Ballina Top Lajm Të gjitha fatkeqësitë në RMV nga viti 1951, aksidenti i autobusit në...

Të gjitha fatkeqësitë në RMV nga viti 1951, aksidenti i autobusit në Bullgari i treti sipas numrit të viktimave (Infografik)

Maqedonia mban mend shumë katastrofa e fatkeqësi që nga viti 1951. Rasti i aksidentit të autobusit në RMV në të cilin humbën jetën 46 persona është i treti sipas numrit të viktimave në historinë më të re të Maqedonisë së Veriut. Me listën e zezë udhëheq tërmeti i Shkupit me rreth 1.100 viktima dhe 3.000 të lënduar, njofton Portalb.mk.

Fatkeqësitë në RMV

Më poshtë ua sjellin fatkeqësitë më të mëdha ndër vite, sipas numrit të viktimave në RMV, në këtë listë nuk janë të vendosura viktimat nga konfliktet e armatosura dhe aksionet policore dhe ushtarake. Këtu nuk janë përfshirë vërshimet katastrofale të vitit 1962 dhe 1979, në të cilat nuk ka pasur viktima.

22.10.1951 – Avion i “JAT” që ka fluturuar nga Beogradi është rrëzuar në Aeroportin e Shkupit, kanë humbur jetën 12 persona.

26.07.1963 – Tërmet i madh në Shkup. Humbën jetën rreth 1.100 persona. Së paku 3.000 persona u lënduan, ndërkaq rreth 200.000 të tjerë ngelën pa kulm mbi kokë.

24.07.1992 – Një avion mallrash “Antonov” u rrëzua 26 kilometra në juglindje të Shkupit, gjatë kohës kur i afrohej aeroportit. Avioni ka goditur një kodër në afërsi të fshatit Lisec. Në këtë fatkeqësi humbën jetën 8 persona.

05.03.1993 – Gjatë fluturimit në Aeroportin e Shkupit, është rrëzuar një avion me 97 udhëtar i tipit “Foker 100”, i kompanisë “Paler Makedonija”. Në këtë fatkeqësi kanë humbur jetën 86 persona. Ministri i atëhershëm për Transport dhe Lidhje, Antoni Peshev, për arsye morale dha dorëheqje, që është precedent në historinë e Maqedonisë. Nga atëherë, deri më tani, asnjë ministër nuk ka dhënë dorëheqje për arsye morale, transmeton Portalb.

22.11.1993 – Një avion me udhëtarë i tipit “Jak – 42D” i kopmanisë “Avioimpeks” është rrëzuar për shkak të gabimit të pilotit dhe në këtë fatkeqësi humbën jetën 115 persona – vetëm një i ka mbijetuar fatkeqësisë. Avioni ka fluturuar nga Gjeneva për në Shkup. Megjithatë, për shkak të kushteve të këqija të motit, ai është ridrejtuar për në Aeroportin e Ohrit për ulje të patjetërsueshme. Por, ai u rrëzua në afërsi të Malit Trojan.

18.09.1995 – Avion “Antonov”, i cili ishte i angazhuar të shuajë zjarre u rrëzua në afërsi të Shkupit. Humbën jetën 2 anëtarë të ekuipazhit.

26.02.2004 – Në afërsi të Mostarit në Bosnjë, humbi jetën presidenti i Maqedonisë, Boris Trakovskit bashkë me gjashtë bashkëpunëtor dhe dy pilotë të avionit të shtetit “Kinger”.

12.01.2008 – Një helikopter i Armatës së Maqedonisë është rrëzuar në lokalitetin Bllacë të Katllanovës. Si pasojë e kësaj fatkeqësie humbën jetën 11 persona të ARM-së, të cilët janë kthyer nga misioni “Altea” në Bosnje dhe Hercegovinë.

28.08.2008 – Një avion i tipit “Cesna” është rrëzuar në lokalitetin “Skrebat” në fshatin Leskovec, në afërsi të Ohrit. Në këtë fatkeqësi humbi jetën piloti dhe tre udhëtarë të avionit. Avioni e ka goditur një automjet të tipit “Fiço”, në të cilin gjatë atij momentit është gjendur një vajzë e vogël.

05.09.2009 – Në ora 10:30, u fundos anija “Ilinden” në Ohër. Jetën e humbën 15 persona, turistë nga Bullgaria, përcjell Portalb.

04.08. 2015 – Si pasojë e vërshimeve, në Shipkovicë të Tetovës e humbën jetën 5 persona.

08.09.2021 – U dogj spitali modular në Tetovë, humbën jetën 14 persona.

23.11.2021 – Aksident i autobusit të RMV-së në Bullgari, ndërruan jetë 46 persona.

Tragjeditë që kanë tronditur Maqedoninë e Veriut ndër vite

Tragjedia e parë e madhe pas pavarësisë së Maqedonisë ishte rrëzimi i dy avionëve me pasagjerë në fillim të viteve 1990.

Fokeri i Paler Macedonia u rrëzua në vitin 1993 menjëherë pasi u ngrit nga aeroporti i Shkupit. 86 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit humbën jetën. Tetë muaj më vonë, më 22 nëntor të po këtij viti, në aeroportin e Ohrit u rrëzua avioni i dytë. Aeroplan pasagjerësh i Avioimpeksit u rrëzua dhe mbetën të vdekur 115 njerëz.
Antoni Peshev, ministër i atëhershëm i Ndërtimit, komunikimit dhe ekologjisë, nën kompetencat e të cilit ishte edhe trafiku ajror, dha dorëheqjen dhe nuk u kthye në post.

Anija “Ilinden” u fundos në Ohër, 12 vite më parë, ku humbën jetën 15 turistë nga Bullgaria. Aksidenti ndodhi më 5 shtator të vitit 2009. “Ilinden” u përmbys dhe u fundos rreth 250 metra larg bregut përballë autokampit “Eleshec”. Në anije ndodheshin 57 pasagjerë që udhëtonin drejt Shën Naumit. Kapiteni i anijes, 23 vjeç, u mbajt në paraburgim, ndërsa në korrik 2011 u dënua me një vit burg.

Ministri i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dha dorëheqje, por kryeministri Gruevski nuk e pranoi dhe ai vazhdoi të udhëheqë këtë dikaster.

Më 13 shkurt 2019, autobusi i “Durmo Tursit” u rrokullis në afërsi të fshatit Laskarc në magjistralen Shkup – Tetovë. Në të kishte pasagjerë që po ktheheshin në shtëpi, nga Shkupi për në Tetovë dhe Gostivar. Në aksidentin fatal humbën jetën 16 persona dhe mbi 30 të tjerë u plagosën. Edhe sot e kësaj dite nuk ka epilog gjyqësor për këtë rast. Akuzohen gjashtë persona, mes të cilëve shoferi, pronari i kompanisë, si dhe Qendra Teknike në Gostivar, ku janë kontrolluar autobusët. Gjykimi është në fazën përfundimtare.

Para më shumë se dy muaj, në ditën e pavarësisë së vendit, 8 shtator, spitali modular në Tetovë u dogj deri në themel. Katërmbëdhjetë njerëz u dogjën të gjallë, duke përfshirë 12 pacientë me kovid dhe dy të afërm të pacientëve të shtruar në spital. Rasti është ende në procedurë parahetimore. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësi i tij Ilir Hasani ofruan dorëheqje, por kryeministri Zaev nuk i pranoi. Drejtorët e spitalit dhanë dorëheqje, por ata janë ende në detyrë pasi nuk janë emëruar të rinj./Alsat.mk

Aksidentet më vdekjeprurëse të autobusëve nga 2002-ta deri më sot

Mbi njëqind persona kanë vdekur në aksidente në Ballkanin Perëndimor, në të cilat kanë qenë të përfshirë autobusë me udhëtarë. I fundit ka ndodhur në orët e para të 23 nëntorit në Bullgari dhe, deri më tani, është aksidenti më vdekjeprurës: me 46 viktima. Në vazhdim sjellim kronologjinë e tragjedive të ngjashme në Ballkanin Perëndimor, në 20 vjetët e fundit.

25 KORRIK 2002
DHJETË TË VDEKUR NË NJË AKSIDENT NË KUFIRIN MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZI

Dhjetë persona kanë vdekur, përfshirë dy fëmijë, ndërsa 31 janë lënduar në një aksident me autobus në kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi. Autobusi me 40 udhëtarë ka qenë duke udhëtuar në relacionin Ulqin-Kosovë, kur ka dalë nga rruga dhe është rrotulluar poshtë një gremine. Ky aksident ka ndodhur në orën 05:00 të mëngjesit.

14 TETOR 2004
PESËMBËDHJETË MATURANTË KOSOVARË VDESIN NË SHQIPËRI

Në një aksident trafiku në fshatin Fushë-Arrëz në Shqipëri kanë vdekur 15 maturantë nga Kosova, të cilët kanë qenë duke u kthyer me autobus nga ekskursioni në Shqipëri. Në autobus kanë qenë 49 persona. Ai është rrëzuar poshtë një gremine. Në këtë aksident janë lënduar 34 maturantë – disa prej tyre rëndë. Pesëmbëdhjetë maturantët janë varrosur në Malishevë, rreth 40 kilometra larg Prishtinës, derisa në vend të ngjarjes në Shqipëri është vendosur një pllakë përkujtimore.

22 SHKURT 2010
GJASHTË PERSONA NGA KOSOVA VDESIN NË NJË AKSIDENT NË AUSTRI

Gjashtë persona nga Kosova kanë vdekur në një aksident trafiku afër Vjenës. Autobusi me të cilin kanë udhëtuar, ka qenë duke udhëtuar nga Prishtina drejt Gjermanisë. Aksidenti ka ndodhur kur autobusi është ndeshur me dy kamionë në një autostradë afër Vjenës. Në këtë aksident janë lënduar më shumë se 30 persona – disa prej tyre rëndë. Në aksident kanë vdekur edhe dy ngasësit e autobusit.

23 QERSHOR 2013
TETËMBËDHJETË SHTETAS TË RUMANISË VDESIN NË AKSIDENT NË MAL TË ZI

Në një aksident të rëndë trafiku në rrugën magjistrale Podgoricë-Kollashin, 18 persona kanë vdekur dhe 29 janë lënduar. Aksidenti ka ndodhur kur një autobus me targa rumune, është rrëzuar poshtë së ashtuquajturës Grykë e Moraçës. Tejkalimi i shpejtësisë është konstatuar si shkak i aksidentit. Autobusi nga Rumania ka lëvizur dy herë më shpejt sesa shpejtësia e lejuar në atë pjesë të magjistrales.

14 MAJ 2017
NGASËSI I AUTOBUSIT NGA SERBIA HUMB JETËN NË HUNGARI

Si pasojë e një aksidenti në Hungari, në të cilin është përfshirë një autobus i Serbisë, ka vdekur ngasësi i autobusit, ndërsa 16 udhëtarë janë lënduar rëndë. Autobusi i kompanisë “Eurolines”, me 25 udhëtarë, ka qenë duke udhëtuar nga qyteti Rekovci për në Austri.

31 DHJETOR 2018
TETË PERSONA VDESIN NË NJË AKSIDENT NË NISH

Tetë persona kanë vdekur e më shumë se 30 janë lënduar në një aksident me autobus afër qytetit të Serbisë, Nish. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:30 në kalimin e pashënuar rrugor, në vendin e quajtur Megjurovo e Ulët. Në mars të vitit 2020, Gjykata Themelore në Nish e ka dënuar ngasësin e autobusit të kompanisë “Nish Ekspres”, Millan Zdravkoviq, me tetë vjet burgim dhe pesë vjet ndalim të drejtimit të automjeteve të kategorisë D. Gjykatësi Bojan Paviq ka thënë se faji i ngasësit ka qenë i padiskutueshëm, sepse nuk e ka ndalur autobusin para kalimit hekurudhor.

13 SHKURT 2019
NË TRAGJEDINË NË LASKARCË VDESIN 15 PERSONA

Autobusi i kompanisë “Durmo Turs”, i cili ka udhëtuar në relacionin Shkup – Gostivar, ka dalë nga rruga në fshatin Laskarcë, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave. Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se shkak i aksidentit ishte prishja e frenave, por edhe shpejtësia e autobusit.

2 QERSHOR 2019
VDES NGASËSI I AUTOBUSIT NGA BOSNJA

Ngasësi i autobusit ka vdekur në një aksident trafiku që ka ndodhur në autostradën kroate A3, në mes kryqëzimeve Okuçani dhe Novska. Në aksident kanë qenë të përfshirë një autobus nga Bosnje e Hercegovina dhe një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut.

25 KORRIK 2021
DHJETË TË VDEKUR NË AKSIDENTIN E AUTOBUSIT NGA KOSOVA NË KROACI

Dhjetë persona nga Kosova kanë vdekur dhe mbi 40 janë lënduar, kur autobusi me të cilin kanë udhëtuar, në linjën e rregullt Frankfurt-Prishtinë, ka dalë nga rruga në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë. Në autobus kanë qenë 67 udhëtarë, përfshirë fëmijë.

23 NËNTOR 2021
DYZET E GJASHTË TË VDEKUR NË AKSIDENTIN NË BULLGARI

Në një aksident në një rrugë afër qytetit të Bullgarisë, Pernik, 46 persona, përfshirë ngasësin e autobusit të kompanisë “Besa Trans”, kanë humbur jetën. Autobusi nga Maqedonia e Veriut, i cili ka qenë duke udhëtuar drejt Shkupit, është përfshirë nga flakët dhe është rrotulluar, ka njoftuar Ministria bullgare e Punëve të Brendshme. Në mesin e të vdekurve kanë qenë edhe 12 fëmijë. Autobusi ka qenë duke u kthyer në Shkup nga një ekskursion në Stamboll. /REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews