Koment nga Andreas Ross
Humbësi Donald Trump tani nuk ka më shumë për të thënë te republikanët. Por as fituesit demokratë nuk e dinë se cila rrugë i çon drejt objektivit. Përplasja do të jetë e ashpër.
Në një aspekt, Donald Trump e mori atë që kërkoi: zgjedhjet për Kongresin dhe guvernatorët u shndërruan në referendumin popullor për të dhe presidencën e tij, të cilin ai vetë e kishte kërkuar me ngulm. Megjithatë, “jo”-ja e votuesve ndaj mënyrës së tij të të qenit dhe të qeverisurit ishte aq e fuqishme, saqë jo vetëm u dha zemër demokratëve, të cilët më në fund po dalin nga gjendja e shokut pas rizgjedhjes së Trumpit në vitin 2024. Shuplaka e fortë ndaj presidentit egoist po dëgjohet edhe brenda vetë partisë së tij.
Atje, ditët e kultit të Trumpit janë të numëruara. Kreu 80-vjeçar i ekzekutivit, i cili deputetët dhe senatorët pëlqen t’i mbajë pranë vetes si dishepuj, nuk do të mund të vendosë më i vetëm se kush do të kandidojë në partinë e tij dhe për cilin post – as kur bëhet fjalë për Shtëpinë e Bardhë. Oportunistët që iu nënshtruan atij nuk kanë më çfarë të presin prej tij dhe do të riorientohen shpejt. Ndërsa trumpistët më besnikë do ta kuptojnë së shpejti se tashmë përbëjnë vetëm një rrymë mes shumë të tjerave.
I është zhdukur ndjesia për humorin e vendit
Trump nuk u ndëshkua vetëm për premtimet e thyera dhe korrupsionin e njerëzve të tij. Me përzgjedhjen e kandidatëve dhe paraqitjet e tij herë pas here groteske në fushatë, ai i tregoi vendit dhe vetë partisë së tij, thuajse në mënyrë karikaturale, se e ka humbur ndjesinë për gjendjen shpirtërore të vendit, atë që dikur ishte avantazhi i tij më i madh.
Partia e tij nuk duhet ta vajtojë rezultatin vetëm në Kongres. Ashtu si demokratët pas fitoreve të Trumpit dhjetë dhe dy vjet më parë, edhe republikanëve u duhet tani të përballen me shembjen e bastioneve që konsideroheshin të sigurta. Figura e tyre shpëtimtare tani është një humbës. Trump ka qenë humbës edhe më parë, pas dështimit për t’u rizgjedhur gjashtë vjet më parë dhe tentativës për grusht shteti të 6 janarit 2021. Por këtë herë ai nuk mund të rikthehet më. Përpara i qëndron Kushtetuta, e cila ia ndalon qartë një mandat të tretë – dhe mosha e tij.
Megjithatë, republikanët nuk kanë as ndonjë fitues tjetër rreth të cilit të mblidhen tani. Në këtë aspekt, demokratët janë në një pozitë shumë më të mirë, sepse mund të festojnë një numër të madh fituesish të talentuar. Por, nga ana tjetër, efekti është i ngjashëm: edhe ata kanë mbetur pa një udhëheqës të qartë.
Demokratët duhet të japin rezultate – por çfarë?
Se në çfarë drejtimi do të shkohet drejt zgjedhjeve presidenciale, nëse do të ndiqen rrugët centriste të njerëzve si James Talarico dhe Jon Ossoff, apo një kurs me vrull të majtë si ai i Abdul El-Sayed, mbetet po aq e hapur sa ishte përpara zgjedhjeve të ndërmjetme. Ka kohë që një garë presidenciale, dy vjet përpara zhvillimit të saj, nuk ka qenë kaq pak e paracaktuar. Amerikanët mund të presin në zgjedhjet paraprake një garë personalitetesh ideologjikisht të hapur, por të zhvilluar me mjete të ashpra.
Megjithatë, demokratët nuk mund të presin deri atëherë. Ata tani dominojnë të dyja dhomat e Kongresit dhe duhet t’u japin menjëherë diçka votuesve. Ndoshta shumica e amerikanëve e kuptojnë se edhe për fituesit e zgjedhjeve mundësitë legjislative nuk janë të pakufizuara, sepse republikanët në Senat vazhdojnë të kenë një pakicë bllokuese dhe presidenti tashmë po kërcënon me të drejtën e vetos.
Si do ta përballojë Trump poshtërimin?
Ashtu si paraardhësit e tij demokratë në detyrë, Trump, si një “rosë e çalë”, do të përpiqet të nxjerrë edhe më shumë dekrete, të shfrytëzojë shumicën që i është e favorshme në Gjykatën Supreme për vendime parimore në përputhje me orientimin e tij dhe, natyrisht, të përdorë kompetencat e gjera që ka në politikën e jashtme si komandant i përgjithshëm.
Duke qenë se Trump edhe deri tani, pavarësisht shumicave të veta, është përpjekur të ndërmarrë sa më shumë veprime duke anashkaluar Kongresin, nuk duhet pritur prej tij një stil krejtësisht i ri qeverisjeje. Si do ta përballojë poshtërimin e së martës dhe nëse ai mund ta shtyjë drejt veprimeve ekstreme kompensuese – kjo, për momentin, mbetet spekulim.
Demokratët, ndërkohë, ndodhen menjëherë përpara një akti të vështirë ekuilibrimi. Pas dy vjetësh pafuqie, dëshira për ta bllokuar dhe penguar më në fund Trumpin është e madhe mes shumë liberalëve të majtë. Por shumë votues duan politikanë që arrijnë të realizojnë diçka konkrete. Hakeem Jeffries dhe Chuck Schumer, drejtuesit e mundshëm të ardhshëm të shumicës në Kongres, e dinë këtë. Ata nuk kanë frikë nga marrëveshjet me Trumpin. Do të kërkojnë projekte rreth të cilave mund të bashkohen njerëzit e tyre, nga e majta e skajshme deri te e djathta e moderuar, ndërkohë që këto çështje mund t’i përçajnë republikanët.
Shumicat e rehatshme zvogëlojnë potencialin pengues të figurave jashtë vijës kryesore brenda radhëve të tyre. Rivendosja e disa përfitimeve të sigurimeve shëndetësore të hequra gjatë Trumpit, për shembull, ka të ngjarë të konsiderohet e sigurt, pa u shqetësuar shumë për nivelin e borxhit. Përpjekjet për ta kufizuar Trumpin në politikat e tarifave doganore dhe ndaj Iranit gjithashtu pritet të hasin pak kundërshtim brenda partisë; se çfarë efekti real mund të kenë ato përballë kompetencave të presidentit, është një çështje tjetër.
Por edhe republikanët dinë ta përdorin taktikën e përçarjes së kundërshtarit. Demokratët u ofrojnë mjaft pika të dobëta – nga sigurimet shëndetësore deri te Izraeli.
Sa i përket luftës për Shtëpinë e Bardhë, sot vetëm një gjë është e sigurt: pas dy vjetësh askush nuk do të interesohet se kush i fitoi zgjedhjet për Kongresin në vitin 2026. Fiton ai që arrin ta bindë shumicën e amerikanëve se, më në fund, gjithçka do të bëhet mirë.
Andreas Ross
Redaktor përgjegjës për lajmet dhe politikën online.
(F.A.Z.)






























