Ballina Aktualitet Filloi hartimi i Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren –...

Filloi hartimi i Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë

Sot në kuadër të mbledhjes së 102-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u diskutua edhe për planin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën, transmeton Portalb.mk.

“Iniciuam hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë”, sqarojnë nga Qeveria.

Ndër të tjera, Qeveria themeloi Këshillin Organizativ për shënimin e 110-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor.

Ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, vlerësoi që distanca ndërmjet këtyre dy qyteteve do të bëhet gjysmë ore. Në një raportim të zv.kryeministrit të infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi, theksohet që pjesë e kësaj rruge do të jetë edhe tuneli 6.4 kilometra.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore më 2 tetor të vitit 2019 kishte premtuar se planifikojnë hapjen e një tuneli që lidhë qytetin e Prizrenit me atë të Tetovës.

“Zotohem para jush që si Kryeministër i Kosovës, në takimin e parë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut do të inicioj nisjen e projektit të lidhë Prizrenin me Tetovën. Një pjesë të punës duhet ta kryej Kosova dhe pjesën tjetër Maqedonia”, deklaroi Kurti.

Më 17 shtator të vitit 2022 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizen, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, ka siguruar dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në takimin me Ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në muajin gusht paralajmëroi që deri në fund të vitit 2022 do të ketë edhe një mbledhje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ministri për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka paralajmëruar një heqje të kufirit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Maqedonia e Veriut parasheh të mos ketë kufij me Kosovën”, u shpreh Osmani në një intervistë për TV 21, duke vlerësuar që kufijtë tashmë janë vetëm pengesë në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, ato nuk e ruajnë sigurinë e shteteve.

Artikulli paraprakJa pse Elon Musk hyri në selinë e Twitter me lavaman në duar (VIDEO)
Artikulli tjetërNJË JETË ME DITAR NË DORË (Motrës, Halides, në vend të lamtumirës)