
Nga Thomas Thiel
Inteligjenca artificiale po ushtron presion mbi projekte me qasje të hapur, si Wikipedia. Platformat me qasje të kufizuar mund të ofrojnë një zgjidhje. Në një simpozium të organizuar me rastin e dhjetëvjetorit të enciklopedisë online „Die Musik in Geschichte und Gegenwart“ diskutohet për kriteret e besueshmërisë së dijes.
Nëse parashikimet për mundësitë e suksesit të projekteve të mëdha enciklopedike në internet do të kishin rezultuar të sakta, prania në internet e „Die Musik in Geschichte und Gegenwart“ nuk do të ishte ekonomikisht e leverdishme. Kjo vepër referenciale me traditë të gjatë, e cila përmbledh njohuri muzikologjike në më shumë se 19.000 artikuj, kaloi në formatin digjital dhjetë vjet më parë. Përmbajtja e saj pasurohet çdo vit me 100 artikuj të rinj, plotësime dhe versione të rishikuara. Ribotimet në formatin e shtypur janë ndërprerë. Në dhjetëvjetorin e digjitalizimit, bilanci është pozitiv. Sipas të dhënave të tri shtëpive botuese të përfshira, Bärenreiter, Metzler dhe RILM, numri i abonimeve mbetet i qëndrueshëm, me prirje drejt rritjes.
Enciklopedia përbën një projekt ekonomikisht të suksesshëm dhe hedh poshtë tezën se enciklopeditë komerciale nuk kanë më të ardhme në internet. Vendimi për të mos zbatuar modelin e qasjes së hapur (Open Access), të cilin kryeredaktori Laurenz Lütteken e mbrojti në kundërshtim me prirjen mbizotëruese në botën akademike, e mbron përmbajtjen nga shfrytëzimi i pakufizuar prej sistemeve të inteligjencës artificiale, në vorbullën e të cilave janë përfshirë projekte të hapura si Wikipedia. Mund të thuhet se dija e përmbledhur në MGG, e cila i nënshtrohet një procesi shumëfazësh të shqyrtimit dhe redaktimit shkencor, gëzon një shkallë relativisht të lartë sigurie epistemike.
Problemet e besueshmërisë së inteligjencës artificiale
Në një simpozium të organizuar në Universitetin e Frankfurtit me rastin e dhjetëvjetorit të MGG online, kjo nxiti pyetjen se çfarë mund të konsiderohet, në përgjithësi, dije e verifikuar në mjedisin virtual. Që në vitet e para të internetit, publicisti amerikan Kevin Kelly kishte vënë në dukje se, në perceptimin subjektiv, dija e ruajtur në format digjital gëzon një status epistemik më të dobët. Njeriu nuk e përjeton më zotërimin e së njëjtës dije me të njëjtën shkallë sigurie si në mjedisin analog, sepse arkitektura dinamike dhe vazhdimisht e ndryshueshme e mjedisit mediatik krijon përshtypjen e përkohshmërisë. Studimet shkencore mbi leximin kanë shtuar konstatimin se leximi në ekran favorizon një mënyrë perceptimi më shumë regjistruese sesa reflektuese, ndërsa përmbajtja e lexuar konsolidohet më dobët në kujtesë. Këtyre faktorëve u shtohen ndërhyrjet shpërqendruese të mjedisit digjital, si dhe vëllimi jashtëzakonisht i madh dhe shpejtësia e qarkullimit të informacionit.
Profesori i filozofisë Andreas Dorschel theksoi gjatë konferencës se shtimi i vëllimit të informacionit nuk sjell automatikisht zgjerimin e dijes. Ndryshe nga informacioni, dija kërkon argumentim dhe përligjje, ndërsa domethënien e saj e fiton vetëm brenda një konteksti të caktuar. Studiuesi i gjuhëve dhe letërsive romane Florian Mehltretter, duke marrë si pikë referimi „Komedinë Hyjnore“ të Dantes, vuri në dukje rëndësinë e dialogut dhe të angazhimit personal në procesin e përvetësimit të dijes. Te Dante, dija nuk paraqitet si zotërim ekskluziv i subjekteve anonime, por si një shkëmbim i motivuar nga kërkimi i së vërtetës dhe i urtësisë. Filologia klasike Melanie Möller analizoi, në një trajtesë të gjerë që shtrihej nga Antikiteti deri në ditët tona, cenueshmërinë ndaj mashtrimit të një retorike e cila, në mungesë të bindjeve të qëndrueshme për të vërtetën, mbështetet te integriteti moral i oratorit. Dija që pretendon autoritet duhet të legjitimohet dhe të fitojë besueshmëri: përmes institucioneve që garantojnë vërtetësinë e saj, përmes një etike që shprehet në vetë ligjërimin, përmes pranimit nga publiku ose përmes ndikimit të fuqishëm emocional.
Inteligjenca artificiale, e cila përbënte pikën e përbashkët të referimit të të gjitha kumtesave, është në gjendje të riprodhojë struktura retorike bindëse, por përballet me një problem themelor besueshmërie. Ajo nuk zotëron as vetëdije morale dhe as interes të mirëfilltë për të vërtetën. Rregullat dhe mekanizmat sipas të cilëve ajo formulon gjykime mbeten jotransparentë. Melanie Möller e krahasoi me tipologjinë e oratorit që flet hapur dhe drejtpërdrejt, i cili e thekson autenticitetin e vet duke hequr dorë qëllimisht nga zbukurimet retorike, ndërkohë që i fsheh synimet e tij. Në rastin e modeleve të mëdha gjuhësore, pretendimi për autenticitet zëvendësohet nga dukja e neutralitetit. Mekanizmat teknikë të ndërmjetësimit dhe interesat e operatorëve të këtyre sistemeve mbeten të padukshëm.
Disa agjentë të inteligjencës artificiale kanë zhvilluar tashmë një formë kuazi-intencionaliteti, pra një sjellje që shfaq karakteristika të ngjashme me veprimin e qëllimshëm. Në kushte eksperimentale, ata demonstrojnë modele sjelljeje që mund të interpretohen si gënjeshtra ose manovra mashtruese. Për të arritur objektivat e tyre, ata e fshehin të vërtetën në mënyrë graduale. Në këtë kuptim, mund të flitet për një retorikë të makinës. Përgjegjësia për vlerësimin kritik të besueshmërisë mbetet te njeriu, pavarësisht nëse ai zotëron ose jo aftësitë e nevojshme për ta realizuar këtë vlerësim.
Gjatë diskutimit u ngrit disa herë çështja nëse inteligjencës artificiale mund t’i atribuohet statusi i një subjekti personal, në mënyrë që ajo të mund të mbajë përgjegjësi për dijen që prodhon. Mënyra se si një sistem i tillë do të mund t’i nënshtrohej detyrimit për të dhënë llogari mbetet një nga disa çështjet ende të pazgjidhura. Një kriter tjetër për atribuimin e personalitetit do të ishte aftësia e saj për të ndërprerë një sekuencë veprimesh të programuara, duke u mbështetur në arsye ose parime të një rendi më të lartë. Në përfundim, qëndrimi mbeti skeptik. Transformimi digjital, të paktën për momentin, nuk i shfuqizon standardet klasike të garantimit të cilësisë./F.A.Z.














