Ballina Kronika Deklaruan dokumente të falsifikuara, bllokohen dy kamionë nga Tetova në vendkalimin kufitar...

Deklaruan dokumente të falsifikuara, bllokohen dy kamionë nga Tetova në vendkalimin kufitar RMV-Bullgari

Në policinë kufitare të Novo Sellës, vendkalim kufitar për në Bullgari, drejtuesit e dy kamionëve të një kompanie nga Reçica e Vogël e Tetovës kanë treguar dokumente të falsifikuara për pjesëmarrje në trafikun ndërkombëtar.

Rastin e ka marrë prokuroria, ndërsa MPB-ja nuk ka bërë të ditur se për cilën kompani bëhet fjalë. Problemi me kontrollin e dobët të kufirit, duke lejuar kalimin e automjeteve me dokumente dhe patenta të falsifikuara, u identifikua pas tragjedisë me autobusin e Besa Trans ku humbën jetën 45 pasagjerë, mes tyre 12 fëmijë. Edhe ai autobus fatal i ka kaluar kufijtë shtetërorë të Maqedonisë, 135 herë në 400 ditë, pa leje përkatëse.

Ministria e Brendshme njoftoi se kamionët janë zbuluar sot:

-Sot (04.01.2022), zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Kalim Kufitar dhe Vëzhgim Kufitar -Novo Sellë kanë kryer kontroll në dy kamionë, me targa të Tetovës, në pronësi të personit juridik nga fshati Reçicë e Vogël, Tetovë. Gjatë kontrollit është konstatuar se automjetet nuk kishin dokumentacion të rregullt, përkatësisht lejet dhe ekstraktet për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar ishin të falsifikuara. Nga përfaqësuesi i Inspektoratit Shtetëror të Rrugëve në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit janë përjashtuar nga qarkullimi dhe iu është hequr leja e qarkullimit. Ndërkaq, procedurën e kanë vazhduar zyrtarët policorë nga SPB Strumicë të cilët u kanë hequr licencat dhe certifikatat për kryerjen e transportit në komunikacionin rrugor të brendshëm dhe ndërkombëtar.

Publicitet

Ngjarja është denoncuar në Prokurorinë Publike dhe pas dokumentimit të plotë të çështjes do të ngrihen kallëzime sipas nenit 284 për “kryerjen e transportit publik pa leje” dhe nenit 378 “falsifikim dokumenti” të Kodit Penal./TetovaNews