Shkruan: Saranda R. Shala
Ngjarjet që po shohim këto ditë në Shqipëri nuk janë thjesht protesta të çastit. Ato janë zëri i një rinie që kërkon të drejtën për të ëndërruar, për të shpresuar dhe për të ndërtuar një të ardhme në vendin ku ka lindur e është rritur.
Këta studentë na kthejnë pas në kohë, në vitet e rinisë sonë, kur secili prej nesh kishte ëndrra, dëshira dhe shpresa. Ëndrra për t’u arsimuar, për të gjetur një punë të ndershme, për t’u bërë i pavarur dhe për të jetuar me dinjitet në vendin e vet, pa u detyruar të largohet nga familja dhe rrënjët për të kërkuar një të ardhme më të mirë diku tjetër.
Revolta e tyre nuk është thjesht kundërshtim ndaj pushtetit. Është një thirrje e fuqishme për drejtësi, për mundësi të barabarta dhe për një jetë më dinjitoze. Është zëri i një brezi që nuk kërkon luks, por të drejtën për të jetuar, për të punuar dhe për ta ndërtuar të ardhmen me forcat e veta.
Pushteti duhet të reflektojë, t’i dëgjojë të rinjtë dhe t’i mbështesë, jo t’i zhgënjejë. Sepse rinia nuk është problemi i një vendi, por shpresa e tij më e madhe.
Nuk ka dhimbje më të madhe sesa t’ia shuash ëndrrat një të riu, t’ia vrasësh shpresën një studenti që prej vitesh sakrifikon, mëson dhe lufton për një të ardhme më të mirë.
Sot, këta të rinj protestojnë sepse ndihen të pasigurt për të nesërmen. Protestojnë sepse shohin se, ndërsa përpiqen ta ndërtojnë të ardhmen e tyre, vendimet e pushtetarëve ua kufizojnë gjithnjë e më shumë mundësitë për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre.
Dhe kur një student humbet shpresën, nuk humbet vetëm ai. Humbet familja që ka sakrifikuar për të, humbet shoqëria që ka nevojë për dijen dhe energjinë e tij, humbet vendi që nesër do të ketë nevojë për kontributin e tij.
Sepse një shtet që ua shuan ëndrrat të rinjve, dalëngadalë po ia shuan të ardhmen edhe vetes.
T’i dëgjosh studentët nuk është dobësi. Është përgjegjësi. T’u japësh shpresë nuk është favor. Është detyrim.
Mos ua vrisni ëndrrat të rinjve, sepse një ditë do të kuptojmë se, bashkë me ëndrrat e tyre, kemi humbur edhe shpresën për të ardhmen tonë.















