Ballina Aktualitet Kultura Shuhet në moshën 87-vjeçare Kadrie Kadare, motra e Ismail Kadaresë

Shuhet në moshën 87-vjeçare Kadrie Kadare, motra e Ismail Kadaresë

Është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare Kadrie Kadare, motra e shkrimtarit të madh.

Ajo u shua të mërkurën dhe u përcoll për në banesën e fundit të enjten në Tiranë. Në ceremoninë e varrimit ishte i pranishëm edhe shkrimtari dhe miq e të afërm të familjes.
Kadrie Kadare ka qenë redaktore letrare në disa media.

E njohur në qarqet letrare si Kakuja, vitet e fundit ajo punoi edhe në shtëpinë botuese “Onufri”

Lamtumirë mikja ime e mirë Kakuja!
(Fragment….)
Nga Nadire BUZO

Më pëlqen shumë të përdor shprehjen Kadaretë. Pasi përveçse nuk i ndaj dot nga respekti dhe dashuria Zotin Kadare dhe Helenën, e dua shumë edhe Kakunë (motrën Kadrie Kadare). Eshtë një fenomen Kakuja. E zgjuar e ditur, ekspresive, tepër e këndëshme, rrebele dhe e pakapshme. Po u takove me Kakunë edhe tre orë të duken si tre minuta. Të mahnit, aq shumë gjera di, dhe tregon për artin dhe letërsinë. Mban mend gjithçka lexon, citon fragmente të tëra përmendësh nga librat e letërsisë botërore dhe çdo bisedë e lidh me to.

Por ta kërkosh është e vështirë ta gjesh. I them shpesh; shyqyr që nuk u bëre shkrimtare, se ty, s´do kishte njeri në botë të të kapte. Po nëse e gjen, habitesh se si shkon koha. Sikur lexon një enciklopedi. Njëherë më dhuroi dy libra, “Mosmarrveshja” dhe “E Penguara”, megjithëse i kisha librat, ishte dëshirë e saj dhe i pranova duke ju lutur të më shkruante një dedikim mbi to. Mezi pranoi, dhe shkroi: “ Nadire edhe unë jam një Kadare”. Unë e di këtë i them, di dhe si e ke emrin e vërtetë. Kështu të thërrisnin mbeskat, Gresa dhe Besiana kur ishin të vogla. Por poshtë te dritarja mua më pëlqen të thëras Kakuuujaaaaaaa!

Do na mungojë Kakuja, mua dhe gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Po më fort, vëllait Gjeni dhe Helenës me të cilët kaloi së shumti jetën. Ata u kujdesën fort për rrebelen e tyre te dashur. E cila si motra e madhe nuk e përballoi dot humbjen e vëllait të vogël doktor Shahinit, i cili, kujdesej për të në mungësë të Z. Kadare.

Edhe sot Kakuja, u përcoll si një Princeshë, në banesën Qiellore, prej të dashurve të saj të zemrës, Zotit dhe Zonjës Kadare. Miqve të mirë që nuk i përmbanin dot lotët.
“Perëndia qoftë me ne, kur prap Takohemi!”

@tn.lajmelokale
@tetovanews