Ballina Aktualitet VIDEO E PLOTÊ/Mbahet seanca e tretë e Këshillit të Komunës së Tetovës,...

VIDEO E PLOTÊ/Mbahet seanca e tretë e Këshillit të Komunës së Tetovës, nuk u votua që NPK “Tetova” të menaxhojë mirëmbajtjen dimërore të rrugëve

Me 15 vota të përmbajtura dhe 14 për, nuk kaloi pika e 13 e seancës së tretë të Këshillit Komunal të Tetovës, e cila ishte propozim-vendim për dhënien e të drejtës për menaxhim të mirëmbajtjes dimërore të rrugëve dhe udhëve në territorin e komunës së Tetovës gjatë periudhës 2021-2022 të NPK “Tetova” –Tetovë, kjo pikë u la të diskutohet në seancën e radhës të këshillit pasi shumica e këshilltarëve nga ndërmarrja kërkuan që të sjellin një plan më të detajuar për këtë proces, shkruan Portalb.mk.

Memet Jonuzi nga sektori për Tokë ndërtimi në seancë u shpreh se se rrugë tjera nuk kanë përveç se t’i shfrytëzojnë ndërmarrjet e komunës që edhe me ligj janë kompetent për mirëmbajtjen e të njëjtës dhe t’ia kalojnë kompetencat NPK-së me vendim të këshillit, pasi kryetari Bilall Kasami e ndërpreu procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve.

https://youtu.be/h7ZwyrGyQcs

Besar Durmishi, kryetari i Këshillit Komunal tha se “në bazë të nenit 34 paragrafi 3 të Ligjit për rrugët publike nga Gazeta Zyrtare e RMV-së, numër 84/08 të nenit 24 paragrafi 2, Ligjit për Qeverisje Lokale, komunat kanë të drejtë që mirëmbajtjet e rrugëve t’ia kalojnë ndërmarrjeve publike të themeluara nga komuna.”

Drejtori i NPK “Tetova” Nuredin Fetai tha se janë të përgatitur si ndërmarrje, dy metrave borë të ju bëjnë ballë dhe rrugët e qytetit do të jenë të pastruara.

“Ne ja kthejmë mirëmbajtjen dimërore ndërmarrjes, unë kam qenë drejtor në vitin 2009 në ndërmarrje dhe ndërmarrja i ka mbikëqyrur këto punë domethënë kanë qenë kompetenca të ndërmarrjes. Arsyet pse ja kanë marrë ndërmarrjes janë ato të cilat me kohën ne do i shpalosim. Për këtë desha të ju siguroj se ndërmarrja e ka pasur një kontratë me komunën prej me 1 dhjetor është kontrata e nënshkruar deri sot që do të kalojë në këshill dhe pastaj deri në tenderim do të bëjmë një kontratë tjetër deri në momentin e tenderimit, kështu në këtë aspekt të jemi të pastër.” tha Nuredin Fetai.

Debati mes këshilltarëve dhe udhëheqësve të NPK-së zgjati më shumë se një orë, ku këshilltarët parashtruan pyetjet për paqartësitë e tyre për këtë propozim-vendim. Disa prej këshilltarëve vlerësuan se kompania e përzgjedhur nga NPK për mirëmbajtjen e rrugëve momentalisht nuk plotëson kushtet për të realizuar të njëjtat, andaj kërkuan plan dhe informacione më konkrete dhe më të detajuara për këtë çështje e cila realizohet në mënyrë më efikase.

Pat nga ata këshilltarë të cilët u shprehën të gatshëm të përkrahin këtë, por në rast se kjo nuk do funksionojë si duhet, ata janë prapë ato që mund të ja marrin kompetencat. Sidoqoftë shumica e këshilltarëve nuk votoi që kjo pikë e rendit të ditës të kalojë, 15 këshilltarë votuan të përmbajtur ndërsa 14 pro, ata konsideruan se kjo pikë nuk kishte elemente të mjaftueshme për tu përkrahur në këtë seancë.

Kjo pikë u la që të diskutohet në seancën tjetër të Këshillit Komunal deri sa të ketë një elaborim më të detajuar dhe një sqarim nga i gjithë stafi ku të ketë një prezantim më specifik, që mos të ketë hapësira për keqpërdorime. Kështu që u vendos disa nga pikat e shtjelluara nga këshilltarët të shqyrtohen më detajisht në përputhje me procedurat, ligjet dhe standardet si dhe sektori juridik I NPK-së të tregojë planin që do e bën, makinerinë që do të ketë, si do menaxhojë të gjithë këtë. Ditët që do të vijnë në vazhdim.

Ndryshe, në prag të fillimit të sezonit dimëror, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami ndërpreu  procedurën për prokurim publik të shërbimeve për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve. Kjo sipas tij u bë me arsyetimin që komuna të mos marrë ende më shumë borxh, ndërsa për mirëmbajtjen do ta kujdeset Ndërmarrja Publike “Tetova”, me ndihmën e një kompanie private e cila do ndihmojë pa pagesë.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami njoftoi se pastrimi dimëror do të vazhdojë, por me kosto më të lirës se ajo që ishte paraprakisht, pasi borxhi i komunës është shumë i lartë.

“Nga momenti kur unë erdha kishte një procedurë të përmbyllur tenderimi ku për pastrimin e borës ishte një shumë mbi 150 mijë euro. Kemi angazhuar ndërmarrjen komunale që të menaxhojë pastrimin e borës dhe do ti kushtojë Komunës së Tetovës më pak.” tha Bilall Kasami.

Kasami shtoi se kompania do i jep mjetet në shërbim ndërmarrjes pa pagesë financiare për pastrimin e borës, dhe pjesën tjetër të punëve do e organizojë ndërmarrja.

Tetovë, nevojitet bashkëpunim më i madh i policisë dhe pushtetit lokal për tejkalimin e bllokimit të trafikut

Që Tetova vuan nga trafiku i mbingarkuar nuk do shumë fjalë, mjafton një vozitje nga qendra deri te Universiteti i Evropës Juglindore e cili zgjat përafërsisht nga 10 deri në 45 minuta. Mungesa e parkingjeve të mjaftueshme për çdo ditë shkakton rrugë dhe trotuare të bllokuara në Tetovë. Policia i gjobit qytetarët që parkohen gabimisht, por megjithatë kjo nuk i largon pamjet e rrëmujave të përditshme në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Pushteti lokal në bashkëpunim me Sektorin për Punë të Brendshme nga praktika e kaluar nuk kanë bërë mjaftueshëm për të lehtësuar këtë problem. Kjo u diskutua sot në seancën e tretë të Këshillit të Komunës së Tetovës ku pati përfaqësues nga Policia dhe këshilltarët parashtruan pyetjet e tyre, ku debati zgjati rreth një orë e tepër.

Komandanti i policisë së trafikut, Zoranço Talev theksoi se SPB Tetovë numëron 44,592 automjete të regjistruara vetëm me targa të Tetovës dhe se në kushtet kur qyteti ka pak bulevarde dhe rrugë, nevojitet bashkëpunim më i madh i policisë dhe pushtetit lokal për tejkalimin e bllokimit të trafikut.

“Neni 7 i Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor parasheh që Komuna rregullon infrastrukturën e komunikacionit. Mendoj se duhet të arrijmë në një situatë ku duhet të ndëshkojmë më pak. Masat e propozuara nga ne për komunën janë rritja e numrit të automjeteve merimangë, futja e më shumë rrugëve njëkahëshe dhe rritja e numrit të inspektorëve të komunikacionit që do të punojnë për largimin e automjeteve që kryejnë transport publik dhe taksi në mënyrë të paligjshme.” tha Zoranço Talev.

Memet Jonuzi, ushtrues detyre drejtor i sektorit për Komunikacion, Rrugë dhe Tokë Ndërtimi, nga Komuna e Tetovës tha se si sektor kanë disa iniciativa dhe janë në fazën e gjetjes së zgjidhjes së parkimit, e cila sipas tij nuk zgjidhet Brenda natës, pasi në mungesë të planit detal urbanistik kaosi është grumbulluar prej shumë vitesh, ku ata si sektor duhet të respektojnë vendimet paraprake deri në zgjidhjen e problemit.

“Për atë se pse vazhdon të organizohet parkimi zonal gjatë Bulevardit e sqarova që ajo është me vendim të këshillit paraprak para tetë viteve e cila ka edhe pëlqimin e policisë së komunikacionit për organizimin e të njëjtës. Dhe Ndërmarrja e Parkingjeve vazhdon kryesisht me ato vendime dhe pëlqime që janë në fuqi të dalura nga këshillat paraprake. Kjo nuk është kaos I ditës së sotme, është grumbulluar për vite me rradhë nga mungesa e planit gjeneral urbanistik dhe njëkohësisht planit për organizim të komunikacionit të qytetit, ne si sektor kemi disa iniciativa.” tha Memet Jonuzi.

Talevski nga Policia shtoi se në ligj qartë shkruan se në çfarë vendi komunikacionin e rregullon komuna dhe policia.

“Unë këtë e kam qartësuar para këshilltarëve. Po ashtu thash se ka numër të madh të veturave të regjistruara, ka rrugë të ngushtë, ka numër të vogël të parkingjeve, ka shumë pak automjete të merimangës dhe thash se në këtë drejtim të merren masa dhe të sigurojnë më shumë automjete dhe kjo është në përgjegjësi të komunës. Duhet të pyesni komunën për shenjat, sepse ata janë përgjegjëse për rregullimin e komunikacionit. Bashkëpunimi është më se normal, si ka qenë në të kaluarën po ashtu është edhe tani.” tha Zoranço Talev.

Ndërsa Memeti shtoi se janë në fazën e gjetjes së zgjidhjes për parkimin.

“Përgjatë bulevardit Iliria dhe Ilindenit ne kemi disa parkingje të mbyllura që nuk janë në funksion, si shkak I uzurpimit me baraka të përkohshme, jemi në fazën e lirimit të atyre hapësirave, jemi në fazën e përpilimit të dokumentacionit për projekte konkrete dhe në fazën e marrjes së lejes nga ana e sektorit të urbanizmit, dhe në vitin e ardhshëm në gjashtëmujorin e parë të depërtojmë në ato parkingje dhe ta zbusim problemin e parkimit që të jetë e organizuar nga ndërmarrja.” tha Memet Jonuzi.

Nëse shihet ligjërisht, parkimi i veturave edhe përgjatë bulevardeve nuk është i lejuar. Për këtë Komuna duhet të sigurojë zgjidhje alternative që janë parkingjet. Ndërkaq në Tetovë veturat parkohen anash rrugëve përgjatë bulevardit “Iliria”, “Ilindenit”, “Bllagoja Toskës”, ndërkaq ky fenomen më pak është i përhapur në bulevardin “Industrial”.

Bilall Kasami shkeli premtimin e parë për parkingjet

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami gjatë periudhës parazgjedhore në daljet e tij publike theksoi se nëse vjen ai në krye të komunës, do t’i bëjë parkingjet të cilat janë në kompetencë të komunës pa pagesë, deri sa të sigurojë parking për çdo veturë në Tetovë.

“Po ua them të gjithë qytetarëve të Tetovës nga moment i ardhjes në Tetovë të Bilall Kasamit deri sa nuk gjejmë parking për çdo veturë nuk do të ketë pagesë të parkingut në Tetovë.” tha Bilall Kasami në Click Plus më 14 tetor.

Ky premtim i Kasamit u përmbush vetëm për rreth dy javë, parkingu u bë pa pagesë por u rikthye në mënyrën e funksionimit të mëparshme.

Edhe nga komuna kanë njoftuar se së shpejti do krijohen edhe parkingje dhe hapësira të reja, por pa dhënë detaje konkrete.

@tn.lajmelokale
@tetovanews