Zgjedhjet për Kongresin: Gjithë paratë e Elon Muskut nuk sollën asnjë rezultat
Nga Roland Lindner, Nju Jork
Elon Musk ka shpenzuar gati gjysmë miliardi dollarë në fushatën zgjedhore në Shtetet e Bashkuara, por ka pësuar humbje në të gjitha frontet. Tani ai mund të përballet me një sërë problemesh.
Në pranverën e vitit 2025, Elon Musk njoftoi se në të ardhmen synonte të shpenzonte shumë më pak para për donacione politike. “Mendoj se kam bërë mjaftueshëm”, shtoi ai, duke iu referuar angazhimit të tij në mbështetje të Donald Trumpit gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024. Atëherë, Musk kishte shpenzuar më shumë se 290 milionë dollarë për ta ndihmuar Trumpin të rizgjidhej president dhe ishte shfaqur vazhdimisht përkrah tij gjatë fushatës. Pas zgjedhjeve, ai u bë një nga këshilltarët më të afërt të Trumpit dhe, përmes grupit të punës DOGE, zbatoi shkurtime radikale në institucionet federale amerikane.
Megjithatë, Musk ndryshoi sërish mendje këtë vit lidhur me tërheqjen e tij nga politika – dhe u angazhua më shumë se kurrë. Sipas të dhënave të mbledhura nga The New York Times, ai ka shpenzuar të paktën 474 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët e Partisë Republikane në zgjedhjet e së martës për Kongresin, pra dukshëm më shumë sesa gjatë fushatës së vitit 2024.
Nga kjo shumë, 224 milionë dollarë u shpenzuan për zgjedhjet në shtetin e Teksasit, ku dy kompanitë e tij më të rëndësishme, Tesla dhe SpaceX, kanë selitë qendrore. Pjesën dërrmuese të këtyre parave ai e investoi në garën për një nga vendet e Teksasit në Senatin amerikan, ndërmjet demokratit James Talarico dhe republikanit Ken Paxton.
Demokratët paralajmërojnë hetime ndaj Muskut
Por gjithë ato para nuk dhanë rezultatin e dëshiruar. Republikanët e mbështetur nga Musk humbën të martën të dyja dhomat e Kongresit, të cilat kaluan nën kontrollin e demokratëve. Edhe gara për Senatin në Teksas, ku Musk kishte investuar veçanërisht shumë para, përfundoi me një fitore bindëse të Talaricos. Madje, demokratët fituan edhe postin e guvernatorit të këtij shteti.
Aksionet e Tesla-s dhe SpaceX-it humbën përkohësisht më shumë se katër për qind të vlerës së tyre të mërkurën. Gjatë viteve të fundit, Musk i ka zhvendosur selitë qendrore të të dyja kompanive nga Kalifornia në Teksas.
Talarico e përdori angazhimin e Elon Muskut në fushatën zgjedhore si argument kundër rivalit të tij. Në tubimet elektorale ai deklaronte: “Texas is not for Sale” – “Teksasi nuk është në shitje”. Ai e akuzoi Muskun se po përpiqej të blinte një “senator personal”.
Në fjalimin e fitores, natën duke u gdhirë e mërkura, ai deklaroi, duke iu referuar Muskut, Trumpit dhe “establishmentit” të Uashingtonit: “Sonte e mundëm Goliathin”.
Për Muskun, ajo ishte një mbrëmje e hidhur. Së pari, sepse u dëshmua se ndikimi i pasurisë së tij në zgjedhjet amerikane ishte shumë i kufizuar. Së dyti, sepse tani ai mund të përballet me një sërë hetimesh.
Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë sinjalizuar tashmë se synojnë të nisin hetime ndaj Muskut nëse fitojnë shumicën në njërën ose në të dyja dhomat e Kongresit. Prandaj, është krejtësisht e mundshme që Musk të thirret për të dëshmuar në seanca dëgjimore përpara Kongresit.
Dy ligjvënës demokratë kishin kërkuar që në shtator që Musk të jepte dëshmi nën betim. Ata iu referuan një raporti të Zyrës së Llogaridhënies së Qeverisë (Government Accountability Office – GAO), institucionit shtetëror të auditimit, sipas të cilit kursimet e pretenduara nga grupi i punës DOGE ishin ekzagjeruar shumë.
Musk kërcënon “ata që më dalin kundër”
Sipas një raportimi të revistës Politico, demokratët shohin edhe disa mundësi të tjera për hetime ndaj Muskut, përveç veprimtarisë së DOGE-s.
Ndër to përfshihen kontratat qeveritare me vlerë miliarda dollarë që kanë marrë kompanitë e tij, si dhe kufizimi i kohëve të fundit i shpejtësisë së internetit të shërbimit satelitor Starlink, në pronësi të SpaceX-it, në Ukrainë.
Gjatë fushatës zgjedhore, Musk jo vetëm që shpenzoi shuma të mëdha parash, por përdori edhe platformën e tij X për të promovuar republikanët dhe për të nxitur opinionin kundër demokratëve, veçanërisht kundër kandidatit për Senat, James Talarico.
Pas raportimit të Politico-s mbi hetimet e mundshme që demokratët mund të ndërmarrin kundër tij, Musk lëshoi një kërcënim ndaj “atyre që më dalin kundër”.
Ai e drejtoi gjithashtu vëmendjen te zgjedhjet e vitit 2028, duke shkruar se, nëse demokratët arrijnë të fitojnë atëherë Shtëpinë e Bardhë dhe të dyja dhomat e Kongresit, kjo do të ishte “Game Over” – “Fundi i lojës” për Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, kjo do të shënonte “fundin e demokracisë” dhe vendi do të qeverisej “përgjithmonë” nga një parti e vetme.
Natën e zgjedhjeve, Musk fillimisht e priti humbjen me humor.
Në platformën X ai shkroi: “Duket se lazerët e mi hapësinorë për manipulimin e zgjedhjeve nuk funksionuan këtë herë”.
Më pas shtoi: “Qendrat e të dhënave në hapësirë duken mjaft joshëse për momentin”.
Marrëdhënia e Muskut me Trumpin ka qenë si një udhëtim me ulje-ngritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.
Pas zgjedhjeve të vitit 2024, të dy burrat dukeshin të pandashëm. Musk e quante veten “First Buddy”, një lloj “miku i parë” i Trumpit.
Por disa muaj më vonë, marrëdhënia e tyre u prish në mënyrë të bujshme dhe publike. Shkak u bë kritika e Muskut ndaj një ligji për taksat dhe shpenzimet, të cilin Trump po e shtynte përpara.
Pas kësaj, të dy shkëmbyen vazhdimisht sulme publike, ndërsa Trump kërcënoi se do t’u hiqte kompanive të Muskut kontrata qeveritare me vlerë miliarda dollarë.
Kështu, prania publike e Muskut përkrah Trumpit mori fund, të paktën përkohësisht, në mënyrë të papritur.
Musk përpiqet t’i afrohet sërish Trumpit
Ndërkohë, Musk dhe Trump janë afruar përsëri.
Gjatë një banketi shtetëror në Shtëpinë e Bardhë, të organizuar për presidentin kinez Xi Jinping, Musk ishte ulur së fundmi në të njëjtën tryezë me Trumpin.
Musk u emërua gjithashtu anëtar i një organi të ri të Departamentit të Mbrojtjes, të quajtur “Project Meridian”, i cili merret me mënyrat se si mund të zhvillohen luftërat në të ardhmen.
Kjo ngriti edhe një herë pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit, duke pasur parasysh kontratat qeveritare që marrin kompanitë e Muskut.
Musk po bën çdo përpjekje për t’iu përshtatur Trumpit.
Në komunikimet e tyre me investitorët, SpaceX dhe Tesla kohët e fundit kanë filluar të përdorin termin “superinteligjencë”, në vend të “inteligjencë artificiale”.
Edhe Trump, prej pak kohësh, i kushton rëndësi të veçantë përdorimit të termit “superinteligjencë” dhe ia ka bërë të qartë industrisë së teknologjisë se duhet të përshtatet me terminologjinë e tij.
Musk e ka lënë të kuptohet edhe më parë se ndihet i kërcënuar nga demokratët kur ata janë në pushtet.
Përpara zgjedhjeve të vitit 2024, ai deklaroi në një intervistë se, nëse Trump humbte, ai vetë do të ishte “fucked”, pra në telashe serioze.
Madje, duke qeshur, foli edhe për kohëzgjatjen e një dënimi me burg që mund t’i shqiptohej.
Në atë periudhë, kompanitë e tij përballeshin me hetime të shumta nga autoritetet amerikane.
Për Muskun, zgjedhjet për Kongresin nuk përbëjnë humbjen e parë politike.
Vitin e kaluar, ai e kishte përjetuar një herë tjetër faktin se ndikimi i tij ka kufij.
Ai shpenzoi një shumë prej dhjetëra milionë dollarësh në fushatën për një vend në Gjykatën Supreme të shtetit të Wisconsin-it dhe u angazhua edhe personalisht në fushatë.
Megjithatë, kandidati që ai mbështeste humbi me një diferencë të madhe votash.
Sipas raportimit të The New York Times, vlerësimi prej 474 milionë dollarësh për donacionet elektorale të Muskut ndoshta nuk paraqet ende një tablo të plotë.
Kjo shumë përfshin vetëm donacionet e regjistruara deri në mesin e tetorit. Përveç kësaj, është e mundshme që Musk të ketë dhënë para edhe përmes kanaleve jozyrtare.
Sidoqoftë, Musk do të jetë në gjendje ta përballojë financiarisht faktin që ka shpenzuar kaq shumë para pa arritur suksesin e dëshiruar.
Sipas Bloomberg Billionaires Index, pasuria e tij vlerësohet në pothuajse 900 miliardë dollarë.
Roland Lindner është korrespondent ekonomik në Nju Jork (F.A.Z.)






























