Ballina Aktualitet Hoxha dhe Arsovski: Krijohen kushte për qasje të lirë në tregun e...

Hoxha dhe Arsovski: Krijohen kushte për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë

Zëdhënësit e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme për shtyp informuan në detaje për konkluzat dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të 127-të të Qeverisë.

Zëdhënësit kumtuan se për shkak të parandalimit të rritjeve eventuale të produkteve ushqimore, në mbledhjen e djeshme Qeveria e plotësoi Vendimin për përcaktimin e çmimeve më të larta të produkteve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë me tri produkte të reja elementare ushqimore oriz, vezë dhe pasta. Çmimet e këtyre produkteve janë ngrirë në nivel të çmimeve deri më 1 dhjetor dhe do të vlejnë deri më 31 janar 2022.

Në pyetjen gazetareske, nëse planifikojnë masa plotësuese për prodhuesit e orizit për shkak të pakënaqësive nga ngrirja e çmimit të orizit, u potencua se masa për ngrirjen e çmimeve të disa prodhimeve themelore ushqimore, mes të cilave edhe orizi, u soll për të mbrojtur standardin e qytetarëve, me atë që do të parandalohet rritja e çmimeve dhe se kjo masë ka një afat të kufizuar deri më 31 janar 2022.

“Për të mbrojtur shëndetin publik dhe për rimëkëmbje ekonomike si interes publik, Qeveria e miratoi Informacionin për furnizim të vaksinave kundër KOVID-19 për vitin 2022, sipas të cilës është përcaktuar nevoja për furnizimin e 500.000 dozave të vaksinës mRNA (mRNK) nga prodhuesi “Pfizer”, ku duhet të kyçen edhe dozat pediatrike në sasi prej 1 % nga numri i përgjithshëm i fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut të moshës prej 5 deri 12 vjeç, përkatësisht rreth 10.000 doza”, informuan zëdhënësit Arsovski dhe Hoxha.

Ata gjithashtu informuan se dje Qeveria miratoi tekstin e Marrëveshjes për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, kjo marrëveshje do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre tre vendeve të lëvizin dhe të punojnë lirshëm në secilën prej tyre.

Marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor është rezultat i nismës “Ballkani i Hapur”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews