Ballina Aktualitet Tronditet Kosova/ Po përgatitej atentat ndaj kreut të LDK-së

Tronditet Kosova/ Po përgatitej atentat ndaj kreut të LDK-së

Mediat e Kosovës thonë se shërbimet partnere kanë dhënë informacione për planifikimin e një atentati ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe disa deputetëve të kësaj partie. Gazeta Express shkruan se një prej deputetëve, emri i të cilit përmendet si objektiv i një sulmi të mundshëm ka dhënë deklaratën e tij para policisë përpara gjysmë ore në një prej stacioneve të Prishtinës.

Sipas të njëjtave burime shërbimet partnere të Kosovës kanë zbuluar informacionin dhe madje kanë identifikuar grupin që po planifikonte atentatet. Duke qenë se këto informacione janë konsideruar jashtëzakonisht të besueshme është vendosur të vihen në dijeni krerët e LDK-së dhe organet e rendit.

“Njëri nga deputetët, i cili është objektiv i një atentati të mundshëm, e ku bën pjesë edhe Kryetari Abdixhiku, kanë deponuar krejt informatat që disponojmë në Policinë e Kosovës”, – tha burimi i Gazetës Express.

“Ne besojmë se Policia duhet ta trajtojë me seriozitet këtë rast, meqë informatat dhe shërbimet partnere të Kosovës që kanë arritur deri tek informacionet për atentat ndaj krerëve të LDK’së, janë jashtëzakonisht serioze”, – shtoi zyrtari i LDK-së, që foli në kushte anonimiteti të mërkurën mbrëma.

Gazeta Express thotë se nuk ka arritur ende ta konfirmojë nga organet zyrtare këtë informacion. Ajo që është konfirmuar edhe nga burime tjera është se informatat për planifikimin e vrasjes së Kryetarit të LDK’së dhe disa deputetëve të partisë së tij, kanë ardhur të mërkurën pasdite. ©LAPSI.al

Detaje të reja: Pos Abdixhikut, planifikuesit e atentatit cak kishin edhe Hotin, Gashin e Zemajn

Planifikuesit e antentatit ndaj pjesëtarëve të LDK’së, dyshohet se nuk e kishin synim vetëm kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhiku, por edhe tre deputetë të tjerë.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se cak i tyre kanë qenë edhe deputetët Avdullah Hoti, Arben Gashi dhe Armend Zemaj.

Ky i fundit ishte ai që tashmë e ka deponuar edhe një deklaratë për plan-atentatin në Polici të Kosovës.

Planin për atentat e konfirmoi së fundmi edhe deputeti i LDK’së, Kujtim Shala.

Ai tha se planifikuesit kanë rënë në përgjime të njërës prej agjencive intelegjente kryesore të BE’së. Sipas burimeve të Gazetës Online Reporteri.net, shteti në fjalë i BE’së është Gjermania.

Derisa shpalosi qëllimin e këtij plani për atentat, deputeti Kujtim Shala tha se motivi është politik dhe se kjo është vërejtur qartazi nga përgjimet.

“Nga informacionet që kemi marrë ne, që bazohet në përgjimet për të cilat po flas unë, motivi është pastërtisht politik, pra është qartë i thënë, i artikuluar dhe i elaboruar”, deklaroi Shala në RTV Dukagjini.

Ai shtoi se në këtë plan, të përfshira janë dy organizata, njëra që vepron në Kosovë dhe tjetra jashtë saj. Sipas tij, kjo e fundit ka financuar ekzekutimin e këtij plani.

Ndërkaq, lidhur me këto raportime, kanë reaguar edhe nga Policia e Kosovës.

Policia ka konfirmuar se është duke trajtuar një rast kanosje ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe deputetëve të partisë.

Ata thanë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore derisa pjesa tjetër u takon organeve të drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, deklaroi Policia e Kosovës. /Reporteri.net/.

@tn.lajmelokale
@tetovanews