokurorisë Publike në Tetovë, Besir Aliu. Disa nga këta persona ishin hospitalizuar në spitalin modular gjatë shpërthimit të zjarrit, por kanë arritur të ikin në kohë dhe të shpëtojnë veten.

Të tjerë kanë shoqëruar pacientët, ndërsa ka pasur edhe qytetarë që iu kanë ndihmuar pacientëve të dalin nga spitali i djegur.

Në deklaratat e tyre para prokurorit ata treguan gjithë atë që kanë parë natën kritike.

Në pyetjen pse këta persona kanë pritur plot dy muaj për t’u marrë në pyetje dhe pse Prokuroria në periudhën e kaluar nuk ka insistuar të marrë deklarata prej tyre, pasi bëhet fjalë për persona që në këtë proces konsiderohen si njerëz që posedojnë informata, përgjigja është se një pjesë e tyre kanë qenë të tronditur dhe nuk kanë qenë të gatshëm të ballafaqohen me ngjarjet tragjike.

Nga Prokuroria shprehen se deklaratat e tyre nuk do e ndryshojnë shumë rrjedhën e hetimeve- sepse sipas informatave tona ata i kanë konfirmuar ngjarjet që kanë qenë tashmë të njohura.

Mbetet e pa qartë nëse Prokuroria ka arritur të marrë deklaratë nga pacientë të pranishëm ose nga familjarë të mbijetuarve dhe ë vdekurve, duke pas parasysh se në spital gjatë në mbrëmjen tragjike ka pasur 26 persona, 14 prej të cilëve vdiqën.

Zyrtarisht, Prokuroria është duke e pritur raportin e fundit të ekspertëve gjermanë për zjarrin në spital. Alsat së fundmi ka pyetur policinë gjermane se deri ku është me raportin në fjalë, por nuk morëm përgjigje konkrete. Pas marrjes së raportit, prokuroria do të mund ta kompletojë rastin, por edhe të hapë hetim të mundshëm për vepër të kryer penale lidhur me zjarrin në spitalin modular.

Ekspertët e MPB-së deri më tani kanë konstatuar se zjarri mund të ketë ndodhur nga një kabllo e nxehur e vazhdueses, në të cilën ka qenë i lidhur një defibrilator, mbushës telefoni dhe pajisje tjetër./ Alsat.mk

Video bonus:

https://youtu.be/6KV1M7X8jq8

@tn.lajmelokale
@tetovanews