Ballina Aktualitet Kasami: Brenda një viti kemi ulur borxhin e komunës dhe ndërmarrjeve komunale...

Kasami: Brenda një viti kemi ulur borxhin e komunës dhe ndërmarrjeve komunale (Video)

Kreu i komunës Tetovës Bilall Kasami në një dalje para mediave për borxhin e komunës ka deklaruar se borxhi ka rënë dhe se ka pasur pagesa për taksat nga ana e qytetarëve, 120%.

“Brenda një viti me përkushtim dhe punë arritëm të ulim borxhin e komunës dhe për këtë u jam mirënjohës edhe qytetarëve që taksat i kanë paguar si asnjëherë më parë”, tha Kasami.

Më tej Kasami ka deklaruar se ka realizuar disa projekte për një vit qeverisje.

Në vazhdim ju prezantojm fjalimin e plotë të Kasamit:
Me marrjen e mandatit, premtuam se do të jemi transparentë dhe të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Trashëguam një komunë të zhytur në kaos, me një mori problemesh, me llogari të bllokuar dhe me borxh prej mbi 24 milionë euro, duke mos llogaritur këtu kamatat e dënimit për borxhet që janë në përmbarues. Vetëm në emër të kamatave të dënimit përmbaruesit gjatë këtij viti nga komuna kanë zhvatur afërsisht 1 milion euro.

Borxhin e trashëguar e publikuam pasi qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku harxhohen paratë e tyre.
Falë këmbënguljes dhe angazhimit maksimal, procesi i menaxhimit me borxhin po ecën me sukses. U jemi mirënjohës edhe qytetarëve që besojnë në punën tonë, gjë që dëshmohet nga rritja e përqindjes së grumbullimit të taksave komunale.
Shkollat të cilat i gjetëm me afro 80 mijë euro borxhe, tashmë janë krejtësisht të shlyera dhe funksionojnë në kuadër të normalitetit.

Ndërmarjen Komunale Parkingu i qytetit, përveç borxhit që publikuam, e gjetëm edhe me rroga të pashlyera ndaj punëtorëve me vlerë prej mbi 50 mijë euro, të cilët i pastruam dhe tani punëtorët e parkingut i marin rrogat në kohë. Me gjithë vështirësitë, ndërmarrja arriti me sukses të shlyejë një pjesë të borxhit të saj dhe sot funksionon me llogari të zhbllokuar.

Ndërkaq situata ende është e vështirë në Ndërmarjen Publike Komunale Tetova, kjo si rezultat i rritjes së pagës minimale si dhe I rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike dhe derivative të naftës nga njëra anë si dhe mosrealizimi i suksesshëm i inkasimit të faturave. Këtë ndërmarrje e gjetëm me një borxh prej gati 10 milionë euro dhe me shumë probleme të tjera, si vonesa e pagave, mungesa e stafit si dhe mungesa e paisjeve të punës (kamion, kontejner etj). Për t’u përballur me këto probleme ne kemi vendosur për një riorganizim të plotë të ndërmarrjes, për të cilën kemi plan afatshkurtër si dhe një plan afatgjatë, me të cilat presim që më në fund kjo ndërmarrje të vazhdoj të funksionojë në mënyrë efikase dhe pa problem në shërbim të qytetarëve.

Sa i përket komunës, atë e gjetëm me mbi 14 milionë euro borxh. Si rezultat i një menaxhimi të sukseshëm të financave komunale, ne arritëm që të shlyejmë mbi 3 milion euro nga borxhi i trashëguar por njëherit duke pasur parasysh faktin që ne vazhduam me një intensitet të shtuar realizimin e projekteve infrastrukturore (rrugë, ujësjellës, kanalizime etj.) që kapin një vlerë prej mbi 2 milion euro, neto borxhi i komunës është ulur për rreth 1 milion euro dhe sot është rreth 13 milion euro.

Pasojat e keqmenaxhimit të ish-qeverisjes lokale me Komunën e Tetovës na penguan të realizojmë më shumë projekte të cilat vetëm se i kishim planifikuar për t’i realizuar. Poashtu gjatë këtij viti qeverisjeje ne kemi pasur obstruksione dhe pengesa të vazhdueshme nga pushteti qendror, presion i cili edhe tani vazhdon. Por pavarësisht kësaj, këmbëngulja dhe puna jonë po jep rezultate. Sot kemi një komunë me një pjesë të borxhit të shlyer dhe me shumë projekte të realizuara.
Ne edhe më tej do të vazhdojmë me të njëjtën energji dhe përkushtim, që Tetova të jetë me pamje bashkëkohore ashtu edhe siç e meritojnë tetovarët.

Pra, jemi shumë të vetëdijshëm se për vetëm një vit kemi fituar besimin e qytetarëve. Pagesat dhe obligimet ndaj komunës kanë arritur përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara. Të hyrat vetanake të komunës (tatimi në pronë, tatimi në shitblerje të pronës si dhe taksat e tjera komunale) për vetëm 10 muaj janë realizuar gati 120 % (160 milon denarë nga 135 milion denarë të planifikuara). Për një vit nga ardhja jonë në krye të komunës kemi realizuar të hyra vetanake në vlerë prej më shumë se 200 milion denarë, gati 85 milion më shumë se sa ka realizuar udhëheqësia paraprake për të njëjten periudhë kohore.

Nuk do kisha dashtur ta mbyll këtë konferencë për shtyp pa e përmendur këtu edhe krizën e thellë ekonomike që ka kapluar vendin tone, në veçanti krizën energjetike. Si pasoj e kësaj vetëm nga rritja enorme e çmimit të energjisë elektrike për një vit komuna ka gjeneruar obligime prej 60 milion denarë më shumë nga viti paraprakë (100 milion denarë për periudhën kohore 01.10.2021-30.09.2022). Këtë situate e rëndon edhe më shumë vendimi politik dhe antiligjor i qeverisë së RMV-së, i cili është në dëm të qytetarëve dhe pushtetit lokal të cilëve nuk u lejon të themelojnë ndërmarrje komunale për menaxhimin me energjinë elektrike.

Të nderuar qytetarë, ne do të vazhdojmë me po këtë përkushtim dhe do të jemi në shërbimin tuaj, edhe përkundër gjendjes në të cilën e trashëguam komunën si dhe obstruksioneve që na vijnë nga pushteti qëndror, sepse shërbimin që ua bëjmë bashkëqytetarëve tanë dhe Tetovës, e shohim si një mision të shenjtë për besimin që na keni dhënë. Në periudhën që vjen, po me këtë përkushtim do vazhdojmë t’i shërbejmë Tetovës dhe tetovarëve, sepse ju e meritoni këtë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews