Ballina Diaspora Shqiptarit nga Likova i digjet vetura në Austri, ja tek kush po...

Shqiptarit nga Likova i digjet vetura në Austri, ja tek kush po dyshon?!

Mëngjesi i së enjtes, për Ardit Z. nga Welsi i Austrisë së Epërme ishte tronditës nga ngjarja që i kishte ndodhur një dite më parë.

“Në fillim mendova se ishte një shaka e keqe nga kolegët kur dikush më thirri se vetura ime ishte në flakë. Por, kur më telefonoi policia, e kuptova se bëhet fjalë për diçka serioze. Më duket shumë tronditëse që diçka e tillë po ndodh në Austri”, thotë Arditi për Kronen Zeitung, përcjell albinfo.at.

Vetura e Arditit ishte e parkuar në lagjen Neustadt të Welsit. Sipas dyshimeve të deritashme, personat e panjohur, mendohet se e kishin larë veturën e tij me benzinë apo naftë dhe ishin përpjekur t’i vinin flakën.

“Dëshmitarët që kanë kaluar aty pranë, kanë bërë disa video derisa vetura digjej, por ata po ashtu me shishe të ujit kanë arritur edhe ta shuajnë zjarrin si dhe kanë njoftuar zjarrfikësit dhe policinë”, thotë ai. Ekipi i zjarrfikëseve menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ata kanë shuar zjarrin, ndërsa policia i ka tashmë të gjitha provat.

Megjithatë, Arditi si pronar i makinës është i bindur se kjo ngjarje mund të këtë motive politike. “Unë nuk jam politikan, por jam anëtar i ÖVP-së”, shpjegon Ardit Z., për targën e veturës së tij, e cila prej rreth një viti shënon inicialet e partisë në pushtet. “Deri më tani nuk kam pasur asnjë problem me këtë. Një herë më kishin ngulur një gozhdë në gomë, por kjo mund të ndodhë”.

Arditi udhëheq një kompani për shërbimin e sistemeve të sigurisë, ndërkohë edhe ngjyrat e fasadës së zyrës së tij, janë të njëjtat ngjyra që përdor edhe partia që ai e përkrah. “Kjo është një rastësi, nuk ka të bëjë me bindjet politike. Edhe kur i kam marrë me qira këto zyre, po të njëjtat ngjyra kanë qenë”, thotë Arditi në buzëqeshje.

Me Arditin ka kontaktuar edhe albinfo.at. Ai ka deklaruar se vetura është marrë nga personat kompetentë, të cilët janë duke shikuar nëse vetura do të jetë sërish e gatshme për qarkullim apo jo, kurse policia është duke u marrë me hetimet e rastit.

Për rastin e ndodhur, shqiptari nga komuna e Likovës së Maqedonisë së Veriut, thotë: “Çdokush ka të drejtë të shprehë lirisht mendimin dhe simpatinë e tij për një parti, qoftë me fjalë, shkrim apo fotografi. Ne jetojmë në një Republikë Demokratike ku kritikat ndaj një partie tjetër politike sigurisht që lejohen, por në asnjë mënyrë nuk tolerohen aktet “terroriste”. Aktet e tilla janë shumë të tmerrshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë tonë”, theksoi për albinfo.at, Ardit Z./Albinfo.at

@tn.lajmelokale
@tetovanews