Ballina Aktualitet Opinione Rekuiem për Edi Shukriun, ish bashkëshorten e Ukshin Hotit

Rekuiem për Edi Shukriun, ish bashkëshorten e Ukshin Hotit

Nga Sefer Pasha

Lajmin e ndarjes nga jeta në Prishtinë të poeteshës, arkeologes, profesoreshës dhe akademikes Edi Shukriu ma dha ime shoqe, Violeta. E kishte lexuar në internet. Ishte mëngjes dhe në Tiranë binte shi me gjym. Mali i Dajtit qe zbar

dhur nga dëbora. Unë sipas zakonit në Mallakastër thashë: -I rëndoftë dheu mbi varr sa një pendë zogu Pashtriku! Qoftë i paharruar kujtimi i Edi Shukriut, ish gruaja e Ukshin Hotit. Ngushëllimi vajzës së vetme Erletës!

Gruaja ime më dëgjoi dhe nuk foli. Në ato çaste dhimbjeje mu kujtua një “dramë” me gruan time. Në ekranin e kompjuterit ajo kishte parë foton e një gruaje të bukur. Disa herë fshehtas meje e kishte kontrolluar faqen time të fejzbukut nëse kishte ndonjë mesazh të dashuruarish. Dhe një ditë nuk ma përtoi dhe ma tha copë:

– Ç’ke atë foton e asaj femre të bukur ne faqen e kompjuterit ku t’i shkruan përditë? Mos është ndonjë artiste e Hollivudit? Ke kujtuar se mos është ndonjë e dashura ime i thashë aty për aty. Ajo tundi kokën. I trishtuar e sqarova se kush ishte ajo grua. Quhej Edi Shukriu dhe ishte ish bashkëshortja e Ukshin Hotit. Ime shoqe e mori vesh. E kishte lexuar në librat që unë kisha botuar për filozofin Ukshin Hotin.

E solla këtë detaj sot kur mora lajmin e ndarjes nga jeta të Edi Shukriut. Jeta e kësaj gruaje i kalon përmasat e një drame. Poetesha dhe profesoresha me emër nuk e përballoj ciklonin e jetës së burrit të saj Ukshin Hotit në luftë e shenjtë për çlirimin e Kosovës. Ukshin Hoti u arrestua pas demnostratave të studentëve të vitit 1981. Dhe filozofi i madh përfundoi në burg. “Psikologët” e UDB -së bën punën e tyre. Befasisht ndodhi divorci i Edi Shukriut me Ukshin Hotin. Në rrethanat e reja ajo e përzuri nga shtëpia Ukshin Hotin me ndihmën e policisë serbe. Profesori i Universitetet të Prishtinës mbeti në mes të katër udhëve. Përfundoi në fshatin e tij të lindjes në Krushën e Madhe. Por udb -ja nuk i ndahej as në Krushën e Madhe, ku Ukshin Hoti pinte nga 70 cigare dhe nga shtatë kafe. Arrestohet për herë të dytë dhe të tretë. Më në fund e rrëmbyen më 16 maj të vitit 1999 dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij. Thuhet se e mbajnë peng në Beograd.

Këtë mëngjes të trishtuar unë sërish e pyes veten se sa fajtore është Edi Shukriu për ish burrin e saj Ukshin Hotin. Domosdo që ajo ka përgjegjësi. Por Ukshin Hoti ishte i lart sa mali i Pashtrikut dhe ajo nuk e arrinte dot. Ai kërkonte çlirimin e Kosovës me çdo çmim. Kurse Edi Shukriu donte ta rriste vajzën në ato rrethana. Dhe ngjarjet u rrokullisën keq e më keq. Poetesha Edi Shukriu nuk u fut dot në shpirtin e gjeniut. Unë kam mbi njëzetë vjet që vete dhe vij në Prishtinë. Nuk kam guxuar që të takoj Edi Shukrinë. S’doja ta lëndoja paçka se emrin ja përdorja nëpër libra nga halli. Në fund të fundit ajo ishte bashkëshortja e Ukshin Hotit. Dhe emri i saj do të përmendet edhe në motet që do të vijnë. Pavarësisht nga tragjedia Edi Shukriu ishte grua me fat. Për disa vite ajo pati në krah një gjeni. Unë nuk munda ta marr dot në intervistë. Së paku t’i thoja që t’i shkruante kujtimet e sinqerta për Ukshin Hotin. Sa shumë që dinte ajo grua për atë burrë të famshëm. Kujtimet e Edi Shukriut do të pushtonin botën. Por për fat të keq ato sot i mbuloi balta. Edi i mori me vete. Megjithatë poetesha sikur ta parandjente vdekjen la si trashëgim për brezat librin “Pasqyra e Thyer”. E bleva në Prishtinë dhe e kam lexuar disa herë. Ja çfarë shkruan “mikesha” e bukur e cila e bëri xheloxe gruan time. Janë çastet e arrestimit të Ukshin Hotit. – “Sa hapa pak derën, në apartament vërshoi një duzinë policësh të armatosur deri në fyt. Je i arrestuar!, i thanë kërcënueshëm…..Mos u mërzit! – më tha në ndarje. Ti…. mbahu! – i thashë. Foshnja shtatë mujashe më ngeli në karaharor…….Nuk lëvizja nga dhoma e punës se nuk doja që të mallkuarit të gjenin dhe të merrnin studimin voluminoz të burrit mbi subjektivitetin e Kosovës gjatë shekujve dhe prespektivat e saj. Dorëshkrimi gjendej mbi tavolinë i përfunduar një ditë më parë, i gatshëm për mbrojtje të doktoraturës. Shumë shqiptar ishin dërguar në burgje për një vjershë, për një fjali”.

Në këto pak shënime që po i përcjell gazetës për marrëdhëniet e jetës së Edi Shukriut me Ukshin Hotin po nënvizoj këtë thënie të saj gjatë vizitës, që ajo i ka bërë Ukshin Hotit në Burgun Qendror të Beogradit: – “Ishte takimi i parë pas shumë muajsh të arrestimit. Ai mezi priste ta shihte vetë me sy, të vërtetohej se ishte gjallë…E futën në një dhomë të vockël akull. Nuk folëm fare. Takimi dhjetë minutash u zhvillua përmes shikimeve. Sytë e burrit, të vendosura në gropa të thella dhe me mavijosje të theksuar, flisnin shumë. Flisnin për torturat e përjetuara më shumë se çdo përshkrim i mundshëm i ndonjë pende gjeniale…”

Për lexuesin po japim dhe një fragment të fundit nga libri “Pasqyra e Thyer” e Edi Shukriut. “Për ish burrin tënd nuk dihet gjë? Jo, nuk dihet. Të takon ty! E di! E ke vajzën! E di! Kërkoje sërish kudo! Nuk ke nevojë të ma kujtosh. Më lërë të qetë tash!”

@tn.lajmelokale
@tetovanews