Ballina Aktualitet Kultura “Karnavalet Ilire” 2023 (VIDEO+FOTO)

“Karnavalet Ilire” 2023 (VIDEO+FOTO)

Neshat Mehmedi

Përshëndetje Ju të dashur të pranishëm këtu në Sheshin ILIRIA të Tetovës. Më lejoni, që në emër të shoqatës Kulturore “Karnavalet Ilire” nga katundi Bozovcë, komuna e Tetovës, këshillit organizativ dhe në emrin tim të përshëndes Kryetarin e komunës së Tetovës z. Bilall Kasamin, edhe pse nuk është i pranishëm, z. Agim Krasniqi Konsulli Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë Veriore, Përshëndes Humanistin e përmasave mbarëkombëtare dhe biznesmenin e përmasave ndërkombëtare z. Lazim Destanin, në mungesë të tij përshëndes edhe përfaqësuesin e tij.

Përshëndes veprimtarin dhe atdhetarin z. Memetali Zenuni, pronar i restorantit “MEMY” në Velika Goricë të Kroacisë, përshëndesim zotëri . Nazmi Kelmendin – delegat i kuvedit historikt të Kosovës, 2 korrik 1990. Përshëndes kryetarin e shoqatës Kulturore “KARNAVALET E POJANIT” z. Klajdi Lulollari. Përshëndes ish imamin – Veprimtarin dhe guximtarin Miqail Osmani nga Struga.

Përshëndes një numër të konsiderueshëm të vëllezërve tanë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe Lugina Preshevës Përshëndes drejtor institucionesh, kryetarë të shoqatave profesor e profesoresha e student, mjek e mjeke, arsimtarë e arsimtare, inxhinier, qytetar të Tetovës, e më gjerë, të katundeve përreth si dhe shoqatat kulturore pjesëmarrëse: “Jahi Hasani” nga Çegrani, “Xheladin Zeqirin” nga Tetova, Burime e Sharit nga Tetova. Përshëndes Këngëtarët, përshëndes mediumet po bëjnë punë të shkëlqyer, po i bëjnë publicitet të jashtëzakonshëm kulturës në përgjithësi e në veçanti Manifestimit Kulturor shumë të lashtë Karnavalet Ilire. Ju kërkoj ndjesë të gjithë miqve e mikeshave, që janë të shumtë këtu në sheshin ILIRIA, për shkak të kohës, s’kam mundësi me i përmendur të gjithë me emra e mbiemëra.

Për Ne sot, është një ngjarje jashtëzakonisht e madhe dhe historike, sepse për herë të dytë Karnavalet Ilire zbresin nga Bozovca dhe Malësia e Sharrit të Tetovës në Tetovë dhe ja ku ndodhemi sot. Këta Karnavale nuk janë të Bozovcës, por të katundeve të Malësisë së Sharrit dhe më gjerë që organizohen në Bozovcë e Tani edhe në Tetovë. Karnavalistët janë jo vetëm nga Bozovca, por nga Veshalla, Vica, Sellca, Treboshi, Pollatica, dhe Kosova. Ky manifestim shumë i lashtë, që i mbijetoi kohës atje lartë në thellësi të Malësisë së Sharrit,

Të dashur të pranishëm, kultura është armë shumë e fuqishme e bashkimit shpirtëror, identitetit kombëtar dhe pasuri shumë me vlerë të madhe. Ne e kemi detyrë të takohemi sa më shumë nëpër manifestime të ndryshme kulturore e sportive ku do qofshin ato, Të mbushen sheshet, sallatë sportive plotë e përplot, kështu më të fortë do të bëhemi, më shumë do ta duam njëri tjetrin, më mirë do të njohim vlerat tona të përbashkëta e të lashta, pra lidhjet tona shpirtërore do i ngjallim duke vajtur te njëri tjetri, kështu sa më shumë do ta forcojmë kujtesën e do ta duam të kaluarën tonë që të çojnë te rrënjët ilire pellazge dhe do të luftojmë harresën.

Harresa është armiku më i madhi i jonë kombëtar, i ndarjeve, përçarjeve, konflikteve të panevojshme në baza fetare që janë shumë të dëmshme e shumë të turpshme për kombin tonë shqiptarë. Harresa apo mos shkollimi ka një qëllim shumë të rrezikshëm mohimin e origjinës, historisë tonë të lashtë, heronjve tonë kombëtarë, kulturës, të trashëgimisë, traditave, zakoneve, adeteve, të gjuhës, përshëndetjeve, të pagëzimit të fëmijëve, veshmbathjeve dhe e keqja më e madhe të identitetit kombëtar, siç po ndodh me vëllezërit tanë të fesë ortodokse të Rekës së Epërme, e me vëllezërit tanë të fesë islame të Sanxhakut, të parët e quajnë veten sllavë e të dytët veten boshnjak.

Armiqtë nuk na duan të jemi të bashkuar grusht të fortë. Qëllimi i tyre botërisht dihet: Milan Kundera thotë: “Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij. Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re. Para se të kalojë shumë kohë kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe!”

Kotë e kanë armiqtë, populli shqiptar është një, i bashkuar dhe i pandarë shpirtërisht. Sot duhet të na bëhet zemra mal, vetëm në Maqedoninë e Veriut kemi tre Universitete, ku vërshojnë me mijëra studentë e studente, si rezultat i tyre janë: mësues e mësuese, profesorë e profesoresha, mjek e mjeke, inxhinier e inxhiniere, artist, aktorë, piktorë e të tjerë.

Pra, femra shqiptare sot i ngjanë pranverës, na bënë të ndjehemi krenar me të arriturat dhe sukseset nëpër institucione në vend e në arenën ndërkombëtare e më të suksesshmet në Botë: Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqi, Rita Orën e Dua Lipën e sa esa të tjera janë për shkak të kohës s’mund t`i përmendim të gjitha me emra. E mos të flasim për të arriturat e gjinisë mashkullore.

Për fat të mirë, sot kemi klerin shumë të përgatitur profesionalisht e kombëtarisht, por na mungon bashkëpunimi i mirëfilltë, nuk duhet të hezitojmë, por ta thellojmë bashkëpunimin e ky bashkëpunim të jetë i ndërsjellë, të ftohemi nëpër aktivitete të ndryshme kulturore, nëpër akademi të ndryshme shkencore, të shprehen mendimet lirshëm në baza shkencore, kur do të thellohet ky bashkëpunim në nivelin mbarëkombëtarë, atëherë gjithmonë do të kemi beharë në të mirën e popullit tonë.

Të dashur të pranishëm të gjitha këta arritje s’janë të kollajshme ku do qofshin ato, duan mund, tolerancë, durim, guxim, vendosmëri, sakrificë dhe luftë të pakompromis për mes shkollimit e jo inatit e injorancës. Shkollimi është si drita, ajri dhe uji. Shkollimi na nxit të duam të kaluarën tonë historike edhe pse është aq e dhimbshme, na nxit të duam traditat, zakonet, adetet, kulturën dhe festat tona. Të gjitha këto janë pasuri shpirtërore e kulturore e jona, sepse s’ka popuj në botë që mund të ekzistojnë pa to. Edhe ky manifestim është pasuri kulturore e shpirtërore e jona kombëtare, se kemi marr u ha, por na e sollën të parët tanë: stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit, vëllezërit tanë nga lashtësia mijëravjeçare deri në ditët tona, ndërsa sot e prezantojnë rinia jonë në Sheshin Iliria.

Të dashur të pranishëm, ky është edicioni i 15 me radhë i manifestim tradicional “Karnavalet Ilire’’ të Malësisë së Sharrit, këto karnavale se kanë një ditë të caktuar të organizimit, por kanë një periudhë ku mund të organizohen. Pra, mund të organizohen nga 25 dhjetori, pra kur fillon të zgjatet dita e deri më 14 mars, e më së voni deri më 21 mars. Karnavalet Ilire janë institucion në vete, paraqesin familjet tona të mëdha patriarkale.
Kemi plakun, ndihmësit e plakut, plakën, nuset, vajzat, vëzhguesit e grupit, kombëtarët, e kush do të ngjyros fytyrën me gaca e kush do të maskohet e cilët do të vishen me gëzof, ferexhe, lurka e cilët do të jenë kombëtarët.

Gjatë rrugës karnavalistët sa më shumë lëvizin për me u dëgjuar sa më fuqishëm kumbonat për të lajmëruar se e përcollëm dimrin, stinën e kaosit dhe lajmërimin se erdh pranvera. Pra Pranvera është stinë e përtëritjes, stinë e pjellorisë, stinë e gjallërisë. Pra dëbimin e të keqes, dhe hapje rrugë për të mirën, të një jete të re, ku gjallëron natyra, bilbilat kudo këndojnë, buqit lërojnë e mbjellin të lashtat, shpezët shtegtare kthehen në folet e të parëve e të tjera.

Pra grabitja e vajzës për nuse është traditë e jona shumë e moçme, pra e lashtë qysh nga koha e paraardhësve tanë Ilirët. Ai djalë që është martuar me të grabitmë të vajzës, është llogaritur djalë shumë i zot trim dhe i dinjitetshëm.

Frutë i këtij karnavali jeni Ju sot këtu, janë ata që do na ndjekin nëpërmjet mediumeve, janë këta të rinjtë e këta të reja që prezantojnë e na sjellin copëza jete nga rrënjët tona Iliro-Pellazge dhe se jemi autokton në këto troje.

Të dashur vëllezër e motra, këto maska të ndryshme, të cilat i shihni sot në fytyrat e këtyre djemve të rinj, e vajzave të reja s’ janë importim, apo huazuar nga popujt e tjerë, s’janë as të rrezikshme e të dëmshme për askënd, as nuk i bëjnë keq askujt, as popujve të tjerë e aq më pak fesë, pra nuk nxitin urrejtje ndër fetare, e as ndërnacionale, sepse janë maska e veshmbathje nga e kaluara jonë dhe veshmbathjet tona kombëtare dhe, nëpërmjet tyre, shpalosim kulturën tonë, lashtësinë tonë, humorin dhe ritet tona, që sot e kësaj dite i gjen gjithandej trojeve tona, pikërisht nëpër dasma e ahengje e në veçanti natën e kënasë – vajzat që përgatiten për nusëri: Pra vajzat e nuset vishen dhe maskohen për të imituar vjehrrin, vjehrrën, kunetërit, hallat apo tezet e vajzës që shkon nuse.

Organizimin e këtij Manifestim kulturor të mbajtur dje në Bozovcë e ndihmoi z. Lazim Destani, kurse manifestimi që mbahet sot këtu në Sheshin Iliria, është falë ndihmës së Komunës së Tetovës. Meritë të veçantë për këtë manifestim kanë këta të reja e të rinj, shoqatat kulturore mediumet dhe fotografët. si dhe Ju vëllezër e motra bashkërisht jeni zemra gjaku dhe shpirti i jonë. Të duam traditat si ajrin, ta duam gjuhën si dritën e syve, ta duam shkollimin si dritën e diellit, ta duam kombin si zemra gjakun!
Ju faleminderit që më dëgjuat!
Momente të këndëshme ju dëshiroj!
12 mars 2023
Tetovë

@tn.lajmelokale
@tetovanews