Ballina Aktualitet Rasti i rëndë te Banja e Tetovës/Gjykata ka dhënë vendimin për vajzën...

Rasti i rëndë te Banja e Tetovës/Gjykata ka dhënë vendimin për vajzën që i mori jetën 16-vjeçarit

Gjykata Themelore në Tetovë njofton se procedura është zhvilluar ndaj një vajze në konflikt me ligjin e moshës 17 vjeçare dhe se për veprën penale të vrasjes vajza është dënuar me burgim për persona të moshës jomadhore në kohëzgjatje prej 10 vjetësh.

Vajza 17-vjeçare nga Rogleja e Tetovës, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u akuzua për vrasjen e djalit një vit më të ri, trupi i të cilit u gjet në lumin Shkumbin, është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie.

“Gjykata Themelore e Tetovës sot ka shpallur aktgjykimin për ngjarjen e ndodhur më 21.12.2022 në vendin e quajtur Banja e Tetovës, ku humbi jetën personi me inicialet B.H. në moshën 16 vjeçare dhe për të cilën ngjarje është zhvilluar procedura ndaj vajzës në konflikt me ligjin në moshën 17 vjeçare për veprën penale të vrasjes nga neni 123 paragrafi 2 pika 1 të Kodit Penal. Gjykata ka nxjerrë një vendim me të cilin vajza në konflikt me ligjin është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vite burg për personat e moshës jomadhore, thuhet në njoftimin e gjykatës së Tetovës.

Rasti i vdekjes së 16-vjeçarit u zbardh më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Më pas nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë kanë njoftuar se trupi i një djali 16 vjeçar i cili paraprakisht ishte raportuar i zhdukur është gjetur në lumin Shkumbin, në afërsi të Banjës së Tetovës.

Prokuroria e dyshoi më pas tek 17-vjeçarja për vrasje me paramendim, të cilën, siç thanë në atë kohë, e kishte bërë pas një debati të mëparshëm me një djalë një vit më të vogël.

“E dyshuara, një vajzë shtatëmbëdhjetë vjeçare, me dashje i ka marrë jetën një djali 16 vjeçar. Pas një debati verbal në një veturë në afërsi të vendit të quajtur Banja e Tetovës, ajo e ka goditur disa herë me një mjet të mprehtë në kokë të dëmtuarin, duke i shkaktuar lëndime të rënda, të rrezikshme për jetën. Më pas ajo e shtyu në lumin Shkumbin dhe personi u gjet i vdekur në drejtim të rrymës”, njoftoi Prokuroria e Tetovës përmes një komunikate më 23 dhjetor 2022.

Nën akuzën për vrasjen e të miturit në Banjat e Tetovës, Gjykata e Tetovës i shqiptoi dënimin me 10 vjet burg të miturës. Gjykata Themelore e Tetovës, mori sot vendimin për ngjarjen e ndodhur në 21 dhjetor të vitit 2022, të ndodhur te Banjat e Tetovës, ku u privua nga jeta 16 vjeçari me inicialet B.H, njofton Alsat.

Të miturës i është shqiptuar dënimi me burg për fëmijë në kohëzgjatje prej 10 viteve.

Sipas aktakuzës, dorasja fillimisht ka përdorur spraj, pas çka pasi ka humbur vetëdijen, viktimën e ka lidhur me fasha tek duart dhe këmbët, dhe e ka hedhur në rrjedhat e lumit Shkumbin të Tetovës, ku edhe është gjetur nga ana e zjarrfikësve dhe policisë së Tetovës.

Përndryshe, mëngjesin e e 22 dhjetorit është gjetur trupi i pajetë i gjashtëmbëdhjetë vjeçarit në ujërat e lumit “Shkumbin” në Tetovë, afër Banjës së Qytetit, i njëjti një ditë përpara ishte raportuar si i zhdukur.

Një ditë më vonë, një 17-vjeçare e dyshuar ka pranuar se ka vrarë 16-vjeçarin.

“Më datë 22.12.2022 në ora 14:00, në SPB Tetovë është zhvilluar intervistë zyrtare me një të mitur 17 vjeçare nga Rogla e Tetovës. Ajo dyshohet se ka sulmuar me send të fortë të miturin 16-vjeçar. Po ashtu në lidhje me ngjarjen në prani të prindit, përfaqësuesit nga Qendra për Çështje Sociale, avokatit dhe personit mjekësor është zhvilluar bisedë me një të mitur tjetër 17 vjeçar nga Tetova”, informoi asokohe Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews