Shkrimtarja kolumbiane Margarita García Robayo është shpallur fituese e edicionit të 44-t të Çmimit Herralde për romanin “Querida Sharik”, një vepër me elemente autobiografike, e ndërtuar përmes korrespondencës letrare. Çmimi shoqërohet me një shpërblim prej 25.000 eurosh.
Juria, e përbërë nga Fernando Pelayo, Gonzalo Pontón Gijón, Marta Sanz, Juan Pablo Villalobos dhe botuesja Silvia Sesé, përzgjodhi veprën e García Robayos, e cila ishte paraqitur në konkurs me pseudonimin Orika Biohó.
Në këtë edicion të çmimit u dorëzuan gjithsej 2.223 dorëshkrime.
Një histori për prejardhjen dhe kujtesën familjare
Rrëfimtarja e romanit Querida Sharik është një grua me origjinë nga rajoni i Karaibeve në Kolumbi, e cila jeton jashtë vendit të saj. Pothuajse si një lojë, ajo vendos t’i nënshtrohet një testi gjenetik për të gjurmuar prejardhjen e saj.
Nga rezultatet e testit zbulon se rrënjët e saj të largëta lidhen me një grua që kishte jetuar në territorin e Angolës së sotme 80.000 vjet më parë dhe se lidhja e paraardhësve të saj me Karaibet kishte kaluar përmes tregtisë së skllevërve.
E vendosur t’i afrojë vajzat me rrënjët e tyre, protagonistja planifikon të kalojë pushimet së bashku me to në një ishull të Karaibeve. Megjithatë, ish-bashkëshorti ia ndryshon planet dhe ajo detyrohet të udhëtojë e vetme.
Gjatë udhëtimit, ajo nis një lloj korrespondence me paraardhësen e saj të largët. Por letrat fillojnë t’u drejtohen edhe personave të tjerë të afërt me të, duke sjellë në rrëfim histori dhe kujtime familjare.
Kush është Margarita García Robayo?
Margarita García Robayo, e lindur në Cartagena de Indias të Kolumbisë, në vitin 1980, është autore e romaneve Hasta que pase un huracán, Lo que no aprendí dhe Educación sexual, të përmbledhura në vëllimin El sonido de las olas.
Ajo ka botuar gjithashtu disa përmbledhje me tregime, ndër të cilat spikat Cosas peores.
(Europa Press, 20minutos.es)






























